Kuvend/Ministri Çuçi: Nuk bëhet fjalë për zyrë të DEA-s në Tiranë, por për një person permanent - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kuvend/Ministri Çuçi: Nuk bëhet fjalë për zyrë të DEA-s në Tiranë, por për një person permanent

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka sqaruar në seancë prezencën e DEA-s në Shqipëri. Duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve, ai tha se nuk bëhet fjalë për një zyrë, por për një person permanent.

“E para njëherë ajo nuk është zyrë, por një person që DEA e ka caktuar të jetë permanent në Tiranë. Deri më sot ne bashkëpunonim me DEA-n përmes zyrës që ka në Athinë. Si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit që kemi pasur dy vitet e fundit me këtë zyrë dhe si nevojë për të qenë në një nivel bashkëpunimi të sinkronizuar, të dy dhe DEA dhe Policia e Shtetit, ranë dakord që të kishte një person që do të ishte rezident në Shqipëri që do të bashkëpunonte me Policinë e Shtetit dhe me SPAK”, deklaroi ai.

Lidhur me numrin e vënë në dispozicion nga kjo agjenci, ministri Çuçi deklaroi se kjo është plotësisht e koordinuar me Policinë e Shtetit dhe SPAK.

“Sa i përket numrit, është e koordinuar plotësisht me Policinë e Shtetit dhe me SPAK-un sepse informacionet për të shkuar më tej në një proces hetimor do të ndahen me Policinë e Shtetit dhe me SPAK. Nuk është për t’u shqetësuar prezenca e një përfaqësuesi, por është shenjë bashkëpunimit në nivelin më të lartë”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

Fjala e ministrit të Brendshëm – VIDEO:

Të nderuar kolegë,

Para se të flas për rendin e ditës, doja të bëja një sqarim për një shqetësim që ngriti deputeti Sula, por jo vetëm për atë, por edhe për opinionin publik në lidhje me atë që e quajnë zyrë të DEA-s në Shqipëri.

E para njëherë, ajo nuk është zyrë, por është një person që DEA ka caktuar që të jetë permanent në Tiranë. Deri më sot ne bashkëpunonim me DEA-n nëpërmjet zyrës rajonale që ajo ka në Athinë. Dhe si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit që kemi pasur sidomos dy vitet e fundit me këtë zyrë dhe si nevojë për të qenë përditë në një nivel bashkëpunimi të sinkronizuar  me agjencitë ligjzbatuese shqiptare, ku sigurisht kryesore është Policia e Shtetit, por edhe SPAK-u, të dy, pra edhe agjencia, DEA, dhe Policia e Shtetit, ranë dakord që të kishte një person që do të ishte permanent rezident në Shqipëri për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit dhe me SPAK-un.

Dhe ju them me bindje të plotë që viti i shkuar ka qenë kulmi i nivelit të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të tjera, amerikane dhe europiane. Dhe vetëm në 2022, policia shqiptare ka realizuar 22 operacione të përbashkëta të suksesshme, ku një pjesë e tyre ka qenë me DEA-n amerikane.

Dhe, së dyti, në lidhje me atë numrin që ju ka shqetësuar apo lajmërimin, ajo është e koordinuar plotësisht me Policinë e Shtetit edhe me SPAK-un, sepse informacionet e rëndësishme, që përbëjnë indicie për të shkuar më tej në një proces hetimor, do ndahen në kohë reale me Policinë e Shtetit edhe me SPAK-un.

Kështu që ajo, jo vetëm nuk është për t’u shqetësuar, pra prezenca e një zyrtari të DEA-s permanent në Shqipëri, madje ai ka edhe një zyrë në DPPSH, por është shenjë e një niveli më të lartë të bashkëpunimit me DEA-n amerikane.

Gjithashtu, Kuvendi ratifikoi Marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për krijimin e Task Forcave të Përbashkëta në fushën e Sigurisë.  Kjo marrëveshje është një hallkë shtesë në parandalimin e krimeve të ndryshme, e sidomos krimit ndërkufitar dhe vjen në një moment kur mes dy vendeve tona ka një ndërveprim të lartë. Jo thjesht si dy vende fqinje, por edhe në kuadër të nismave rajonale si Procesi i Berlinit dhe Open Balkan, që stimulojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.  Në këtë dinamikë të re të krijuar me fluks të lartë lëvizje e bashkëpunimi, përgjegjësia jonë është të gjejmë mënyrat më efikase në luftën kundër krimit.

Fjala e ministrit Çuçi – VIDEO:

Nisma të tilla si “Procesi i Berlinit”, apo “Open Balkan” synojnë siç e dimë të gjithë për një lëvizje e lirë të mallrave, kapitalit dhe të njerëzve. Dhe që kjo lëvizje e lirë të arrijë qëllimin e kërkuar pa diskutim që çdo hapje duhet shoqëruar me siguri. Ne, si Ministri e Brendshme kemi filluar të ngremë urat e bashkëpunimit në nivel të ministrive të Brendshme për të krijuar klimën e sigurisë për këtë qëllim. Pavarësisht se me Maqedoninë e Veriut ne kemi një sërë marrëveshjesh, prapë besoj se realiteti i krijuar në Ballkanin Perëndimor, dikton për marrëveshje të reja në fushën e sigurisë.

Sot kemi sjellë pikërisht marrëveshjen për krijimin e Task Forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat e pasojë e identifikimit, siç thashë, të nevojave për më shumë siguri në kushtet e hapjes midis dy vendeve dhe si një hallkë shtesë për parandalimin e krimeve të ndryshme sidomos të atyre me natyrë ndërkufitare.

Sigurisht kemi pasur një bashkëpunim shumë intensiv me Maqedoninë e Veriut, e vetëm në vitin 2022, për statistikë, e për ta ndarë me publikun, mund t’ju them se kemi konstatuar si vepra penale me Maqedoninë e Veriut, në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror 38 raste; për kontrabandim mallrash me 10 raste. Këto, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me policinë dhe me agjencitë ligjzbatuese të Maqedonisë së Veriut.

Kështu që marrëveshja për Task Forcat e përbashkëta mbetet një instrument më tepër, në arkitekturën e bashkëpunimit prej tre dekadash që ne kemi pasur me Maqedoninë e Veriut. Synimi është që të krijojmë një instrument të bashkëpunimit sa më të drejtpërdrejtë ndërmjet policive të të dy vendeve, e pikërisht task forca këtë rol do luajë, për të hequr dhe tejkaluar të gjithë barrierat administrative që lindin në këto raste. Një moment i rëndësishëm i marrëveshjes mbetet sigurisht shkëmbimi i informacionit mes dy policive, që, për ata që e njohin procesin e hetimit, është me rëndësi jetike. Kjo marrëveshje parashikon pikërisht shkëmbimin e informacionit të të dhënave personale, si dhe ato të klasifikuara për rastet specifike të kapura nga task forca që do ngrihen si rezultat i kësaj marrëveshjeje.

Tani pa dashur të ndalem në teknikalitete të marrëveshjes, e cila ka pasur një diskutim të gjerë edhe në komisionet parlamentare, dua të theksoj se për një sërë veprash penale të ndryshme kërkohen veprime të koordinuara dhe të sinkronizuara mes policisë së të dy vendeve. Siç e dini, veprimtaritë kriminale në shumë raste nuk njohin kufij, as gjeografikë, as politikë, këhstu që  bashkëpunimi në aspektin operacional është i domosdoshëm që ne të kemi rezultate sa më të larta në luftën e vazhdueshme me krimin.

Të nderuar kolegë,

Si dy vende të NATO-s dhe si dy vende që kanë hapur negociatat tashmë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ne e dimë shumë mirë se siguria është parakushti, mbi të cilin garantohet zhvillimi dhe progresi i çdo shoqërie. Në këtë kuptim është vlerë e shtuar çdo përpjekje që ne bëjmë për të adresuar më mirë sfidat që lidhen me sigurinë dhe luftën kundër krimit e paligjshmërisë.

Kështu që mbetem besimplotë që miratimi i kësaj marrëveshje që i hap rrugën krijimit të një instrumenti shumë të rëndësishëm siç është task forca e përbashkët midis dy vendeve, do t’i japë një impuls të ri punës së të dy policive kur është fjala për goditjen e krimit ndërkufitar, trafikut të drogës, kontrabandimit të mallrave, e njerëzve etj.

Kështu që ju ftoj edhe në traditën e mirë të krijuar në miratimin e marrëveshjeve që t gjithë së bashku ta votojmë edhe këtë marrëveshje. Faleminderit!

Previous Fjala e Ministres Balluku në Kuvend