Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Parlament ka deklaruar se objektivi parësor i qeverisë në këtë situatë është ndërtimi i një mburoje sa më të fortë dhe hermetike në mbrojtje të qytetarëve dhe sidomos për ata më në nevojë në një kohë rekord.
Manastirliu tha se 576 mijë qyetetarë do të mbështeten nga paketa e rezistencës sociale, teksa theksoi se bordi transparencës nuk do të lejoj kostot abuzive në xhepat e qytetarëve.
“Paketa e Rezistencës Sociale është një mburojë e cila u hartua në një kohë rekord nga qeveria për të zbutur impaktin e pasojave që dalëngadalë po merr përmasa globale. Kjo situatë është jo e lehtë. E ndërkohë që ne nuk kemi shumë dorë përsa i përket luftës në Ukrainë që urojmë të marrë fund sa më pare. Ne kemi në dorë të hedhim hapa konkretë për të bërë sa më pak të ndjeshme këtë situatë jo të lehtë tek njerëzit. Paketa e rezistencës sociale mbështet 576 mijë qyetetarë të këtij vendi, të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompensohen për rritjen e çmimit për produktet e shportës të shkaktuar prej rritjes së çmimeve të tregjeve ndërkombëtare”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se dy ngjarje tejet të vështira tërmeti dhe pandemia COVID, u menaxhuan falë një reagimi dhe mobilizimi të pashembullt të qeverisë, ku theksoi se investimet nuk u ndalën asnjë moment pavarësisht pandemisë.
“Në këto dy vite ne ja kemi dalë të mos lëmë qytetarë, asnjë qytetar pa marrë shërbimin shëndetësor që i takon. Jo vetëm që jemi i përgjigjur emergjencës shëndetësore me vendosmëri dhe përgjegjësi, por në asnjë moment nuk i kemi ndalur investimet në sistem dhe më i fundit i djeshmi ku nisëm rindërtimin e Spitalit Infektiv i cili do të jetë një qendër me të vërtetë reference me standardet më të mira bashkëkohore. Kjo qeveri pra, i ka dhënë provat e sjelljes ndaj krizave, emergjencave, ngjarjeve të jashtëzakonshme prova për marrjen e masave paraprake për fuqizimin e sistemeve para se të ndodhin ngjarjet e pazakonta, marrja e masave reaguese. Ndërkohë që trokasin krizat në derë masat mbështetëse për qytetarët ndaj pasojave që ato lënë pas në mbrojte të jetës, në mbrojte të shëndetit dhe sot në mbrojtje të ekonomisë së qytetarëve”, theksoi Manastirliu.
Paketa e rezistencës sociale mbështet 576 mijë qyetetarë, të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompensohen për rritjen e çmimit për produktet e shportës. Qeveria ka vendosur që për 3 muajt e ardhshëm një paketë ndihme prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për 3 muaj radhazi për mbështetjen për rritjen e çmimeve të shportës. 202 mijë pensionistët që përfitojnë, 43 mijë pensionistët që jetojnë vetëm, 66 mijë personat që përfitojnë pensione individualiteti, mbi 52 mijë persona me aftësi të kufizuar, mbi 6 mijë e 100 individë paraplegjik dhe tetraplegjik, mbi 12 mijë të verbër dhe mbi 64 mijë familjet që përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike. Po kështu qeveria ka vendosur të indeksojnë në masën menjëherë pesnionet në masën 33 milion dollarë e cila do të reflektohet menjëherë në pensionin e radhës për 673 mijë pensionistë.