Projektligji i ri për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës cannabis dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale” i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Brendshme, pas nismës së Këshillimit Kombëtar, do të lejojë përdorimin për eksport të bimës së kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial.
Gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve, Ministrja Manastirliu, tha se do të ngrihet një agjenci e posaçme në nivel kombëtar për mbikqyrjen dhe kontrollin rigoroz të veprimtarisë të të gjitha subjekteve që do pajisen me licensë.
“Ky ligj parashikon të krijohet një institucion i posaçëm, e cila do të jetë Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit. Të gjithë personat që do të punësohen në këtë agjenci do të plotësojnë edhe kriteret për pastërtinë e figurës si dhe kritere të veçanta profesionale. Sa i përket funksionit të agjencisë do të ketë funksion që nga dhënia e licencave, mbikqyrja e veprimtarisë së subjekteve që do të lejohen, hartimin e standardeve për zonat dhe parcelat e tokës, bashkëpunimin me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Agjencia do të mbajë dhe regjistrat mbi bazën e të dhënave dhe statistikave në nivel kombëtar me një informacion në kohë reale. Kjo Agjenci do të ketë dy njësi, për qëllime mjekësore dhe për qëllime industrial me veprimtari mbikqyrse, kontrolluese, inspektuse në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse”,- tha Manastirliu.
Duke folur për qëllimet e ketij projektligji, Ministrja Manastirliu u shpreh se ky projektligj nuk do të lejoj përdorimin e produkteve të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri.
“Efektet terapuetike njihen gjerësisht në mjekësi, efekte kundër dhimbjes kronike, për aspekte të sëmundjeve neurologjike, terapive që lidhen me sëmundje tumorale apo HIV-AIDS. Përsa i përket aspekteve ekonomike hap një degë të re përsa i përket kësaj industrie, në raport me aspektin ekonomik, ashtu sikurse vende të tjera të cilat tashmë kanë një eksperiencë në këtë fushë. Ka një trend të rritjes së kërkesës për produkte dhe nënproduktet e tij. Ky projektligj do të gjejë një zbatim përsa i përket veprimtarive të licensuara në katër drejtime kryesore, e para përsa i përket impotit të farës fidanit apo riprodhimit të tyre; e dyta përsa i përket kultivimit të kontrolluar të bimës së kanabisit mjekësor dhe industrial, prodhimit të nënproduktit ose produktit përfundimtar, qarkullimin e bimës, nënproduktit apo produktit përfundimtar të saj dhe deri në eksport. Dua ta theksoj edhe njëherë që përsa i përket produkteve nënprodukteve të të gjithë fazave që do të ketë lejimi e këtij ligji, këto do të jenë nënprodukte apo produkte të cilat do të shkojnë vetëm për eksport, pra për qëllime mjekësore, por i referohen eksportit jo përdorimit në vend. Pra në këtë fazë, ky projektligj nuk do të lejojë përdorimin e nënprodukteve apo produkteve të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri”,- tha Manastirliu.
Projektligji për “Kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së Cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” është konsultuar me grupet e interestit, shoqërinë civile, partnerë dhe zyrën e BE në Shqipëri. Ky projektligj është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Bima e Cannabisit për qëllime mjekësore është i legalizuar në mbi 35 shtete, si, Greqia, Izraeli, Danimarka, Kanadaja, Republika e Maqedonisë së Veriut, Hollanda. Në kontinentin evropian janë 22 vende që kanë një legjislacion specifik për përdorimin dhe eksporin e Cannabisit për arsye mjekësore dhe industriale.