Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në përfundim të mbledhjes së sotme të qeverisë njfotoi miratimin e amendimeve në ligjin “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, pas një pune njëvjeçare që vjen edhe nga shqetësimet e bizneseve dhe pushuesve për nivelet e larta të ndotjes akustike.
Ministrja Kumbaro theksoi se kontrollet për vlerësimin e zhurmave do të kryhen me mjete të certifikuara dhe akredituara nga ana e policisë, ndërkohë që bashkitë do të kryejnë hartëzimin e territorit për të përcaktuar zonat krejtësisht të qeta dhe ato larg banesave ku mund të zhvillohen aktivitete me muzikë të lartë.
“Do të kemi një kontroll shumë më të rreptë të ligjit, do të kemi fasha orare shumë më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të policisë së shtetit për sa i përket kontrollit, tashmë me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të kontrolluar ndotjen akustike, për të kontrolluar oraret, por dhe një detyrë të re për bashkitë, njësitë e qeverisjes vendore që me hyrjen në fuqi të këtij ligji kanë për detyrim të përcaktojnë hartën e zhurmave ose hartëzimin e territorit”, u shpreh ministrja.
Ky ligj parashikon edhe një ndarje më të qartë të kompentencave midis institucioneve të ndryshme në zbatimin e tij.
“Do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave për t’i dhënë fund njëherë e mirë atij topit që hidhej sa tek mjedisi, sa tek bashkia, sa tek policia, sa tek shëndetësia. Tashmë të gjitha institucionet i kanë rolet shumë të qarta. Edhe njëherë dua të theksoj që kontrolli do të bëhet me mjete të certififkuara dhe akredituara, fashat orare për sezonin e verës, për aktivitetet muzikore normale, të përditshme do të jenë nga ora 12.00 e drekës në orën 00.00 të natës në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia dhe policia e shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma”, sqaroi ministrja Kumbaro.
Ligji i miratuar sot në mbledhjen e qeverisë, do të vazhdojë rrugëtimin në parlament dhe komisionet parlamentare.