Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në takim Presidentin e Republikës së Italisë Sergio Mattarella, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë.
Duke falënderuar Presidentin italian për vizitën, Kryeministri Rama vlerësoi se Italia ka qenë dhe do të mbetet një vend mik dhe partner kyç i Shqipërisë, në rrugën e zhvillimit ekonomik, si dhe një mbështetëse e vendosur e rrugëtimit të saj europian.
Kryeministri Rama dhe Presidenti italian Mattarella diskutuan mbi bashkëpunimin e frytshëm mes vendeve në fushën e bujqësisë, turizmit, arsimit, shërbimeve, si dhe dakordësuan angazhimin për vijimin e një bashkëpunimi edhe më intensiv në këto fusha, me interes të ndërsjellë mes vendeve.