Kryeministri Edi Rama informon mbi zhvillimet në Samitin e NATO-s, të mbajtur në Madrid - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama informon mbi zhvillimet në Samitin e NATO-s, të mbajtur në Madrid

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhacka dhanë sot një konferencë për shtyp, pas punimeve te Samitit të NATO-s zhvilluar në Madrid, Spanjë:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Së bashku me ministren e pamë të arsyeshme të bënim një komunikim për të dhënë disa informacione më shumë lidhur me Samitin e NATO-s në Madrid, i cili ishte një Samit i veçantë për nga kohëzgjatja dhe natyrisht edhe për nga pesha e përmbajtjes që lidhej pa diskutim me luftën ne Ukrainë dhe me pasojat, ashtu sikundër edhe me planet për reagimet e mëtejshëm të Aleancës. Përtej kësaj pjese, që ishte dhe pjesa kryesore, kishte edhe një element të rëndësishëm për ne, që kishte të bënte me mundësinë e negociatave intensive për të arritur në një marrëveshje përfundimtare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që t’i çelet përfundimisht rruga negociatave. Për të gjitha këto dhe për të tjera që ju mund të keni pyetje, jemi këtu.

Ne radhë ta parë dëshiroj të kujtoj që me hapjen e rrugës nga ana e Turqisë, janë krijuar premisat që NATO të shtohet edhe me dy anëtare të tjerë, Suedinë dhe Finlandën. Edhe ajo ka qenë një negociatë shumë e vështirë e cila është përmbyllur në orët e fundit. Një fokus të veçantë ka patur për Ballkanin Perëndimor, për kompleksitetin e rajonit dhe për vulnerabilitetin që rajoni ka për arsye të faktorëve të njohur. Qëndrimi ynë ka qenë i njëjti, ai i njohuri dhe i përsërituri në më shumë se një rast, lidhur me domosdoshmërinë që Serbia të mbahet sa më shumë dhe sa më afër me frontin kundër agresionit dhe që presioni mbi Serbinë të mos shkojë në një krisje që mund të ketë pasoja pastaj të pallogaritshme për vete rajonin.

Nga ana tjetër ne kemi kërkuar që Kosova të përfshihet ne mekanizmin e partneritetit për paqe, i cili është një stad tjetër i marrëdhënieve me NATO-n dhe që i pararend anëtarësimit në NATO. Kemi dhënë besoj unë, të gjitha argumentet përkatëse dhe është e udhës që e gjithë Aleanca të kuptojë se pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga disa prej vendeve, kjo nuk është një kohë e zakonshme dhe si një kohë e jashtëzakonshme, kërkon edhe akte të jashtëzakonshme, në aspektin politik edhe në aspektin e vendimmarrjes.

Kosova, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, këtë gjë e kam theksuar shumë fort, ka mbajtur një qëndrim absolutisht të qartë dhe të saktë duke treguar një maturi të rëndësishme si shtet në raport me detyrimet ndaj gjithë kësaj familjeje të madhe, që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj.

Po ashtu, kemi folur atje për projektin tonë dhe së shpejti besoj që do rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit, në portin e ri që do të jete në Porto Romano dhe që përveç pjesës komerciale dhe tregtare, parashikohet të ketë edhe një pjesë ushtarake.

Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të eksperteve dhe me ekspertët e Aleancës, për të parashtruar projektin me detaje dhe për të vazhduar më tutje me diskutimet. NATO ka hyrë në një fazë të re të bashkëfinancimit edhe të projekteve të posaçme. Ju e dini që aktualisht po ndërtohet baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë, është tërësisht financim i huaj ndërkohë që për sa i përket portit, ne natyrisht që do të financojmë vetë të gjithë pjesën komerciale dhe e kemi ftuar NATO-n, që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake. Nëse e realizojmë këtë, do të jete diçka me një vlere të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë, por edhe me një vlerë strategjike të rëndësishme edhe për vetë NATO-n.

Sigurisht që lufta në Ukrainë ka përmasën e vete ushtarake, për të cilën nuk mund të flasim publikisht, por ka edhe përmasën e vetë ekonomike dhe gjithë kompleksitetin financiar në formën e të gjitha vështirësive me të cilat po hasen të gjitha vendet dhe në Samit është folur gjerësisht dhe në mënyrë të dedikuar për sfidën e furnizimit me energji, për parashikimet jo optimiste, përkundrazi, vërtetë të zymta për sa i takon çmimit të energjisë dhe shoqëruar me vështirësitë e burimeve energjetike.

Është folur për inflacionin të cilin Shqipëria po e mban më ulët se të gjithë vendet e tjera të rajonin pikërisht sepse ne insistojmë në politikën e ndjekur qysh në fillim që të mos e prekim konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël tek çmimi i energjisë. Patjetër është folur edhe për dimrin dhe nevojën e një koordinimi dhe një maksimizimi të të gjithë forcave për të garantuar të gjithë zinxhirin e furnizimit, i cili është jashtëzakonisht i cënueshëm sot nga konflikti.

Pjesa e fundit, por jo për nga rëndësia është pjesa e përpjekjeve të bëra për të arritur në një marrëveshje siç thashë, që i hap rrugën përfundimisht çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Unë kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me presidentin e Francës, i cili për hir të së vërtetës meriton një mirënjohje të posaçme dhe një falënderim të madh sepse ka ndjekur vetë personalisht 48 orë rresht, pa pushim edhe pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe këtë proces.

Në këndvështrimin tim, propozimi i ri që është edhe propozimi përfundimtar dhe këtë duhet ta kuptojmë mirë, jo ne, po do ta kuptojnë mirë sidomos vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut, është një propozim plotësisht i pranueshëm dhe qeveria, shumica, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet ta pranojë pa asnjë hezitim dhe shoqëria në Maqedoninë e Veriut duhet të ndihet plotësisht e lehtësuar sepse është kapërcyer një ngërç dhe janë eliminuar disa nuanca të cilat realisht e bënin të papranueshëm propozimin e mëparshëm.

Kemi pasur një bashkëbisedim konstruktiv edhe me presidentin e Bullgarisë dhe është shumë e qartë, besoj për të gjithë në Shqipëri po e po, po edhe kudo qoftë tjetër. Ajo që duhet të jetë e qartë edhe për Bullgarinë, që ne nuk kemi absolutisht asnjë problem me Bullgarinë, nuk kemi asnjë shqetësim të asnjë natyre tjetër përveç shqetësimit të krijuar nga qasja e Bullgarisë ndaj çështjes bilaterale në Maqedoninë e Veriut dhe nga peng marrja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për pasojë, në kushtet e një procesi që mund të kishte qenë shumë civil edhe shumë më europian nga ana e Bullgarisë, por është një ujë që ka kaluar nën urë dhe me mbylljen e procesit të shqyrtimit dhe uroj të aprovimit nga ana e autoriteteve dhe institucioneve në Maqedoninë e Veriut të propozimit të fundit francez.

Nuk kam më asnjë gjë për të shtuar përsa i përket Bullgarisë. Uroj që mos ndeshim rrugës në të ardhmen, të tjera Bullgari në forma të tjera, si shprehje e deformimit të shpirtit të zgjerimit. Kjo është pak a shumë pamja e përgjithshme tani ju keni radhën për të bërë pyetjet tuaja. 

* * *

– Zoti kryeministër, kam një pyetje përsa i përket çështjes së procesit të integrimit eventualisht vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim të konferencës së parë ndërqeveritare. Marr në konsideratë propozimin e ri të presidentit Macron, por edhe sinjalet pozitive si nga qeveria e Shkupit dhe e Sofjes, mund të më thoni cila është pritshmëria juaj, kur mund të niseni drejt Brukselit për një vendim pozitiv për konferencën e parë qeveritare dhe jo për një vendim apo një deklaratë tuajën për t’i thënë Brukselit që kërkojmë të ndahemi nga Maqedonia.

Së dyti, zoti kryeministër nuk kemi pasur një qëndrim deklarativ nga ana juaj përsa i përket faktit se në godinën përballë nesh, në kryesinë e Kuvendit zhvillohet Këshilli i Mandateve përsa i përket kërkesës së opozitës për mandatin e deputetes zonjës Olta Xhaçka. Keni një qëndrim?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për “kur”-in unë nuk kam ndryshuar qëndrim dhe kam po atë masë buzëqeshje që kisha edhe kur situata ishte më e ngatërruar seç duket që është sot, që do të thotë që ne do të bëjmë tonën. Se kur do të caktohen datat dhe se kur merren vendimet nga ana e tyre, kjo është çështja e tyre. Ajo që për mua mbetet barometri objektiv i punës sonë është po ajo që ka qenë. Pikëpamja e Komisionit Europian!

Komisioni Europian është një autoritet me një kompetencë shumë më të madhe se gjithë të tjerët që bëjnë kompetentin lart e poshtë për të gjykuar progresin, për të gjykuar problematikat, për të gjykuar çfarë është e arritur dhe çfarë nuk është e arritur dhe për sa kohë për Komisionin Europian ne jemi në rregull me detyrat e shtëpisë, jo sot, po nuk e di tani sa vjet u bënë, unë jam shumë i qetë sepse e di atë që tanimë besoj pak shqiptarë kanë mbetur pa e mësuar dhe jo për shkak se është vështirë të mësohet, por për shkak se dëgjojnë disa pak akoma të tjerë që duan t’i çojnë në drejtim të paditur, që është fakti i thjeshtë se Bashkimi Europian është një krijesë me tekat e veta, me hallet e veta, me problemet e veta, me kapriçot dhe me dobësitë e veta. Unë jam tërësisht i qetë që ne kemi bërë tonën dhe do vazhdojmë të bëjmë tonën.

Më vjen shumë mirë që gjithë çfarë kemi bërë, sidomos në Bruksel, së bashku me kolegët e tjerë nga Ballkani Perëndimor dhe posaçërisht me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe me Presidentin e Serbisë, ka qenë plotësisht gjëja e duhur dhe ka pasur impaktin që ne kishim planifikuar të krijonim. Tani të shohim. Mund të jetë nesër, mund të jetë pasnesër, mund të jetë mbas një jave, mbas një muaji, mund të jetë mbas një viti, mund të jetë mbas 10 vjetësh. Kjo për mua ka shumë pak rëndësi.

Për sa i përket pyetjes tjetër, unë besoj që ka kohë që ka kaluar koha në fakt, nuk është sot që ne dhe kur them ne, flas për vete dhe për pjesën tonë, nuk flas për ju apo për të tjerët, të dorëzohen përpara faktit që vesi del me shpirtin edhe që këta që merren me këto punë nuk do ndryshojnë kurrë. Kurrë! Për fat të keq! Ne natyrisht jemi shumë mirëpritës dhe mikpritës për çdo shenjë ndryshimi nga ana e tyre, por këta nuk do të ndryshojnë mesa duket edhe kjo tërheqja zvarrë e çdo gjëje dhe kujtdo qoftë që ju del përpara, për të bërë linçime dhe përbaltje publike është një praktikë që mesa duket nuk do ndryshojë. Zgjedhja jonë është e thjeshtë dhe rruga jonë është e përcaktuar: ose do të bëjmë punët duke patjetër qenë të vetëdijshëm se s’jemi perfekt. Do bëjmë edhe gabime, kemi dhe ne të metat tona, ose do merremi me këta. Unë për veten time e kam shumë të qartë që çdo minutë i humbur për t’u marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë furtunë në gotë. Unë personalisht, megjithatë le ta gjykojnë institucionet!

 – Zoti kryeministër, gjatë këtyre ditëve, ku në fokus kanë qenë negociatat, jeni gjykuar për një qëndrim të ashpër ndaj Bashkimit Europian, madje, i cilësuar edhe “i tepërt”. A mendoni se kjo mund të ndikojë në pozicionin që ka Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Europian?

Një pyetje e dytë jashtë çështjes së negociatave, sa i përket hartës së re gjyqësore. A do ta japë miratimin Këshilli i Ministrave në kushtet kur ka një bojkot të avokatëve dhe që ka penalizuar dhe punën e proceseve gjyqësore?

 Kryeministri Edi Rama: Së pari, unë e thashë dhe në përgjigjen e mëparshme. Unë jam shumë i vetëdijshëm që ne nuk jemi perfekt, bëjmë edhe gabime patjetër edhe unë nuk bëj asnjë përjashtim nga kjo, por nëse ka një gjë që nuk kam për ta ndryshuar kurrë për sa kohë jam në këtë detyrë është sensi i barabartësisë në çdo tryezë ku unë ulem në emër të Shqipërisë, me këdo qoftë në atë tryezë, presidenti i Francës, presidenti i SHBA-ve, kryeministri i Britanisë apo kryeministri i Luksemburgut. Jemi të gjithë të barabartë.

Shqipëria nuk është as Amerika, nuk është as Franca. Shqipëria është një vend i vogël që ka problemet e veta, që ka peshën e vet të pakrahasueshme me peshën e shumë të tjerëve, por dinjiteti i shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk është më pak i rëndësishëm sesa dinjiteti i Francës dhe francezëve, apo i Amerikës dhe amerikanëve, apo i Anglisë dhe anglezëve.

Sa më takon, kudo që unë jam i pranishëm apo për çdo çështje që unë kam radhën e fjalës, askush nuk mund të mbajë qëndrime apo të bëjë veprime të cilat i bien ndesh interesave të Shqipërisë apo shqiptarëve apo qoftë edhe pa i rënë ndesh, e neglizhojnë sensin e barazisë pa marrë përgjigjen e duhur.

Unë nuk kam bërë ndonjë luftë as me Bashkimin Europian, as me Bullgarinë. Unë thjesht kam thënë disa të vërteta që, po ju siguroj, janë dëgjuar me shumë respekt sepse po nuk respektove veten, nuk respekton tjetri dhe nëse ne nuk respektojmë ata që na japin mundësinë që të kemi një mikrofon përpara dhe të flasin në emër të Shqipërisë, që janë njerëzit e këtij vendi, atëherë asnjë nuk do na respektojë. Shqipëria ka kaluar dekada të tëra pa u respektuar fare ose më saktë, e respektuar thjesht formalisht, por e nën përfaqësuar.

Kjo nuk ndodh më!

Ne pyetemi, ne konsiderohemi, ne dëgjohemi dhe mund t’iu them këtë; natyrisht është kënaqësi shumë e posaçme të dëgjosh presidentin e Shteteve të Bashkuara të flasë, ashtu siç Presidenti i Shteteve të Bashkuara foli për Shqipërinë dhe rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Sa i përket të dytës, harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon, shumë e thjeshtë. Unë habitem që ka akoma individë dhe grupe individësh që besojnë se me qeverinë që unë drejtoj mund të flitet me gjuhën e bojkoteve, me gjuhën e shfaqjeve të kokëfortësisë pa zë.

Ne këtu jemi. Kush ka diçka për të ndarë, e ka shumë të thjeshtë të na kërkojë, të ulemi, të flasim, të dëgjohemi, por harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Le të bojkotojnë sa të duan, kjo nuk ndryshon. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i vetvetes dhe i të kaluarës së vet, ku gjithmonë gjërat janë aranzhuar, “hajde ta lëmë për herën tjetër se nuk është momenti”.

Shqipëria nuk është Kina, nuk është as Amerika, nuk është as Franca, nuk është as Italia. Shqipëria është një vend shumë i vogël për të pasur zyra dhe institucione të panumërta. Kështu që, harta gjyqësore është ajo, është e konsultuar gjatë, është e dakordësuar dhe kush i bie ndesh është në të drejtën e vet ta bëjë, por pengmarrja e qytetarëve për të bërë qeverinë që të ndryshojë qëndrim është e pamoralshme, e shëmtuar dhe e padobishme, përveçse nuk ka asnjë shans të ketë sukses. 

Zoti kryeministër ndërsa  presim të shkojmë në Europë duket sikur ka një numër të lartë të shqiptarëve që nuk po e presin atë ditë këtu, por po shkojnë që tani drejt vendeve të Europës. Duke iu referuar shifrave të INSTAT,  nga viti 2016 deri në gjysmë të vitit 2021 rreth 221 mijë shqiptarë kanë emigruar jashtë vendit. Gjithashtu, ka një vrojtim të Bankës Botërore, e cila flet për një ulje të fuqisë të kualifikuar punëtore në Shqipëri. Qeveria e njeh si shqetësim këtë fenomen, dhe nëse po, a keni një plan për ta ndaluar largimin masiv të shqiptarëve?

-Sa i përket çështjes së ministres Xhacka, mazhoranca socialiste ka miratuar ligjin për investime strategjike në atë kohë me synimin për të thithur sa më shumë investime të huaja, por në kohët e fundit ne kemi parë që kanë qenë shumë persona që kanë përfituar, persona të cilët në njëfarë mënyrë  janë cilësuar të afërt me mazhorancës socialiste. Ju tha se nuk ka në një farë mënyre konflikt interesi në rastin e ministres Xhacka, por a mund të na thoni një tjetër vend në Europë ku bashkëshorti i një ministreje përfiton statusin e investitorit strategjik.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për pjesën e parë, për shifrën e INSTAT, shifrat që ju sollët këtu është më pak se gjysma e shifrës së thënë dhe stërthënë pa pushim për shqiptarët, 500 mijë, gjysmë milionë, dhe plus kësaj ajo është shifra e ikjeve ndërkohë, po të marrim dhe shifrën e ardhjes se ka dhe ardhje, atëherë diferenca ngushtohet, jo në mënyrë të konsiderueshme por ngushtohet. Kjo për realitetin, për faktet reale, jo për të thënë që ky nuk është problem por për faktet reale. Tani këtë problem, nuk ka ndodhur derti më sot, të paktën nuk e kemi një rast, po ta keni na i jepni që ta zhbëjnë në asnjë vend dhe nuk jemi ne as të partë mbase as të fundit që kemi këtë problem. Ky është një problem i të gjitha vendeve me përjashtim të një numri shumë të vogël vendesh. I kam sjellë shembujt nga vende të BE-së. Shkoni ose shikoni shifrat e Kroacisë, shikoni problematikën e largimeve dhe të punësimeve dhe të krahut të kualifikuar të punës që është një vend më i përparuar se ne, që është një vend i BE-së prej afro 10 vitesh tanimë dhe besoj që, do nxirrni një konkluzion shumë të thjeshte. Ne, sot i paguajmë koston një prapambetjeje historike, prapambetja historike nuk zhbëhet as për dy, as për pesë, as për 10 vjet, kërkon kohën e vet, që natyrisht mund të jetë shumë më e shkurtër sesa e njëjta kohë që prapambetja ka marrë për t’u instaluar në një vend, në rast se bëhen gjerat e duhura, dhe po të ishin bërë me kohë gjërat që ne kemi bërë prej disa vitesh, sot do flisnim për të tjera shqetësime se shqetësimet nuk do mbarojnë, se shqetësime ka dhe në Francë, ka dhe në Holandë, kanë dhe në vendet më të zhvilluara dhe më të përparuara të botës, por nuk do flisnim për këto probleme. Por nuk u bënë, nuk u bënë.

Ne jemi një vend, ku sot e gjithë ditën kemi akoma përballë hijen e një të vdekuri të pakallur që torollis Shqipërinë, e kupton ku jemi ne në raport me historinë dhe në raport më të shkuarën?

Kështu që, po te ishte bërë reforma në drejtësi para 20 vitesh, po të ishte bërë reforma territoriale para 20 vitesh, po të ishte bërë kjo e ajo, mund tua numëroj të gjitha, para 20 vitesh që të mos them para 30 vitesh, sot do ishim në një situatë tjetër.

Ne, kohën e humbur nuk e kthejmë dot, por duhet të shmangim humbjen e saj të mëtejshme me dokrra, me gënjeshtra, me receta iluzionesh dhe me të vdekur të pakallur sot e gjithë ditën.

Këtë duhet të shmangim ne, të tjerat do t’i sjellë puna dhe vetëm puna. Këmbëngulja dhe vetëm këmbëngulja, durimi dhe vetëm durimi. Kjo është dhe shumë gjëra ka sot për të thënë që sa shumë duhet bërë akoma, por shumë gjëra të tjera ka sot për të thënë sesa shumë është bërë në raport me ku ishim, natyrisht njeriu nuk ka sesi të kënaqet madje sa më shumë që  e shikon se ka mundësi të shkojë më tutje, aq më pak njeriu kënaqet. Prandaj, niveli i pakënaqësisë edhe në vendet e zhvilluara është jo i vogël.

Përsa i përket të njëjtës pyetje, që prapë do t’i jap përgjigje, lidhur me rastin e investitorëve strategjike, dua t’ju them këtë.

Unë jam shumë i lumtur që sa më shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri, por unë nuk hyj tek ata që të huajt i shohin si kategori e parë dhe shqiptarët si kategori e dytë dhe unë mendoj se çdo vend ka nevojë për kampionët e vet edhe në ekonomi.

E dyta, kjo e të afërmve me qeverinë është një këngë, që unë e kam dëgjuar gjithë jetën edhe e di që nuk do ndalet dhe as nuk do ndryshojë dot. Këtë e di, se aq më tepër në një vend si i yni dhe është një vend ku të gjithë dalin të afërm me njeri-tjetrin.

Kështu që, nuk kam se çfarë përgjigje t’i jap kësaj, sepse dëgjoj lloj-lloj broçkullash, lloj-lloj shtrembërimesh, lloj-lloj afërsish që janë komplet të imagjinuara dhe për më tepër unë do doja të kishte edhe më shumë investitorë strategjikë shqiptarë, por nuk ka më shumë dhe duhet të bëjmë çmos që të ketë edhe më shumë. Ndërkohë që, investimet strategjike nuk janë bërë vetëm për të huajt, janë bërë edhe për shqiptarët dhe një pjesë e rëndësishme e tyre nuk shkojnë deri nw fund pikërisht se proceset janë shumë strikte. Tani, kur vijmë tek ky rast konkret, unë di të them vetëm kaq: Në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka me mijëra dhe me mijëra subjekte, të cilat marrin në shfrytëzim një pjesë plazhi si rezultat i disponimit të një pronë private dhe një nga ato mijëra subjekte është dhe subjekti në fjalë. Tani çfarë duhet të bëjë në këtë rast? Duhet të thuhej që meqë subjekti në fjalë është një subjekt i përbërë nga disa komponentë, një nga të cilët është dhe bashkëshorti i ministres dhe kanë një pronë private si mijëra e mijëra të tjera, ndryshe nga mijëra e mijëra të tjerë nuk mund të marrin të shfrytëzojnë plazhin përballë pronës private? Kjo duhej thënë ?

Se nga mënyra sesi diskutohet dhe nga mënyra sesi iu thuhet shqiptarëve duket sikur këtu qeveria ka marrë një pronë shtetërore dhe ja ka dhënë bashkëshortit të një ministreje. Ndërkohë që, këtu ka ndodhur ajo që ndodh në të gjithë vijën bregdetare të Republikës së Shqipërisë për mijëra e mijëra shqiptarë, familje shqiptare, subjekte shqiptare që kanë pronën e tyre private, që kanë që hotelin e tyre, që kanë shtëpinë e tyre, që kanë resortin e tyre dhe me radhë, dhe që marrin  në shfrytëzim pjesën përkatëse të plazhit përpara pronës së tyre private, pse?

Sepse si në të gjithë botën demokratike ose jo demokratike se kjo ndodh kudo ku ekziston prona private, shteti ndjek këtë praktikë që plazhi të mirëmbahet, të pastrohet, dhe raporti midis pjesës se plazhit privat, pjesës së plazhit të administruar privatisht dhe pjesës së plazhit të administruar si hapësirë publike, ka ndryshuar në Shqipëri me këtë qeveri, deri kur ne kemi filluar të merremi seriozisht me vijën bregdetare. S’ka pasur një pëllëmbë të vetme rërë ku njeriu mund të shkonte pa paguar, një pëllëmbë të vetme, uzurpim barbarësh të lëshuar nga të katër anët e vendit, pa patur as pronë private aty, pa patur as të drejta aty, por duke iu dalë përpara atyre që i kishin ato të drejta, duke uzurpuar, duke degraduar, duke degjeneruar.

Kjo ka qenë situata. Jo se sot është fushë me lule, të shikojmë si do ecë ky sezon. Ne kemi marrë masa ekstra për pastërtinë, për menaxhimin dhe për të gjitha dhe besoj do jetë sezoni më i pastër turistik, por prapë ka probleme që duhet t’i adresojmë përsëri, por po të krahasosh sot me dje është e pakrahasueshme dhe tani të kërkosh këtu konflikt interesi, do të thotë faktikisht të kërkosh të zhveshësh nga e drejta e pronës private njerëz, të cilët janë në punën e tyre dhe këtu s’ka asnjë përfitim.

Këtu qeveria nuk ka dhënë asgjë faktikisht, zero, nuk ka dhënë qeveria asgjë. Qeveria thjeshtw nuk ka shkelur një të drejtë që buron nga ligji dhe nga e drejta e pronës private. Ajo që unë kam kërkuar tani është që ta heqim fare këtë pjesë të futjes së qeverisë në këtë mes që të mos kemi më as këto llafe, që janë llafe të fukarallëkut mendor që prodhon maskarallëk, kështu e konsideroj unë këtë.

Dua ta nënvizoj dhe një herë që prirja ime është gjithmonë që të mësoj, të mësoj edhe kur ajo çka debatohet është shumë e qartë. Por ky diskutim nuk ka që nuk ka asnjë vlerë, përkundrazi është i shëmtuar në nivelin e sulmit personal ndaj ministres. Është një diskutim, i cili ka një vlerë, mendoj unë, për investimet strategjike, për të bërë një rishikim të gjithë kuadrit duke parë tani pas x vitesh se çfarë, sepse ka ndodhur në një rast, s’po përmend emra që mori dhenë lajmi që X kishte marrë x hektar, ndërkohë që X faktikisht kishte marrë titullin, nuk kishte plotësuar kriteret dhe kur lajmi mori dhenë X ishte zhveshur nga titulli i investitorit strategjik, nga statusi dhe kishte humbur të drejtën. Kështu që, mbase ka ardhur koha që ne të rrisim nivelin e investimit në kuptimin e sasisë së financimit për të dhënë statusin, por ky është një diskutim që do ta bëjmë, ndërkohë që ne si ndryshojmë dot ata por nga ana tjetër e kemi ne detyrën tonë që çdo gjë ta bëjmë më mirë seç e bëjmë se çdo gjë është e përmirësueshme dhe kemi dhe atë ekstra natyrën tonë që të bëjmë dhe opozitën e vetes, duke u nisur edhe nga indicie për përmirësime të mundshme që vijnë edhe kur ngrihen çështje që janë të bazuara tek sulmi personal. Kjo është e gjitha! 

– Duke patur parasysh zhvillimet globale të sigurisë, kërkoi NATO nga vendet anëtare një rritje të angazhimit financiar, sa % të PBB alokon aktualisht Shqipëria për mbrojtjen dhe a pritet të ketë një rritje në vijim?

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi brenda parametrave për të cilat jemi angazhuar dhe nuk do ta rrisim asnjë qindarkë më shumë sesa angazhimi ynë buxhetin e mbrojtjes, të tjerët që janë më të pasur se ne, mund ta bëjnë dhe ne i përshëndesim dhe i mbështesim në rritjen e buxhetit të mbrojtjes, ne jo.

Ne do të vazhdojmë ta rrisim buxhetin e mbrojtjes sipas parametrave të përcaktuar në Samitin e Uellsit, për të arritur në atë 2% e mirënjohur në afat. Nga ana tjetër, ne ku t’i marrim NATO-s ndonjë buxhet, jo më të shtojmë akoma nga buxheti ynë, që të flasim hapur, siç ju tanimë e dini që unë flas. Kështu që shpresojmë që tani t’i marrim NATO-s ca fonde për të realizuar ëndrrën e portit ushtarak të NATO-s,  ashtu sikundër shpresoj t’i marrim edhe ca fonde të tjera për mbrojtjen kibernetike.

Ky është synimi ynë, ndërsa për mbrojtjen ne do të kontribuojmë qindarkë për qindarkë, ekzaktësisht aq sa jemi angazhuar dhe është shumë për Shqipërinë, por duke qenë se jemi në NATO, ne jemi korrekt dhe për këtë korrektesë jemi vlerësuar dhe vlerësohemi dhe do të vazhdojmë të jemi shumë korrektë me angazhimet, se e kam dëgjuar që kanë dalë disa që “do mbrojmë botën”, por ne këtu jemi, në këtë pikë. 

– Zoti Kryeministër, dje isha në një shëtitje me mamanë. Mamaja ime është pensioniste. Tashmë ne bëjmë shëtitje se nuk ulemi dot në kafe për shkak të krizës së çmimeve. Kishte një pyetje “a do ketë një Paketë të Dytë të Rezistencës Sociale”? Nuk është shqetësimi vetëm i mamasë sime, por i shumë pensionistëve dhe shumë familjeve të tjera shqiptare që sot vuajnë krizën e çmimeve, një krizë për të cilën edhe më 7 korrik është thirrur një protestë. A keni ju një plan, krahas angazhimeve në Këshillin e Sigurimit, në NATO, për Bashkimin Europian. A ka një angazhim qeveria për t’iu përgjigjur halleve, së pari të shqiptarëve?

Kryeministri Edi Rama: Po pse, këto të NATO-s dhe BE-së ku shkojmë ne, hallet e kujt janë? Apo janë për të bërë vizita turistike? Se unë nuk jam dhe natyrë turisti fare, e dinë mirë ata që më njohin. Të kujt janë këto hallet?

Kështu që, është mirë që të kuptojmë shumë mirë që kur hyn në familje të tilla, ku Shqipëria ka hyrë pasi 500 vjet mbeti derë në derë, nën çatia që nuk i zgjodhi kurrë vetë, por ia imponuan, këto vijnë edhe me disa halle dhe detyrime. Është shumë bukur të thuash “Shqipëria në NATO”, edhe të bësh koncerte kur futesh në NATO, por ja që të qenit në NATO ka dhe këto detyrime. Ja që të qenit në NATO sjell dhe nevojën për disa sakrifica. Shumë njerëz thonë, “Ç’na duhet ne se çfarë bëhet në Ukrainë, ç ‘punë kemi ne”? Po a e duam ne lirinë dhe pavarësinë tonë apo e kemi opsionale dhe e masim sa kafe pimë në ditë? E duam ne marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie strategjik? Apo e duam vetëm kur dita është me diell dhe nuk ka shqetësime të tjera? Po përkatësinë e Shqipërisë në gjithë këtë Aleancë dhe front perëndimor, e duam ne? Apo vetëm në kohë plazhi?

E pra, ja që ka dhe luftë. Një luftë që as e kemi zgjedhur e as e ndalojmë dot ne. Ja që ka edhe një moment që duhen bërë disa sakrifica, për një gjë më të madhe që është e pamundur të përballet duke thënë, “Lufta le të vazhdojë, ne jemi me Amerikën, ne jemi në NATO, por ama ne nuk duam të shikojmë asnjë ndryshim në çmime, përkundrazi, ne duam të kemi edhe më shumë në luftë”.

Thënë të gjitha këto, ne as i kemi lënë ndonjëherë vetëm dhe as nuk do t’i lëmë ndonjëherë vetëm ata që kanë më shumë vështirësi në përballimin e një situate të tillë, e cila ka vështirësi për të gjithë pa diskutim, por duhet ta ndajmë barrën sipas shpatullave.

Sigurisht që, ne e dimë shumë mirë këtë pjesë, sepse e dimë shumë mirë detyrën që kemi dhe duhet të jemi shumë të vetëdijshëm të gjithë që mundësitë tona nuk janë të pakufishme.

Ashtu sikundër, na duhet ta kujtojmë që në ndërkohë, të tjerët luftojnë për jetën, ndërkohë të tjerët ikin nga shtëpitë se humbasin gjithçka, ndërkohë që ne, fatmirësisht, nuk i kemi këto probleme. Ne nuk mund të bëhemi kurrën e kurrës njerëz që shohim vetëm deri tek maja e hundës sonë, ne shqiptarët flas, se po të kishin parë dhe të tjerët deri tek maja e hundës së tyre, ne sot nuk do ishim këtu ku jemi. Ne jemi këtu sepse kemi miq dhe partnerë të fuqishëm.

Kështu që, kjo është çështje detyrimesh reciproke dhe për t’i dhënë përgjigje konkrete, ne ndërkohë kemi vazhduar me fermerët, po bëjmë një tjetër plan për transportin publik, se aty janë ata që preken më shumë, do shikojmë si do ecin gjërat me energjinë; nëse do jetë një vit po aq i thatë sa 3 vitet e fundit, ne do shpenzojmë shumë për të mbajtur çmimin, që nëna jote të mos tmerrohet kur ndez dritën, është shumë e rëndësishme kjo dhe të mos llahtariset kur i vjen fatura e energjisë, se aty pastaj nuk ka më as ajo se çfarë bën dhe as ne çfarë të themi. Aty preket diçka që është kocka. Qëllimi ynë bazë është të ruajmë energjinë.

Shikojeni inflacionin në rajon. Shikojeni sa e kanë vendet e tjera dhe sa e kemi ne, gati përgjysmë. Pse? Për shkak të energjisë, sepse nuk është rritur aty. Po të rritet aty, ndikimi është shumë i rëndë dhe për ta mbajtur, ne do na duhet një sforco kolosale nëse viti do jetë i thatë siç kanë qenë 3 vitet e fundit.

Për mua, nëse ne arrijmë ta mbajmë të paprekur energjinë, nëse ne ndryshojmë tani edhe sistemin e taksimit duke e çuar në 500 mijë lekë zero taksën, bëjmë një lehtësim. Pastaj, sigurisht, tek shtresat më të dobëta që i mbrojtëm në fazën e parë, aty do riangazhohemi në momentin që do dalin ashtu siç duhet llogarinë. Është një dimër i tërë përpara që mund të jetë dimri më i vështirë i Europës qysh nga viti 1942, sa për dijeni.

-Pak më herët gjatë konferencës zoti Rama ju deklaruat se keni qenë në komunikim të vazhdueshëm me presidentin e Francës, po me homologun tuaj në Maqedoninë e Veriut Dimitar Kovačevski, a po negocioni për të pranuar propozimin francez?

Dhe një pyetje të dytë për t’iu rikthyer sërish bojkotit të avokatëve dhe hartës së re gjyqësore. Deklaruat se nuk do të ndryshojë harta gjyqësore në këtë mënyrë, duke mos u tërhequr qeveria. A i druheni ju një kolapsi në sistemin gjyqësor?

Kryeministri Edi Rama: Sistemi gjyqësor nuk do të ketë asnjë kolaps, ndërkohë gjyqet kanë vazhduar sa për dijeni, me një pjesë. Avokatët bëjnë mirë t’i kthehen detyrës së tyre se nuk e caktojnë avokatët se si bëhet harta gjyqësore e Republikës dhe këtu nuk është çështja se s’dua të tërhiqem unë. Këtu çështja është që ky është një vendim i marrë mbas një procesi të gjatë konsultimesh dhe i dakordësuar me partnerët tanë, që janë të pazëvendësueshëm në të gjithë procesin e reformës në drejtësi. Nuk është çështje kokëfortësie. Unë nuk jam asnjëherë kokëfortë sepse nuk jam këtu për të dale e imja. Jam këtu që të bëhet më e mira. Dhe ju e dini shumë mirë që kur ka qenë rasti për tu tërhequr, jemi tërhequr. Po këtu s’ka arsye. Se s’duan avokatët çfarë lidhje ka kjo. Ku hyjnë avokatët në këtë histori?! Avokatët kanë punën e tyre tu shërbejnë klientëve që është e thjeshtë fare dhe tjetra pastaj që është shumë e rëndësishme, me bojkote dhe me forcë, qeverisë që unë drejtoj nuk i është marrë dhe nuk i merret dot asnjë gjë! Zero!

Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, nuk është se s’e kam negociuar unë me të. Kemi shkëmbyer në vazhdimësi opinionet mbi dinamikën e procesit, ku në qendër të procesit ka qenë një person që do isha shumë i lumtur sikur të kishim mundësinë ta kishim në dispozicion në qeverinë e Shqipërisë. Bujar Osmani! Bujari ka qenë personi që ka udhëhequr procesin nga ana e palës së Maqedonisë së Veriut. Unë thjesht kam ndihmuar aq sa kam mundur.

-Zoti Rama, dje u publikua dhe drafti paraprak sa i përket legalizimit të kanabisit mjekësor dhe bashkë me të sigurisht erdhën dhe disa reagime, të cilat vënë theksin te fakti që ky ligj do të kontribuojë te kanabizimi i vendit që ka qenë një shqetësim ndër vite. A ka qeveria një plan shtesë, përveç draftit për të mos e lejuar këtë dhe në fund a do të ketë një përgjegjës në rast se ndodh?

Bashkimi Europian është bërë më i shëndetshëm për një javë tashmë që rruga e Shqipërisë drejt BE-së duket më e sigurt?

Kryeministri Edi Rama:  Sa mirë do ishte të kishte opozitë, por nuk ka në fakt për fat të keq! Opozita e vetme e kualifikueshme si e tillë e jona jemi ne vetë. Sikur e tërë opozita që quhet opozitë, të kishte gjysmën e energjisë dhe çerekun e vullnetit dhe një të dhjetën e durimit të Erion Braçes, mund të merrte një licencë kualifikimi si opozitë. Shikoje se çfarë thonë! Se ju vetë i cituat ata, apo jo? Në fillim ju keqkuptova se mendova se dhe ju mendoni kështu dhe do ishte problem për ABC-në, por jo ju cituat ata.

Ajo që unë po them është kjo dhe ju kujtoj që për legalizimin e kanabisit mjekësor ne kemi konsultuar me shqiptarët dhe në Këshillimin Kombëtar kanë marrë pjesë gati gjysmë milioni shqiptarë të cilët masivisht kanë thënë “po”. Kështu që, legalizimi i kanabisit mjekësor do të bëhet.

Në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar do t’i pyesim: “Doni të futet në Shqipëri të legalizohet dhe përdorimi rekreativ i kanabisit apo jo”? Do t’i pyesim. Pra për përdorimin personal apo do të vazhdojë të jetë një krim që dënohet dhe që çon fatkeqësisht shumë të rinj në burg. Do t’i pyesim. Nëse thonë “po” do bëjmë dhe atë, nëse do thonë “jo” nuk do e bëjmë. Sepse kemi një dilemë për këtë gjë. Po të më pyesni mua tani dhe po t’ju hap mendjen edhe zemrën do të shikoni që jam i dyzuar në këtë pikë. Edhe në diskutime që bëjmë të brendshme, ka “pro”, ka “kundër”. Prandaj është Këshillimi Kombëtar.

Amnistinë fiskale, e njëjta gjë. Kemi pyetur shqiptarët. Masivisht kanë thënë po. Kështu që herën tjetër ata që nuk kanë marrë pjesë në Këshillimin Kombëtar, të marrin pjesë. Të marrin pjesë të thonë opinionin e tyre, por nuk mundet dot “si Kofini pas të vjelit” kur thonë shqiptarët prapë, të dalin ca e të thonë, “jo po kjo do bëhet kështu do bëhet ashtu”.

Nuk kemi pse humbim kohë e harxhojmë energji dhe hyjmë në këto spirale helmi keqdashësie dhe negativiteti. Çdo gjë që bën njeriu ka të mirat, ka dhe të metat. Ka pro ka edhe kundër. Çdo gjë. Tani ne nuk mundet të rrimë pa bërë asgjë që të mos marrim baltë dhe të mos marrim akuza. Çdo gjë ka baltë dhe akuza. Në rregull, kjo është mënyra që kanë zgjedhur, prandaj janë aty ku janë, le të vazhdojnë. Ne do vazhdojmë punën tonë. Siç thoshte i ndjeri Loro Boriçi: “Shiu ka punën e vetë, ne kemi punën tonë”.

Pyetja tjetër mu duk që ishte më shumë humor nga ana juaj, nuk mu duk serioze: “A është më i shëndetshëm Bashkimi Europian mbas një jave”. E vetmja gjë që mund të thuhet është se mbas një jave, ti që bën pyetjen je më e vetëdijshme që kryeministri yt, e mbron si duhet interesin e vendit tënd në Bashkimin Europian. Këtë mund të thuhet, pjesa tjetër është humor.

Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju. Në 29 prill të këtij viti ka hyrë në fuqi kodi i ri etik për Këshillin e Ministrave, i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për të gjithë ministrat që e shkelin. Një ndër pikat e këtij kodi etik është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe duhet të takohen vetëm në kushtet kur janë në praninë e dy punonjësve të administratës. Ju personalisht e keni zbatuar këtë pikë? E keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik në prani të punonjësve të administratës apo e keni shkelur kodin?

Kryeministri Edi Rama: Tani këtu përgjigjen do ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.

 – Pa problem. Kodi Etik do zbatohet apo jo? Kjo ishte pyetja ime dhe nuk e kuptoj çfarë ka këtu, kur vetë ju keni thënë se do ketë sanksione për ministrat që nuk e zbatojnë Kodin Etik deri në largim nga puna, e keni thënë kur keni prezantuar qeverinë e re, kabinetin e ri qeveritar.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një tjetër shkeljet e kodit etik të gazetarit në një konferencë shtypi që ndërkohë vazhdon me mikrofon dhe vazhdon mban fjalime dhe po të them, siç pe me Ambrozian komunikimi ishte perfekt, pyetja ishte siç e deshi vetë, përgjigja ishte shumë korrekte dhe kështu do të jenë gjithmonë korrekte përgjigjet për të gjitha pyetjet korrekte. Ndërsa për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim, tre muaj. Kështu që përgjigjen e radhës, ti do ta marrësh pas 3 muajsh, që i bie, si i bie? korrik, gusht, shtator, tetor. Në konferencën e tetorit hajde, je i mirëpritur dhe shpresoj dhe i riedukuar për të marrë përgjigje sepse e para në kodin etik të gazetarit dhe të konferencës së shtypit ka një normë shumë të thjeshtë që quhet respekt.

– Zoti kryeministër, ju e përmendët edhe më parë, lidhur me amnistinë fiskale, e cila gjatë javës së ardhshme dhe ditët në vijim do të nisë dhe konsultimet apo diskutimet në Kuvend. Megjithatë, deri më tani disa ekspertë kanë ngritur shqetësimin se mund të krijojë dhe legalizimin e parave të krimit të organizuar.

Pyetja ime është nëse ju keni një garanci dhe cilat instrumentet bllokues që kjo gjë nuk do ndodhë? Ndërkohë, nga ana tjetër edhe vetë opozita ka thënë se amnistia fiskale do jetë një hap pas në procesi ne integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Do tërhiqeni ju, në rast se javën e ardhshme do kemi një “Po” për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, nga ky projektligj?

Kryeministri Edi Rama: Nuk më rezulton që ajo që ju e quani opozitë përfaqëson Bashkimin Europian në Shqipëri, e para.

E dyta, edhe kur merr makinën me të gjithë dokumentat në rregull dhe gjithë eksperiencën, ka gjithmonë një risk. Çdo gjë ka risk, asgjë nuk është pa risk, por ajo që është e rëndësishme është që, së pari, amnistia fiskale është një kërkesë e kohës, e mbështetur gjerësisht nga opinioni publik.

Së dyti, amnistinë fiskale ne jemi të fundit që e bëjmë, nuk jemi as të parët, as të dytët e as të tretët, por jemi të fundit fare që bëjmë amnisti fiskale.

Së treti, ja u kam thënë dhe partnerëve, mirëpresim çdo vërejtje, por nuk e mirëpresim qëndrimin që “Shqipëria nuk e bën dot amnistinë fiskale, se shqiptarët janë pak si të çuditshëm”. Këto nuk i mirëpresim!

Ne kemi bërë një projekt i cili është i përmirësueshëm akoma sepse nuk ka vajtur akoma në sallë për votim, me të gjitha masat e para dhe të marra nga ligjet e amnistisë së vendeve të tjera për të parandaluar pikërisht keq shfrytëzimin e kësaj mundësie. Është shume e qartë që amnistia nuk i je askujt amnisti, përveçse deri në ditën e depozitimin të parave. Pra, kushdo qoftë që nuk është i dënuar, që nuk ka punuar në shtet, që nuk ka qenë politikan e të tjerë, janë një sërë kategorish të përjashtuara, pra që mund të kenë burime korrupsioni në pasurinë e tyre apo burime nga krimi. Për gjithë pjesën tjetër, amnistia është në fuqi në momentin kur votohet dhe deri në ditën kur depozitohen. Që do të thotë, nëse më pas dikush kapet pasi bën një krim apo zbulohet që është marrë me veprimtari kriminale, vlen njësoj si për gjithë të tjerët. Nuk është se amnistia ty të jep mundësinë që çfarëdo të bësh në të ardhmen, paratë nuk të preken, jo. Por ama, nga ana tjetër ne nuk mundemi dot të pranojmë që të gjithë shqiptarët janë paragjykueshëm dhe të gjitha paratë që vijnë nga jashtë në Shqipëri janë të paragjykueshme meqë disa nga shqiptarët shkëlqejnë në botën e krimit. Këtë nuk e pranoj, sepse këtu bëhet fjalë në radhë të parë, për qindra e mijëra emigrantë që kanë para që nuk i legalizojnë dot sepse janë kursime nga puna në të zezë, jo nga puna e zezë, por nga puna në të zezë. Shikoni se çfarë heqin për të sjellë 10 mijë euro apo 10 mijë paund, se çfarë heqin me histori, me bankat, me pastrimin e parave, me prokuroritë dhe me korrupsion nga prokurorë që i mbajnë peng, iu marrin edhe ndonjë lek që tu lirojnë lekët e tyre. Këta janë baza e amnistisë dhe kjo është amnistia.

 – Zoti kryeministër, gjatë Samitit dy ditor ju keni pasur mundësinë të takoheni me shumë liderë të vendeve anëtare të NATO-s, mes të cilëve edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Ju keni zhvilluar një bisedë me të, të paktën nga pamjet që ne kemi arritur të shohin, ku dukeshit mjaft i përfshirë. A mund të na zbardhni se çfarë keni diskutuar?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam i përfshirë në çdo bisedë, edhe me ju. Unë o përfshihem, o nuk përfshihem. Thelbi është pak a shumë vlerësimi për Shqipërinë, për rolin e Shqipërisë sidomos në Këshillin e Sigurimit dhe nga ana tjetër, biseda për nevojën që të organizojmë diçka së bashku meqë jemi në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Nuk mund t’iu them më shumë detaje, por ky ka qenë thelbi i bisedës.

Ju e dini historinë e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, e dini përfshirjen e tij me Kosovën, e dini njohjen që ka ai për Ballkanin, e njeh me detaje dhe Shqipërinë dhe çfarë bëhet në Shqipërinë. Të shohim nëse do arrijmë të organizojmë diçka së bashku për 100 vjetorin. Se në çfarë forme, se kur, se si, kjo natyrisht mbetet për tu diskutuar nga stafet, sepse kështu u la. Mbase edhe nuk bëhet sepse situata e përgjithshme është e tillë që nuk mund të parashikosh dot asnjë gjë, por pak a shumë, kjo ishte biseda.

Në përfundim, për ta mbyllur me një të vërtetë të thjeshtë, por që ia vlen të përsëritet, është që Shqipëria në arenën ndërkombëtare, sot është 100% diçka tjetër, në raport me atë që ishte. Nëse në të gjitha fushat ne kemi bërë një progres që mund të kuantifikohet me përqindje, në këtë fushë është 100%, diçka komplet tjetër. Unë jam shumë krenar për këtë dhe jam shumë krenar për punën që kemi bërë dhe jam shumë krenar për të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë punë , sepse nuk është thjesht puna ime. Unë kam dhënë kontributin tim, kam luajtur rolin tim, por është kontributi dhe roli i luajtur nga gjithë të tjerët, duke filluar nga ministrat e jashtëm, që nga Ditmir Bushati që ka qenë ministri i parë, deri tek Olta që është këtu në krahun tim, ministrat e Mbrojtjes dhe kështu me radhë gjithë të tjerët.

Faleminderit!

Previous Nisën punimet për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë, Parku më i madh diellor në Ballkanin Perëndimor

Leave Your Comment