Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Maj 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Maj 2024

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Maj 2024: 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUFIJVE MONETARË NË PROCEDURAT  E PROKURIMIT PUBLIK 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 33, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Kufiri monetar është vlera monetare, sipas së cilës përcaktohen rregullat procedurale, kryesisht në përcaktimin e afateve kohore në procedurat e prokurimit publik të sektorit klasik dhe sektorial për punë, shërbime, mallra, si dhe konkurset e projektimit.
2. Asnjë kontratë publike nuk mund të ndahet me qëllim shmangien e kufirit monetar apo të procedurave të parashikuara nga ligji për prokurimin publik.
3. Kufijtë monetarë ndahen, si më poshtë vijon:
a) Kufiri i lartë monetar për sektorin klasik dhe kontratat sektoriale;
b) Kufiri i ulët monetar për sektorin klasik dhe kontratat sektoriale;
c) Kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike;
ç)  Kufiri monetar për prokurimet me vlerë të vogël.
KREU II
KUFIJTË MONETARË NË SEKTORIN KLASIK
1. Kufiri i lartë monetar në sektorin klasik është, si më poshtë vijon:
a) Për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 603 000 000 (gjashtëqind e tre milionë) lekë ;
b) Për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekë.
2. Kufiri i ulët monetar në sektorin klasik është, si më poshtë vijon:
a) Për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë;
b) Për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
KREU III
KUFIJTË MONETARË NË KONTRATAT SEKTORIALE
1. Kufiri i lartë monetar në kontratat sektoriale është, si më poshtë vijon:
a) Për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 603 000 000 (gjashtëqind e tre milionë) lekë;
b) Për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 49 000 000 (dyzet e nëntë milionë) lekë.
2. Kufiri i ulët monetar në kontratat sektoriale është, si më poshtë vijon:
a) Për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë;
b) Për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
KREU IV
KUFIJTË MONETARË PËR SHËRBIMET SOCIALE DHE SHËRBIME TË TJERA SPECIFIKE
1. Kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike në sektorin klasik është e barabartë ose më e madhe se vlera 82 000 000 (tetëdhjetë e dy milionë) lekë.
2. Kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike në kontratat sektoriale është e barabartë ose më e madhe se vlera 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekë.
KREU V
KUFIJTË MONETARË PËR PROKURIMET ME VLERË TË VOGËL
1. Kufiri monetar për prokurime me vlerë të vogël është nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
2. Për vlerën deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë autoriteti ose enti kontraktor nuk i nënshtrohet procedurave të prokurimit publik sipas parashikimeve të ligjit për prokurimin publik.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Procedurat e prokurimit publik të nisura me kufijtë monetarë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të vijojnë të zhvillohen, sipas kufijve të parashikuar në rregullat e prokurimit publik në fuqi në momentin e nisjes së tyre.
2. Kufijtë monetarë të përcaktuar në aktet e tjera nënligjore, që bien në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
3. Ngarkohen autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR KONVERTIMIN E LEJEVE TË DREJTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRЁVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI  I SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.57/2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.57/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1039, DATË 4.12.2013,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE    NË KËTË KËSHILL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1039, datë 4.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. KKP-ja kryesohet nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ka në përbërje, si përfaqësues të Këshillit të Ministrave, edhe këta anëtarë:
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;
– Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përfaqësues, kandidatë të KKP-së, në mungesë të përfaqësuesve, anëtarë të Këshillit të Ministrave, janë zëvendësministrat përkatës.”.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.768,  DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E LLOJEVE TË SHËRBIMEVE SOCIALE DHE SHËRBIMEVE TË TJERA SPECIFIKE, LLOJEVE  TË SHËRBIMEVE TË VEÇANTA, PËR TË CILAT MUND TË REZERVOHET E DREJTA E PJESËMARRJES SË ORGANIZATAVE NË PROCEDURAT   E PROKURIMIT PUBLIK, SI DHE RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR PROKURIMIN E TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 100, pika 2, e 103, pika 1, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin bashkëlidhur vendimit nr.768, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e llojeve të shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera specifike, llojeve të shërbimeve të veçanta, për të cilat mund të rezervohet e drejta e pjesëmarrjes së organizatave në procedurat e prokurimit publik, si dhe rregullave të detajuara për prokurimin e tyre”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 2, të nenit 2, “Njoftimet”, fjalët “… për organizata ose sipas parashikimeve të nenit 15, të LPP-së …” zëvendësohen me “… për organizata të caktuara, sipas parashikimeve në nenin 103, të LPP-së, ose sipas parashikimeve të nenit 15, të LPP-së …”.
2. Shkronja “ç”, e pikës 2, të nenit 3, “Kontrata të rezervuara për shërbime të caktuara”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) gjatë tri viteve të fundit, organizata nuk është shpallur fituese e një kontrate për të njëjtat shërbime të përcaktuara nga autoriteti ose enti kontraktor, që prokuron kontratën.”.
3. Në nenin 5, “Kufijtë monetarë”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kufijtë monetarë për kontratat e shërbimeve ndahen në:
a) kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike në sektorin klasik;
b) kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike në kontratat sektoriale.
Vlera e kufijve monetarë përcaktohet në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.”.
b) Në pikën 2, pas paragrafit të dytë shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
“Në çdo rast, pavarësisht nga fakti që nuk do të prokurohen, planifikimi i këtyre shërbimeve dhe vlerat përkatëse duhet të pasqyrohen respektivisht në regjistrin e parashikimeve dhe në regjistrin e realizimeve të procedurave të prokurimit publik.”.
II. Procedurat e prokurimit publik të nisura me kufijtë monetarë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të vijojnë të zhvillohen sipas kufijve monetarë në fuqi në momentin e fillimit të tyre.
III. Ngarkohen autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PEZULLIMIN E PJESSHËM TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BJELLORUSISË, PËR HEQJEN RECIPROKE TË KËRKESAVE PËR VIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave.
2. Pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes  shtrihet vetëm për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E NJËSISË SË KËRKIM-STUDIMIT ME AKTIVITET AFATGJATË “QENDRA KËRKIMORE E BIOTEKNOLOGJISË DHE GJENETIKËS” PRANË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e njësisë së kërkim-studimit me aktivitet afatgjatë “Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës” pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, e cila ushtron veprimtarinë në fushat e bioshkencës dhe të gjenetikës.
2. Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës ka për qëllim të nxisë, të promovojë, të koordinojë e të organizojë kërkimin shkencor në drejtimet parësore më me ndikim, përmes projekteve dhe studimeve të përbashkëta me institucionet e arsimit të lartë e të shkencës dhe krijimit e angazhimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve, në përputhje me përcaktimet në statutin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
3. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Qendrës Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, detyrat dhe kompetencat e organeve të saj drejtuese, zgjedhja, rekrutimi i drejtuesve dhe i anëtarëve, si dhe i personelit ndihmës përcaktohen në përputhje me ligjin nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me statutin dhe rregulloret e brendshme të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
4. Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës funksionon në ambientet dhe me pajisjet që Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë i siguron sipas marrëveshjes përkatëse me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
5. Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës ka buxhetin e vet, që përbën zë të veçantë në buxhetin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Administrimi i buxhetit dhe veprimet e tjera zyrtare kryhen nga administrata e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me statutin e saj, si për njësitë afatgjata.
6. Numri i punonjësve të Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës është, gjithsej, 8 veta.
7. Shpenzimet financiare për ngritjen dhe funksionimin e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës përballohen nga buxheti i miratuar për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, për vitin 2024.
8. Ngarkohet Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË FSHATIN  LAKNAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE KAMZË, BASHKIA KAMZË, PËR NDËRTIMIN E GJIMNAZIT “SULEJMAN ELEZI” DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” dhe “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e zonës së re për zhvillim, në fshatin Laknas, njësia administrative Kamzë, Bashkia Kamzë, për ndërtimin e gjimnazit “Sulejman Elezi”, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese për këtë zonë, për  ndërtimin e gjimnazit “Sulejman Elezi”, Kamzë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Lezhë, Transformimi urban vijon me jetësimin e një sërë projekteve që zhvillojnë hapësirat publike