Vendet anëtare të NATO u mblodhën më 11 dhe 12 korrik, në Vilnius të Lituanisë, ku u diskutua për situatën në Ukrainë.
Pjesë e delegacionit shqiptar, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama ishte edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Gjatë takimeve të zhvilluara në kuadër të këtij samiti me liderë të vendeve aleate e partnere, u shpreh angazhimi dhe vullneti i Shqipërisë për mbështetjen politike e praktike afatgjatë të Ukrainës, e cila me përmbushjen e kushteve do të bëhet edhe pjesë e Aleancës.
Në këtë samit aleatët ranë dakord të shtojnë shpenzimet për Mbrojtjen, angazhim të cilin e ka shprehur edhe Shqipëria.
Në kuadër të Samitit të Vilniusit, një takim i veçantë ishte edhe ai me presidentin e Francës Emanuel Macron, i cili pritet të vizitojë Shqipërinë së shpejti.
Gjithashtu në një takim të kërkuar nga Delegacioni i Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO u diskutua për situatën në Veriun e Kosovës, mënyrat për të ndalur përshkallëzimin dhe kthimin e palëve në tryezën e dialogut.