Në përfundim të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, e fundit për vitin 2022, minsitrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, njoftoi se Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të marrë përsipër dy bashkitë bregdetare Vlorë dhe Rrogozhinë për pastrimin e plazheve gjatë sezonit turistik veror.
“Morëm sot një vendim që ka të bëjë me sezonin veror dhe konkretisht me funksionin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit e cila prej vitit 2022 angazhohet në bashkimin e forcave me bashkitë bregdetare për pastrimin e plazheve gjatë sezonit turistik veror. Në vitin 2022, pa mbyllur mirë sezonin turistik veror, kemi nisur punën për sezonin turistik veror të vitit të ardhshëm. Ka mbaruar i gjithë procesi i aplikimeve për stacionet e plazhit, po mbyllet edhe i gjithë procesi i miratimeve dhe lidhjes së kontratave. Tashmë po bëhemi gati për atë që do të jetë një vit edhe më i suksesshëm turistik”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë fjalës së saj, ministrja përmendi numrin prej 7.1 milionë vizitorësh që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë këtë vit, një rekord në nivel shifrash, prandaj me këtë vendim të sotëm, nga katër bashki të asistuara në vitin 2022 (Durrës, Kavajë, Sarandë, Himarë), në vitin 2023 Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të marrë përsipër edhe pastrimin në bregdetin e bashkive Vlorë dhe Rrogozhinë duke shkuar në gjashtë bashki.
“Viti 2022 tregoi se për sa i përket cilësisë së pastrimit të territorit, bashkëpunimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me bashkitë ka qenë në nivelin më të lartë në aksionin e pastrimit kombëtar, siç vazhdon këto ditë dhe do të vazhdojë edhe në vitin 2023”, përfundoi ministrja në mbledhjen e qeverisë.