Vendimet/Krijohet Agjencia e Rikuperimit të Aseteve, ngrihet Task Forca me Maqedoninë e Veriut për luftën kundër krimit të organizuar - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendimet/Krijohet Agjencia e Rikuperimit të Aseteve, ngrihet Task Forca me Maqedoninë e Veriut për luftën kundër krimit të organizuar

Në përfundimi të mbledhjes së Qeverisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, foli për dy vendime të miratuara që lidhen me lëvizjen e lirë dhe forcimin e bashkëpunimir rajonal.

“I pari ka të bëjë me lëvizjen e lirë të shtetasve në  Ballkanin Perëndimor vetëm me ID. Është një marrëveshje që është nënshkruar në Berlin në nëntorin e vitit të kaluar. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të vijnë dhe qarkullojnë lirshëm në Shqipëri vetëm me ID. Kjo marrëveshje është në frymën e dy nismave shumë të rëndësishme për forcimin e rajonit, dhe Ballkanit Perëndimor, të Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur”, deklaroi ministri Çuçi.

Sa i përket vendimit të dytë, lidhet me bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për krijimin e “Task Forcave” për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

“Është një marrëveshje që duhet të ratifikohet në Parlamentin e Shqipërisë, kështu që sot miratuam vendimin e qeverisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të krijojmë “Task Forca” që do të adresojnë konkretisht çështje të caktuara që lidhen me krimin e organizuar dhe që i takojnë të dy vendeve, dhe ku përcaktohen të gjitha modalitetet e këtij bashkëpunimi. Është një marrëveshje që na sjell akoma më afër me fqinjin tonë. Ne tashmë kemi një eksperiencë goxha të madhe me “task-forcat” apo me grupet e përbashkëta të hetimit dhe operacionale me vendet e Europës. Vetëm vitin që kaloi kemi pasur mbi 20 të tilla, operacione të përbashkëta me policisë partnere të Europës. Kështu që tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut krijojmë infrastrukturën ligjore për të pasur bashkëpunime të kësaj natyre”, u shpreh ministri Çuçi.

Një vendim tjetër i miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë, ka të bëjë me miratimin e Planit të Veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda për vitet 2023-2025, një Plan Veprimi i detajuar, që është parë dhe dizenjuar me shumë kujdes, edhe në koordinim me partnerët tanë.

“Nga të rejat, në Planin e Veprimit mund të veçoja krijimin e Agjencisë për Rikuperimin e Aseteve apo për trajnimin në mënyrë të gjerë në fushën kibernetike. Është një plan që besoj se do ta çojë në një stad tjetër; janë përcaktuar veprime të caktuara me afate konkrete që do të çojnë në një stad tjetër luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda”, deklaroi ministri Çuçi.

Prononcimi i plotë i ministrit pas mbledhjes së qeverisë:

Ministri Çuçi: Mirëdita, sot miratuam dy vendime të rëndësishme që lidhen me rritjen e sigurisë në rajon, por edhe me krijimin e lehtësirave të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor. I pari ka të bëjë me lëvizjen e lirë të shtetasve në Ballkanin Perëndimor vetëm me ID. Është një marrëveshje që është nënshkruar në Berlin në nëntorin e vitit të kaluar, dhe tashmë qeveria shqiptare e miraton këtë gjë. Që do të thotë që me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të vijnë dhe qarkullojnë lirshëm në Shqipëri vetëm me ID. Kjo është në frymën e dy nismave shumë të rëndësishme për forcimin e rajonit, dhe Ballkanit Perëndimor, të Nismës së Berlinit, dhe Ballkanit të Hapur. Një nga tre shtyllat, siç e kemi thënë, pra lëvizja e lirë e njerëzve, e kapitalit dhe e mallrave.

I dyti ka të bëjë me marrëveshjen e nënshkruar me Maqedoninë e Veriut për krijimin e Task Forcave për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Është një marrëveshje që duhet të ratifikohet në parlamentin e Shqipërisë, kështu që sot miratuam vendimin e qeverisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të krijojmë “Task-forca” që do të adresojnë konkretisht çështje të caktuara që lidhen me krimin e organizuar dhe që i takojnë të dy vendeve, dhe ku përcaktohen të gjitha modalitetet e këtij bashkëpunimi. Është një marrëveshje që na sjell akoma më afër me fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut. Ne tashmë kemi një eksperiencë goxha të madhe me “task-forcat” apo me grupet e përbashkëta të hetimit dhe operacionale me vendet e Europës. Vetëm vitin që kaloi kemi pasur mbi 20 të tilla, operacione të përbashkëta me policisë partnere të Europës. Kështu që tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut krijojmë infrastrukturën ligjore për të pasur bashkëpunime të kësaj natyre.

Një vendim i tretë që ka të bëjë me miratimin e Planit të Veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda për vitet 2023-2025, një plan-veprimi i detajuar, që është parë dhe dizenjuar me shumë kujdes, edhe në koordinim me partnerët tanë. Nga të rejat, në Planin e Veprimit mund të veçoja krijimin e Agjencisë për Rikuperimin e Aseteve apo për trajnimin në mënyrë të gjerë në fushën kibernetike. Eshtë një plan që besoj se do ta çojë në një stad tjetër; janë përcaktuar veprime të caktuara me afate konkrete që do të çojnë në një stad tjetër luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Pyetje: Prej disa ditësh, Policia e Shtetit ka kryer një aksion, i cili po vijon, për heqjen e kamerave të paligjshme në të gjithë vendin, të vendosura në qytete. Pse tani dhe pse në këto momente kjo ndërhyrje? Pse nuk ka ndodhur më parë? A ka pasur dijeni Policia e Shtetit për këto kamera dhe, nëse po, a ka mbyllur sytë?

Ministri Çuçi: Besoj se lajmi këtu është që ne po ndërhyjmë dhe kjo është një gjë shumë pozitive në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar. Sigurisht që ka pasur një lloj kamuflimi, sepse, për sa i takon bizneseve, ka detyrim ligjor që çdo biznes të mbajë kamerat, që survejojnë ambientin ku zhvillojnë bizneset. Por unë mendoj që duhet t’ia lëmë këtë gjë të shkuarës dhe të përqendrohemi e të shohim për të gjithë këtë punë që po bën Policia për të dhënë një tjetër mesazh shumë të qartë krimit të organizuar edhe çdo shkelësi tjetër të ligjit që nuk ka hapësira më, të paktën për të krijuar një mjedis ku mund të veprojnë të lirë. Unë mendoj që kjo është një nga lëvizjet më të mira të policisë dhe fillim i mbarë i vitit për Policinë e Shtetit, kështu që besoj unë, sot duhet të flasim pikërisht për këtë lajm, për të mirën që ka kjo lëvizje e Policisë.

Pyetje: Për skandalin e McGonigal, a ka pasur policia shqiptare asistencë nga këta zyrtarë të FBI-së? Nga deklarimet e kryeministrit Rama, ai ka thënë se takimet kanë qenë informale, por në fakt rezulton se z. Luis Bladel, apo edhe McGonigal janë pajtuar dhe janë përfshirë në zbardhjen e disa ngjarjeve në vend?

Ministri Çuçi: Jo, Policia Shqiptare ka marrëdhënie me institucionin, me FBI, dhe jo me persona të caktuar. Policia vazhdimisht është asistuar në bazë të një marrëveshjeje partneriteti strategjik që ne kemi me SHBA. Hera e fundit konkrete ka qenë në rastin e sulmit kibernetik. Mos të harrojmë që në të dy rastet, pra edhe në sulmin që pësuan sistemet e menaxhuara nga Akshi, por dhe sulmet që pësuam ne, apo sistemet e Policisë së Shtetit, ne kemi pasur menjëherë ndihmën e FBI. Dhe besoj që ka qenë një ndihmë e çmuar sepse kanë qenë ata, dhe ekspertiza e tyre e thellë në këtë fushë, që kanë identifikuar më së miri pastaj dhe origjinën e sulmeve kibernetike. Kështu që unë dua të them këtë gjë që ne marrëdhëniet i kemi me institucionin, ne marrëdhëniet i kemi me FBI. Emrat e përveçëm pastaj, i takon FBI, apo institucionit, agjencisë përkatëse për t’i vendosur. Unë personalisht nuk e kam takuar në qoftë se jeni kuriozë për ta ditur.

Pyetje: Bazuar te kjo çështje, bazuar nga të dhënat e sistemit TIMS, a ka Ministria e Brendshme informacione lidhur me hyrje daljet e ish zyrtarit të FBI McGonigal?

Ministri Çuçi: Ato duhet të jenë në sistem patjetër. Nuk është ndonjë sekret. Faleminderit.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Shkurt 2023