Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të mërkurën e 28 shtatorit, ka mirëpritur të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në takimin zyrtar që u mbajt brenda ambienteve të Kryeministrisë, ministrja dhe i dërguari special i Gjermanisë për BP-në, kanë diskutuar rreth bashkëpunimeve të mëtejshme mes dy shteteve në sektorin e rinisë dhe përfshirjen e praktikave më të mira evropiane në vendin tonë, sa i përket mbështetjes së ideve të të rinjve.
“Të rinjtë tanë kanë mundësi të shikojnë përtej të kaluarës së Ballkanit Perëndimor, si dhe të krijojnë së bashku marrëdhënie të shëndosha për një të ardhme pa konflikte, të qëndrueshme dhe më të begatë për gjithë rajonin”, është shprehur Muzhaqi.
Angazhimi i mëtejshëm i ministres përgjegjëse për Rininë në Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), me qëllim promovimin e shkëmbimeve rinore në programet si “Super-shkollat”, “Route WB6”, etj., ishte një nga çështjet e rëndësisë primare të diskutuara në takim.
“Puna e RYCO është shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor” u shpreh Sarrazin, ndërsa vlerësoi energjinë dhe përpjekjet që RYCO, si një nga sukseset e Procesit të Berlinit, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, ka bërë në krijimin e një rajoni më të mirë për të gjithë qytetarët e tij.
Po ashtu, iu dha një fokus i veçantë dhe projekteve kulturore për të rinjtë, ku u prezantua në terma të përgjithshme dhe Programi Jashtë Orarit të Mësimit (JOM), i hartuar me qëllim që fëmijët të shpenzojnë kohën e tyre të lirë në mënyrë cilësore, lidhur me fushën e arteve, zejeve, teknologjisë, etj..
“Integrimi evropian vjen përmes angazhimit të të rinjve”, ka përmbyllur ajo gjatë takimit, “ndaj është e rëndësishme të krijojmë ura bashkëpunimi me të rinjtë e rajonit dhe më tej”.