Konferencë për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në takim Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas, e cila po zhvillon një vizitë në vendin tonë.

Pas takimit mes tyre, u firmos në mjediset e Kryeministrisë,Marrëveshja e Grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Investime për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, një arterie kyçe që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit tonë si një nyje lidhëse në rajon.

Marrëveshja u firmos nga Zv/Kryeministrja & Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Drejtori i Bankës Europiane për Investime Lionel Rapaille.

Më pas, Kryeministri Edi Rama dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallasdhanë një konferencë përbashkët për shtyp.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Është kënaqësi e posaçme që të kemi sot në Tiranë në këtë vizitë të parë në vendin tonë Përfaqësuesen e lartë të Komisionit Europian dhe Zëvendës/ Presidenten e këtij Komisioni Kaja Kallas.

Mirë se erdhe në Shqipëri e dashur Kaja dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që më në fund e mbajte fjalën. Ma kishe dhënë më përpara si përfaqësuese e vendit tënd, por erdhe si përfaqësuese e të gjitha vendeve tona.

Kemi pasur një takim si gjithmonë shumë pozitiv, ashtu siç tha Zëvendës/Presidentja, mes nesh dhe BE nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur. Përkundrazi, kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet më së miri dhe në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë e cila është 100% e linjëzuar me politikën e BE.

Dhe natyrisht që kemi folur sidoqoftë për sfidën e madhe të procesit drejt BE, për kalendarin shumë ambicioz të dakordësuarme Komisionin për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Ashtu sikundër, kemi folur dhe për rajonin dhe për problematikat në rajon në një moment kur ne e kemi të domosdoshëm unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, ku fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim të shpallur strategjik,anëtarësimin në BE dhe ku ky destinacion është një pikë referimi jashtëzakonisht e dobishme dhe ndihmuese për të kuptuar edhe politikën e ditës dhe hapat që të gjithë bashku duhet të hedhim në të përditshmen tonë që jo thjeshtë secili nga ne të anëtarësohet në BE, por i gjithë ky rajon të bëhet pjesë organike e familjes së bashkuar europiane.

Thënë të gjitha këto, kemi prekur me Zëvendës/Presidenten dhe çështjen e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë. Siguria është një temë gjithmonë e më qendrore në jetën e përditshme dhe në politikën  e BE dhe sikundër e kam ndarë dhe pak kohë më parë me publikun, dua ta përsëris që në një ankete të fundit të bërë në vendet e BE për popullaritetin e BE, një anketë që kryhet qysh prej vitit 1983, rezulton se pikërisht që nga viti 1983, mbështetja e BE nga popujt që e përbëjnë është më e larta ndonjëherë, gjë që nuk ndodhte deri pak kohë më parë sepse popujt e Europës, sot më shumë se asnjëherë më parë, e ndjejnë që lufta nuk është një film bardhë e zi e së shkuarës dhe as një ngjarje spontane që ndodh në kufijtë e Europës, por është një kërcënim real ndaj të cilit Europa duhet të shtrëngojë radhët dhe duhet të forcohet. Pa diskutim që pjesë e këtij angazhimi është dhe Shqipëria në përmasën e vet.

Gjithashtu, dua të theksoj që partneriteti për sigurinë e mbrojtjenqë e kemi nënshkruar bashkë me Kajën dhjetorin e kaluar, është një hap që pasohet nga të tjera hapa dhe praktikisht dialogu për këtë partneritet do të jetë një konstante e vazhdueshme e marrëdhënies tonë me BE, përpara anëtarësimit, por patjetër pjesë e këtij partneriteti Shqipëria do të jetë edhe si anëtare e BE.

Nuk dua të zgjatem më shumë sepse vetëm do përsëris gjëra qëfaktikisht po i them gjithmonë e më shpesh, thuajse përditë,lidhur me domosdoshmërinë e suksesit tonë në përpjekje për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027. Dhe më vjen shumë mirë që Kaja është një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi, një mbështetëse e palëkundur e unifikimit të gjithë Europës nën ombrellën e BE dhe një mbështetëse deri tani e palëkundur e Shqipërisë, që është një vlerë e shtuar për ne dhe ne e çmojmë shumë, qoftë në aspektin institucional, qoftë dhe në aspektin personal, përfaqësuesen e lartë, e cila vjen edhe në këtë vizitë në një kohë shumë shumë të veçantë për të gjithë ne dhe njëkohësisht bashkëpunimi ynë është një bashkëpunim tek i cili ne besojmë shumë dhe tek i cili ne do të jemi të investuar çdoditë dhe gjithmonë të njësuar në qasjen tonë me qasjen e BE.

E dashur Kaja shumë faleminderit dhe një herë për vizitën tënde!

Është një vizitë që solli dhe një kombinim pak të çuditshëm për ne, midis diellit dhe ftohtit.

Ne kemi vënë diellin, ti ke sjellë të ftohtin nga Brukselin, por të jesh e bindur që herën tjetër do ketë vetëm diell dhe s’do ketë më vend për të ftohtin. 

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit EuropianKaja Kallas: Faleminderit i dashur Edi! Brukseli nuk kishte të ftohtë, kështu që nuk erdhi nga Brukseli i ftohti, por ndoshta nga veriu. Është kënaqësi që takohemi sërish dhe takohemi në Shqipëri sepse Shqipëria është vërtetë një partner i fortë i Bashkimit Europian, ju jeni aleatë, anëtar i NATO-s dhe jeni në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Vendimi juaj për të zbatuar plotësisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë, së bashku me mbështetjen tuaj humanitare politike që i keni dhënë Ukrainës tregon në fakt, pikërisht përkushtimin tuaj ndaj vlerave të BE-së dhe e kuptoj që nga aspekti politik, kjo nuk është gjithnjë e lehtë për tu bërë.

Gjithashtu, ju jeni të vlefshëm shumë dhe të dobishëm edhe përsa i përket bashkëpunimit në rajon, në mbështetjen e autoriteteve për të pasur edhe një mjedis të sigurt në Bosnje-Hercegovinë.

Bashkimi Europian është plotësisht i angazhuar sa i përket Shqipërisë dhe natyrisht bashkëpunimi ynë sjell të mira për të dyja palët tona, për Bashkimin Europian, pra ne jemi të angazhuar për të fuqizuar marrëdhënien më tej me Shqipërinë dhe për ju, ne jemi partneri më i fortë tregtar.

Një nga angazhimet e para që kam patur ka qenë nënshkrimi i partneritetit BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen, që siç e thatë, ndodhi në dhjetor dhe sot do të shikojmë frytin e parë, pasi do të lançojmë edhe dialogun e parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen.

Ky është një hap vërtetë shumë i rëndësishëm, pasi po e thellojmë më tej bashkëpunimin edhe në sektorin e sigurisë.

Duke i hedhur sytë përpara, ne në fakt, kemi dëshirë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim në fusha të reja si për shembull për të luftuar kërcënime hibride, por edhe sa i përket sigurisë kibernetike, të luftojmë terrorizmin, por edhe të merremi me menaxhimin e krizave.

Bashkimi Europian ka ofruar rreth 13 milionë euro në financime me anën e Mekanizmit EuropianPaqes për të përmirësuar përgatitjen e Forcave të Armatosura në Shqipëri. Gjithashtu, ne kemi zgjeruar dhe prokurimin përsa i përket kësaj çështjeje dhe ky është një diskutim që ne po e bëjmë me të gjitha vendet dhe Shqipëria mund të përfitojë në rast se zgjedh që të jetë pjesë e saj.

Sigurisht që bashkëpunimi ynë shkon përtej sigurisë sepse Shqipëria ka një agjendë ambicioze për të përfunduar negociatat me BE-në në dy vitet e ardhshme dhe ajo që dëshiroj të them është që nuk ka ndonjë qark të shkurtër ose rrugë të shkurtër për të arritur me anëtarësimin në BE, përveç performancës së duhur në reforma dhe reformat janë të vështira. Kështu që ju, keni mbështetjen tonë të plotë sa i përket çeljes së grup-kapitujve të tjerë dhe përmbushjes së standardeve krahasimore në veçanti në sundimin e ligjit.

E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe unë me kënaqësi kam parë edhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje 90 milionë euro me Bankën Europiane të Investimeve për të rindërtuar hekurudhën ndërmjet portit të Durrësit dhe Rrogozhinës, si pjesë e Korridorit VIII, pra të këtij projekti.

Ky projekt do të sjellë punë të reja, vende të reja pune, do të sjellë më shumë tregti dhe do ta lidhë edhe më shumë Shqipërinë me fqinjët e saj, por edhe me Bashkimin Europian. Gjithashtu, do të jetë dhe një korridor i duhur ndërmjet shteteve anëtare dhe NATO-s përsa i përket mobilitetit ushtarak në Europën Juglindore dhe kjo është shumë e rëndësishme për momentin në këtë mjedis kur flasim për sigurinë.

Së fundmi, ne diskutuam dhe zhvillimet në rajon dhe në fakt, unë i vlerësoj shumë këshillat, komentet që ju më keni dhënë për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Mendoj që ajo që është e rëndësishme është që në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies, ndërmjet këtyre dy vendeve dhe sigurisht që unë më pas do të shkoj në Bosnje- Hercegovinë, sot pasdite, dhe do të takohem me të gjitha palët atje në mënyrë që të qetësohet situata në Bosnje- Hercegovinë.

Edhe njëherë, jam vërtetë shumë mirënjohëse që jam këtu dhe natyrisht që me zor pres që të rikthehemi për takimin e Komunitetit Europian Politik. 

* * *

Zonja Kallas është viti 2030 një vit i mundshëm që Shqipëria të jetë vend anëtar Bashkimit Europian dhe ky proces integrimi kushtëzohet nga reforma të caktuara siç është ajo për shembull kundër korrupsionit ndaj funksionarëve të lartë.

 Kryeministër ju premtoni pasaportën e Bashkimit Europian. Në fakt integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është monopol i një partie për aq kohë sa integrimi kërkon edhe një konsensus tjetër edhe me forca të tjera opozitare për të kaluar në Kuvend projektligje apo reforma të rëndësishme. Si mendoni që pas 11 majit do të jetë e mundur ky konsensus politik, gjithnjë nëse mbetet në të njëjtin rezultat që jemi tani apo ndoshta 11 maji mund të prodhojë një tjetër rezultat zgjedhor.

* * *

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit EuropianKaja Kallas: Faleminderit! 2030 a është pra një objektiv realisht? Po është, në rast se ne të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhura gjatë rrugës. Pra, Shqipëria me reformat e saj, po jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe këto reforma të miratuara që duhet të vihen në zbatim. Dhe këtu sundimi i ligjit është skajshmërish i rëndësishëm. Pasi sundimi i ligjit, shteti i së drejtës është një nga bazamentet, themelet e Bashkimit Europain, po është edhe themel i begatisë së një vendi, sepse në rast se investuesit kanë besim tek sistemi juaj ligjor, atëherë ata kanë besim që të investojnë në ekonominë tuaj. Kështu që, kjo pra është edhe në të mirën e Shqipërisë. Është realiste në rast se të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë. Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama:  Atëherë, së pari, ne kemi siç e përmendi edhe Kaja më parë një plan të dokordësuar me Bashkimin Europain për të mbyllur negociatat në 2027, që do të thotë që në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare, anëtarësimin dhe pastaj çdo vend anëtar merr rekomandimin, ia paraqet Parlamentit përkatës dhe të gjithë parlamentet miratojnë anëtarësimin. Prandaj, ajo që ne parashohim, është një periudhë 2-vjeçare ratifikimesh, për të qenë realist që konkludon me 2030, në tryezën e Bashkimit Europian.

Kështu që, plani është krejtësisht i qartë. Natyrisht që, pjesa jonë është që të përmbyllim negociatat me sukses, deri në fund të 2027-ës. Ne jemi shumë të përgatitur për ta bërë këtë dhe  po punojmë çdo ditë për këtë. Ambicia është që brenda vitit të hapim të gjithë kapitujt dhe e përsëris kur them ambicia, nuk është ambicia jonë, është pjesë e planit të dakordësuar dhe në momentin që të gjitha këto bëhen realitet, nuk ka asnjë pengesë, përderisa Bashkimi Europian e ka hapur derën dhe për herë të parë mendoj unë, që prej shumë e shumë vitesh, kur dera u mbyll pas anëtarësimit të fundit që ishte Kroacia, dera është hapur realisht dhe është konkrete, hyrja në Bashkimin Europianpër interesa të përbashkëta strategjike.

Natyrisht që, kjo lidhet patjetër me punën tonë dhe puna jonë,nuk duhet të ndërpritet asnjë sekondë, kjo është logjika. Pasaporta e BE-së është rrjedhojë e anëtarësimit. Momentin që ne anëtarësohemi në BE, marrim dhe pasaportën e BE-së, që do të thotë nuk është vetëm Republika e Shqipërisë vetëm, por është edhe Bashkimi Europian në pasaportë me të gjitha ato që rrjedhin qenia qytetar të barabartë të Bashkimit Europian. Dhe në këtë pikë, unë mendoj që ne nuk na ndal askush dhe nuk do na ndalë askush, pa diskutim. Unë jam i bindur që në 11 maj, ne do të marrim rezultatin e nevojshëm për të çuar përpara këtë proces, pa humbur asnjë minutë e përsëris.

Sepse çdo lëkundje dhe çdo humbje kohe e përcaktuar në kalendarin e 2027 mund të sjelli pasoja jo që lidhen me ne, por me dinamika të tjera që mund ta mbyllin derën prapë.

Kështu që ky është shpjegimi im për këtë.

Pyetja e parë është për Zv/Presidenten, integrimi i Shqipërisë në BE është karta kryesore, duhet të themi, e politikës në Shqipëri pasi vendi ynë shkon në zgjedhje dhe jemi në prag të hapjes së fushatës zyrtarisht. Kemi një “deadline” dhe të paktën një qëndrim të zotit Rama, të kryeministrit i cili drejton maxhorancën qeverisëse, i cili thotë që vetëm PS mund ta dërgojë Shqipërinë në BE deri në 2030 dhe çdo rotacion politik mund ta pengojë. Pyetja për ju është: A e ngadalëson rotacioni politik integrimin e Shqipërisë?

Ndërkohë për ju, zoti Kryeministër, cili është qëndrimi juaj përsa i përket tarifave të vendosura nga administrata Trump dhe a ka bërë një analizë qeveria se si mund të ndikojë pasi të paktën deri tani përflitet për luhatje  të tregjeve financiare, ndikimi që mund të ketë në BE, por edhe ndikimi që mund të ketë në Shqipëri për shkak të importeve, mund të ketë rritje çmimesh? Dhe nga ana tjetër, a kemi një negociatë të drejtpërdrejtë nga ana e Shqipërisë më administratën Trump? Faleminderit.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit EuropianKaja Kallas: Faleminderit. Pra unë vij nga një vend që e ka kryer rrugëtimin e vet drejt BE dhe është tashmë shtet anëtar dhe është e qartë që në këtë rrugëtim, duhet në fakt të bashkëpunimi i të gjitha palëve sepse për këtë duhen disa reforma shumë të vështira që duhen zbatuar plotësisht dhe për këtë duhet mbështetje, përkrahje plotë. Ajo që kuptoj unë këtu, është që në Shqipëri të gjithë qytetarët e kanë dhënë mbështetjen e tyre, përkrahjen e tyre për rrugëtimin e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në BE, pra një mbështetje e gjerë dhe kjo është një gjë që shqiptarët duan ta arrijnë dhe për këtë duhen reforma të vështira që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve në shoqëri, sepse ky është objektivi përfundimtar, pra jo vetëm thjesht reformat, por edhe zbatimi i tyre që kërkon mbështetjen e plotë të partive politike.

Kryeministri Edi Rama: Në parantezë këtu, se para ca kohësh i bëtë një pyetje ambasadorit të BE dhe pastaj disa pasqyra e morën përgjigjen që ishte përgjigjja e vetme dhe më normalja e mundshme nga ambasadori dhe pastaj e kthyen sikur ambasadori e kishte thënë që “deklaratat e mia nuk janë në përputhje me çfarë mendon BE”. Tani unë nuk di ça prisni ju kur pyesni BE lidhur me çfarë ndodh këtu në aspektin elektoral. Përgjigjja është e vetmja dhe e ditur botërisht; BE nuk vendos kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet në Shqipëri dhe as nuk lidh politikën e vet me kush zgjidhet në Shqipëri. Kjo është elementare, por ama nga ana tjetër, ajo që unë them dhe përsëris është që nuk ka një forcë tjetër që e kryen dot këtë  mision. Këtë, nuk është BE që e përcakton dhe edhe nëqoftëse e mendojnë, nuk kanë për ta thënë ndonjëherë, kështu që, kjo është një pyetje pa lidhje po e kuptoj që është për konsum këtu, kështu që jam i bindur që do lexojë nëpër pasqyra që Zëvendës presidentja e komisionit tha që….

Po kjo është puna juaj, ne jemi vend i lirë demokratik. Shkruani ça të doni. Në 11 maj pastaj do thoni atë që do thonë dhe qytetarët. Ndërkohë që, përsa i përket pyetjes tjetër, unë s’kam asnjë koment për këtë, s’kemi asnjë shqetësim lidhur me atë temë. Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat është një qasje shumë e thjeshtë dhe në një farë mënyre komode për vetë pozicionin tonë, për vetë volumin e tregtisë që ne kemi me SHBA dhe në rast se i referoheni edhe tabelës së tarifave të shpallura nga salla ovale, ne nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim.

 

– Bashkimi Europian ka qenë mjaft mbështetës sa i takon reformës në drejtësi dhe progresit që pritet sa i takon luftës kundër korrupsionit apo dhe sundimit të ligjit. Nëse e shohim deri në këto momente, sa efektive dhe si vlerësohet nga ana juaj e gjithë arritja që është bërë deri më tani duke vendosur para drejtësisë dhe funksionarë të lartë?

Pyetja për kryeministrin, ajo çka Partia Socialiste ka qenë mbështetëse kryesore, referuar dhe fjalës suaj dhe çfarë keni thënë më herët sa i takon reformës në drejtësi, jeni të kënaqur, a janë arritur objektivat kryesore në raport me të gjithë funksionin që ka pasur SPAK deri në këto momente dhe a prisni më tepër prej SPAK?

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së BE, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit EuropianKaja Kallas: Faleminderit! Po, reformat e BE-së kanë disa faza në lidhje me sundimin e ligjit, lufta kundër korrupsionit. Së pari është miratimi i reformave. Faza e dytë është zbatimi i tyre dhe më pas është dhe pjesa e gjyqësorit, jo vetëm që të fillojë procesin apo proceset, por edhe që të arrijnë në vendime të gjykatave dhe kjo është shumë e rëndësishme edhe për qytetarët që të shikojnë që të gjithë po e marrin seriozisht luftën kundër korrupsionit, sepse kjo është dhe një nga themelet e sundimit të ligjit. Paratë e tatimpaguesve të shihet që po shkojnë aty ku duhet të shkojnë.

Kryeministri Edi Rama: Meqë është dhe pyetja e fundit, dua të bëj një përmbledhje duke u nisur aty ku Kaja mbylli fjalën e saj, te Komuniteti Politik Europian. Ne ndërkohë jemi duke u përgatitur shumë intensivisht për samitin e Komunitetit Politik Europian që do të bëhet në Tiranë në datën 16 maj, ku do të vijnë  të gjithë udhëheqësit e kontinentit. Kam parasysh kontinentin demokratik europian, që nga Britania tek Azerbajxhani, që nga Suedia tek Turqia për të trajtuar temat e këtij Samiti të radhës dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë, diçka e jashtëzakonshme për rajonin dhe natyrisht ka një arsye pse ndodh në Shqipëri. Unë besoj që është një vlerësim shumë i madh dhe njëkohësisht është dhe një përgjegjësi shumë e madhe për ne si aktor këtu në këtë rajon që është gjithmonë e më i rëndësishëm për BE-në.

Së dyti, dua ta them që përpara konferencës nënshkrimi që u bë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore. Dhe kjo është dhe arsyeja pse ky 5 vjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade do të jetë njëkohësisht dhe një 5 vjeçar ku do të kthehen hekurudhat në Shqipëri, kuptohet në një nivel tjetër nga çfarë ishin dhe kjo është një nga shumë arsyet për të jo vetëm besuar, por edhe për të luftuar që ne të anëtarësohemi në BE sepse falë kësaj marrëdhënie ne jemi në gjendje sot të kryejmë një sërë investimesh që përndryshe do ishin të pamundura për ne.

Dhe e fundit, natyrisht BE nuk është thjeshtë çështje investimesh madje për ne, për historinë tonë, për mënyrën sesi ne e kemi kërkuar Europën, në rashë të parë është një çështje lirie, një çështje të drejtash individuale, është një çështje barazie para ligjit. Ne nuk kemi pasur asnjëherë barazi para ligjit. Dhe sot vetëm në këto vite të fundit, ne jemi duke bërë një ushtrim të panjohur më parë për shtetin, për popullin tonë, ushtrimin për të pasur barazi para ligjit fale reformën në drejtësi dhe e përsëris nga që 1912 ku ne kemi shpallur shtetin e pavarur nga perandoria ne nuk kemi pasur asnjë rast ku një person i veshur me pushtet politik të jetë hetuar dhe gjykuar në mënyrë të pavarur.

Kemi kaluar nga mbretëria në diktaturën komuniste, nga diktatura komuniste në tranzicionin demokratik, por nuk kemi pasur asnjëherë një hetim dhe një gjykim të pavarur dhe nuk e kemi njohur çfarë është barazia para ligjit.

Sot jemi duke vendosur pikërisht themelet e barazisë para ligjit dhe ne na duhet hyrja në BE në radhë të parë për këtë, që barazia para ligjit të jetë e pakthyeshme, që barazia para ligjit të mos varet nga vullneti i një qeverie apo një qeverie tjetër, nga vullneti i një kryeministri apo një kryeministri tjetër, por të jetë një normë e panegociueshme dhe e pashkelshme nga askush më dhe nëse ne bëhemi anëtarë të kësaj familje, kjo është e garantuar dhe kjo është një gjë shumë e madhe për ne.

E natyrisht, nëse jemi duke e përjetuar këtë moment historik, kjo lidhet me vullnetin e kësaj shumice që qeveris sot vendin, që udhëhoqi reformën në drejtësi dhe me mbështetjen e pakufishmetë Bashkimit Europian në këtë aspekt. E parë në perspektivën historike dhe e parë me sytë e të ardhmes, unë nuk jam i kënaqur! Unë jam krenar shumë për këtë! Unë jam shumë krenar sepse ky është një nga ato gurë themele që mund t’i mbulojë llumi i kënetës së politikës së përditshme, por historia i kujton dhe i mban parasysh si momente të shtetbërjes dhe patjetër që nuk jam i kënaqur, jam shumë krenar. Ne do vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht këtë proces të barazisë para ligjit dhe aleanca me Bashkimin Europian është një garanci absolute për këtë se Bashkimi Europian ka të gjithë dijen dhe ka të gjithë instrumentet për të na lehtësuar një proces që pa Bashkimin Europian, do të ishte i pamundur.

Dhe në mbyllje dua ta përsëris, ne kur kemi nisur këtë rrugëtim kemi qenë në të njëjtat kushte ekonomike dhe sociale si Iraku, si Afganistani si ca vende të tjera, por po marr këto të dyja se këto të dyja kanë provuar të bëjnë demokraci dhe ne nuk kemi pasur asnjë lidhje me Estoninë dhe me gjithë vendet e tjera të lindjes, se ne ishim Koreja e Veriut në këtë kontinent. Dhe nëse sot jemi këtu ku jemi, dhe jemi pranë derës së Bashkimit Europian, ndërkohë që Afganistani është kthyer te talebanët, Iraku është një kaos, kjo vjen vetëm për një arsye. Ata nuk e kanë Bashkimin Europian, ne e kemi. Ata nuk kanë lindur me bekimin e të qenit mes Europës dhe të pasurit e një urimi dijeje për shtetin dhe për institucionet, dhe kulturat e institucioneve, ne e kemi këtë bekim. Nuk ka diskutim që ne jemi shumë krenar për këtë dhe ne nuk do pushojmë një sekondë derisa të hyjmë në derën e Bashkimit Europian dhe të ulemi në të njëjtën tryezë me Bashkimin Europian.

Si një njeri i dashuruar marrëzisht që sado që i thonë kujdes se martesa nuk është gjëja më e bukur që mund të ndodhë, nuk i ndahet dashurisë së vetë derisa martohet dhe si një njeri që mund të flasë për martesën me shumë kompetencë, po ju them që në fund të ditës nuk ka më mirë se martesa, kur është e duhura. Kaja ti e di që unë e kam “marriage based” këtë proces,jo “merit based”.

Previous Zhvillohet takimi i dytë i nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e reformave”