Transformimi urban i Lezhës është shtrirë tashmë në të gjitha lagjet dhe sheshet e qytetit, të cilat përveçse janë lehtësisht të aksesueshme nga qytetarët, janë zgjeruar me hapësira të reja rekreative, parqe të gjelbëruara dhe kënde lojërash për fëmijët.
Gjatë vizitës së tij në Lezhë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu pa nga afër disa nga punët publike të përfunduara tashmë, si dhe të tjera në faza të ndryshme të punimeve.
“Është rikualifikuar komplet zona, por nuk ka mbaruar akoma. Do jetë atraktive edhe për njerëzit. Është pastruar, është rregulluar. Lezha nuk mbytet më sepse po disiplinohen gjithë ujërat e shiut.” –u shpreh kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu për një prej zonave të qytetit, ku puna vijon me intensitet.
Ndër projektet e shumëpritura për banorët e Lezhës e sidomos për të vegjlit dhe të rinjtë, është dhe parku i lojërave “Dua të Luaj”, i përfunduar, në kuadër të programit kombëtar të Fondit Shqiptar i Zhvillimit, i cili ofron për fëmijët hapësira multifunksionale me kushte optimale për argëtim dhe edukim, si dhe bashkëveprimin social në komunitet.