Kotor, Mali i Zi, Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët shqiptarë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kotor, Mali i Zi, Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët shqiptarë

-Ju e dëgjuat deklaratën e presidentit Vuçiç, i cili ndoshta është më pesimist se ju, që tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjasë 5 ose më shumë vite dhe Ukraina do të anëtarësohet më herët. Ishte një deklaratë emocionale kjo apo një qëndrim politik i presidentit Vuçiç dhe si e shikoni ju këtë?

Kryeministri Edi Rama: Tani që presidenti i Serbisë dhe Serbia të jetë më pesimiste se ne dhe se Shqipëria, kjo është gjëja më normale. Ne nuk jemi Serbia, ne jemi Europa e Ballkanit dhe ne jemi Shqipëria që me të drejtën e Zotit edhe me të drejtën e popullit shqiptar kërkon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian dhe ndërkohë për këtë po punojmë në mënyrë të përditshme dhe me fiksimin që Shqipëria e 2030 të jetë gati për t’u ulur në tryezën e familjes së bashkuar europiane.

 

-Zoti kryeministër, përveçse jeni optimist në këto gjithë samitet e Ballkanit Perëndimor duket se jeni më polemisti kur bie fjala te mbështetja financiare që Bashkimi Europian i jep rajonit, ju jeni ai që kërkoni më shumë. Nga Plani i rritjes, Shqipëria meqë po flasim për paratë, përveç mbështetjes për reformat, çfarë përfiton, ka projekte konkrete që do financohen?

Kryeministri Edi Rama: E para njëherë është e vërtetë që unë jam optimist. Nuk kam qenë kaq shumë optimist më parë, ju e keni parë, po jam gjithnjë e më shumë optimist për arsye sepse kanë ndryshuar shumë gjëra në dinamikën e brendshme të Bashkimit Europian dhe në qasjen e Bashkimit Europian ndaj asaj që deri dje quhej zgjerimi, ndërkohë sot qartësisht është bërë ribashkimi i Europës edhe për shkak të kambanës së fortë të alarmit që ra me agresionin rus në Ukrainë.

Nga ana tjetër, unë vazhdimisht kam qenë polemist edhe përpara se të më jepej mundësia që këtë ta bëja me Bashkimin Europian dhe ne kemi qenë në themelin e këtij ndryshimi sepse në mënyrë të përsëritur i kthyem takimet me të gjithë ata që vinin për të na vizituar, qoftë liderë të Bashkimit Europian, qoftë edhe vetë përfaqësues të Bashkimit Europian drejtpërdrejtë në një seri ekspozimi të një studimi që bëmë mbi përfitimet reale nga qenia në Bashkimin Europian të vendeve anëtarë rrotull nesh dhe nga përfitimet reale të vendeve tona, flas për rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ndihma e Bashkimit Europian dhe  humnera është shumë e madhe.

Prandaj ideja dhe këmbëngulja ime ka qenë, në ndërkohë që ne bëjmë detyrat e shtëpisë dhe duhet patjetër t’i bëjmë individualisht të gjithë që të kemi të gjitha strukturat, mekanizmat, institucionet dhe nivelin e performancës që ta meritojmë anëtarësimin, duhet të shikoni që duhet më shumë mbështetje dhe nga ana tjetër duhet që të hapen rrugët e integrimit real në Bashkimin Europian, pa qenë nevoja të bëhemi anëtarë, që do të thotë të hapen rrugë në tregun e përbashkët Europian, të hapen rrugë në të gjitha ato pjesë të strukturës së bashkëjetesës së Bashkimit Europian, ku vendet tona mund të përfshihen pa qenë anëtare.

Po të jap një shembull konkret, natyrisht që ka një paketë financiare të konsiderueshme, rreth 6 miliard euro, por përtej kësaj e cila do të ndahet mes vendeve bazuar në reformat, përtej kësaj po ju jap një shembull shumë të thjeshtë nga këto mekanizmat e tjerë.

Vetëm për shkak se ne jemi pothuajse gati dhe besoj që do të prezantojmë në tryezën e Bashkimit Europian me të gjithë dokumentet e nevojshëm kërkesën që të hyjmë në të ashtuquajturën sistem SEPA, të gjitha transfertat e parave të shqiptarëve nga Bashkimi Europian në Shqipëri, të cilat sot janë shumë më të kushtueshme sesa ato mes vetë vendeve të BE, do të jenë njësoj si brenda BE, që do të thotë vetëm nga ky integrim, qytetarëve shqiptarë që jetojnë ose shqiptarëve që jetojnë si qytetarë të BE në vendet e BE, kur të lëvizin paratë e tyre drejtë Shqipërisë do t’ju kursehen dhjetëra miliona euro në vit. Vetëm nga kjo. Pra do të mbeten në xhepin e tyre dhjetëra miliona euro që sot i marrin bankat si ekstra komision për shkak se këto para dalin jashtë BE.

 

– Zoti Rama, siç e thatë dhe ju, kjo është në bazë të meritës. Domethënë fondi do shpërndahet vetëm në bazë të meritës dhe do të ketë kthim pas në momentin që do shikohet që reformat nuk do ecin ashtu siç është parashikuar në agjendën e reformave që ka çdo vend i Ballkanit Perëndimor, por ndërkohë ju vetë kur prezantuat reformën e madhe që do të bëhet në administratën shtetërore shqiptare, që korrupsioni vazhdon të jetë një gangrenë, a mendoni se e keni dhe pjesë të agjendës të reformave. A mendoni se kjo mund të bëhet një pengese që Shqipëria për shembull mund të ketë një kthim pas?

Kryeministri Edi Rama: E para sot, ne praktikisht sot kemi dakordësuar plotësisht dokumentat individuale të secilit vend për të gjitha reformat që lidhen me planin e ri të rritjes. Janë të gjitha të dakordësuara dhe nga sot fillon zbatimi dhe nga sot fillon edhe mundësia e lëvrimit të parave.

E dyta, unë nuk thashë gangrenë, por thashë fenomen shqetësues. Gangrenë ka qenë, tani është një fenomen shqetësues korrupsioni dhe ato reforma që unë prezantova janë reforma, të cilat kërkohen edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian sepse kam dëgjuar shumë broçkulla lidhur me këtë. Interpretime të tipit, “pse tani pas 11 vitesh u kujtua Edi Rama që të reformojë administratën”, ndërkohë që kjo është një mënyrë e të parit shumë dritëshkurtër sepse pikërisht pse në këto 11 vjet, që s’janë bërë akoma se bëhen në tetor ekzaktësisht, kemi bërë gjithë ato që kemi bërë, kemi hapur dhe negociatat. Ose kur vjen puna te drejtësia që lidhet kjo me SPAK-un, por në fakt po të lexosh udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës miratuar edhe të dakordësuar me BE dhe po të shikosh raportin e BE nga diagnoza e procesit të screening, më shumë se 50% të detyrave për Shqipërinë janë detyra që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Pra, të gjitha këto se bashku do të bëjnë të mundur që ne të jemi anëtar të Bashkimit Europian, ndërsa plani i ri i rritjes lidhet specifikisht me reforma dhe masa të caktuara që janë dakordësuar, i kemi vendosur në tavolinë cilat do të jenë, kur do të bëhen dhe ata do të ndjekin në rrugë e sipër nëse ne do t’i bëjmë dhe do t’i bëjmë në afat. Unë jam i bindur që do t’i bëjmë në afat, se s’ka asnjë arsye për të mos i bërë.

Ndërkohë kundër kësaj do të fitojmë ato pjesë të integrimit të plotë sipas atyre hapësirave që janë hapur për momentin. Pra do të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian në ato hapësira dhe nga ana tjetër do të marrim dhe fondet, patjetër.

 

-Pikërisht, një nga çështjet të cilat u akuzuat ju shumë pasi prezantuat këtë platformë, këtë reformë të madhe ishte se do të kapnit drejtësinë, donit të ndryshonit SPAK-un. Në të vërtete ka si synim të prek, se këto janë institucione të reja të drejtësisë.

Kryeministri Edi Rama: Ky është muhabet kot sepse e para një herë, në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo do duhet të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës. E para!

E dyta, si mundemi ne dhe si mundem unë që të kem një synim të tillë kur faktikisht isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetjen pa ekuivok dhe deri më sot nuk di të kemi hapur ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK-ut edhe pse si çdo veprimtari tjetër e çdo institucioni tjetër, ka problemet e veta.

Kjo është një mënyrë për ta zvogëluar në perimetrin e gotës së furtunave të politikës së ditës një gjë aq të madhe, të rëndësishme sa ç’është tema e një dallge të re reformimi, saqë nuk ia vlen fare të humbasim kohë për këtë.

 

–  Keni marrë një sinjal nga opozita që do të bëhet pjesë e këtij komisioni? Do t’i bashkohet këtyre reformave? Ka një komunikim?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në dijeni të them të drejtën sepse është depozituar draft-rezoluta në Parlament dhe do të vazhdojë të ketë procesin e saj dhe njësoj siç kemi bërë me reformën në drejtësi, ne do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë, në të gjitha rastet pjesën tonë, por në këtë rast është e domosdoshme pikërisht sepse në çështje të caktuara, kërkohet dhe një konsensus më i gjerë në sallën e Parlamentit, pra kërkohen votat, por edhe sepse në fund të ditës, të paktën me fjalë dhe bazuar në programe, të gjitha partitë politike shqiptare, nuk e diskutojnë fare që destinacioni është Bashkimi Europian madje grindja lidhet me kush e çon më shpejt dot Shqipërinë në Bashkimin Europian, të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike që mund të vazhdojnë normalisht siç kanë vazhduar deri tani në hapësirat e tjera dhe aty të flitet teknikisht dhe të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo të flitet me gjuhën e shthurur të politikës të ditës. Besoj që kjo edhe do të ekspozojë shumë gjëra në pikëpamje të qasjes, nëse ka ende nevojë të ekspozohen gjëra për sa i përket partive politike në Shqipëri.

 

–  Kryeministër, jehona e takimit tuaj me shqiptarët në Athinë ka mbërritur edhe në Beograd. Dhe dy ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Vulin deklaroi se Shqipërinë e madhe mund ta mundë vota serbe, por edhe me ndihmën e Greqisë. Çfarë shije ju ka lënë kjo deklaratë në një kohë ku edhe sot ju e përmendët që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të bllokojnë njëra-tjetrën dhe duhet të heqin dorë nga retorika të tilla?

Kryeministri Edi Rama: Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40-tave, çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka dhe nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni, mendoj që nuk meriton asnjë koment tjetër edhe deklarata e tij, apo deklaratat e tij.

 

–  Zoti kryeministër, si u ndjetë, çfarë emocionesh patët nga ai takim në Athinë, përveç atyre që ju transmetuat me fjalën që përcollët.

Kryeministri Edi Rama: E vetmja gjë që më vjen keq është gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie, por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuq e zi do të thosha, në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobus të administratës dhe më vjen keq sepse fyhet, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe që ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie politike me forcën që qeveris, por edhe njerëz që as nuk na kanë votuar ndonjëherë, madje që ishin të njohur si njerëz që i përkisnin palëve të tjera politike dhe erdhën të gjithë aty si shqiptarë siç ishte krejt e natyrshme dhe krejt e kuptueshme që të vinin për të gjitha arsyet që dihen dhe që lidhen me historinë e shqiptarëve të Greqisë.

Në këtë aspekt, është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq ndërsa për të gjitha gjërat e tjera ai takim do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një moment i jashtëzakonshëm shqiptarie dhe besoj që është dhe një moment psikologjik kthese në shumë aspekte, jo vetëm në raportin e shqiptarëve të Greqisë me Greqinë edhe në raportin e Shqipërisë me Greqinë, por dhe në raportin e botës shqiptare me Europën.

 

– Dhe për të zgjidhur të gjithë atë problematikë që ata kishin përfshirë këtu dokumentacionin apo regjistrimin e fëmijëve që ende nuk jua lehtëson shteti grek, parashikohet së afërmi në agjendën tuaj ndonjë takim me kryeministrin e Greqisë?

Kryeministri Edi Rama: Shiko, duhet të jemi realistë që historia e shqiptarëve të Greqisë është një histori shumë e rëndë që është shumë e vështirë ta inkuadrosh dot në tablonë e jetës dhe të bashkëjetesës qytetare në Bashkimin Europian të atyre viteve, por nga ana tjetër, duhet të jemi po kaq realistë që  shqiptarët e Greqisë kanë bërë përparime të jashtëzakonshme dhe patjetër ka probleme me lejet e qëndrimit, por nuk ka probleme për të gjithë shqiptarët. Një pjesë e konsiderueshme e tyre votojnë në Greqi, pra, nuk janë njerëz që triumfin e tyre e kanë vetëm një triumf të natyrës së pavarësisë ekonomike dhe të një ekonomie shumë më të mirë se ajo që kishin kur u nisën, që ishte zero, por edhe në avancimin e të drejtave të tyre.

Nga ana tjetër, unë jam i bindur që ne do të shohim së shpejti zhvillime të reja pozitive edhe në drejtimin e rezidencës permanente, pra të lejes së qëndrimit të përhershëm të atyre që ende nuk e kanë këtë, edhe në drejtimin e marrjes së shtetësisë me të drejtë natyrale, edhe në drejtime të tjera. Unë jam shumë besimplotë që edhe çështjet e mbetura mes nesh do të jenë në tavolinë, jo për të mbetur përsëri për 84, larg qoftë, ose për 77 vite apo për nuk e di, dhjetëra vite, por për tu zgjidhur dhe për tu hequr përgjithmonë nga tavolina.

 

– Kryeministër, meqenëse jemi tek çështja e emigracionit, disa muaj më parë ju zhvilluat një takim në Romë me kryeministren Meloni dhe kryeministrin Rishi Sunak. Javën e kaluar, 10 Doëning Street njoftoi se ju kishit zhvilluar një telefonatë me kryeministrin Rishi Sunak. A ka një dëshirë nga Britania e Madhe për ta përsëritur atë marrëveshje të suksesshme që Shqipëria bëri me Italinë në favor të zgjidhjes së problemit të emigracionit që ata kanë në Britaninë e Madhe?

Kryeministri Edi Rama: Në raport me Shqipërinë?

 

– Po, në raport me Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama: Ka pasur një shprehje dëshire nga ana e Britanisë së Madhe jo vetëm, edhe e disa vendeve të tjera lidhur me këtë dhe jo pas por edhe përpara se të ndodhte marrëveshja jonë me Italinë, por përgjigja ime ka qenë e prere “Jo” dhe mbetet e prerë “Jo”. Italia është një histori tjetër dhe është një realitet tjetër në tablonë e marrëdhënieve tona miqësore dhe marrëdhënieve tona ndërkombëtare kështu që i kam shpjeguar të gjitha arsyet pse Italia ha bukë veç.

 

– Kryeministër, sot jemi në Malin e Zi dhe jemi në kuadër dhe të fillimit të sezonit veror. Ne na duhet të paguajmë 15 euro siguracion për të udhëtuar në territorin e Malit të Zi. Një gjë e tillë nuk bëhet nga ana e shtetasve malazeze. Është premtuar që do të flitet, do të investohet në kuadër të kësaj gjëje, por ende asgjë. Flasim dhe në kontekstin e Ballkanit të Hapur.

Kryeministri Edi Rama: Para sesa të bënim këtë intervistë dhe pastaj të kthehemi në Shqipëri, kam pasur takim me kryeministrin e Malit të Zi dhe një ekip që ka ardhur enkas për këtë takim nga Tirana për disa tema, për temën e urës që lidh të dy anët e Bunës dhe që tani është në fazën e futjes në procesin e zbatimit. Do të ngrihet grupi i përbashkët operacional dhe do të shpallet gara ndërkombëtare për ndërtimin e urës dhe jemi besimplotë që brenda vitit ne do të shohim kantierin e ndërtimit të urës lidhëse të Bunës.

E dyta, kemi folur për liqenin sepse nga ana malazeze është përfunduar pjesa deri në Zogaj, nga ana shqiptare kërkohet edhe një pjesë tjetër për ta çuar deri aty. Do të lidhet gjithë rruga perëndimore e liqenit dhe kemi folur edhe për një operim të përbashkët të lundrimit në liqen. Kemi folur, po ashtu, edhe për një projekt të përbashkët të zhvillimit turistik në të dyja anët e Bunës për të cilin do të angazhojmë agjencitë respektive të investimeve, së bashku me agjencitë respektive të planifikimit urban për të shkruar termat e referencës për një konkurs të përbashkët ndërkombëtar, ku do të thërrasim, siç bëjmë ne në Shqipëri, arkitektët dhe urbanistët më të mëdhenj ose ndër arkitektët dhe urbanistët, po themi, të Champions League të arkitekturës dhe urbanistikës bashkëkohore për të marrë pjesë në konkurs dhe kam folur edhe për këtë temë të çuditshme e cila vazhdon të mos gjejë zgjidhje, por unë jam besimplotë që do ta gjejmë zgjidhjen sepse kryeministri ma ka premtuar.

Previous Balluku në simpoziumin “Sfida dhe inovacione për diga të sigurta”