Kampionia e Europës në Atletikë Luiza Gega nderohet me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kampionia e Europës në Atletikë Luiza Gega nderohet me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike

Kampionia e Europës në Atletikë Luiza Gega u prit sot në një ceremoni të organizuar enkas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mes entuziazmit dhe duartrokitjeve të qytetarëve sportdashës dhe jo vetëm, me të cilët ajo ndau triumfin e një fitoreje të merituar denjësisht.

Luiza, e cila është njëkohësisht kampionia e parë europiane e atletikës me fanellën kuq e zi, u nderua nga Kryeministri Edi Rama me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike, në ceremoninë që vijoi në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

Teksa i dorëzoi Medaljen e nderit, Kryeministri Rama tha se me fitoren e saj të merituar Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie, si dhe imazhin e një Shqipërie që ja del me kokën lart mes gjithë të tjerëve.

* * *

“E dashur Luiza,

Fort  e admiruar kampione, tanimë edhe e Europës!

Është një krenari dhe privilegj shumë i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me të gjitha fjalët e nevojshme edhe pse këtu u thanë shumë fjalë, kjo arritje të lë pa fjalë, por të paktën në të gjithë ceremonialin që ofron shteti, më vjen mirë që rastësia e deshi që sot unë të prezantohesha edhe me ambasadoren e re të BE-së në Shqipëri, së cilës i kërkova të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione që mundi një gjermane.

Nuk na ndodh shpesh që të lëmë prapa Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte, “jemi të dytët pas Gjermanisë”, por sot këtu në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë dhe kur vjen fjala tek gara dhe tek adrenalina që gara prodhon për njerëzit, për komunitetet, për kombet, për gjithë popullsinë e botës, shteti ka kohë që e ka pranuar që e ka humbur rivalitetin me sportin.

Kujtoni një fjalë të famshme të një shtetari shumë të shquar, të një ngadhënjyesi të pasfidueshëm në artin e politikës, më pak në atë të pikturës, Winston Churchill, kur i thoshin, “cili është sporti yt i preferuar”? Ai i thoshte: “no, no sport never”, sepse Churchilli si amator i hipizmit në rini dhe si notar amator, ishte një atlet i shquar i uiskit dhe i puros, por ndihej shumë i sfiduar nga sporti, kur nuk mund t’ia hidhte dot me brilancën e oratorisë, me gjenialitetin e tij politik dhe kështu i parapëlqente të asgjësonte me shpoti në publik mitin e suksesit të tij sportiv.

Megjithatë, e solla këtu këtë shembull sepse ka diçka që bashkon emrin e tij me triumfin e Luizës dhe janë katër fjalë të cilat ai i përdori duke i bërë në fakt homazhin më të madh sipas meje, vetë sportit, kur i ngriti të gjithë në këmbë  britanikët në luftë me një recetë mahnitëse që i ka mbetur historisë, të fitores mbi nazizmin dhe u tha, “nuk kam asgjë për tu ofruar veç sfilitje, gjak, lot dhe djersë”.

Në fakt nëse e shohim të gjithë rrugëtimin dhe vrapimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë për ato më pak se 10 minuta që tanimë i përkasin historisë, ato janë hapa të pafundëm sfilitjeje, gjaku, lotësh dhe djerse. Pikërisht me këto katër fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari, Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie. Sipërmarrja e saj është marramendëse dhe kur flasim dhe mendojmë që çfarë i dhuroi Luiza Shqipërisë, imazhin e një Shqipërie që ia del, që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve. Është e pamundur të mos imagjinojmë se çfarë do të thotë kjo dhe është e pamundur të mos e shohim diferencën abisale mes këtyre katër fjalëve kaq të thjeshta dhe kaq të rënda dhe 400 milionë fjalëve të tjera të kota që konsumohen përditë dhe që nuk prodhojnë asgjë.

Gjak, sfilitje, lot dhe djersë është parakushti i çdo ngadhënjimi, i çdo përparimi. Është vetë kushti për jetë a vdekje i të ardhmes dhe tek fitorja madhështore me rekord të ri të kampionatit europian është në fakt edhe një dëshmi e vyer për të gjithë ne, sportistë dhe jo sportistë, të rinj apo më pak të rinj, për të gjithë brezat.

Luiza nuk është më thjesht një vrapuese e shpejtë, as vetëm një vrapuese në pistën e atletikës, por është një pararendëse, një paralajmëruese, është një parakumtuese, siç do të përkufizohej në shkrimet e shenjta. Nuk e ekzagjeroj aspak sepse historia e atletikës qysh në gjenezën e saj ka treguar që është fati dhe është njëkohësisht brenga e atletëve që vrapojnë që nga koha e olimpiadave të Mesdheut, të zotave që të parashpallin potenciale të reja si të ishin orë dhe si të ishin zana, karshi tundimeve për jetën e rehatshme dhe status quo-në apo karshi dorëzimeve në krahët e errësirës.

Çdo hap më i shpejtë i një atleti është në fakt një parakumt i një hapi tjetër më të shpejtë për mbarë njerëzimin.

Dua të kujtoj këtu sot fatin e dy pararendësve të lirive që jetojmë sot që janë pararendës edhe të Luizës në ngadhënjimin e saj të freskët, por që patjetër do të mbahet mend përgjithmonë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta jetonim këtë moment, Jesse Owens. Nuk e di a u thotë gjë ky emër atyre që janë më të rinj, por është emri i një sfiduesi me uniformën e një atleti poshtë në pistë, ndaj ideologjisë hitleriane dhe ndaj racizmit, në një kohë kur maksimumi kishte rivalë, por nuk ekzistonin akoma sfiduesit.

Lojërat Olimpike të Berlinit, 1936 ai gjigand afroamerikan vrapoi dhe fitoi në sytë e çmeritur të një stadiumi që ishte krenaria e regjimit përjashtues dhe ultra racist nazist. Ai fitoi garën, por i pararendi diçkaje shumë më të madhe, një shoqërie njerëzore më të barabartë, më vëllazërore, më gjithëpërfshirëse që erdhi pas tij.

Nëse e shohim gjenezën e vet lëvizjes olimpike, stereotipat e bukurisë së lashtë u përdorën nga baroni de Coubertin, që ishte dhe ideatori i lojërave olimpike moderne në 1896, si himn ndaj fuqisë mashkullore, se aleanca mes muskujve të burrit dhe inteligjencës, në një botë që i përjashtonte komplet gratë dhe vajzat, të cilat lejoheshin të futeshin nëpër fusha garash vetëm në disa disiplina me namuz. Tenis, golf, patinash artistik ku ishin njësoj si gratë dhe vajzat me perçe të disa vendeve prapa diellit, që nuk kishin asnjë mundësi të kapërcenin murin e madh dhe në 1928 veterania e sportit Alice Miliat ia doli që me një kokëfortësi të madhe të bënte që garat e olimpikes të hapeshin dhe për femrat dhe këtu depërtoi një Luizë që i përket historisë, e cila bëri një skandal të paparë, Karoline Radke Batschauer, e famshmja Lina Radke e cila do ishte kampione dhe rekordmene olimpike në 800 metërsh, me gjak, me sfilitje, me lot dhe me djersë dhe paralajmëroi një ngadhënjim femëror që tronditi aq shumë botën e  atëhershme sa parafytyroheni, solli ndalimin e çdo gare mbi 200 metra për femrat për 40 vjet dhe u desh viti ’60 që 800 metërshi të rikthehej si garë për femrat.

Kështu që, e dashur Luiza, nëse më pyet se ku hyn ti këtu, unë mendoj që ti hyn në një kënd shumë specifik si para kumtuese e një Shqipërie ku shumë më tepër vajza e djem, shumë më shpejt sesa vonë, do provojnë të kundërtën e asaj që predikojnë cinikët dhe më falni tallje me Kombin me flamurin dhe me çdo norme morale, dhe etike të traditës shqiptare.

Shumë vajza dhe djem që sot janë të regjistruar edhe në lëvizjen e re olimpike për të cilën kemi një vit që përgatitemi, në lëvizjen që do të nisë këtë shtator nga shkollat, nga universitetet, me mbi 650 skuadra të regjistruara në volejboll dhe basketboll për vajza dhe për djem në shkolla dhe rreth 50 pak a shumë, në mos gaboj, universitete që do të shtohen, me një kalendar që për herë të parë do të ketë lëvizja sportive ne Shqipëri e sportit jo thjeshte për të fituar, por e sportit për të ndryshuar në raport me jetën shoqërore, në raport edhe me tundimet dhe sfidat që sjell teknologjia e cila i ka mbërthyer kalamajtë pas atyre mrrokllave që i shkëpusin nga shokët, që i shkëpusin nga gjuha e folur, që i shkëpusin nga puna fizike dhe që s’kanë lidhje fare me sfilitjen, me gjakun, me djersen dhe me lotët, por pa këto nuk ka sukses, pa këto nuk ka progres, pa këto nuk ka zhvillim.

E dashur Luiza, njësoj si ata që përmenda edhe pse fatmirësisht në një kontekst shumë fatlum edhe pse jo të mirëqenë, ngadhënjimi yt i tregon të gjithëve se nuk ka njerëz, popuj, kombe më inferiorë se të tjerët dhe nuk ka asgjë të pamundur për çdokënd që ka kurajën që ta ndjekë deri në fund ëndrrën e vet.

Të jesh kamionë europiane në një vend që pistën e parë normale, që prapë është normale në anormalitetin e vet se është në pyll, të atletikës e ka ndërtuar tani, do të thotë t’i thuash të gjithëve që asnjë arsye sado objektive, asnjë pengesë sado objektive, asnjë distancë sado objektive me këdo qoftë para teje, nuk të pengon të ngjitesh në majë nëqoftëse ti je i vendosur të ngjitesh në majë dhe të paguash çmimin. Të paguash çmimin e sfilitjes, të gjakut, të lotëve dhe të djersës.

Shumë do doja të flisja ende, por besoj se fjalët u thanë dhe për të mos marrë mësysh po i vë një hudhër fjalimit duke sjellë këtu në vëmendje një pjese brutale të komunitetit tonë që nuk e duron dot suksesin, nuk e durojnë dot dhe nga ana tjetër që nivelin e urrejtjes për tjetrin, s’ka rendësi nëse tjetri është i një ane tjetër politike, apo në një ane tjetër lagjeje, e ka te tillë sa është gati ta bëjë copë Shqipërinë, të bëjë copë çdo gjë që është shqiptare, jo se nuk e do atdheun, jo se nuk e do flamurin, jo se nuk e do shtëpinë e vet, por sepse nuk arrin dot ta kuptojë se atdheu nuk është vetëm i veti dhe i anës së vetë. Kjo arrin kulmin kur në vend të admirohet pikërisht ana reale e suksesit, që s’ka të bëjë fare me financat, që s’ka të bëjë fare me kushtet, por ka të bëjë vetëm me ëndrrën dhe vullnetin për ta ndjekur ëndrrën deri në fund. Shpotitet suksesi dhe flitet për euro, flitet për braktisje, për vuajtje dhe sfilitje. Kam vetëm një fjalë për t’u thënë këtyre. Shqipëria sot i shpërblen, sot, – jo Luizën sot, Luiza sot është vazhdimi i një rruge të hapur prej disa kohësh, – sportistët që bëjnë sukses më shumë sesa shumë vende të tjera shumë më të suksesshme. Mbase sepse ata kanë më shumë kampionë se ne, por e vërteta është kjo dhe unë dua ta falënderoj edhe Borën, edhe Evisin, edhe Fidelin që nuk folën për shifra.

Shifra e mbështetjes për Luizën është një shifër që nuk do ta imagjinonin dot sportistët që shkonin ndërronin kombësinë, jo në ’91, por në 2012 dhe ngrinin flamuj të kombeve të tjera për të nxjerrë deri në fund potencialin e tyre, jo sepse janë tradhtarë, por sepse nuk mund dot të jetojnë nën peshën e tradhtisë së atyre që e kanë për detyrë t’i mbështesin. Nuk do ta imagjinonin dot.

 

Në atë vend apo në ato vende ku ata kanë ngritur flamujt e kombeve të tjera shpërblimet janë më pak sesa shpërblimi që do marrë Luiza, me plot meritë, por nuk ka asnjë shpërblim financiar që mund ta shpërblejë Luizën për atë që i ka dhënë kombit dhe prandaj, unë dua ta them, përpara se ta mbyll, që edhe kjo medalje, “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike” është thjeshtë shprehja e përulur e admirimit, respektit dhe mirënjohjes, por nuk e kompenson dot sepse nuk ka shpërblim financiar, nuk ka medalje që mund të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën.

Normalisht, Luiza, kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore, kryesisht, pra normalisht këtë do e merrte Churchill e jo ti, por në fakt, ty të takon, ndoshta, më shumë se kujtdo tjetër sepse në mbajtjet e shenjave të kësaj medaljeje, shqiponjës dykrenare me yllin gjashtë cepësh, është hija e atletit të parë të kombit tonë, atleti i lirisë, Gjergj Kastriot Skëndërbeu.

 

Duke t’u lutur të vish këtu, pa ju trembur shtatlartësisë sime të kotë, se mua më rrofshin gjithë këto centimetra dhe unë e di që ti je trime e nuk trembesh.

Edhe vetë Napoleoni që është themeluesi i Kordonit të Madh të Legjionit të Nderit, nëse i besojmë arkivave, ishte vetëm 2 centimetra më i gjatë se ti, por ishte 20 minuta më i ngadaltë sesa ti.

 

* * *

Luiza Gega u shpall kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa në kampionatin Europian të Atletikës në Mynih, Gjermani.

Previous Hapet Thirrja e II për Projekt-propozime, për të mbështetur organizatat rinore/ për të rinjtë dhe bashkitë e vendit

Leave Your Comment