Konferencë për media e Ministres Balluku - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për media e Ministres Balluku

Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot është një ditë e shënuar për sektorin energjetik shqiptar. Megjithatë kjo është një iniciativë që ne e kemi nisur që në gusht të vitit 2021, ose më saktë në fund të korrikut dhe që deri më sot kanë kaluar rreth 1 vit përsa i përket garës së hapur, e cila është mbyllur në qershor të 2022 dhe kemi marrë pastaj kohën për të vlerësuar të gjitha kriteret teknike të këtij ankandi. Bëhet fjalë për ankandin e erës të cilin e kemi dizenjuar dhe e kemi vazhduar të gjithë këtë rrugë ashtu siç kemi bërë zakonisht edhe me ankandet e diellit, së bashku me BERZH, me specialistët që ata na kanë vënë në dispozicion dhe na kanë ndihmuar në të gjithë procesin, por gjithashtu me një mbështetje nga SECO zvicerane, që gjej rastin ti falenderoj edhe BERZH-in, edhe SECO-n për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që na kanë dhënë.

Këto parqe eolike do të jenë parqet e para në Shqipëri të një sasie të konsiderueshme, nga 10 megavat deri në 75 megavat. Shuma totale e këtyre parqeve është nga 100 deri në 150 megavatorë dhe ne synojmë që ti kërkojmë kompanive, të cilat me të vërtetë duken që janë kompani prestigjioze dhe kompani që kanë eksperiencë në fushën e prodhimit energjetik nga burimet e rinovueshme, që ta dorëzojnë sa më shpejt projektin, pasi kur ne e kemi nisur këtë, në korrik të 2021 ne kemi shpallur garën, por padyshim flitet për një punë paraprake shumë të gjatë. Kështu që kur ne e kemi nisur këtë punë, që në vitin 2020, sigurisht nuk ishim të përgatitur që do të kishte një krizë energjetike, ashtu siç ne e kemi sot dhe po përballemi, por kemi qenë të përgatitur për një fakt shumë të rëndësishëm, që Shqipëria duhet të diversifikonte të gjitha burimet e saj natyrore të prodhimit të energjisë elektrike, duke vazhduar dhe duke u bazuar tek burimet e rinovueshme.

Kështu që sot ne jemi shumë të lumtur që të paraqesim rezultatet e fazës së parë të këtij ankandi që është faza teknike. Në këtë fazë teknike pasi kemi analizuar të gjithë dosjet e pjesëmarrësve që kanë qenë 17 aplikime nga kompani kryesisht ndërkombëtare, por edhe me disa elementë të konsorsiumeve ku ka edhe kompani shqiptare. Nga këto 17 aplikime ne kemi arritur në një numër të koncentruar, të cilët janë edhe 6 kompanitë, të cilët kalojnë në fazën e dytë, pra në fazën e verifikimit të kushteve financiare, të cilin ne do ta bëjmë sipas asaj traditës që tashmë kemi krijuar duke e bërë live për të qenë të gjithë së bashku në momentin e hapjes së zarfeve financiare. Ndërkohë që kjo është faza e parë dhe 6 kompanitë fituese të kësaj faze, të cilat kanë dalë pas një procesi shumë të gjatë vlerësimi janë:  Total Eren, kompani franceze; Verbund, kompania gjermane; Voltalia, kompani franceze; Eksim Yatrin Holding, kompani turke; Ayen dhe Salillari, kompani turke dhe shqiptare, konsorcium; Guris dhe Mogan Energy, një tjetër kompani turke.

Të gjitha kompanitë janë kompani me eksperiencë të gjatë në prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme. Janë kompani të cilat zotërojnë parqe energjetike, qofshin këto solar apo qofshin këto eolike dhe ne jemi shumë të sigurtë që kanë edhe kapacitetet financiare për ta përballuar këtë investim, por duke mos harruar që dy partnerët tanë në këtë projekt janë BERZH-i dhe SECO, të cilët do të ofrojnë edhe mundësinë e kreditimit të këtyre projekteve.

Tashmë pas dy ankandeve që ne kemi pasur për prodhimin e energjisë elektrike nga parqet fotovoltaike, atë të Karavastasë dhe atë të Spitallës, Karavastaja tashmë është në fazë të avancuar dhe ka nisur prej kohës ndërtimi i tij, ndërkohë që Spitalla është në fazat e fundit të përmbylljes së gjithë procesit për të nisur ndërtimin. Mund të thuhet që bashkëpunimi ynë me BERZH është një sukses i garantuar dhe fakti që pjesëmarrësit, janë kompani të një niveli të mirë dhe shumë të mirë, përsa i përket qëndrimit të tyre dhe pozicionimit të tyre në tregun e energjisë, bën që ky proces ne të jemi optimist dhe të besojmë që do të kemi rezultate shumë të larta përsa i përket edhe ofertave financiare.

Dua të përmend një fakt të rëndësishëm që ne kemi një tavan përsa i përket ofertës financiare, i cili është 75 euro për megavatorë. Kështu që ofertat do të lëvizin nga 75 euro dhe poshtë. Duke pasur parasysh sot kushtet në të cilat çmimi i energjisë elektrike për megavatorë ka arritur shifra të paparashikueshme ndonjëherë, ndoshta të paparashikueshme dhe nga fillimi i vitit. Në janar ne kemi hyrë me një parashikim për 3 mujorët, i cili sot nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën është 3-4 herë më shumë se parashikimet tona, imagjinoni se çfarë përfitimi do të ketë Republika e Shqipërisë nga lidhja e kontratës për këto parqe eolike me çmimin maksimal 75 euro që ne jemi të sigurtë që për shkak edhe të konkurrencës, transparencës që ne kemi aplikuar edhe në ankandet e tjera, çmimi do të jetë akoma dhe më i konkurrueshëm.

 

Fjala e Drejtorit të Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë, Enea Karakaçi:

Doja të shtoja faktin që gjatë gjithë kësaj vijueshmërie që ju e përmendët nga muaji korrik i vitit të shkuar, ne kemi kryer disa aktivitete në fakt. Mund të theksoj që në dhjetor të vitit 2021 ne kemi bërë një konferencë online për të marketuar, le të themi, këtë lloj ankandi, ku kanë marrë pjesë rreth 80 subjekte të gjitha ndërkombëtare, në bashkëpunim sigurisht me IBRD dhe e gjitha është bërë në një portal online, ku janë mbajtur shënim të gjitha pyetjet dhe sqarimet përkatëse.

Po ashtu për të facilituar të gjithë subjektet ne kemi bërë takime me të gjitha bashkitë e Shqipërisë, me Ministrinë e Mjedisit dhe me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, sepse në fazën e dytë të gjithë këto subjekte tashmë kanë instaluar disa matësa ere, sepse era ka një specifikë të veçantë që kërkon matje 1 vjeçare, të cilët ata duhet ta paraqesin këtu në fazën e dytë që përfundon vitin tjetër. Gjatë gjithë kësaj periudhë gjithë subjektet sigurisht janë pajisur me pyetje-përgjigje dhe me sqarimet përkatëse në mënyrë që gjithë procedura konkurruese të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më transparente.  Ne besojmë që duke marrë në konsideratë kompanitë që janë sigurisht që do arrijmë në një rezultat pozitiv edhe në fazën e dytë.

Ministrja Balluku: Shumë faleminderit. Jemi të hapur për pyetjet tuaja, që sigurisht mund të kenë të bëjnë me procedurën, por edhe për energjinë pasi e dimë interesin.

Pyetje: Në fakt kriza energjetike ka bërë që shumë biznese ta prodhojnë vetë energjinë përmes paneleve diellore. Por këto biznese kërkojmë më shumë mbështetje nga Qeveria duke ndryshuar ligjin që bilanci energjisë të mos jetë mujor, por vjetor. Zonja ministre, a do e mbështesni ju propozimin e këtyre bizneseve? Faleminderit

Ministrja Balluku: Shumë faleminderit për pyetjen. Për të thënë të drejtën ne kemi muaj që punojmë me disa nga shoqatat të cilat përfaqësojnë fusha të ndryshme të bizneseve private në Republikën e Shqipërisë dhe kryesisht edhe me Dhomën e Tregtisë Shqiptare, kjo është diçka që duhet ta themi, kemi ngritur dhe një grup të përbashkët. Do të kemi një konferencë të përbashkët për shtyp javën e ardhshme. Megjithatë unë do ta deklaroj që sot, që është një nga kërkesat që ne na ka ardhur, pra nga grupi i punës i ngritur me të gjitha përfaqësitë e bizneseve dhe ne besojmë që pavarësisht problemeve teknike që mund të ketë për zgjidhjen e saj mendojmë që është një problematikë që mund ta adresojmë dhe netimi vjetor mund të aplikohet, duke e bërë kështu edhe më të ndjeshme, dhe më të rëndësishme, shkëmbimin e energjisë për palën e investitorëve privatë.

Dua të theksoj vetëm një fakt përsa i përket sasisë sepse është diçka që gjithmonë pyetemi edhe për këtë. Shqipëria aplikon për auto prodhuesit sasinë më të lartë, së bashku me Greqinë dhe me Spanjën. Domethënë vendet e tjera aplikojnë të gjithë nën 500 kilovat orë. Vetëm Shqipëria, Spanja dhe Greqia janë tre vendet europiane të cilët mbështesin biznesin privat, por dhe çdo auto konsumator, pasi nuk është e thënë që mund të jenë biznese, mund të jenë edhe nukla të tjera, institucione, apo jo fitimprurëse, edhe familjarë në qoftë se kanë atë lloj konsumi, ne i mbështesim deri në 500 kilovatorë që është fasha më e lartë e aplikuar në Europë.

 

Pyetje: Në parqet eolike që do të ndërtohen, meqë strategjia është deri në 2030-ën, sa përqind e energjisë pritet që të prodhohet nga parqet eolike? Kur pritet të fillojë prodhimi dhe përveç Karavastasë dhe Spitallës, cilat janë vendet e tjera ku pritet të instalohet këto panele.

Ministrja Balluku: Shumë faleminderit për pyetjen. Mbas meje është prezantimi i të gjithë hapave që ne kemi për diversifikimin e burimeve që tashmë nuk janë plane. Tashmë janë projekte konkrete, disa prej tyre kanë nisur, disa të tjera do të nisin. Ne do t’jua kalojmë edhe në soft copy që ta keni dhe ti referoheni, është edhe një lloj kalendari për të na mbajtur edhe ne nën kontroll, pra ne do flasim sërish në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër për angazhimet që kemi marrë.

Kështu që menjëherë në 1 janar ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike. Më pas në dhjetor të vitit 2023 ne kemi deklaratën e Excelerate Energy, përsa i përket nisjes së prodhimit nga moduli i parë i TEC-it të Vlorës që është 100 megavatorë të tjerë. Gjithashtu nga të gjitha aplikimet që ne kemi sot në pipeline kemi sipas llogarive tona që brenda 2023 do nisim prodhimin 115 megavatorë impiante private të cilat do të shiten padyshim në tregun e lirë.

Në vitin 2024 ne parashikojmë që të shtohen 140 megavatorët e parkut fotovoltaik të Karavastasë dhe më pas në total nga të gjitha aplikimet që kemi pranuar gjatë vitit 2022, ku duhet thënë që aplikimet e entiteteve private janë shtuar ndjeshëm për shkak edhe të fizibilitetit që energjia solare ka tashmë në treg, janë 610 megavatorë impiante private të cilat priten që të nisin gjenerimin.

Në vitin 2025 të dyja modulet e tjera të TEC-it të Vlorës futen në operim duke e rritur kapacitetin me 250 megavatorë dhe ndërkohë përgatitet për operim parku fotovoltaik i Spitallës me 150 megavatorë të tjerë.

Kështu që pyetja juaj se kur do të nisin punë eolikët. Eolikët që ne po lançojmë sot nisin punë në vitin 2025 dhe kapaciteti i tyre, në varësi të ofertës financiare që ne do kemi, do të jetë nga 100 deri në 150. Ne synojmë që përmes këtij ankandi të arrijmë në 150 megavatorë dhe të donim që të arrinim deri në 150 megavatorë.

Në 2028 sipas të gjithë planeve dhe projektit të Skavicës, futet në funksion Skavica. E gjithë shtesa me 210 megavatorë prodhim, por ama duhet të kemi parasysh që kur i referohemi Skavicës, Skavica nuk ka vetëm prodhimin e saj. Skavica optimizon të gjithë kaskadën me më shumë se 900 gigavatorë.

Duhet thënë që gjithë kjo përllogaritje dhe e nënvizoj nuk bëhet fjalë më për plane të cilat nuk dihen se kur do të ndodhin dhe kur do të ndërtohen. Këto janë të gjitha projekte që kanë nisur dhe do të përfundojnë në një afat të caktuar sipas kontratave. Kështu që në përfundim të të gjithë këtyre hapave llogaria jonë është që kapacitetet prodhuese të vendit në një miks energjie tashmë, përmes prodhimit të energjisë së rinovueshme, por edhe të energjisë që do të vijë nga TEC-i i Vlorës ne do të rrisim kapacitetet tona prodhuese me 4 terravat për vit. Duke e kthyer përfundimisht Shqipërinë, ashtu siç ka qenë dhe plani në një eksportues neto.

Pyetje: Kur pritet të përmbyllet faza e dytë e ankandit në fjalë? Sa parqe ere parashikohen të ndërtohen dhe a ka mundësi për shembull që të ketë dy fitues dhe jo një kompani për të ndërtuar më shumë impiante. Sa energji do të marrë shteti nga impiantet që do të ndërtohen? Pyetja e dytë ka të bëjë me një kërkesë po të biznesit që kërkojnë që të kenë procedura të lehtësuara për të marrë certifikatën për të vendosur panele diellore vetëm për konsum privat, pra për konsumin e biznesit të tyre, pa shkëmbim energjie. Do të merret në konsideratë, sepse në një konferencë që patën dhomat e biznesit me kryeministrin Rama tha që mund ta diskutojmë një kërkesë të tillë. Faleminderit.

Ministrja Balluku: Shumë faleminderit. Unë po e nis nga pyetja e fundit. Ne kemi marrë dhe do ndërmarrim një sërë hapash të cilat facilitojnë vetëprodhimin e energjisë. Sigurisht kur bëhet fjalë për shkëmbim ka rregulla, ka ligje në fuqi të cilat ne nuk i anashkalojmë dot. Por, në rastin e vetëprodhimit pa qëllim shkëmbimin, sigurisht që ne e mbështesim dhe siç ju jeni në dijeni, ne kemi nisur një praktikë të re përmes Agjencisë së Eficiencës që ka të bëjë me mbështetjen e të gjithë qytetarëve, pra kudo që ndodhen, pa ndonjë dallim, le të themi duke nisur nga Tirana, apo duke e nisur nga një qytet tjetër, kudo që ndodhen në Shqipëri ata mund të aplikojnë për mbështetjen financiare mbi 70% të blerjes së paneleve fotovoltaike përsa i përket ngrohjes së ujit. E kemi marrë këtë vendim, pasi nga të gjithë analizat tona ngrohja e ujit në faturë ka më shumë se 20% të peshës ose e thënë ndryshe 20-25 deri në 30% në varësi të numrit të familjarëve dhe konsumit të ujit të ngrohtë është ndikimi i kësaj veprimtarie shtëpiake në faturë.

Kështu që siç po bëjmë me rastin e mbështetjes financiare për të krijuar një trend të ri, një sjellje tjetër përsa i përket vetë prodhimit, padyshim ne do të lehtësojmë të gjitha procedurat që do ti jepnin mundësi bizneseve, entiteteve private që të instalonin panelet fotovoltaike, sigurisht siç e thashë kur nuk bëhet fjalë për shkëmbim, se kur bëhet fjalë për shkëmbim kemi disa rregulla të cilat i folëm dhe pak më parë.

Sa energji do të prodhoj? Nga ky ankand do të prodhohet nga 100 deri në 150 megavatorë. Ne synojmë që të marrim maksimumin. Ky është range i megavatorëve që ne kemi hedhur në ankand nga 100 deri në 150 megavatorë. Përsa i përket sesi mund të jetë i ndarë, në fillim unë prezantova që është nga 10 deri në 75. Kështu që mund të jetë e përbërë nga disa parqe. Sigurisht nuk do të jetë 1 sepse më i madhi është 75. Kështu që duhet të ketë minimalisht 2 nga 75 ose mund të ketë dhe 15 nga 10. Në rastin tonë, edhe në rastin e kompanive, për shkak të efiçencës dhe për të qenë sa më fleksibël, ata përdorin që të shkojnë në shifra sa më të larta të parqeve. Megjithatë ne do të shikojmë ofertat që do të jenë ofertat përfundimtare.  Përsa i përket afateve dhe kohës, unë do t’ja jap fjalën Eneas duke qenë se është ai që kryeson grupin e vlerësimit për t’ju dhënë detaje se kur mbaron procesi.

Enea Karakaci: Siç unë e referova ankandi i erës ka një specifikë sepse kërkon doemos le të themi zhvillimin e matjeve fizike me të paktën 12 muaj kalendarike dhe në këtë kuptim një pjesë e subjekteve tashmë i kanë vendosur këto matje dhe procedura përmbyllëse e ankandit do zhvillohet në maj të vitit 2023 ku subjektet përveç çmimit të energjisë duhet të kenë paraqitur në Ministri edhe të gjitha matjetet e tyre që të dëshmojnë që aty ky projekt është bëshëm, është fizibël dhe ka erën e mjaftueshme për ta suportuar projektin.

 

Pyetje: Nga 1 tetori ju keni njoftuar nisjen e punës në terren të Task Forcës së energjisë, sigurisht pjesë e punës së saj janë edhe lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike. A do të ketë burg për shkelësit apo do të bëhet një lloj tolerimi si në rastin e ndërtimeve pa leje të kateve mbi atë kontratë që është lidhur me shtetin? Faleminderit!

Ministrja Balluku: Do ta nisja nga Tas Forca për të ndaluar me shumë kënaqësi tek katet pa leje, megjithëse janë totalisht jashtë objektit sot. Task Forca ka disa detyra kryesore dhe arsye për të cilën po ri thirret në këto momente. Duke qenë në një moment të një krize energjetike të thellë e cila sigurisht nuk ka nga ç’duket një përmirësim dhe nuk presim që të ketë një përmirësim në muajt e ardhshëm, çfarë është më e rëndësishme është që të kemi efiçentë të çdo kilovatori dhe kjo nis duke u kujdesur për lidhjet e paligjshme të cilat ne i kemi luftuar prej kohësh. Sigurisht nga 2013-ta ku mbi 45% e energjisë shkonte dëm, sot ka ndryshuar totalisht panorama energjetike në Shqipëri. Ne humbjet i deklarojmë në rreth 20% të cilat do vazhdojnë të ulen dhe synimi ynë është që përmes investimeve ne ti çojmë ato deri në 16%, por ka zona në Republikën e Shqipërisë ku janë bërë investime të rëndësishme, për shembull zona e Kombinatit i ka humbjet 4% për shkak të nënstacionit të ri apo zona të tjera. Kështu që është synimi ynë që të vijomë në parametrat e Bashkimit Europian. Por në këtë krizë, nëse një lidhje e paligjshme, është e paligjshme në të gjitha kohët, duhet dënuar, nuk duhet lejuar, kur flitet për një lidhje të paligjshme në kohë krize, ndërkohë që ne luftojmë që të mos kemi ndërprerje të energjisë elektrike, pra kufizime, atë fjalë që tashmë e kemi harruar, dikush që vjedh nga fatura e komshiut apo nga OSHEE-ja sigurisht nuk do ishte rasti për t’u lejuar.

Kështu që Task Forca do të qëndroj në të gjithë terrenin, e shtrirë në çdo cep të Shqipërisë për të luftuar lidhjet e paligjshme padyshim. Por, nga ana tjetër Task Forca ka dhe dy synime kryesore. E para e punës të nisë kontrollin në institucionet shtetërore, duke pasur parasysh që ne e kemi nisur nga vetja. Me kemi vënë dhe do dalim me një akt normativ, kemi vënë disa detyra për institucionet shtetërore nga vendosja e administratorit të energjisë që është një punonjës, sepse u bë dhe pyetja do merrni një punonjës shtesë në kohë krize, jo, është një punonjës që punon në institucion në një ministri, në një ndërmarrje shtetërore i cili merr dhe një detyrë, merr detyrën që të mbikëqyr efiçencën e energjisë elektrike dhe ne kemi vendosur një target duam që të ulim me 15% konsumin e çdo ndërmarrjeje apo institucioni shtetëror krahasuar me një vit më parë. Pra nëse në faturën e shtatorit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mund të ketë harxhuar 2 mijë kilovatorë, në këtë shtator duhet të harxhoj 15% më pak. Ky është targeti që ne do ti vendosim çdo institucioni përmes një akti normativ dhe për më tepër ky konsum i ulur me 15% i korrespondon 5% më pak konsum në rang vendi. 1% konsum më pak në rang vendi është i barabartë me 28 milionë euro kursim. Kështu që 5% është i konsiderueshëm. Kjo përsa i përket masave që do të marrim.

Ndërkohë, përsa i përket ndërtimeve pa leje e ka përsëritur Kryeministri, Ministri i Brendshëm dje dhe po e përsëris dhe unë. Ne nuk ndërhymë në vendimmarrjen e organeve të akuzës apo e sistemit gjyqësor. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do ta bëjmë as sot. Por, çka ajo ne duhet të bëjmë është që të dekurajojmë të gjithë ndërtuesit që të vazhdojnë dhe të shkelin ligjin. Dhe nga ç’po shikojmë, mënyra klasike e ndjekjes penale apo më pas e gjyqeve nuk po tregon ndonjë shenjë dekurajimi. Pra ne shikojmë që vazhdohet të ndërtohet me kate shtesë mbi leje apo vazhdohet të ndërtohet fare pa leje. Për të ndjekur rrugën tonë që është rruga administrative ne nuk merremi me rrugët penale, rrugët penale ka kush i ndjek dhe ne nuk ndërhymë në to, ne administrativisht, bazuar në VKM-në që doli për konfiskimin e ndërtimeve pa leje dhe të shtesave mbi lejen, ne do të vazhdojmë dhe do të ndjekim të gjitha procedurat e ratifikuara në atë VKM që është akt nënligjor i ligjit 52.

Për ne është shumë e rëndësishme që në Republikën e Shqipërisë të dekurajohen të gjithë ndërtuesit shkelës së ligjit dhe për më tepër, nga këto shkelje do të përfitojnë qytetarët. Konfiskimi, dhurimi, konfiskimi shkon bashkë me ndjekjen penale kështu që këtu nuk preket askush dhe VKM-ja është për konfiskimin, por ama ne i japim dhe dy mundësi të tjera shkelësit të ligjit. E para të dhuroj metrat katror të cilat të kthehen në shërbim të qytetarëve. Pra ato metra katrorë të cilat janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme ti dhurohen fondit të banesave dhe ato të përdoren për akomodimin e familjeve të pastreha, familjeve në nevojë ose familjeve, siç është rasti i Paskuqanit apo i Unazës së Madhe, të cilët dalin të pastrehë pasi kanë pasur banesa të ndërtuara në mënyrë ilegale, por sot me të gjithë trajtimin e ri që ne i bëjmë këtyre familjeve, ne detyrohemi që ti japim atyre strehë dhe ku ka më mirë se të dekurajojmë shkelësit e ligjit dhe çdo metër katror të vihet në dispozicion të familjeve në nevojë.  Kurse hapi i dytë, në rast se duan ti para blejnë këto ndërtesa është që me çmimin e tregut por ku do të aplikohet një koeficient i rëndësishëm, pra nuk do të blej kush me 1700 euro në qendër të Tiranës sa është çmimi i deklaruar pasi ka një çmim tjetër tregu dhe ky është një problem që ne e dimë, e hasim, por është një marrëveshje që bëhet ndërmjet ndërtuesve, noterëve, blerësve ku shteti pavarësisht se ka rregulla dhe ligje, ne e dimë që ka një lloj informalitetit, për këtë arsye do të aplikohet një koeficient për çdo metër katror që në rast se ndërtuesi shkelës do të paguaj gjobën dhe do të paguaj edhe metrin katror këto para do të shkojnë që të gjitha në fondin e Agjencisë së Shpronësimeve për projektet në të mirë të komunitetit.  Kështu që në të dyja rastet, pavarësisht se çfarë po thuhet këto ditë, përfitojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe ne si Qeveri dekurajojmë të gjithë ata ndërtues të cilin vendosin të shkelin ligjin. Faleminderit.

Pyetje: Zonja ministre, vendimi i fundit i Qeverisë rikthen fashat e energjisë elektrike, por çfarë mekanizimi do përdorni ju që të shmangni abuzimet në terren, qoftë nga ana e faturistëve dhe qoftë dhe nga ana e familjarëve të cilët për të shmangur çmimin e lartë në fund në faturë do të ndjekin ndoshta rrugën e hapjes së dy apo më shumë kontratave për të njëjtën sasi energji të konsumuar. Dhe së dyti, një pyetje tjetër që lidhet me mbështetjen e Qeverisë për familjet për të instaluar panelet fotovoltaike, kur hapen aplikimet dhe a do të ketë një diferencim midis familjeve që jetojnë në pallate dhe familjeve që jetojnë në shtëpi private?

Ministrja Balluku: Shumë faleminderit. Po e nis nga pjesa e parë. Është e vërtetë që fashat krijojnë abuzime. Qeveria Rama me politikat e reja të reformës energjetike që filluan që në vitin 2014 padyshim hoqi të gjitha fashat sepse fashat e aplikuara në atë kohë nxisnin abuzimin. Ashtu siç ti e the, kontrata të dyfishta për ta ndarë shumën e konsumuar të kilovatorëve në dy apo në tre nënkontrata apo edhe abuzime të tjera me faturistët. Sigurisht gjithçka zgjidhet nga momenti i dixhitalizimit të lexuesve dhe ky është synimi ynë kryesor dhe një pjesë e lexuesve sot, në krahasim me 2014-ën, janë padyshim lexuesit smart. Megjithatë ato nuk ndodhen në të gjithë Republikën e Shqipërisë, kjo është dhe arsyeja pse ne kemi nxjerrë Task Forcën në terren dhe pse nga 1 tetori, së bashku me fashën, do të jetë edhe Tas Forca në terren. Një nga tre detyrat që Task Forca ka, që unë nuk e përmenda dhe bëra mirë se erdhi pyetja, kështu që me atë rast unë mund të jap shpjegim dhe nuk do ta kisha konsumuar, përmenda që do të jetë atje për të goditur lidhjet e paligjshme, që do të jetë atje për të kontrolluar efiçencën e energjisë sidomos nga vetë institucionet shtetërore dhe e treta padyshim është për të kontrolluar të gjithë funksionimin e OSHEE-së nga e cila ndërmarrje nuk është se kemi ndonjë ankesë deri më sot, por duke u futur në këtë proces të ri të krijimit të fashës padyshim mund të ketë edhe tentativa për abuzime të cilat duhet të kontrollohen dhe të ndalen nga Task Forca.

Kjo përsa i përket pjesës së parë dhe sigurisht ne do ta shikojmë edhe do ta reformojmë. Fakt është që nga të gjitha analizat tona prej 1 milionë e 90 mijë abonentësh, kontratash që OSHEE-ja ka, 40 mijë familje janë ato që e kalojnë limitin e 800 kilovatorëve. Padyshim në periudhën më të ftohtë, sepse varet dhe sesi do jenë edhe kushtet e motit, ka vite që janë shumë më të ftohta, ka vite që janë më normale, mund të ketë edhe një shtim të këtyre familjeve për 2 apo 3 muaj, por synimi i fashës 800 kilovatorë është pikërisht kursimi. Dhe ne fashën 800 kilovatorë nuk e kemi vendosur vetëm mbi parimin sesa familje konsumojnë 800 kilovatorë, por dhe mbi parimin se çfarë mbulojnë këto 800 kilovatorë. Kështu që ne shpresojmë shumë që të ketë një mirëkuptime dhe nga njerëzit dhe me punën që do bëj Task Forca, me përgjegjësinë që duhet të mbaj OSHEE-ja përsa i përket faturistëve dhe ofrimit të shërbimit, por edhe me ndërgjegjësimin e qytetarëve, unë besoj që të gjithë së bashku do ja dalim.

Dua të nënvizoj një fakt të rëndësishëm. Që ky çmim që ne do të kërkojmë miratimin nga ERE, do të qëndroj në fuqi deri në 31 dhjetor. Pasi në fund të dhjetorit ne do të kemi mundësi ta rishikojmë çmimin sipas kushteve. Në rast se do të kemi më pak importe dhe me shpresë do të kemi kushte shumë më të mira hidrike, atëherë edhe çmimi i fashës 800 kilovatorë do të ulet ndjeshëm apo edhe mund të heqim fashën në varësi të prodhimit vendas që do kemi dhe çmimit të mishelës energjetike dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme që ne e ndajmë me qytetarët, pasi qytetarët duhet të kuptojnë që kjo është një situatë dinamike dhe ne jemi të detyruar për të vendosur këtë fashë pasi kurrë nuk kemi qenë dakord për fashën, por është një masë për të kursyer.

Përsa i përket procesit që do të nisim nga 1 tetori për mbështetjen që do ti japim me 70% të shumës për çdo panel diellor për ngrohjen e ujit. Për ne nuk bën diferencë nëse është në pallat apo në shtëpi private, ky nuk do të jetë një kriter. Kriteri që ne kemi vendosur është  “first come, first served”. Do të ketë një aplikacion elektronik, transparent, ku qytetari që aplikon do të shikojë sesa i sajti është në aplikim dhe aplikimet e para janë 2 mijë, por nuk ka një numër të përcaktuar. E kemi vendosur thjesht për efekt të numërimit. Ndërkohë që menjëherë sapo të përmbushen 2 mijë aplikimet e para ne do të vazhdojmë me thirrjen e dytë e kështu me radhë. Më 1 tetor ne do të hapim thirrjet për prodhuesit dhe instaluesit, pasi do na duhet që të kemi dhe një garë transparente për ata që do të ofrohen sepse qytetari nuk do të shkoj kudo në çdo pikë ku mund të shitet edhe ndoshta nga tregtar jo profesionistë. Kështu që do të hapim garën e prodhuesve, pra tregtarëve më saktë dhe të instaluesve. Do të krijojmë një listë të shkurtër me kompanitë të cilat e ofrojnë me çmimin më të mirë, por duke plotësuar kushtet dhe kriteret e efiçencës që ne do ti nxjerrim me specialistët tanë.

Pas përfundimit të kësaj faze, nga 1 nëntori hapet menjëherë aplikimi për të gjithë qytetarët të cilët do të nisin menjëherë të aplikojnë dhe do të ketë një transparencë në këtë proces duke i ofruar atyre 70% të pagesës dhe pjesën tjetër të këtij procesi do të futet sërish Task Forca pasi ne do ta ndjekim deri në fund instalimin. Nuk paragjykojmë askënd dhe dimë që të gjithë duan që ta kenë një panel në këto momente dhe të konsumojnë më pak energji, por për të mbyllur të gjithë procesin Task Forca, pasi të deklarohet nga qytetari që instalimi u bë dhe prodhimi ka filluar, të shkoj që të mbyllë procesverbalin përfundimtar që ky incentivim shtetëror ka shkuar në vendin e duhur. Ky do të jetë procesi.

Pyetje të tjera? Shumë faleminderit. Shihemi së shpejti, ne do të kemi, siç thash edhe javës tjetër një komunikim për energjinë, së bashku me Dhomën e Tregtisë edhe me shoqatat që përfaqësojnë biznesin.

Previous Ministrja Kushi: Së shpejti Abetare e Përbashkët edhe për nxënësit shqiptarë të Malit të Zi

Leave Your Comment