Ministrja Mirela Kumbaro priti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit Drejtoreshën Ekzekutive të UNEP – Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, Inger Andersen. Për herë të parë në 51 vite, drejtuesi më i lartë i UNEP viziton Shqipërinë në kuadër të disa projekteve të përbashkëta.
Në takimin mes Kumbaros dhe Andersen u diskutua lidhur me punën për krijimin e parkut ndërkufitar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut ku përfshihet edhe parku natyror Korab-Koritnik si dhe rreth projektit për mbrojtjen e biodiversitetit në Alpet e Shqipërisë, tashmë një Park Kombëtar me sipërfaqe të dyfishuar.
UNEP nga ana tjetër do të bëhet pjesë e një prezantimi të përbashkët për COP28, samitit më të rëndësishëm për ndryshimet klimatike i cili do të mbahet në fund të këtij viti në Dubai.
Gjithashtu Ministrja Kumbaro dhe Drejtoresha Ekzekutive e UNEP patën një takim me studentët e shkencave mjedisore për të diskutuar zgjidhje dhe nevojën emergjente për aksione konkrete në mjedis.