Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare disa projektligje të rëndësishme të cilat ishin propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar”, përmes të cilit synohet përmirësimi i sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në njësitë që përdorin fonde publike;
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Finlandës, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin e shmangien e evazionit tatimor”;
Projektligji “Për miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions” s.a. e “Sicpa Security Solutions Albania” sh.p.k., për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.l0381, datë 24.2.2011”. Përmes projektligjit të miratuar, afati i zbatimit të kontratës koncesionare shtyhet për një periudhë 2 vjeçare, deri në 31 dhjetor 2024, gjatë së cilës qeveria shqiptare do të përgatitet për ngritur të gjitha strukturat, organizative dhe dixhitale, në mënyrë që ta ofrojë vetë atë dhe me kosto më të ulëta;
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i qytetit të Durrësit’”‘.