Kumbaro bën bilancin e mjedisit dhe u kujton gjobat kryebashkiakëve: Promovojmë riciklimin dhe kompostimin - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kumbaro bën bilancin e mjedisit dhe u kujton gjobat kryebashkiakëve: Promovojmë riciklimin dhe kompostimin

Nga Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonominë Qarkulluese, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bëri bilancin e një viti në fushën e mjedisit, duke njoftuar drejtimin që do të marrë ky sektor drejt riciklimit dhe kompostimit.

“Ia dolëm me programet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me forcat e bashkive dhe me mbështetjen e partnerëve shumë të vyer si qeveria gjermane, qeveria zviceriane, qeveria suedeze  – të mbyllim në një vit rreth 15 plagë të rënda venddepozitimësh ilegale, ndonëse kemi dhjetra të tjera që kërkojnë zgjidhje. Mbyllëm e rehabilituam që nga tmerri i Gërhotit në Gjirokastër apo nga fusha e plehrave që digjeshin në Përmet, deri në venddepozitimet e paligjshme në Burrel, Kukës apo Krujë. Nga Skrapari apo Këlcyra deri në Laç, Cërrik, Fier e Lushnjë, Dimal, Kuçovë, Berat.”

Në eventin me praninë e kryeministrit Edi Rama dhe pjesëmarrjen e të gjithë kryetarëve të bashkive, Kumbaro tha se aktualisht mblidhen 90% e mbetjeve në territor, po riciklimi është në nivele shumë të ulëta.

“Nga 50% që arrinim të mblidhnim në 2013, sot mbledhim rreth 90% të volumit të mbetjeve urbane, por pak arrijmë të riciklojmë, rreth 15%. Ndërsa prodhojmë mbi 888,000 ton mbetje urbane në vit. Na duhet të ndërtojmë modelin e ekonomisë qarkulluese. Jo çdo gjë mund të hidhet, shumë gjëra mund të ripërdoren, të rikuperohen pjesërisht, të riciklohen në mënyrë të organizuar duke i ndarë mbetjet që në shtëpi. Jo vetëm sepse e kemi detyrim dhe angazhim në kapitullin e mjedisit në negociatat e hapura me BE, por e kemi sidomos detyrim ndaj fëmijëve tanë kur mendojmë se çfarë Shqipërie do tu lëmë”, u shpreh Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro.

Ajo përmendi se Plani i Pastrimit Kombëtar ka vazhduar gjatë gjithë vitit me rezultate mbresëlënëse, ndërsa u përmendi kryebashkiakëve edhe gjobat nëse neglizhojnë në pastrimin e qytetit.

“Nuk e fsheh, nuk jam ndjerë aspak mirë kur Agjencia Kombëtare e Mjedisit është detyruar në zbatim të ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të marra masa e të gjobisë disa kryetarë bashkie. Por, është detyrë funksionale dhe përparësi për çdo kryebashkiak që të mos ia lejojë vetes indiferencën apo dështimin në mbajtjen pastër të territorit”, tha Kumbaro, duke nënkuptuar gjobat që për herë të parë iu vendosën këtë vit kryebashkiakëve të Malësisë së Madhe, Poliçanit, Krujës dhe Vlorës për shkak të problemeve me pastrimin e territoreve të tyre.

Eventi u organizua në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar / GIZ duke promovuar modelet e suksesshme të Sarandës dhe Himarës ku mblidhet letra dhe plastike për riciklim duke krijuar të ardhura për bashkitë, apo modeli i Cërrikut që është pioner në procesin e kompostimit.

Këto modele do të shtrihen edhe më tej në bashki të tjera të vendit, teksa Kumbaro theksoi si prioritet për vitin 2023 edhe instrumentet e mbështetjes financiare për bashkitë që performojnë mirë dhe edukimin mjedisor në shkolla për ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve ndaj mbetjeve.

Previous Shtëpia e re e futbollit – një qendër ekselence për futbollin në Shqipëri, mikpritëse, edukuese, pjesë e projektit të Parkut Olimpik

Leave Your Comment