Kryeministri Rama nderon Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana me Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Rama nderon Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana me Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike

Kryeministri Edi Rama nderoi sot Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza Italiane, Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana, me Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike, në një ceremoni të posaçme mbajtur në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

* * *

Sot jemi mbledhur për një kremtim të veçantë të një njeriu të veçantë. Një gjeneral, por mbi të gjitha një mik dhe një ndër përfaqësuesit e çmuar të një vendi që është ndoshta me i afërti shpirtërisht dhe pa dyshim ndër më dashamirësit e Shqipërisë, Italia!

Gjenerali Zarafana është një ndër të dërguarit e shtetit italian që në nder të uniformes së tyre ka kontribuar, por njëkohësisht dhe ka dëshmuar një histori të gjatë prej tanimë tre dekadash përpjekjesh të përbashkëta dhe miqësie gjithmonë e më të fortë. Mbi të gjitha gjeneral Zafarana është një përfaqësues i denjë i petkut të “Guardia di Finanza”, një trup e shumë respektuar dhe e shumë vlerësuar, por përsa na takon ne shqiptarëve dhe përsa i takon Shqipërisë, për ndihmën e paçmuar që na ka dhënë në këtë fazë tonën kaq të rëndësishme të historisë tonë.

Gjenerali është dekoruar me urdhrin e meritës së Republikës Italiane, por sidoqoftë unë shpresoj që në kraharorin e tij ka ende vend edhe për një dekoratë tjetër, e cila do të jetë aty për të dëshmuar nga njëra anë lidhjen e tij me vendin tonë dhe nga ana tjetër respektin dhe mirënjohjen e vendit tonë për të.

Gjenerali ka dhënë një kontribut të çmuar në një front ku janë angazhuar shumë njerëz nga të dyja anët e kufirit dhe njëkohësisht si Komandant i Përgjithshëm i Guardia di Finanza ai ka udhëhequr edhe një përpjekje të tërë për të ndihmuar drejtpërdrejtë në patrullimin e brigjeve shqiptare, për të impaktuar pozitivisht në përpjekjen tonë kundër kultivimit të kanabisit, përmes survejimit ajror dhe për të bërë të mundur që në vijimësi rezultatet tona të jenë gjithnjë më kuptimplota, ndërkohë që në vështirësitë tona ne të mos jemi asnjëherë vetëm.

Ne jemi shumë të nderuar që ta kemi këtu sot gjeneralin, por unë dua që ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju shprehur mirënjohjen dhe falënderimin të gjithë efektivëve italianë që kanë shërbyer në këtë vend dhe që me shërbimin e tyre në këtë vend kanë ndihmuar për këtë vend në mënyrë të paçmuar dhe të paçmueshme.

Dua të falënderoj çdo koleg të gjeneralit dhe dua të them që ky moment solemn i mirënjohjes përmes një dekorate simbolike për gjeneralin është njëkohësisht edhe një moment falenderimi për të gjithë të tjerët sepse puna e të gjithëve që kanë shërbyer në funksion të qëllimeve të mëdha të përbashkëta, të objektivave të përbashkët të një ambicieje të përbashkët për ta bërë hapësirën që ndan dhe bashkon dy vendet në një hapësirë gjithmonë e më të mirë, është pa diskutim një arsye shumë e fortë për të qenë mirënjohës edhe për faktin se falë kësaj pune është rritur gradualish, por në mënyrë të qëndrueshme besimi i njerëzve tek këto institucione, të cilat janë këtu për të luftuar pa pushim krimin e organizuar, për të luftuar pa pushim të gjitha format dhe shfaqjet e veprimtarive kriminale që shfrytëzojnë hapësirën mes dy vendeve dhe për të luftuar pa pushim e për të ngritur më lart dinjitetin e uniformës së të gjithë përfaqësuesve të shtetit shqiptar të cilët kanë pasur fat që të kenë pranë përfaqësuesit e këtyre strukturave të shtetit italian.

Pa diskutim që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë është shumë i gjerë, është shumë kompleks, është horizontal në të gjitha fushat, por në këtë fushë ka qenë, është dhe do të mbetet një bashkëpunim i ngushtë, i domosdoshëm strategjik.

Në një vit shumë të vështirë që tanimë duket sikur i përket historisë, por që në fakt është një pjesë e historisë tonë të jetuar në vitin ’97, në Romë u nënshkrua një protokoll i mirëkuptimit për këshillim dhe asistencë për reformimin e Policisë së Shtetit shqiptar. Dhe falë atij protokolli në Shqipëri u vendosën 69 efektivë nga të cilët 46 ishin pjesë e Guardia di Finanza dhe ato morën përsipër të udhëheqin pikërisht një proces këshillimi dhe asistence në funksion të përgatitjes, stërvitjes dhe adaptimit të forcave të Policisë Kufitare shqiptare në një realitet të vështirësuar jashtëzakonisht nga kriza e tmerrshme e vitit 1997.

E vërteta është që misioni italian i shtrirë nga Tirana përgjatë Durrësit dhe Vlorës, jo vetëm që e përmbushi objektivin e vet, por hodhi bazat e një bashkëpunimi që u zgjerua, u forcua dhe u bë gjithmonë e më kyç në vitet në vijim, duke njëkohësisht sofistikuar dhe duke dhënë gjithmonë e më shumë rezultate domethënëse. Kujtoj se në atë kohë një nga problemet e mëdha, një plagë e hapur, në det të hapur ishte problemi i shumë mjeteve lundruese që synonin brigjet italiane duke organizuar trafiqe të të gjitha llojeve, duke filluar që nga trafiku i qenieve njerëzore dhe pastaj të tjera.

Nëse i referohemi asaj kohe, rezultatet e misionit janë absolutisht spektakolare, sekuestrimet e anijeve, të sasive të mallrave kontrabande, të narkotikeve, të armëve, flasin vetë për se si ky mision në bashkëpunim me forcat policore shqiptare, arriti të përmbushë objektivin e vet dhe ishte falë përmbushjes se atij objektivi që u mendua, u mundësua ngritja dhe funksionimi i një njësie speciale në Sazan dhe edhe pse me një numër shumë të vogël forcash, kjo njësi dha një ndihmë shumë të jashtëzakonshme dhe shumë kuptimplotë në aspektin e rezultateve.

Ky është viti i 25 vjetorit të momentit kur historia mes Guardia di Finanza dhe forcave policore shqiptare të rendit filloi te shkruhej dhe rezultatet operacionale të këtyre 25 viteve janë shumë kuptimplotë.

40 000 orë patrullime, 300 mjete lundruese  qindra tonelata lënë narkotike të sekuestruar dhe afro 1000 persona të vënë para ligjit.

Është fat për ne, besoj qe është edhe nder njëkohësisht ta themi, që plot 1 500 forca të Guardia di Finanza japin një kontribut të drejtpërdrejtë në këtë histori dhe nëse sot Shqipëria ka një pamje krejt tjetër, ka një pozicion krejt tjetër,  ka mundësinë të aspirojë për gjëra krejt të tjera, pa diskutim që kjo i kushtohet edhe bashkëpunimeve tona edhe partnerëve tanë dhe nuk ka asnjë dyshim që Guardia di Finanza ka një vend të pazëvendësueshëm në këtë histori suksesi.

Vetëm pak kohë më parë, Shqipëria nisi një tjetër projekt të BE-së ku edhe një herë Guardia di Finanza mbështeti dhe ndihmoi drejtpërdrejtë misionin EU4LEA në menaxhimin e integruar të kufirit të Republikës së Shqipërisë.

Unë nuk dua të zgjatem më tutje, por dua vetëm të nënvizoj që në këtë moment, me këtë gjest simbolik në adresë të gjeneralit Zaferana, ne përpiqemi të themi në një mënyrë tjetër atë që e përsërisim sa herë që na jepet mundësia; që jemi shumë mirënjohës dhe njëkohësisht shumë krenarë për marrëdhënien strategjike me Italinë dhe ndihemi me fat që kemi një fqinj i cili ndaj Shqipërisë ushqen ndjenjën më pozitive dhe për hir të vërtetës në asnjë moment të kësaj historie jo të lehtë prej 3 dekadash e pak, nuk ka nguruar të bëjë më të mirën duke na u gjendur pranë.

Ne po ashtu jemi të vetëdijshëm që ajo që Italia ka bërë shkon përtej operacioneve konkrete, përtej rezultateve konkrete, përtej punëve konkrete që mund t’i listojmë dhe që do të na duhej një natë e gjatë dimri sepse mbi të gjitha, ajo çka është esenca që vlen, është kultura e punës, kultura e institucioneve, kultura e bashkëpunimit dhe kultura e rezultatit konkret që miqtë dhe partnerët italinë kanë ndihmuar që të ndërtohen hap pas hapi mes nesh, institucioneve tona, forcave tona të rendit.

Dhe po e mbyll me fjalët e një italiani të madh Giovanni Falcone, i cili ndër të tjera thotë se, “Gjithmonë kemi në dorë të bëjmë diçka dhe kjo është një maksimë që duhet gdhendur në karrigen e çdo magjistrati dhe çdo polici”, dhe nëse i referohemi Guardia di Finanza,  nëse i referohemi gjeneralit apo gjithë kolegëve të tij, nëse i referohemi gjithë efektivëve të Guardia di Finanza, unë besoj që Giovanni Falcone do të ishte shumë krenar për punën, veprimtarinë dhe respektin e këtyre efektivëve për uniformën, për flamurin Italian por edhe për flamurin  e miqësisë së përjetshme italo-shqiptare.

Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana: Zoti Kryeministër, autoritete të nderuar, të ftuar, në emër të Guardia di Finanza, si dhe në emrin tim personal, dëshiroj para së gjithash dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mikpritjen e ngrohtë që më është rezervuar, si dhe për dhënien e medaljes prestigjioze të Yllit të Madh të Mirënjohjes Publike.

Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm do ta mbaj me të gjitha nderet që i përkasin. Pra në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm e mbi të gjitha si një shtetas italian, është një nder i madh për mua që të marr nga Z. Edi Rama, të cilin e falënderoj për vëmendjen që më kushtoi, këtë medalje të rëndësishme që sikurse thashë, do ta mbaj me krenari dhe me gjithë respektin që ajo meriton. Ceremonia e sotme, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Njësisë së Kufirit Detar, përveçse dëshmi e bashkëpunimit dhe miqësisë mes Guardia di Finanza-s dhe Forcave të Policisë Shqiptare

Është për mua një mundësi për të përsëritur dhe për të konfirmuar angazhimin e agjentëve te Guardia di Finanza në veprimtaritë e përbashkëta me autoritetet vendore.

Guardia di Finanza ka qenë gjithmonë pranë popullit shqiptar dhe këtë e dëshmon edhe bashkëpunimi gjithmonë në rritje me institucionet përkatëse. Është viti 1997, i pari plan veprimi i cili parashikonte praninë e përhershme në territor të 46 ushtarakëve të angazhuar në njësinë qendrore me njësinë në Tiranë. Bëhet fjalë për misionin më të gjatë në historinë e Guardia di Finanzia, një mision i cili me kalimin e kohës e zgjeroi planin e tij të veprimit.

Në fakt, me kalimin e viteve krahas stërvitjes së personelit është realizuar veprimtari mbikëqyrëse nga ajri nëpërmjet përdorimit të mjeteve të përparuara ajrore. Një sinergji kjo që ka bërë të mundur arritjen e rezultateve shumë të larta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike në rrugë detare, kundër kontrabandës së cigareve dhe të emigracionit klandestin. Përvoja pozitive e misionit ka bërë të mundur përmirësimin e teknikave dhe rritjen e aftësive si në aspektin e përgatitjes fizike ashtu dhe në atë operative. Një hap vendimtar ky për shtrirjen e veprimtarisë së Guardia di Finanza përtej kufijve kombëtarë.

Ligjvënësit italianë duke njohur rolin e Guardia di Finanza në këtë sektor ka dashur në fakt t’ia atribuojë administratës tonë të drejtën për të promovuar dhe për të vënë në jetë në bashkëpunim me organizma të huaj forma efikase të bashkëpunimit operativ. Ushtrimi i një të drejte të tillë ka bërë të mundur në vite nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me administratat kryesore homologe në nivel botëror të cilave së shpejti do tu bashkohen edhe shumë administrata të tjera me të cilat jemi duke përmbyllur fazën e negociatave

Memorandumet janë pjesë e një veprimtarie më të gjerë të pranisë sonë në kuadrin ndërkombëtar. Krahas misioneve në Shqipëri, në Libi dhe në Malin e Zi në fakt Guradia di Finanza ka krijuar një rrjet të saj ekspertësh ekonomiko-financiar pranë selive kryesore diplomatike si dhe oficerë ndërlidhës me administratat kompetente në fushat me interes si në rrafshin ndërkombëtar ashtu dhe atë europian.

Më lejoni që të përfundoj fjalën time duke shprehur edhe një herë si në emrin tim ashtu edhe të Guardia di Finanza ndjenjat e mirënjohjes me shpresën që në të ardhmen të dakordësojmë mënyra të tjera për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë tashmë.

Ju faleminderit zoti kryeministër, ju faleminderit Shqipëri!

Previous Prezantimi i projektbuxhetit 2023