Mbi 1 mijë aplikime për kreditë e banesave me 0% interes për punonjësit e administratës publike
Mbi 1 mijë aplikime janë regjistruar për përfitimin e kredive të banesave me 0% interes për punonjësit e administratës publike. Nga hapja e thirrjes më 27 gusht deri më 8 shtator, në total janë paraqitur 1005 aplikime për 300 kuotat e parashikuara në program.
Numri më i lartë i aplikimeve është regjistruar nga punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me 407 aplikime, pasuar nga Ministria e Arsimit me 205 aplikime, Ministria e Mbrojtjes me 199, Ministria e Punëve të Brendshme me 157 aplikime dhe Ministria e Drejtësisë me 37 aplikime.
Thirrja parashikon 300 kredi me 0% interes për blerjen e një banese nga punonjësit e administratës publike që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Nga 70 kuota janë parashikuar për punonjësit e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes dhe punëve të brendshme, ndërsa 20 kuota janë përcaktuar për Policinë e Burgjeve/Ministrinë e Drejtësisë.
Për të përfituar nga skema, aplikanti duhet të jetë i punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”, dhe të mos ketë banesë në pronësi ose në proces legalizimi, me përjashtim të rasteve kur banesa ekzistuese është nën normat e strehimit. Gjithashtu, aplikanti nuk duhet të zotërojë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që synon të blejë përmes kredisë së lehtësuar dhe nuk duhet të jetë përfitues i programeve të tjera të strehimit social.
Aplikimet kryhen online përmes platformës e-Albania dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026.