Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka njoftuar se kanë nisur që tani përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik, në mënyrë që i gjithë procesi për vitin 2023 të mbyllet brenda këtij viti. Në një takim të parë me kryetarët e bashkive bregdetare, prefektët, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe AZHT, Kumbaro ka listuar prioritetet për vitin tjetër, duke nisur nga rritja e sipërfaqes minimale të detyrueshme ligjore të plazheve publike.
“Kemi pasur një sezon të mbarë për nga numri i vizitorëve të huaj, që deri në fund të muajit gusht kanë qenë 5,6 milionë, duke tejkaluar jo vetëm vitin 2021 por edhe se viti 2019. Megjithëse vitin e kaluar e nisëm procesin e ndarjes së plazheve më herët se çdo vit, duhet sërish ta përshpejtojmë. Thirrja për aplikim për marrjen ne menaxhim të stacioneve të plazhit për vitin e ardhshëm, duhet të jetë brenda muajit nëntor. Gjithashtu sipërfaqja minimale e detyrueshme ligjore në çdo bashki, që prej disa vitesh është 20%, do të rritet për vitin tjetër. Për këtë do të ndërhyjmë në VKM”, është shprehur ndër të tjera Kumbaro.
Në takimin e zhvilluar është përcaktuar edhe certifikimi i operatorëve turistikë detarë në përputhje me legjislacionin në fuqi, caktimin e pikave të ankorimit të mjeteve lundruese, përcaktimi i qartë i zonave ku lejohet muzika pa limit dhe hartimi i planit të zhurmave nga çdo bashki. “Përveç punës me hartat e plazheve, çdo bashki duhet të nisë që tani komunikimin publik, në mënyrë që
të informohen të gjitha subjektet mbi datat e aplikimeve. Sistemi do të hapet vetëm një herë, sepse është mënyra e vetme për të shmangur konfliktet e mundshme. Parcelat që nuk do të merren për
administrim nga privati, menjëherë do të kalojnë si parcela publike. Kontraktimi i vrojtuesve të plazhit është kusht i panegociueshëm, sikundër miratimi në AZHT i strukturave “beach bar” dhe shlyerja e detyrimeve tatimore të subjekeve”, është shprehur Kumbaro. Kryetarët e bashkive kanë vlerësuar procesin e pastrimit në vijën bregdetare, që këtë vit u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit me operator shtesë në Himarë, Sarandë, Durrës dhe Kavajë duke mbështetur edhe propozimin për rritjen e sipërfaqes së plazheve publike. Sipas të dhënave të fundit, numri i vizitorëve të huaj nga janari deri në gusht ka qenë 5,6 milionë, rreth 1,3 milionë më shumë se viti i kaluar.