Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, lidhur me investimet në bonot e thesarit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, lidhur me investimet në bonot e thesarit

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj komunikuan sot me median përmes një konference për shtyp lidhur me investimet e individëve në bonot e thesarit, ku informuan për rihapjen e sporteleve të Bankës së Shqipërisë, në mënyrë që tua lehtësojë individëve aksesin në të gjitha degët e saj në territorin e Republikës së Shqipërisë, “një hap pozitiv ky” – u shpreh kryeministri – “në funksion të kontaktit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionin e Bankës Qendrore, por edhe një shenjë kuptimplotë që banka u jep të gjithë atyre që dëshirojnë ose që mund ta konsiderojnë investimin në bonot e thesarit apo obligacionet që janë më afatgjata.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Sot është një arsye e veçantë për këtë konferencë sepse është një moment në të cilin e kemi të nevojshme të informojmë përmes mediave publikun e gjerë lidhur me momentin e mirë për të investuar në titujt qeveritarë.

Ju e dini që jemi në një fazë të rritjes së normave të interesit dhe pikërisht për këtë arsye, pavarësisht shkaqeve që edhe këto janë të mirënjohura dhe që lidhen me krizën e përgjithshme, rritja e normave të interesit është një avantazh për të gjithë ata që investojnë në bonot e thesarit dhe në obligacionet që janë faktikisht me risk 0. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka rihapur sportelet që tua lehtësojë individëve aksesin në të gjitha degët e saj në territorin e Republikës së Shqipërisë, një hap pozitiv në funksion të kontaktit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionin e Bankës Qendrore, por edhe një shenjë kuptimplotë që banka u jep të gjithë atyre që dëshirojnë ose që mund ta konsiderojnë investimin në bonot e thesarit apo obligacionet që janë më afatgjata.

Ky është subjekti i kësaj konference të përbashkët me ministren e Financave dhe Ekonomisë e cila mund të bëjë një paraqitje më të detajuar lidhur me këtë operacion të Bankës së Shqipërisë, por edhe me këtë mundësi të krijuar nga kjo situatë për qytetarët dhe për çdo subjekt individ që dëshiron të përfshihet në investime në bonot e thesarit, duke paguar një komision shumë më të vogël nga çfarë ofrojnë bankat e nivelit të dytë dhe duke i depozituar këto fonde në sportelet e bankave dhe pastaj duke iu drejtuar Bankës së Shqipërisë.

Është një moment kompleks i ekonomisë në tërësi. Ekonomia jonë nuk bën përjashtim pasi jemi pjesë e të njëjtës hapësirë që është nën presionin e luftës dhe të një agresioni që materializohet mbi ne përmes krizës së çmimit të energjisë që e kemi përballuar me shumë sukses, do thosha, përderisa nuk është rritur asnjë qindarkë fatura e familjarëve dhe biznesit të vogël dhe përmes inflacionit të luftës i cili, pavarësisht se është e pamundur të eliminohet sic kemi mundur të eliminojmë deri tani çmimin e rritur, duke subvencionuar të gjithë pjesën e padukshme të faturës, është mbajtur në një lloj kontrolli më të madh sesa në vendet e tjera të rajonit, si rezultat i mosrritjes së çmimit të energjisë.

Po ia kaloj fjalën ministres për të dhënë ndonjë detaj më shumë për temën për të cilën po flasim dhe pastaj, sigurisht, mund t’i përgjigjemi edhe ndonjë pyetjeje për temën.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj: I nderuar kryeministër, të nderuar përfaqësues të mediave! Ju falenderoj që keni ardhur sot këtu për të diskutuar për një temë që unë e kam shumë për zemër dhe kjo është arsyeja dhe qëllimi i kësaj konference, që të ndalojmë një moment dhe të flasim sesi mund të ndërgjegjësojmë më mirë popullatën tonë dhe më në detaj individët për të investuar në titujt qeveritarë. Është një temë e cila nuk është prekur shumë gjatë kohëve të fundit, gjatë 10 vjeçarit të fundit duke qenë se që prej prillit 2014, normat e interesit, norma bazë e interesit e Bankës Qendrore nuk ka qenë më në nivelin që është sot, pra 2,75%.

Ne kemi folur shumë gjatë këtij viti për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për rritjen e inflacionit, të cilat kanë prekur popullatën tonë dhe për të gjitha masat që qeveria ka marrë me qëllim ndikimin e ekonomisë shqiptarë në mënyre që ndikimi i luftës të ishte sa më i vogël në ekonominë tonë, por nuk kemi prekur një element shumë të rëndësishëm, elementin e normave të interesit. Që prej fillimit të luftës, në fakt në të gjithë botën, Bankat Qendrore, duke filluar që nga Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra Federal Reserve, e ndjekur nga banka të tjera qendrore dhe së fundmi dhe Banka Qendrore Europiane filluan të rrisin normat bazë të interesit duke ndikuar normat e të gjithë sistemit financiar.

Kështu, edhe Banka e Shqipërisë, qysh prej fillimit të vitit, në mënyrë të përsëritur, ka rritur normat. Në fillim të vitit, Banka e Shqipërisë kishte një normë bazë me 0,5% ndërkohë që sot, siç thashë, është 2,75%. Kjo ka bërë që, në zinxhir, të rriten dhe normat e titujve qeveritarë.

Në fakt, arsyeja që jemi sot këtu dhe jemi mbledhur të flasim për nxitjen e individëve për të investuar në tituj qeveritarë është pikërisht kjo, pasi përfitueshmëria e investimit në këto tituj, duke qenë se normat janë rritur në mënyrë eksponenciale, është shumë më e lartë sot se ç’ishte një vit më parë.

Individët kanë sot një mundësi investimi, i cili ka kthime shumë më të larta se mundësira investimi të tjera që mund të ekzistojnë nëpër tregje dhe kanë mundësi investimi në disa tituj që riskun e kanë praktikisht 0 pasi janë tituj që emetohen nga qeveria shqiptare dhe garantohen nga qeveria shqiptare.

Kur flasim për tituj flasim për bono thesari dhe obligacione. Unë jam e bindur që për të gjithë publikun e gjerë që na ndjek këto janë dy terma që me siguri i kanë dëgjuar shpesh, por gjithmonë i kanë etiketuar apo targetuar si terma shumë teknikë dhe shumë të vështirë për tu investuar në to.

Kjo është arsyeja pse ne sot do të fillojmë një fushatë ndërgjegjësuese me qëllim që të shpjegojmë sesi individët mund të investojnë në bono thesari, mund të investojnë në obligacione dhe çfarë përfitueshmërie kanë. Në ndihmën tonë, në këtë fushatë ka ardhur dhe Banka Qendrore, e cila shërben si agjenti fiskal i qeverisë dhe ka hapur sportelet në gjashtë vendndodhje; në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër, në Lushnje, në Korçë dhe në Gjirokastër me qëllim tregtimin e bonove të thesarit dhe me qëllim informimin më të mirë të qytetarëve për procedurat që duhet të ndjekin për të marrë informacione dhe për të marrë benefite nga këto.

Bonot e thesarit dhe obligacionet kanë dy procedura të ndryshme por në këtë moment, krahasuar me vitin e kaluar kanë një përfitueshmëri shumë më të madhe. Nëse bonot e thesarit 3mujore, deri në vitin 2021 kishin një normë interesi 1%, sot kanë një normë interesi 2,78%. Nëse bonot e thesarit 12 mujore deri vitin e kaluar kishin një normë interesi mjaft më të ulët, sot kanë një normë interesi 5,74%. Ndërkohë që qeveria ka tituj edhe më afatgjatë dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka punuar me qëllim që të rrisim maturitetin e titujve që tregton dhe ia ka arritur qëllimit.

Gjatë vitit të kaluar, ne kemi emetuar një obligacion 15 vjeçar për të parën herë dhe interesi nga tregu ishte shumë i lartë. Sot, obligacionet 15 vjeçare tregtohen në nivelin 8,39%, pra me një normë interesi ndjeshëm më të lartë se ajo rreth 5% që tregtohej gjatë vitit të kaluar.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, nga sot ka një seksion të dedikuar për shpjegimin e bonove të thesarit dhe obligacioneve, për shpjegimin e mënyrës sesi të gjithë qytetarët mund të investojnë dhe gjithashtu ne do bëjmë vizita në çdo vend, në çdo sportel të Bankës së Shqipërisë me qëllim që të ndërgjegjësojmë qytetarët jo vetëm për investimin në bono thesari dhe obligacione, por për edukimin financiar më të mirë.

Ne po punojmë për të ndërtuar një strategji për rritjen e edukimit financiar në popullatë e cila do të jetë një strategji kombëtare pasi është shumë e rëndësishme që individët dhe me përqendrim dhe fokus kryesisht tek të rinjtë, të kenë një kulturë financiare më të rritur, të kenë një kulturë të menaxhimit të parasë më të rritur pasi është e vetmja formë që ata do të mund të kujdesen për financat e tyre familjare dhe do jenë investitorë të zotë të parave të tyre.

– Zoti kryeministër, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur akuza nga ana juaj në adresë të opozitës por edhe nga ana e opozitës në adresën tuaj për lidhje me rus, me serb. Sa ndikon kjo në imazhin e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë tek investitorët e huaj që dëgjojnë gjithë këto blerje shitje, interesa, varësi tek rusët apo serbët. Dhe nëse do të kishit mundësi një përgjigje për protestën e së shtunës të opozitës. Se sa ishin në shesh, opozita e shikon ndryshe, mazhoranca e shikon ndryshe. Por desha të di, qoftë edhe qindra njerëz që ishin këtu në bulevard duke protestuar kundër qeverisë suaj, a ka një lloj reagimi nga ana juaj? Si e shikoni këtë kërkesë të qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk kam qenë asnjëherë dakord dhe s’kam për të qenë kurrë dakord me këtë shenjën e barazisë. Natyrisht që juve mund ta vendosni shenjen e barazisë sa herë të doni, kjo është puna juaj, por unë nuk jam dakord. Ka pasur akuza ju për ata, ata për ju’. Unë nuk besoj që është ndonjë vështirësi e madhe që të behet dallimi midis komentit të një fakti dhe akuzave pa fakte. Janë dy gjëra komplet të ndryshme. Që PD është financuar me para ruse, gjysmë milioni dollarë, për të rrezuar qeverinë e PS, kjo nuk është një akuzë. Ky është një fakt. Dhe ky është një fakt i dokumentuar, për fat të keq. Një fakt i zbuluar nga media në SHBA, nga media ndërkombëtare, i përqeshur gjerësisht nga shumëkush këtu përfshirë dhe median kombëtare dhe i konfirmuar nga raporti i Shërbimit Sekret Amerikan, CIA.

Ndërkohë, akuzat me serb e me nuk e di çfarë tjetër janë prodhime të një tërbimi të madh, një tërbim non gratash dhe spiunësh për investimin më të madh të huaj në rajon, për një investim që duhet të jetë dhe do të jetë krenari kombëtare sepse do të transformojë njëherë e përgjithmonë dhe do të çojë në një nivel krejt tjetër industrinë e turizmit në Shqipëri, do transformojë Durrësin dhe ekonominë e tij, do të rrisë eksponencialisht vlerën e të gjithë pasurive të patundshme të familjeve, meqë po flasim për pasuritë e familjeve në gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë vlerën dhe çmimet e të gjithë hotelerisë në gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë eksponencialisht punësimin jo vetëm për Durrësin, por edhe për zonën e Tiranës. Do të krijojë zinxhir ekonomik vlere për mijëra e mijëra fermerë që prodhojnë ushqime të cilat do të duhet të konsumohen në gjithë atë qytet të ri faktikisht që ndërtohet në zemër të Durrësit etj.

Të ngresh akuza të tilla në hava është fatkeqësi e madhe kombëtare, por e kam bërë zgjedhjen. Ne jemi në anën e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare, për këtë arsye unë nuk lë rast pa e lartësuar emrin shqiptar dhe emrin e Shqipërisë kurdo herë që flas në gjuhë të huaj, ndërkohë që të tjerët, non gratat e turpërojnë emrin shqiptar dhe e turpërojnë emrin e Shqipërisë qoftë dhe me ermin e tyre, jo më kur hapin gojën. Është shumë e thjeshtë kjo. Nuk ka asgjë më shumë për të ardhur keq sesa kur pastaj pasqyrat mediatike reflektojnë këtë deformim të madh pa asnjë lloj kontributi për të ndarë shapin nga sheqeri, për t’ju thënë njerëzve si qëndron e vërteta. Se unë mund t’ju akuzoj juve tani të gjithëve për bashkëpunëtorë me djallin, por kjo mbetet thjeshtë dhe vetëm një akuzë në hava nëse unë nuk kam asnjë fakt për këtë dhe nuk është detyra juaj të provoni që nuk jeni bashkëpunëtorë të djallit. Është detyra ime të provoj që ju jeni bashkëpunëtorë të djallit ose duhet ta qep gojën dhe s’duhet t’ju akuzoj për një gjë që nuk ekziston. Ky është civilizimi të cilit ne i përkasim që në kohën e Romës. Që në kohën e Romës është vendosur kjo vijë që për fat të keq mediat shqiptare dhe politika shqiptare dhe mjedisi, dhe mexhlisi shqiptar i infektuar denbabaden nga një virus që më në fund është shpallur “non grata” se non grata ka qenë që në ditën e parë që është futur në lëvizjen studentore si një spiun komunist, i presidentit komunist dhe shqiptarët ushqehen përditë me dokrra dhe me dëngla dhe nuk bëhet ndarja e shapit nga sheqeri. Është barra e atij që akuzon që të provojë akuzën, nuk është barra e kujt akuzohet që të provojë që akuza nuk është e vërtetë. Shumë e thjeshtë. Cilët serb dhe cilët rus dhe cilët kinez e cilët arab, cilët? Ndërkohë që PD është financuar me gjysmë milioni dollarë me para ruse, ky është fakt, është i dokumentuar. Është në më shumë se dy burime madje, se “dy burimet” duhet të jenë Bibla dhe Kurani juaj. E thotë njeri burim, duhet ta thotë dhe tjetri. Përsa kohe e thotë vetëm një burim nuk është fakt. Janë dy burime, më shumë se dy. Dhe për më tepër pastaj është habi e madhe sesi një fakt tjetër rrëqethës, unë do të thoja tragjik, në këtë godinë këtu është pritur përfaqësuesi i Vladimir Putinit, një muaj përpara se PD të jepte votën në Këshillin e Europën duke e bashkuar qëndrimin me partinë e Vladimir Putinit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër Shqipërisë. Është pritur këtu një rus real, me emër, me mbiemër, me titull. Është bërë dhe një deklaratë nga këtu ku takimi është vlerësuar posaçërisht i rëndësishëm. Dhe një muaj më mbrapa i është ngulur thika mu në palcë të kurrizit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shqipërisë nga PD. Se që rusët të paguajnë duhet të kesh dhënë një provë, s’mund të paguajnë kot. S’mund të derdhin kot gjysmë milioni dollarë për të financuar një parti politike. Apo jo? Pse duhet t’ia jepnin Partisë Demokratike ato para, pse të mos ia jepnin një partie tjetër? Megjithëse nuk është e vetmja parti në fakt, Partia Demokratike, që ka lidhje ruse. Fjala ime del gjithmonë në fakt siç keni pasur rastin ta vini re sepse unë nuk hedh fall.

Unë kur flas, di shumë mirë se çfarë them. Pse? Ia bëni këtë pyetje vetes apo nuk ka rëndësi, merruni me fantazmat serbe që nuk ekzistojnë dhe mbi të gjitha a nuk është turp? Si mendoni ju? Mirë, dakord në këtë çorbën e brendshme se merr vesh i pari të dytin dhe të gjithë kanë gjetur rehatin e tyre duke vendosur shenjat e barazisë, edhe këta, edhe ata, edhe ky, akuza të ndërsjella, të shara të ndërsjella. Çfarë akuze është t’i thuash tjetrit në sy, “je pa atdhe”, kur është pa atdhe? Sepse për mua kur është dikush që paguhet me para të huaja apo edhe ma para vendase për të shkelur interesin kombëtar, është pa atdhe. Dhe nuk ka shkelje më të madhe të interesit kombëtar sesa te votosh bashkë me partinë e Putinit kundër UÇK-së apo të marrësh paratë ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tënd sikur të jetë edhe qeveria më e keqe që vendi yt ka pasur ndonjëherë. Po je i zoti rrëzoje vetë, mos merr paratë e një fuqie që s’ka, minimum ta themi, dashamirësi ndaj vendit tënd, apo jo? Atëherë je pa atdhe, nuk diskutohet. Çfarë sharje është kjo? Je pa din dhe pa iman.  Patjetër je pa din dhe pa iman. Të ngresh një çadër këtu, para Kryeministrisë e të torolisësh popullin tënd me “Republikën e Re” apo t’i turresh qendrave të votimit për t’i vënë flakën e të bojkotosh zgjedhjet, i paguar nga një forcë e huaj, patjetër që je pa fe. Si? Nëse feja e shqiptarit është shqiptaria dhe unë jam shumë dakord, atëherë ti je pa fe. Çfarë ka lidhje kjo me sharjet? Gjuha, etika. Për kë? Për cilën etikë? Po pse qenka më e pranueshme për ju që kur i thuhet tjetrit ‘’kriminel, hajdut, mafioz”, pse këto ju duken si? Çfarë janë këto? Kështu që të jemi të qartë deri në fund, kjo është linja ndarëse deri sot. Me atdheun apo pa atdheun. Shumë e thjeshtë. Me atdheun apo pa atdheun?

Përsa i përket protestës, ça proteste? Për cilën protestë, për cilët qytetarë flisni? Për një protestë partish? Një non grata dhe një spiun që mbledhin militantët e tyre? Mund ta bëjnë sa herë të duan, jo nuk ka lidhje me popullin, nuk ka lidhje me qytetarët e shqetësuar. Kjo është një protestë partish për pushtet, për të prishur e për të marrë. Me të vetmin rezultat që hodhën ca bojë që u deshën punëtorët të punonin natën këtu për ta larë. Kaq. Se kështu është ndarë kjo punë, ata bëjnë pis e ne pastrojmë. Ça proteste? As nuk di sa ishin, as nuk e kam parë, as nuk më intereson fare. Mund ta bëjnë çdo ditë po të duan, është një çorbë që e kemi parë prej 30 vjetësh që e gatuan i njëjti kuzhinier, ‘’non grata”.

Pavarësisht se janë militant, harrojnë se po shkojnë pas disave që paguhen nga të huajt për të bërë dëm në këtë vend dhe që paguhen nga të huaj për të bërë dëm në këtë vend, është fakt. E sa i përket investitorëve, këtë gjë duhet me e pas parasysh që të gjithë, se nuk shqetësohen investitorët se një “non grata” bën një protestë, por nuk mund të ngrihet një nga investitorët më të rëndësishëm të Lindjes se Mesme, një personalitet i ekonomisë globale, nuk mund të ngrihet e të ulet sikur është këtu një person që ka ardhur t’i japë fytyrën një konspiracioni pas të cilit fshihet…, futet e bjer aty brenda. Si mund të jetë kjo kështu?

Në marrëveshjen e parë ku shteti shqiptar është ortak, shteti. Pse? Ka ardhur edhe përpara ai këtu, kanë ardhur përpara edhe të tjerë, por kanë ikur me vrap, sepse nuk u kanë kërkuar aksione për shtetin, kanë kërkuar përqindje për vete. Janë 33 % pjesëmarrje e shtetit aty. Për çfarë flasim? Është shteti ortak. Po të ishte me të tjerë nga prapa, siç janë mësuar t’i bëjnë ata që akuzojnë sepse i dinë mirë, i dinë mirë, edhe offshore-t i dinë mirë, edhe aksionet e fshehura i dinë mirë, sepse i kanë bërë vetë. Do t’i shikoni që i kanë bërë vetë. Dhe unë kur ju them, do t’i shikoni, unë di se ça flas. Di se ça flas, por është mirë që mos prisni që t’i shikoni për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të thënë çdo akuzë të jetë e mbështetur në fakte.

-Zoti Kryeministër, në thirrjen që ju i bëni shqiptarëve për të investuar në letra me vlerë që ngjason me një thirrje për bono lufte siç bëhet në kohë luftërash. Sa peshë zë leverdia e individëve për të investuar e për të qenë fitimprurës dhe sa peshë zë frika e qeverisë nga rritja e kostove të mirëmbajtjes të borxhit publik. Në rast suksesi apo mossuksesi të kësaj fushate që ju e keni quajtur, çfarë do të thotë për planet tuaja për amnistinë fiskale dhe eurobondin e planifikuar vitin e ardhshëm?

Kryeministri Edi Rama: Unë të falënderoj shumë për pyetjen në adresën time sepse është kënaqësi të marrësh pyetje të rralla profesionale. Nuk është çështje frike që kostoja e mirëmbajtes së borxhit është rritur për gjithë botën. Ky është fakt. Edhe çfarë kemi ndjekur ne në tregun e kapitaleve me ndonjë vend që ka hyrë në treg në këtë periudhë është shumë e qartë. Kjo nuk është çështje frike, po është çështje mundësie për qytetarët sepse këtu fillon se mund të ishte një nevojë e qeverisë, po nëse s’është një mundësi për qytetarët nuk funksionon. Kjo është një mundësi për qytetarët sepse aty ku faktikisht bëhet më e shtrenjtë për qeverinë, aty bëhet më interesante për qytetarët sepse përndryshe me interesat minimale, pranë zeros që ishin më parë s’kishte leverdi për qytetarët që ta mendonin këtë gjë. Kështu që, është një moment përputhjeje i një rritjeje të kostos së mirëmbajtjes së borxhit me rritjen e interesit për qytetarët. Duke shfrytëzuar tregun e brendshëm ne ndodhemi në një pozitë jo më të lehtë, po sidoqoftë më të qëndrueshme nëse mund ta them kështu, sepse jemi në kushte ku për qytetarët është një investim me zero risk dhe për shtetin, për qeverinë, për bankën është një investim i mirë se ardhur, pavarësisht se në aspektin financiar janë qytetarët që fitojnë më shumë.

-Duke qenë se ju zonja ministre, drejtoni Bordin e Transparencës së Hidro-karbureve, vendimet që merr ky Bord duket se favorizon kompanitë e shitjes së karburantit në vendin tonë dhe jo qytetarët pasi çmimet që ju vendosni nuk reflektojnë atë lëvizje reale të çmimit që ndodh në bursë.

-Nga bisedat që unë kam patur me ata, të cilët ju zoti kryeministër i quani “Çunat e Londrës” e përkrahin të gjithë qëndrimet tuaja në mediat britanike dhe insistimin se ministrja e Punëve të Brendshme, Suella Breverman duhet të kërkojë falje për retorikën e saj në parlamentin e Britanisë së Madhe, por nga ana tjetër, ata kërkojnë nga qeveria shqiptare ta ngrejë stekën, krahas kësaj kërkese të kërkojë një liberalizim apo lehtësim të vizave në mënyrë që shqiptarët të mos mbërrijnë me gomone siç kanë mbërritur 12mijë prej tyre deri më tani.

Kryeministri Edi Rama: Muhamed, dy burime Muhamed, të lutem, sepse je edhe i kulturës anglo-saksone të gazetarisë. Dy burime. Nuk mundet të ushqehet publiku me një burim, një burim që i gjeneron dëshirat, frustrimet dhe ambiciet dhe interesat e çfarëdo qoftë të pronarëve, duhet së paku balancuar me një burim tjetër. Bëni lajme për Bordin e Transparencës sa të doni, por është gënjeshtër dhe është gënjeshtra më e madhe të nisesh nga një gjysmë e vërtetë që është një burim sepse nga ana tjetër, duhet marrë dhe një opinion e atyre që akuzohen.

Jo më larg se dje pashë një lajm “Balluku: 320milionë koncension për rrugën” ku di unë Lekaj-Fier, 7milionë kilometri. Çdokush që e lexon këtë, çfarë mendon? Boo, 320 milionë nga buxheti për dikë, boo 7milionë kilometri, ndërkohë që bëhet fjalë për diçka komplet tjetër. Rrugë që do të ndërtohet pa asnjë qindarkë nga shteti, investim 100% privat dhe do jetë me pagesë përkundër një segmenti alternativ pa pagesë. A bën 7, a bën 17, këtë nuk e përcakton dot burimi tek sepse e kemi shpjeguar 1milionë herë dhe sa herë kaloj aty tek nënkalimi, mbikalimi ose nënkalimi me mbikalim, si të doni quajeni, i ish-Shqiponjës, them me vete “Po mirë, këta që diskutonin kilometri kaq, kur kalojnë këtu si ndjehen? A ju kujtohet sesa shumë e kanë gënjyer këtë milet?” Se një kilometër është ajo, por është e gjitha një vepër arti, siç quhet në gjuhën inxhinierike, jo në gjuhën time si artist. Ndërkohë që mund të ishte një kilometër kështu me një kosto komplet tjetër. Ç’domethënë kjo kaq kilometri? Ku e di ti se çfarë ka në atë kilometër dhe flet ndërkohë që kur flet duhet të shohësh që në këtë kilometër ka urë apo diçka tjetër?

Për Bordin e Transparencës, meqë është një temë e rëndësishme, është shumë e thjeshtë. Doni të bëni një informim të publikut, është një gjë. Doni të bëni një helmim të publikut, është një gjë tjetër. Nëse doni të bëni një informim të publikut shkohet, ulet dhe ulet me letër dhe laps. Bujrum, në mbledhjen e Bordit shkoni uluni atje, shikoni çfarë diskuton Bordi, mbi ç’bazë merren të dhënat, sa janë marzhet e fitimit dhe mos i bëni hesapet pa hanxhin.

Dakord, nxirret inati me qeverinë por po pastaj? Ky është misioni i medias?

Ndërkohë që, sa i takon pyetjes tjetër, unë të falenderoj njëherë personalisht, të kam bërë dhe një Retëeet sepse unë besoj shumë që të jesh shqiptar i mirë do të thotë që kur flet në gjuhë të huaj të mos vësh asgjë mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët dhe nuk ka rëndësi se kush dhe qysh e tek dhe në këtë rast, ti ke dhënë kontributin tënd dhe unë të falenderoj për këtë si shqiptar për një shqiptar, se nuk ke dhënë kontribut për qeverinë, por për Shqipërinë, duke u dhënë një përgjigje të merituar atyre që të intervistuan. Thënë kjo, situata dihet se cila është. Ne mund të themi shumë gjëra, por dihet që qeveria britanike ka hyrë në një rrugë pa krye me gjithë politikën e re që ka ardhur si  rezultat i Brexit e të tjerë dhe të kërkosh liberalizim vizash është një gjë që unë e kam thënë dhe e kam përsëritur, por ata janë komplet në një drejtim të kundërt me këtë, politikisht. Kështu që, ca të them më shumë se kaq?

Ndërkohë që, falja do kishte zgjidhur shumë gjëra. Unë e thashë dhe në një intervistë që bëra “Fakti që falja nuk erdhi tregon që sulmi ka qenë i kalkuluar, nuk ka qenë një nga ato shprehjet që dalin ndonjëherë pa dashje dhe pastaj njeriu kërkon falje”. Në gjaknxehtësi e sipër, njësoj si në një ndeshje mund të thuash edhe ndonjë gjë që nuk do doje ta thoje, por kërkon falje dhe mbaron aty. Fakti që falja nuk erdhi dhe nuk ka për të ardhur, tregon që sulmi ka qenë, fatkeqësisht i kalkuluar dhe unë e thashë dhe këtë. Faleminderit!

Previous Ibrahimaj apel qytetarëve: Investoni në tituj qeveritarë, kanë norma interesi favorizuese