Plazhi i Durrësit, 4 kilometra larg qendrës së qytetit është një nga zonat turistike më të frekuentuara gjatë verës nga pushues vendas e të huaj. Bazuar në modelin e krijuar tashmë në Vlorë, Lunogmarja e Durrësit është një projekt i cili parashikon ta rikonceptojë këtë zonë në përputhje edhe me kërkesat gjithnjë e në rritje të turistëve por edhe t’i japi një impakt të ri ekonomik bizneseve që operojnë aty.
Kryeministri Rama u takua me hartuesit e këtij projekti dhe me kryetaren e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, për tu njohur më në detaje me gjithë punën që parashikohet të kryhet në zonë. “Kemi disa kohë që kemi filluar një analizë për nevojat që paraqet realizimi i një shëtitoreje në këtë zonë. Kjo është një zonë që ka qenë e prekur dhe nga tërmeti por është bërë një punë e madhe sepse këtu kryesisht pallatet kanë qenë të dëmtuara në ambientet e përbashkëta kështu që përveç granteve që i kemi dhënë familjeve, kemi bërë ndërhyrje në gjithë njësinë administrative të Durrësit” – u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.
Projekti zhvillimor shtrihet në një gjatësi prej 3 kilometrash dhe fillon nga Ura e Dajlanit, duke përfunduar tek zona e njohur si Kavalishenca. “Duhet të bëjmë një përpjekje për të komunikuar me gjithë banorët që kanë apartament në vijën e plazhit që të bien dakord, që apartamentet e tyre të përdoren jashtë kohës që ata janë aty, për tu dhënë me qera për turistë dhe ata të marrin përqindje nga kjo gjë. Me projektin e ri do krijohet një vlerë tjetër e shtuar, do rritet vlera e këtyre apartamenteve e patjetër do rriten dhe hotelet në vlerë e ndërkohë do ti bashkëngjitet ky projekt edhe portit të ri turistik që është ende në fazën e negocimit me kompaninë e Emirateve për tu konkluduar dhe besojmë që së shpejti do të jetë në ndërtim”, – tha Kryeministri Rama.
Nëpërmjet këtij projekti synohet rehabilitimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i zonës së Plazhit të Durrësit. Projekti parashikon krijimin e një shëtitoreje që shtrihet përgjatë vijës bregdetare.
Shëtitorja do të përbëhet nga linja kalimi këmbësor, vrapimi dhe pista për biçikleta. Midis shëtitores dhe zonës se plazhit, parashikohet krijimi i stacioneve me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore. Gjithashtu parashikohet dhe krijimi i nyjeve kryesore ku do ofrohen shërbime gastronomie dhe nyje për funksione rekreative. Përgjatë shëtitores do ketë dhe kënde lojërash fëmijë, si dhe zona për shërbime të tjera.