Konferencë me Kryeministrin Rama për energjinë dhe naftën - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë me Kryeministrin Rama për energjinë dhe naftën

Faleminderit kryeministër!
Mirëmëngjes të gjithëve!
Unë do ta nisja, pikërisht aty ku Kryeministri la fjalën e tij. kriza energjetike nuk ka nisur as tani me luftën në Ukrainë dhe as në fillim të këtij viti. kriza energjetike është shfaqur në fillim të verës së kaluar dhe ju keni qenë në dijeni të kësaj pasi ne ju kemi informuar herë pas here dhe kemi marrë të gjitha masat për të mitiguar këtë problem. Kështu që duke mirë menaxhuar kaskadën gjatë muajve të verës dhe deri në fillim të vjeshtës nuk na është dashur që të përballemi me çmimet e importit, por ne ndërkohë, ato kishin filluar të rriteshin në një mënyrë të pakrahasueshme me vitet e mëparshme.
Nëse dikur bënte lajm një çmim që arrinte në 89 euro apo 90 euro për megavat/orë ne filluam në muajt e parë të vjeshtës, shtatorin dhe tetorin, në atë moment kur dhe kaskada e Drinit nuk ka kapacitete për prodhim me çmime shumë të larta pra rreth 200 euro. Për të arritur pastaj në fund të vitit deri në 300 apo 320 euro. Gjatë asaj periudhe, siç ju keni qenë në dijeni, Qeveria Shqiptare, Ministria e Financave ka vënë në dispozicion një kredi të vendosur mbi garancitë sovrane prej 100 milionë eurosh që u konsumuan për blerjen e energjisë dhe për subvencionin që ju jepet të gjithë abonentëve.
Duhet thënë kjo pasi e kemi përsëritur disa herë, Kryeministri e ka thënë në çdo dalje publike që të gjithë fashat që përfshinë abonentët familjarë, fasha e zero katrës që për ne përfshinë biznesin e vogël, por në dhjetor kemi marrë dhe një vendim të rëndësishëm për të mbrojtur bizneset e mesme, ato që janë të lidhura në tensionin e mesëm.
Çfarë ka ndodhur me këtë vendim dhe si ka shkuar, është sigurisht një vendim i përkohshëm pasi këtu jemi përpara një fakti që në janar të vitit 2022 të gjitha bizneset e madhësisë të mesme, ato që janë dhe funksionojnë sot të lidhura në tensionin e mesëm duhet të dilnin në tregun e lirë. Atë treg të lirë që shpeshherë ne e dëgjojmë dhe në emisione nga opinionistët apo dhe nga ambasadorët që flitet shpesh, por këtu ka një konfuzion se pasi flasim për tregun e lirë, flasim për mbrojtje edhe të fashës së biznesit të mesëm të lidhur në tensionin e mesëm.
Pavarësisht të gjithë këtij konfuzioni Qeveria Shqiptare u ul në tryezë me të gjithë grupet e interesit, e diskutuam dhe morëm një vendim, që në fund të muajit maj ne do të ulemi sërish në atë tryezë për të ridiskutuar nëse do të ketë një mundësi për të vazhduar dhe për ti mbrojtur këta abonentë nga ekspozimi në tregun e lirë. E vetmja fashë që prej disa vitesh i drejtohet tregut të lirë është ajo e bizneseve të mëdha, pra e 35 kilovoltshit.
Unë do ti referohesha pasi ju bëra një ekspoze të situatës dhe sesi Qeveria Shqiptare ka mbrojtur abonentët, do të jepja disa fakte përsa i përket tregut europian, duke nisur nga Mbretëria e Bashkuar e cila ka deklaruar se nga 1 prilli i 2022-it çmimi tavan i energjisë do të rritet me 54%. Ndërkohë që Gjermania, duke qenë se është një treg i lirë, ku operojnë 692 operatorë, ministri i energjisë ka deklaruar që qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë masë për të ndihmuar apo subvencionuar klientët pasi ky është një mall që tregtohet në një treg privat dhe është e drejt e konsumatorit dhe e tregtuesit që të gjejnë gjuhën midis tyre dhe ne na rezulton që çmimi i energjisë në Gjermani është rritur me 65%. Ndërkohë që Italia ka një rritje të pritshme të elektricitetit të paralajmëruar me 55%, ndërkohë që gazi është paralajmëruar që do të rritet me 42%, ndërkohë që rritja ka nisur, unë po flas për tavanet deri ku ata kanë deklaruar se do të arrijnë. Polonia e ka rritur çmimin me 37% të energjisë elektrike, ndërkohë që Turqia përsa i përket rritjes së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë ka aplikuar një tarifë mbi 50%, ndërkohë për rritjen e konsumatorëve komercial, të gjitha bizneset pra me 100% nga çmimi që ka pasur deri në fund të vitit. Gazi në Turqi ka një rritje 25% ndërkohë që rritja për përdorim industrial shkon deri në 50% . Maqedonia e Veriut ka aplikuar rritje për çmimin e ngrohjes përmes gazit apo naftës me 14%, ndërkohë që rritjen e energjisë elektrike me 10%.
Sigurisht unë do të ndalem në disa shifra që ndoshta janë shumë teknike, por që do ta bënin më të kuptueshme bisedën që edhe Kryeministri sapo bëri me ju, por unë besoj që do të sqaronte pak edhe abonentët dhe klientët. Do ti referohem vetëm vitit 2022 duke qenë se ky është momenti kulminant i krizës përsa i përket çmimeve të shitjes së energjisë. sigurisht ne përdorim gjithmonë kaskadën, edhe në kushte të vështira të motit, kur të gjithë po e shikoni që reshjet e shiut janë bërë një luks në Republikën e Shqipërisë, edhe bora që bie nuk është borë e cila depozitohet që ne të kemi shpresa që të paktën depozitat e kësaj bore do të na ndihmojnë në kaskadë gjatë pranverës, deri tani jo faktikisht, presim ndonjë ndryshim të vogël deri në datën 20 mars, megjithatë ky do të vazhdoj të jetë një vit i thatë. Unë do doja t’ju jepja disa fakte.
Sasia e prodhuar nga kaskada në janar, faktike është 415,560 megavat orë, në shkurt 283,466, marsi është i pritshëm, sipas projeksioneve tona me 286,569 megavat orë, ndërkohë që prilli akoma më i ulët me 199,249 megavat orë. Të gjitha këto, duke pasur parasysh konsumin që ne kërkojmë, ose tregu kërkon, që në muajin janar 537,209, në muajin shkurt 499,472, kemi parashikimet për marsin që duhet të jetë 486,569, ndërkohë që për prillin projeksioni i pritshëm është 459,249 megavat orë të kërkuara nga tregu. Në janar kaskada ka prodhuar rreth 77% të energjisë, në shkurt ka prodhuar 57% të energjisë të kërkuar nga tregu, parashikohet që në mars të prodhoj 59% të energjisë të kërkuar nga tregu dhe në prill vetëm 43% të energjisë së kërkuar nga tregu. Siç është e kuptueshme pjesa tjetër ne jemi të detyruar që të dalim në import për të blerë.
Dje, Bura energjetike të cilës ne i referohemi ka arritur për herë të parë një çmim rekord që është 550 euro. Për të thënë të drejtën ky është një çmim i paralajmëruar, edhe Sekretariati i Energjisë i vendosur në Vjenë ka paralajmëruar që do të ketë një rritje të çmimeve ekspasionale diku deri në fillim të verës dhe lajmi i keq është që nuk është ky tavani. Pra 550 do të ndryshoj duke u rritur dhe fatkeqësisht flitet për shifra që mund të arrijnë edhe 1 mijë euro për megavat orë. Dua vetëm t’ju kujtoj që megavatori një vit më parë në këtë kohë kushtonte 52 euro, 68 euro apo 710 euro ën maksimum. Pasi jemi në një fazë kur prodhohet në Ballkan edhe për shkak të hidrocentraleve apo TEC-eve dhe gjithçka tjetër. Kështu që kini parasysh se çfarë rritje kemi, pra nga 42, apo 52, apo 68 euro për megavat orë sot po blejmë në treg me 550 euro për megavat dhe pritet dhe rritje në të ardhmen.
Në ndërkohë do doja që çfarë thash deri tani ta përkthej në shifra, në para të cilat janë shpenzuar deri tani për blerjen e energjisë elektrike. Mesatarisht megavatori në muajin janar është blerë me 237 euro, këtë e them mesatarisht pasi ka pasur ditë që ka kushtuar edhe 380 euro edhe ditë që ka kushtuar 210 euro. Në muajin shkurt megavatori është blerë mesatarisht me 231 euro ndërkohë që pritshmëria për muajin mars mesatarisht do të jetë 500 euro, pra dyfishi asaj që kemi blerë në janar. Që padyshim ishte dhe ajo një vlerë shumë e madhe. Për të kuptuar vlera që na është dashur të shpenzojmë gjatë muajit janar për të kompensuar prodhimin e kaskadës dhe kërkesën e tregut është 32 milionë e 678 mijë e 433 euro. Në muajin shkurt blerja nga importi është 48 milionë e 356 mijë e 732 euro. Parashikimi për blerjen në muajin mars me çmimin që sapo ju thashë, mesatarisht 500 euro është 100 milionë euro. Ndërkohë që parashikimi për muajin prill i pritshëm, duke qenë se kaskada do të prodhoj dhe më pak, është 134 milionë euro. Në total deri në muajin e katërt të këtij viti faktikja e konsumuar dhe çfarë presim nga projeksionet do të arrij rreth 320 milionë euro subvencion përsa i përket energjisë nga Qeveria Shqiptare dhe nga buxheti i shtetit.
Do doja t’ju shpjegoja dhe një fakt tjetër për ta kuptuar, sesa kushton kilovatori. Mesatarisht ne kemi blerë në treg megavatorin deri më sot me 250 euro ndërkohë që sipas të gjitha të dhënave për aq sa paguhet shitet me 100 euro për megavat. Në çdo megavat kemi një subvencion 150 euro nga Qeveria Shqiptare dhe kjo është diçka që mund të vërtetohet përmes të gjitha shifrave që ne i kemi bërë publike dhe do vazhdojmë ti bëjmë publike. Për të kaluar tek kilovatori dhe për tu bërë më të kuptueshëm përsa i përket çmimit. Thamë që vijojmë të mbrojmë klientin familjar, abonentin familjarë, fashën 04 të bizneseve të vogla. Në muajin janar, sipas përllogaritjeve që unë ju dhashë pra çfarë ka prodhuar kaskada dhe çfarë kemi blerë në treg me një çmim mesatar 237 euro, çmimi i kostos së kilovatorit është 28.94, ndërkohë që shitet me 9.5 apo 12 në rastet kur kemi fashat e tjera. Në shkurt, çmimi që kemi shitur kilovatorin ka qenë i njëjtë, pra nuk ka lëvizur për shkak të mbrojtjes, ndërkohë që kosto e prodhimit dhe e blerjes, e miksuar, shkon në 28,3 lekë për kilovatorë, pra e kuptoni diferencën. Po i referohem tani edhe marsit, kosto e kilovatorit në muajin mars për Qeverinë Shqiptare do të jetë 61 lekë për kilovatorë, ndërkohë që do të vazhdoj të tregtohet dhe ti jepet abonentëve me çmimet e mëparshme. Kështu që këtu po shkojmë drejt 10 fishimit të çmimit të kostos ndërkohë që çmimi i shitjes vazhdon të ruhet i njëjtë. Unë besoj që ky subvencion është subvencioni më i madh që ne kemi dhënë pavarësisht të gjithë subvencioneve që janë dhënë gjatë pandemisë, por energjia zë pjesën më të madhe të subvencionit shtetëror ndaj abonentëve dhe jo vetëm abonentëve në nevojë, por të gjithë abonentëve duke qenë se këtu përfshihen të gjithë abonentët familjarë.
Do të ndalesha vetëm pak tek disa kërkesa që kohët e fundit jemi ndeshur sidomos me fashën e autoprodhuesve. Autoprodhuesit deri në vitin 2020 flitej për një abstraksion , një ligj që duhej të aplikohej, por që nuk ishte aplikuar kurrë dhe ndërkohë ne jemi marrë me çdo biznes, kemi dëgjuar çdo ankesë nga ana atyre dhe çdo shqetësim dhe vendosem që pavarësisht impaktit negativ që ku proces krijon në rrjetin e shpërndarjes, në rrjetin e OSHEE-së, ne kemi vendosur që edhe duke i dhënë kështu një shtysë efiçencës energjetike, duke rritur kapacitetet e energjisë së rinovueshme dhe duke incentivuar këta prodhues, kryesisht të bazës ekonomike shqiptare, pra duke nisur nga ata që prodhojnë ushqimet dhe deri tek ata që kanë një lloj industrie në zhvillim, ne kemi vendosur që ti mbështesim përmes autoprodhimit. Ditët e fundit përmes një kërkesë që ka nxjerrë një nga shoqatat, pasi unë me shumë shoqata ulem flas dhe gjithmonë del një tjetër që ka kërkesa është diskutuar për rritjen e kapaciteteve të autoprodhuesve. Tani duhet të jemi pak të qartë dhe serioz në këtë pikë, pasi kapacitetet e autoprodhuesve nuk rriten as në dëshirën time dhe as në dëshirën e kësaj qeverie, pasi janë bazuar në studime të mirëfillta dhe në praktikat më të mira të tregut europian.
Ka një tabelë që tregon sesi Republika e Shqipërisë e ka përshtatur këtë ligj dhe sesa shumë ne i kemi mbështetur bizneset të cilët kanë vendosur që të përdorin autoprodhimin. Pra autoprodhim për të gjithë ata që na ndjekin do të thotë një ndërmarrje e cila vendos që mbi tarracën e saj të ketë prodhim energjetik përmes paneleve diellore dhe në Republikën e Shqipërisë lejohet që ky prodhim të mos jetë më i madh se 500 kilovat orë. E njëjta politikë aplikohet në Itali dhe në Greqi. Janë vetëm këto 3 vende në Evropë Shqipëria, Italia dhe Greqia të cilët aplikojnë fashën 500 kilovat orë për autoprodhim, në ndërkohë që të gjithë vendet e tjera, Armenia e ka 150, Spanja dhe Kosova aplikojnë vetëm 100 kilovat orë, Hungaria 50 kilovat orë, Rumania 50 kilovat orë, Bosnjë Hercegovina gjithashtu, Mali i Zi, ndërkohë që Maqedonia e Veriut që shpeshherë merret si shembull nga bizneset, nga shoqatat etj., aplikon vetëm 20 kilovat orë për autoprodhim.
Çfarë është autoprodhimi?! Autoprodhimi është mundësia që ne i japim bizneseve që të prodhojnë energjinë për të cilën kanë nevojë, por në ditët kur ata nuk kanë nevojë që mund të jetë e shtuna, e diela, mund të jetë ditë kur ata vendosin të mos prodhojnë, të kenë të drejtë ta hedhin në rrjet dhe kjo të shkëmbehet me energjinë që ne tregtojmë. Pra me atë energji që unë sapo ju thashë që sot kushton 550 euro megavat orë dhe e gjithë kjo është shumë e kuptueshme, është një subvencion që shteti jep, është një mbështetje që shteti jep për të gjithë bizneset e vogla apo të mëdha, por që të vish sot dhe të kërkosh në emër të rritjes së kapaciteteve energjetike shtim të autoprodhimit do të thotë që një fabrikë mielli të vendosë të bëhet prodhues i energjisë elektrike, sepse ai do ta bëjë 1 megavat apo 2 megavat dhe të subvencionohet me para të taksapaguesve shqiptarë nga Buxheti i Shtetit. Kjo është diçka që unë dua ta sqaroj, është diçka që e kam sqaruar që ata që autoprodhojnë e kuptojnë shumë mirë këtë dhe kjo nuk është një lojë për tu bërë në kohë luftë apo në kohë krizash. Kështu që Qeveria Shqiptare do të vazhdojë të aplikojë një ligj për të cilin kam punuar vetë personalisht dhe jemi ulur me qindra herë me ta dhe kanë qenë shumë të qartë se çfarë sakrifice ishte kjo si për anën teknike të rrjetit, ashtu dhe për Buxhetin e Shtetit dhe sot të ndodhur para kushteve të një çmimi kaq të lartë dhe të ekspozuar, ata nuk mund të vijnë tek qeveria dhe të kërkojnë që qeveria të marrë paratë e taksapaguesve, paratë e pensionistëve dhe të çdo punonjësi që paguan taksa në Republikën e Shqipërisë dhe ti kompensojë atyre energjinë. Nëse kjo do të ndodhë atëherë i bie që ne qenkemi aksionerë në çdo fabrikë mielli, në çdo furrë buke, në çdo fabrikë që prodhon pije freskuese. Ne subvencionojmë familjarin që është pjesa e luanit në tregun e energjisë dhe e subvencionojnë fuqishëm. Nga 61 lekë që kushton sot kilovat ora paguhet vetëm 9.5 apo 11 apo 12, sipas rasteve. Ky është subvencionimi që ne bëjmë dhe për biznesin e vogël i cili sigurisht ka nevojë për shtetin për të qëndruar në këmbë. Ne nuk mund të bëjmë këtë lojë më dhe nuk mund të vazhdojmë të vihemi përpara kërkesave se në rast se ju nuk na përgjigjeni ne, duke na shtuar kapacitetet, duke na ulur çmimin, duke na hequr nga tregu i lirë, ndërkohë që kërkohet, dhe pastaj fjalia mbaron me bursën energjetike, kjo nuk mund të ndodhë më. Nëse bursa energjetike do të funksionojë i bie që çdo biznes në Republikën e Energjisë i lidhur në tensionin e mesëm dhe flasim për 7740 biznese dhe çdo biznes i lidhur në 35 kilovoltshin të dalë dhe ta blejë në treg të lirë. Kjo është bursa. Bursa energjetike është blerje në treg të lirë. Tani kur fjalia nis që duhet të na mbroni, ashtu siç mbroni biznesin e vogël dhe mbaron që duhet të fillojë funksionimi i bursës që aty duket që ose nuk jemi ekspertizë nga ana e kërkuesve përsa i përket energjisë, ose pastaj po abuzohet dhe po përdoret për arsye politike.
Përsa i përket një kërkese tjetër e cila sot përmendet dhe ka të bëjë me parametrat e cilësisë së furnizimit, unë dua t’ju kujtoj vetëm kaq, që në vitin 2013 kur rrjeti i shpërndarjes u mor në dorëzim humbjet në këtë rrjet ishin 45% të energjisë së transmetueshme, pra gati gjysma e energjisë që transmetohej në rrjet shkonte dëm. Ndërkohë që sot pavarësisht krizës që krijoi covidi dhe ju jeni në dijeni që ne ndërpremë të gjitha investimet pasi nuk mund të investonim në një kohë kur subvencionoheshin edhe pagat e punonjësve, sot megjithatë me gjithë vonesat që u krijuan nga 2 vitet e pandemisë ne kemi arritur në 20.5% të humbjeve në rrjet. Përsa i përket parametrit, pra të kohëzgjatjes së ndërprerjeve për abonentë në vit, e kemi marrë në 2013 me 117.5 dhe sot jemi vetëm me 42. Ndërkohë që numri mesatar i ndërprerjeve për abonent për vit ka qenë 53.5 dhe sot jemi 22.6. Këto janë të gjitha shifra që nuk i kundërshton dot askush. Këto janë të gjitha shifra që tregojnë që të gjitha investimet që janë bërë në rrjetin e shpërndarjes kanë dhënë impakt dhe për më tepër ashtu siç kemi bërë të gjithë këtë ndryshim deri tani ne do të vazhdojmë edhe më tutje duke bërë të pamundurën për të përmirësuar situatën teknike të rrjetit, për të ulur humbjet dhe për të pasur sa më pak ndërprerje. Sigurisht ka zona të cilat sot për shkak të investimeve kanë kapur parametrat evropian siç është zona e Kombinatit, apo siç është zona e Hoxharës, e Fierit etj., ku ndërprerjet janë të papërfillshme apo edhe humbjet në rrjet janë ashtu siç diktohen dhe nga Sekretariati i Energjisë, pra deri në 4%.
Në ndërkohë do të desha të sqaroja edhe një fakt tjetër. Flasim për çmimin. Kryeministri e përmendi. Çmimi është një faktor i cili të paktën në Republikën e Shqipërisë përsa i përket energjisë është një barrë totalisht në kurrizin e shtetit, pasi ky është vendimi i Kryeministrit dhe i Qeverisë Shqiptare. Unë doja të thoja diçka tjetër. Shqetësimi i të gjithë ne nuk duhet të jetë çmimi vetëm. Shqetësimi më i madh që duhet të kemi është mungesa e produktit në treg. Ju duhet të kuptoni që sot në fushën energjetike për ne nuk është një sfidë vetëm çmimi, i cili është përditë një surprizë e re. Sot në fushën energjetike ne po përballemi me mungesën e kapaciteteve prodhuese dhe ajo që hasim çdo ditë nëse dalim në import është që nuk arrijmë të përmbushim sasitë e kërkuara. Ky është shqetësimi i të gjithë Evropës. Sasitë që sot prodhohen, duke qenë se baza e prodhimit janë termocentralet qofshin këto me gaz, qofshin këto me naftë, ajo që sot po ndodh është që nuk ka sasi në treg, çështje që do të sjellë kufizime dhe kjo është diçka që duhet pasur e qartë. Ne po punojmë maksimalisht për të arritur dhe optimizuar kaskadën edhe në kushtet atmosferike që jemi dhe për të mos ta futur Republikën e Shqipërisë nën një program kufizimesh, por vendet e tjera e kanë nisur. E ka nisur Italia nga ndërtesat qeveritare, një praktikë që ne po e shikojmë dhe KESH ka prodhuar një plan masash të cilët ne do ta nisim nga administrata për ta shpërndarë, nga orët kur godinat shtetërore ndriçohen nga jashtë apo nga brenda. Nga ndërprerjet e pajisjeve menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar apo dhe shumë masa të tjera të cilat ne do ti ndajmë publikisht me ju, pasi do të ketë edhe një paketë masash të eficiencës që do të kërkohet nga qytetarët. Pra kursimi, sesi duhet të përdoret kondicioneri, dritat duhet të ndizen një orë me vonesë të pakën, sesi industria nuk duhet të përdorë sasi të cilat nuk janë të nevojshme. Pra të gjitha këto nuk kanë të bëjmë më me çmimin, por kanë të bëjnë me sasinë energjetike të tregut. Sasia energjetike e tregut, flitet për tregun evropian, ne nuk blejmë as nga komshinjtë, edhe as nga miqtë tanë. Është një treg në të cilin ne drejtohemi dhe sasitë energjetike sot janë të kufizuara si për Italinë, si për Gjermaninë, ashtu dhe për Shqipërinë. Shkaku, çmimi i naftës dhe i gazit. Prodhuesit kryesorë në Evropë vazhdojnë të jenë termocentralet me naftë dhe me gazë. Për fatkeqësinë e madhe dhe për shkak të politikave që janë ndjekur dhe sasia e nuklearëve të cilët funksiononin në gjermani doli jashtë funksionit sipas të gjitha praktikave, duke ulur kështu prodhimin. Ashtu si dhe TEC-et në Mbretërinë e Bashkuar donë jashtë funksionit me shtimin e kapaciteteve të eolikëve në detin e veriut, por që sot që flasim nuk po arrijnë që të mbulojnë as gjysmën e kërkesës që tregu ka. Kështu që të kuptojmë një fakt, çmimin në Republikën e Shqipërisë po e mban në kurriz qeveria shqiptare. Ajo që nuk do arrijmë dot që në rast se na ndodh që ta zgjidhim do jetë mungesa e kapaciteteve energjetike dhe kjo është një luftë që ne duhet ta bëjmë bashkë dhe duhet të jemi në krah. Unë nuk besoj që këtu qeveria është në bankën e të akuzuarve pse çmimi i naftës ngrihet në bursën e naftës apo pse çmimi energjetik për shkak të naftës dhe të gazit ka kapërcyer çdo lloj fantazie që ne kemi pasur.
Nëse ju keni pyetje, unë mund ti përgjigjem edhe pyetjeve tuaja pasi info kam plotë dhe nuk dua ta zgjas më tej.

******

Përgjigje pyetjeve të gazetarëve

Do ta nisë me sqarimin, nuk njoftova që do të ketë kufizime se pastaj do humbasë sesi i gjithçka je çfarë thamë dhe do dalë lajmi që do ketë kufizime. Nuk do të ketë kufizime. Por ajo që duhet pasur parasysh është që, e theksoj dhe një herë, çmimi është një hall shumë i madh, por që sot mbahet në kurriz nga Qeveria Shqiptare, nuk po e ndjen familjari dhe ndoshta kjo është dhe arsyeja pse sot po diskutojmë si të ulin çmimin e naftës. Ka edhe një mundësi tjetër për naftën, duhet të konsumojmë më pak, mos të marrim makinën për të blerë cigare apo për të blerë bukë tek cepi i rrugës, por të ecim me këmbë. Kështu ndodh kur rriten çmimet duke qenë se ky është një produkt që tregtohet në treg nga privatët dhe shteti nuk ka çfarë bën, sepse po e hoqi taksën nga nafta do ta paguani tek DPSHTRR-ja apo jo? Sepse ajo është taksë e karbonit. Është taksa e karbonit, është taksa e qarkullimit të cilat do të paguhen sepse janë taksa që aplikon gjithë Europa. Tani nëse këtu bëhet fjalë që ta heqim dhe ta vëmë atje tek patentat apo të jetë në çmimin e naftës që bën më sens sepse kushdo që blen naftë do të thotë që i jep i automjeti, unë nuk e di që shkojnë dhe blejnë naftë me bidona për përdorime të tjera. Tani këtu kur flasim për çmimin e naftës ka dhe një gjë tjetër për tu bërë, për tu kursyer nafta.
Kurse përsa i përket kufizimeve nuk do të ketë kufizime përsa kohë ne garantojmë energjinë. Kur tregu të shkojë në ekstremitete, pasi ju shpjegova, dalim për të blerë në import dhe e kemi shumë të vështirë të plotësojmë atë sasi që kërkohet për të plotësuar kërkesën e tregut përveç gjenerimit vendas që ne kemi. Kështu që nuk do të ketë kufizime deri ditën kur ne do arrijmë edhe me këtë çmim të lartë të sigurojmë në treg energjinë. Por po përballet me këtë e gjithë Europa. Sepse ne shkojnë në të njëjtin treg, aty ku blen Italia, atu ku blen Gjermania dhe kushdo.
Përsa i përket rritjes së kapaciteteve. Ne kemi një strategji dhe kemi vite që punojmë për të. Sigurisht në energji kemi dy çështje kryesore, një që quhet Capital Intensiv, pra çdo nukël energjetike kur ndërtohet ka nevojë për kapital të rëndësishëm dhe e dyta, që një nukël energjetike të ndërtohet, qoftë kjo park fotovoltaik, hidrocentral, park eolik kërkon dhe një kohë nga gjeneza kur është studimi dhe deri tek momenti i operimit. Megjithatë ne tashmë jemi në faza shumë të avancuara për të gjitha projektet që Qeveria ka dhe më pas do ti referohem dhe projekteve private që janë të rëndësishme gjithashtu. Parku i Karavastasë tashmë ka përmbyllur të gjitha kushtet dhe kërkesat , ka nisur dhe faza e përgatitjes së kantierit, unë dhe kryeministri kemi qenë atje kur ka nisur kjo fazë përgatitje dhe tani jemi në fazën e ndërtimit. Muaji mars shënon ndërtimin e parkut të Karavastasë që mua më rezulton që duhet të mbaroj brenda 12 muajve dhe flasim për një nga parqet më të mëdha në Europë, 140 mega dhe i cili shteti përfiton 70 mega nën PPA. Sot, të përmendim PPA-në e Karavastasë duket me të vërtetë abstraksion. Domethënë sot kur çmimi shitet me 550 euro për megavatorë, Republika e Shqipërisë ka siguruar 70 mega me 24.86 euro për megavatorë. Dhe këto janë të gjitha punë dhe veprime të bëra nga kjo Qeveri. Ndërkohë në të njëjtat hapa ndodhet dhe parku i Spitallës sigurisht me kohë tjetër pasi kjo është një garë që është zhvilluar një vit më pas. Duhet thënë që shumë shpejt po ecën dhe kemi ecuri të shkëlqyer në këtë pikë TEC-i i Vlorës. TEC-i i Vlorës i cili ka katër faza për implementim dhe siç ju e dini bëhet nga një konsorsium amerikan i udhëhequr nga Excelerate Poëer. Ndërkohë që kemi nisur punën edhe për Skavicën, ndërtimin e Skavicës. shumë i përfolur, e përdorur politikisht, i kemi të mërzitur pjesën e opozitës pasi ka qenë një projekt në sirtar prej vitesh, por ne nuk mund të merremi pra kujt i prishen ëndrrat dhe kanë dashur ta bëjnë vetë dhe nuk e bëjnë dot dhe meqë nuk e kanë bërë dot vetë tani çfarë s’po thonë dhe po i shqetësojnë njerëzit që jetojnë në atë zonë.
Kështu që Skavica është një realitet, Bechtel është në terren, studimi gjeologjik që është pjesa e parë dhe markimi i liqenit, pra që do ndërtohet për llogari të kaskadës, duke qenë se Skavica nuk është thjesht një hidrocentral, por është optimizues i kaskadës, është drejt përfundimit. Dhe menjëherë të përfundimit të studimit gjeologjik dhe atij të fizibilitetit nisim fazën e negocimit përsa i përket termave financiare dhe menjëherë do të niset projekti i detajuar për të qenë në terren dhe për të nisur ndërtimin rreth janarit të 2023. Këto janë të gjitha masat që ka marrë Qeveria Shqiptare për rritjen e kapaciteteve që do të fillojnë të kenë duk duke nisur nga viti 2023 e në vazhdim dhe duke rritur kapacitetet tona dhe duke i shumëfishuar ato.
Duhet thënë gjithashtu që kemi nisur një projekt të ri të mbështetur nga BERZH-i përsa i përket eolikëve dhe jo vetëm eolikëve që deri më tash mund të ketë pasur disa përpjekje të sektorit privat në Shqipëri, por të eolikëve të vendosur ofshore, pra në det. Jemi duke bërë studimin në këto momente, duke qenë se besojmë se ofshore, pra vendosja e eolikëve në det, mund të jetë një potencial shumë i rëndësishëm për plotësimin e kapaciteteve gjeneruese në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë unë do ti rikthehem edhe një fakti shumë të rëndësishëm që kam dëshirë ta ndaj me ju, pavarësisht se jemi dhe ngushtë me kohën. Kaskada ka qenë e dizenjuar me 3 hidrocentralet që ka sot, por dhe me 3 hidrocentrale të tjerë të cilët janë privatizuar në mënyrën më flagrante thjesht në shkëmbim të një TVSH-je të papaguar. Kaskada sot vuan edhe për shkak të privatizimit të Shkopetit, Ulzës dhe të Bistricës. Kështu që paguajmë kosto edhe të veprimeve të papërgjegjshme që janë bërë ndër vite. Sot ne na duhet që të mitigojmë problemin që kemi, na duhet të zgjidhim padyshim pavarësinë energjetike të Republikës së Shqipërisë të cilën mund ta arrijmë, por ju nuk duhet të harroni faktin që ne jemi përballur me tërmetin, me pandeminë dhe na është dashur shpesh që investimet jo ti ndërpresim, por ama ti kemi më të kontrollueshme pikërisht për të subvencionuar energjinë apo dhe kërkesa të tjera që ka pasur.

Previous Pothuajse gati drafti i parë i Strategjisë Kombëtare të Rinisë.

Leave Your Comment