Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, përuruan tre laboratorë të rinj, që u vijnë në ndihmë studentëve gjatë viteve të studimit si dhe ngritjen e një platforme interaktive për punësimin e studentëve të këtij fakulteti.
Konkretisht një nga laboratorët që është ndërtuar falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), do të përdoret për ngritjen e infrastrukturës për programin e studimit bachelor në përkthimin e gjuhës së shenjave shqipe.
Po ashtu edhe dy laboratorët e tjerë digjitalë, të cilët janë në shërbim të studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
“Për herë të parë do të kemi një program të ciklit të parë bachelor në interpret të gjuhës së shenjave dhe jam e bindur që menjëherë do të kemi një aplikim për të hapur edhe ciklin e dytë të studimeve master, për të krijuar kështu mundësinë për të patur për herë të parë interpret të gjuhës së shenjave të diplomuar. Ky është një program unik në Shqipëri, por edhe një program unik sa i përket vendeve të Ballkanit dhe besoj që do të jetë një burim frymëzimi edhe për institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend, një eksperiencë për t’u ndarë edhe me institucione të tjera përtej kufijve të Shqipërisë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Këto laboratorë do të ndihmojnë në trajtimin e një kurrikule bashkëkohore të gjuhës së shenjave shqipe dhe ndërkombëtare, duke shtuar kapacitetet e mësuesve dhe përkthyesve të rinj. Për më tepër, ata do të mundësojnë zhvillimin e mësimit në distancë, duke përforcuar lidhjet mes studentëve dhe profesorëve.
Investimi në infrastrukturë shkencore është një hap i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të lehtësuar përpjekjet e kërkimit shkencor dhe për të përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës.
Kjo përfshin edhe ngritjen e një platforme të punësimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, platformë, e cila do të ndihmojë në lidhjen mes studentëve dhe kompanive për mundësi punësimi dhe zhvillim projektesh praktike.
“Kurorëzojmë sot edhe punën e madhe që është bërë nga ju edhe me mbështetjen e MAS dhe AKKSHI, të ngritjes së një platforme interaktive të punësimit të studentëve të gjuhëve të huaja, një platformë interaktive me biznesin. Ne tashmë edhe për vitin 2024 kemi hapur thirrjen për aplikim për kërkimin dhe zhvillimin shkencore dhe gjithashtu edhe për infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe për programin e kombinuar të kërkimit shkencor me biznesin, pra akademi- biznes. Kjo platformë është fryt i këtij programi, pra platforma ndërvepruese e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe biznesit, i cili tashmë është i hapur, është online për të gjithë studentët. Jam e bindur që është një bazë shumë e mirë dhe një platformë shumë e mirë edhe për t’u hapur në drejtime të tjera, sepse ky program mundëson që edhe për degët e tjera të studimit edhe për fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës, të mundet që të bëhet një platformë e përbashkët e punësimit të studentëve”, tha Manastirliu.
Kjo platformë përputh kërkesat e biznesit me profilin dhe aftësitë e studentëve sidomos në sektorin e turizmit, ku kërkesat për interpretë të gjuhëve të ndryshme janë të larta, dhe kjo platformë pritet të ofrojë zgjidhje të shpejta dhe efikase për të gjithë palët e interesuara.
Në të njëjtën kohë, investimet në sektorin e arsimit dhe kërkimit shkencor vazhdojnë të jenë një prioritet të MAS. Për vitin 2024, fondet për thirrjet e kërkimit shkencor dhe për infrastrukturën në universitete janë rritur me më shumë se 4 milion euro. Kjo synon të zhvillojë kapacitetet e universiteteve dhe të sjellë më shumë cilësi në projektet e kërkimit shkencor.
Ndërkohë që, fondet për projekte akademi-biznes janë trefishuar për vitin 2024, duke hapur rrugën për bashkëpunim dhe inovacion të mëtejshëm në mes të akademisë dhe botës së biznesit. Kjo zhvillim shënon një mundësi të madhe për të përmbushur nevojat e tregut dhe për të sjellë risi në sektorin e arsimit dhe kërkimit shkencor.