Me përfaqësues të Shoqatave të Transportit për Paketën e Rezistencës Sociale. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Me përfaqësues të Shoqatave të Transportit për Paketën e Rezistencës Sociale.

-Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që qytetarët përdorues të këtij transporti të mos preken financiarisht nga pasoja e luftës mbi çmimin e karburantit

Është kjo, një nga pikat e Paketës së Rezistencës Sociale që do të financojë mburojën e çmimit të transportit, rreth së cilës, Kryeministri Rama bashkëbisedoi sot me përfaqësues të shoqatave të transportit.

Kryeministri theksoi se në kushtet e reja të diktuara nga kriza ndërkombëtare, është e rëndësishme që qytetarët të mos cenohen nga rritja e çmimeve sa i përket transportit , por edhe që shërbimi në këtë sektor të ofrohet me cilësi.

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që e keni marrë mundimin, megjithëse për ju është më kollaj se ju vini me autobus. Por përtej shakasë faleminderit që e morët mundimin që të jemi këtu bashkërisht me të gjithë përfaqësuesit e sipërmarrjeve të transportit publik të linjave urbane dhe ndër urbane për të komunikuar me publikun, një nga pikat e Paketës së Rezistencës Sociale, në këtë kohë aspak të lehtë që ka të bëjë pikërisht me sektorin tuaj.

Ne kemi marrë një vendim të prerë dhe të padiskutueshëm, që nuk i prekim taksat e naftës dhe natyrisht që e kemi bërë këtë, duke bërë të gjitha llogaritë e domosdoshme dhe duke i studiuar të gjitha rrugët e mundshme për të adresuar këtë situatë.

Duke qenë se më parë kemi marrë një vendim po ashtu të prerë dhe pa na shkuar në asnjë formë të imagjinatës mendja se mund të fillonte dhe një luftë me një nga prodhuesit kryesor të energjisë në botë, të gazit në këtë rasat, por që janë të lidhura bashkë se nuk do ta prekim çmimin e energjisë për familjet 726 mijë familje që sipas INSTAT janë rezidente në Shqipëri dhe për 95 mijë biznese të vogla.

Ndërkohë që, sigurisht që aq sa kjo masë ka të bëjë me domosdoshmërinë për të mbrojtur në radhë të parë ata, që janë më në nevojë për mbrojte aq dhe masa tjetër e mosprekjes së taksës së naftës kërkon ndërhyrje për të mbrojtur transportin publik. Është e pamundur nga të gjitha analizat që kemi bërë duke dëgjuar dhe avokatin tuaj të popullit me katër rrota, Blendi Gonxhen që të mund të dilte hesapi, qoftë edhe sikur ju të bënit një rritje të çmimit të biletës që sigurisht ka dhe ajo kufirin e vetë. Edhe me një rritje të biletës që do të ishte e padëshirueshme për publikun dhe do t’i cenonte realisht ata, që e kanë autobusin pjesë të lëvizjes së tyre prapë së prapë kapaciteti juaj për të rezistuar do të ishte i dobët.

Për këtë arsye, ne vendosëm që të vendosim 500 milionë lekë për të suportuar diferencën dhe për t’iu kërkuar juve që të mos prekni në këtë fazë kaq delikate çmimin e biletës. Sesi do të bëhet nga pikëpamja e modaliteteve kjo është diçka që është përgatitur dhe ministrja me siguri do t’ju japë një ide të kësaj. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojë shërbimi.

Teksa po vija këtu pash që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë kishte dalë zyrtarisht me një lajm që nuk është pozitiv, por që konfirmon atë që ne e kemi përmendur disa herë që problemi në këtë situatë nuk është kaq sa shikojmë ne dhe kaq sa duket sepse ndërkohë që ne diskutojmë çmimet, këtu rreziku me naftën apo me energjinë është mungesa.

Pavarësisht se ti je i gatshëm të shkosh ta blesh me çfarëdo lloji çmimi ti nuk e gjen. Agjencia ndërkombëtare e Energjisë, sot përmes shefit të madh të saj ka paralajmëruar mundësinë e shokut më të madh të furnizimit me naftë në dekada.

Nga çfarë kemi parë, dhe çfarë unë jam duke lexuar e marrë informacione nga ministrat përkatës apo nga ekspertët përkatës, duke parë se çfarë thonë, ajo të cilës me gjasë i referohen për dekada është kriza e 1974 kur ne nuk kemi qene pjesë e botës, kemi qene në bunkerë, por kur bota ka kaluar një moment shumë dramatik me mungesën e kapaciteteve të furnizimit me naftë.

Agjencia ka nxjerrë një plan me 10 pika, ku janë dhe nja dy gjëra që ne i kemi diskutuar mes nesh dhe i kemi në atë draft planin tonë të kursimit të energjisë dhe naftës, por i kemi mbajtur që të mos na hidhen në fyt e të thonë “po këta..” Është problem i madh kur njeriu nuk do të pranojë faktet.

Njeriu që nuk pranon faktet është problem. E ndeshim këtë në jetën e përditshme edhe në debatet kur bëjmë ndonjëherë me miqtë tanë, edhe me fëmijët ndodh ndonjëherë që nuk pranojnë faktet, por në situata të tilla krizash dhe kur bota ka filluar të na flasë si një mundësi a thua se po thotë një nga mundësitë si do jetë moti pas ca muajsh si një mundësi dhe për luftën e tretë botërore.

Të mos pranosh faktet dhe të flasësh sikur këtu je në një realitet normal dhe e vetmja gjë anormale është që qeveria flet për krizë është problem i madh. Agjencia në ato planet e veta përmend edhe një gjë që ne e kemi diskutuar dhe do ta bëjmë. Do të bëjmë përsëri një mbledhje, – ne sot kemi vendosur në mbledhjen e qeverisë, që do ta bëjmë ditën e hënë pushim. Duke patur parasysh ato që janë shpjeguar pas mbledhjes, do të bëjmë një mbledhje që ta bëjmë ditën e hënë pa makina. Do të vijë gradualisht ajo që dhe agjencia thotë, “e diela pa makina”, për të kursyer, jo për ekologji. Ose flasim për tre ditë për një mosvajtje në punë njësoj si me covidin, por jo për shkak infeksioni, por për shkak kursimi. Kjo është situata.

Ne ishim me Ministren e Energjisë dhe me një delegacion në Emiratet e Bashkuara dhe arsyeja kryesore pse e bëmë atë vizitë, duke përfituar nga dita e Shqipërisë në Ekspo 2020 në Dubai, ishte për të parë mundësitë e garantimit të furnizimeve dhe e dëgjuam aty nga Princi i Kurorës së Emirateve nja nga vendet kryesore të prodhimit të naftës që gjërat me furnizimin me naftë nuk janë mirë dhe rritja e çmimeve është vetëm pjesa e parë e filmit të mundshëm.

As aty në atë takim nuk u tha me 100% që do ndodhë kështu, por filmi i mundshëm është ky; rriten çmimet dhe pastaj në një moment të caktuar nuk ka rëndësi sa rriten çmimet, por nuk ka më naftë, domethënë që ka pak, nuk ka mjaftueshëm.

Sidoqoftë, në rastin konkret, ne këtë fond e kemi vendosur dhe avokati i popullit me 4 rrota e ka përshëndetur i pati këtë, që do të thotë që jemi OK, do ta vendosim në dispozicionin tuaj, sepse sigurisht sektori juaj në atë moment do ishte në kushtet e një kolapsi total, nuk dilte llogaria në asnjë mënyrë dhe ne na intereson që të gjithë njerëzit që përdorin autobusin, të mos kenë problem transportin.

Ndërkohë që, duhet të ulemi të bisedojmë për një strategji afatmesme, si mund të bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë ne që të rrisim kapacitetet e transportit publik, sidomos kur vjen puna për transportin urban, se ndërurbani është gjë tjetër, por për urbanin si ta bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë që në afat të mesëm t’i rrisim kapacitetet e transportit publik dhe të fillojmë një dekurajim masiv të përdorimit të veturës në mjedisin e afërt urban, se nuk diskutojmë ndërurban.

Kjo do ishte diçka që do ishte mirë ta konfrontonim bashkërisht dhe të kuptojmë se sa mundësi ka, çfarë të mirash mund të sjellë konkretisht që realisht të ofrojmë një alternativë serioze edhe për njerëz që janë mësuar të përdorin veturën, por që mund të duan këtë shift dhe të përdorin transportin publik.

E fundit që kam unë përpara se t’i jap fjalën ministreve është që thelbi në këtë përpjekje tonën është ky; ne nuk mund t’i bëjmë të gjithëve të gjitha ato, që do duheshin për të mos ndjerë se këtu ka luftë.

Problem është që lufta me bomba, larg qoftë, humbje jetësh, shkatërrime, për ne është në televizor, por ama është e kotë dhe kundër produktive që ne të mos e pranojmë, të gjithë së bashku dhe jo të ndahemi këtu shumicë apo pakicë, për hir të disa delirantëve, sharlatanëve, njerëzve të paditur dhe pa shpirt, që edhe kur dinë duan ta shfrytëzojnë këtë situatë për të yshtur popullin, duke nxitur urrejtje, përçarje dhe maskarallëk të madh, që të jemi bashkë të gjithë, në fakte, se për zgjidhje është normale të kemi opinione të ndryshme, por faktet janë këto dhe tek faktet duhet të jemi bashkë. Nuk mund të jemi të ndarë tek faktet, nuk mund të kemi fakte alternative që nuk ekzistojnë.

Ndaj, është e rëndësishme të kuptohet që lufta është reale këtu, në formën e rritjeve të çmimeve. Larg qoftë të ndodhë që të shtrihet lufta deri këtu se pastaj jemi në botë tjetër, në kuptimin që nuk do merremi me këto biseda. Por, për momentin, është reale, godet drejtpërdrejtë ekonominë dhe basti i atij zotërisë në Kremlin është shumë i qartë që nga dita e parë, aftësia për durim mes atyre që ndjekin atë pas dhe opinioneve publike në botën demokratike. Sa, kush, do ta ketë aftësinë ta durojë më shumë.

Ndërkohë që ata janë nën sanksione dhe bota demokratike është nën presionin e çmimeve që rriten. Nëse fronti i botës demokratike shpërbëhet nga valë protestash që mund edhe të ndodhin në një afat të caktuar, atëherë basti I tij është në avantazh të tij.

Por, protesta sa hap e mbyll sytë, e mu kujtua sot që kur ne ramë dakord mes nesh që do ta lajmërojmë krizën energjetike dhe unë dola e lajmërova krizën energjetike, po këta, pas asaj, thirrën njerëzit në protestë sepse do rritej çmimi i energjisë, gjë që unë absolutisht nuk e thashë, përkundrazi, në atë fjalinë më parë e kam lënë qartësisht mesazhin që ne do t’i mbrojmë familjet dhe biznesin e vogël.

“Nuk ka krizë këtu, por ky do të rrisë çmimin e energjisë”. Ja ku jemi sot dhe nuk është puna, se unë as nuk shoh falle, as shoh të ardhmen, por është thjeshtë çështje informimi, analizash, kryqëzimi i opinioneve të njerëzve të fushës me ekipin tim edhe me këshilltarë apo ekspertë të huaj, që ne kemi mundësi t’i kontaktojmë dhe i marrim dhe duke dëgjuar edhe kolegë që drejtojnë vende të tjera në Europë dhe nxjerr njeriu konkluzione, nuk ka nevojë të shohë filxhan.

Është e paimagjinueshme që edhe këtë, edhe një luftë që bëhet atje dhe po godet gjithë planetin, ta shfrytëzosh për të nxjerrë kunjën, se kështu është, nxjerrje kunje, asgjë tjetër që vlen të quhet më fisnike sesa një nxjerrje kunje. Një mizeralibitet, duke futur njerëzit në një rrugë pa krye dhe duke turpëruar vendin.

Unë e kuptoj që kaluan 10, 20 ditë, kaloi një muaj, qeveria nuk po jep shenjë që po kupton se çfarë po ndodh, ok në atë moment, “Hajde po dalim në protestë”. Por kur qeveria thotë “Ne jemi këtu sot, deri tani kemi bërë këtë” dhe tregon me fakte si i ka mbrojtur familjet, gjithë bizneset e vogla dhe mandej sesi pjesën tjetër nuk e ka lënë të goditet, mbi bizneset e vogla, dhe pastaj thotë që “Brenda javës ne do kemi skenarët për të përballuar këtë situatë me naftën dhe çmimet”, të vraposh e të dalësh rrugëve e ta bësh Shqipërinë të vetmin vend, akoma sot që flasim, ku në mes të kryeqytetit protestohet si alienë, është turp. Është shumë turp.

Shumë faleminderit! Nëse dikush ka diçka për të thënë me shumë kënaqësi do ta dëgjonim për tu mos u mjaftuar vetëm me fjalët tona.

– Nëse është e mundur, të bëhet një rishikim i projektligjit, unë jam përfaqësues i Green Line, është linja e re që është futur dhe nuk kemi referencë për vitin e kaluar, referencë të matjes së konsumit të karburantit. Nëse është e mundur, ose të merret për bazë kompania tjetër që e ka pasur ose të merret për referencë muaji janar, shkurt, për vlerësimin e litrave. Tjetër që ndoshta nuk është momenti, por kur të jeni dhe ju të lirë, të ulemi me përfaqësuesit kryesorë të shërbimit të transportit urban e për më tepër të kryeqytetit, të diskutojmë kostot e ti shohim realisht, për të parë në afatgjatë që shërbimi i transportit urban të jetë me autobusë dinjitoz, siç është në Europë apo me autobusë hibrid apo elektrik akoma më mirë, që edhe emetimi i gazrave në kryeqytet të jetë më i ulët.

Kryeministri Edi Rama: E thashë dhe më parë që ne e kemi ndërtuar një strategji, kemi një plan masash, si do ecim me një projeksion edhe financiar, sepse kërkon investime kjo histori nga ana juaj dhe kërkon edhe mbështetje financiare nga ana jonë pro duke qenë tani në këto kushte, mendoj që është e udhës që të ulemi për këtë që thatë dhe ju për ta përshpejtuar, pra të ulemi që ti shikojmë gjërat edhe një herë dhe të shikojmë çfarë mund të përshpejtojmë, nëse mund ta përshpejtojmë sidoqoftë.

– Ndoshta nuk është dhe momenti tani për shkak të luftës, por ma beso, unë që të paktën marr vesh dhe nga ana ekonomike, kam bërë analizë financiare dhe ju garantoj që të gjithë linjat e transportit urban në kryeqytet janë m e humbje. Pra analizë të mirëfilltë, nëse do jetë e lirë dhe ministrja e Financave, të ulemi t’ia shpjegoj me analizë, që ta shohim që është biznes që është me humbje, nëse pretendojmë që të rrisim standardin e cilësisë së ofruar nga autobusa.

Kryeministri Edi Rama: Të kuptoj, por kur më thonë njerëz që merren me biznes që “unë dal me humbje”, unë filloj dhe kam pak problem, e kam pak problem se më kujtohet njëri që më ka thënë shprehjen më të bukur. E takoj një herë, dy herë, tre herë, në pika të ndryshme, ai merret me punë publike, mirëpo vë çmime, fiton tendera se i vë çmimet shumë ulët dhe i thashë, “bravo të qoftë por si ia del? Unë fitoj me humbje”, më tha.

Këtu tek humbja tani të lutem, je në rregull, po deri tek humbja jo. Kur më thua që të gjithë këtu, disa kanë që kur kam qenë unë kryetar i bashkisë së Tiranës, janë akoma këtu me autobusë dhe janë me humbje, atëherë duhet ta shohim modelin tuaj që ta transferojmë në të gjithë Shqipërinë me humbje e të dalim më mirë se me fitim, se i bie të jetë një magji këtu. kështu që deri tek humbja mos më ço. Tek vështirësitë jam dakord, tek nevoja për mbështetje jam dakord, tek të gjitha jam dakord por kur më thua që dalim me humbje, aty pastaj më krijon nevojë që të shkrydhem pak.

– Unë jam përfaqësues i sektorit të transportit. Natyrisht subvencioni 100 lekë për litër është një moment shumë i mirë dhe shpresëdhënës për sektorin tonë. Është një sektor diku me 10.000 veta të punësuar, zinxhiri përfaqëson dhe më shumë dhe janë shumë familje që mbahen me këtë punë. Një pyetje kisha, për 3 shpresojmë që kjo do na mbështesi dhe të na japë mundësinë të operojmë, por për të rritur cilësinë, për të patur një shërbim më të mirë, për të mbijetuar pas tre muajsh duhen komponentë infrastrukturorë dhe financiare le të themi. Çfarë politike mund të ndjekim që edhe ne të vazhdojmë aktivitetin tonë? A mund të ketë një ndërhyrje në shitje për sektorin tonë le të themi? Ose tek subvencioni i taksës së qarkullimit ose kategorive që udhëtojnë falas?

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë, ne do ulemi e thashë, strategjia është bërë. Plani i veprimit është bërë por është me një afat, duke marrë parasysh të gjitha këto. Në këto kushte kur na imponon koha një shtrëngim të qarkullimit për shkak të çmimit të naftës, me makina individuale e të tjera e të tjera, mbase është e udhës që ne ta kthejmë këtë në një mundësi, se gjithmonë çdo krizë sjell dhe një mundësi. Duhet të shohësh ku është ajo mundësi. Mbase kjo është një mundësi, që ne ta popullarizojmë më shumë transportin publik. Që ta popullarizojmë më shumë, sigurisht që duhet të kemi shërbim më cilësor, që të mos jetë thjesht unë po hipi në autobus se nuk kam asnjë mundësi tjetër, por të jetë që unë po marr autobusin se nuk po marr veturën që më kushton shumë më tepër sot për të shkuar nga këtu, këtu brenda qytetit. Dakord jam me këtë. kurse këto TVSH-të që hiqen, këto duhet ti harrojmë të tërë. Duhet ti harrojmë sepse është shumë e rëndësishme që të mbajmë një skelet të fortë fiskal të këtij vendi se ndryshe nuk funksionon. Si i japim ne këto? Ky është thelbi. Se njerëzit thonë, mirë hajde, te nafta hiq këtë, hiq këtë, hiq këtë dhe sigurisht që ajo barrë do ta uli çmimin në një moment të caktuar por absolutisht nuk do ta ulte aq sa mendohet as tani. Pse? Sepse tregu ka tjetër logjikë. Pse janë çmimet sot në shumë vende të Europës jo vetëm më lart se sa ne por pse rritja e çmimeve në shumë vende të Europës është më e lartë, krahasuar me ku ishte, se sa rritja jonë sot? Pse? Për çfarë arsye? Është reflektimi i frikës nga shoku i furnizimit në vijim. Është shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë për shumë filozofi.

Në ndërkohë, heqja e këtyre ngarkesave që janë aty tek nafta, dikush duhet të kompensohet nëse ne duam të vazhdojmë të mbështesim. Mund ta rrisim ne energjinë? Është më e thjeshtë për ne, sepse me energjinë prekim gjithë dynjanë dhe duke prekur gjithë dynjanë, të gjithëve u marrim dhe ia merr teshti fare nga pikëpamja teknike, nuk është ndonjë vështirësi se nuk kanë ku shkojnë. Po a ka moral kjo punë në këtë kohë krize ku lufta godet në xhep se shyqyr zotit nuk godet nga lart se do bënim muhabet e të tjera? Ka moral që të fusim në këtë barrë pensionistë, invalidë, tetraplegjik, të verbërit, t’i fusim të gjithë familjeve fermere që energjinë në shtëpi e kanë shumë të rëndësishme, por nuk kanë veturë që të ikin.

Ka moral kjo punë? Jo, nuk ka.

Sigurisht që ne mund ta bënim këtë, nëse do t’i rivinim taksa biznesit të vogël. Patjetër, i vëmë taksa biznesit të vogël por ama, a ka sens kjo?

Nëse ne i rrisim energjinë biznesit të vogël dhe jo t’ia bëjmë fiks sa duhet, por t’ia rrisim, ne biznesit të vogël, minimumi, me një llogari që kemi bërë, i godasim një rrogë. 95 mijë biznese, 5 mijë veta minimumi i ke në rrugë sepse o do paguajnë energjinë ose rrogën punëtorit, 95 mijë direkt. Ndërkohë që, ata janë motorë punësimi dhe ne duam që ata të forcohen dhe ata kanë filluar të forcohen. Po të shohësh gjithë të dhënat e biznesit të vogël, të ardhurat, punësimin, ata kanë filluar të forcohen, ata janë aleatët tanë kryesorë. Kështu që, merreni si për veten tuaj. Ju flisni për 10 mijë të punësuar, ata janë të punësuar në transport publik. Shkon kjo punë që të heqim taksën e naftës dhe ata që vijnë punojnë tek ju, mund të jenë numër i kufizuar që kanë vetura, se nuk mendoj se fatorinot tuaj vijnë me veturë në makinë. Mund të ketë, por nuk ma ha mendja se është masive, nuk i imagjinoj të gjithë fatorinot me vetura se pastaj këtu jemi në botë tjetër. Këtu jemi në botën ku më shkruante njëri mua e më thotë “Çfarë njeriu je ti. Ti je jashtë realitetit se ti jeton në luks. E kupton ti që rroga ime 200 mijë lekë më shkon vetëm për qiranë e kaq e kaq më shkon e ngrëna, e pira e kaq më shkon tjetra e tjetra”.

Bëra llogarinë dhe ishte 450 mijë lekë mbi 250mijë lekëshin. I shkruajta dhe i thashë “Dakord, e kuptova, por këtë 450 mijë lekëshin ku e gjen ti çdo muaj”?

“Këtë nuk kupton ti më tha se ne rregullohemi se s’kemi se si”. Apo ai tjetri që del në protestë dhe thotë “Ju vjedhin taksat” kur ai tjetri vetë fsheh taksat, apo ai tjetri që del në protestë dhe flet për të varfrit dhe ai akoma nuk u ka bërë të varfërve shtëpitë e tërmetit, e kështu me radhë. Kështu shkojnë këto punë.

Nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, nuk heqim dot TVSH dhe ka dhe diçka tjetër.

Heqja e TVSH, e kemi parë në disa raste, nuk e jep rezultatin. E kemi ulur TVSH, e kemi hequr TVSH, tregu nuk funksionon ashtu. Një moment të caktuar bie çmimi dhe pastaj ngrihet përsëri. U bë TVSH e imputeve një vrimë nga ku merrnin mjaltë vetëm tregtarët. Po ne nuk e bëjmë për tregtarët, ne e bëjmë për fermerët, nuk e bëjmë që të pasurohen më shumë tregtarët, ata grosistët.

Çfarë bëjnë ata?

Në momentin e parë ra e pastaj erdhi sërish në vend. Rritja që ka ndodhur nuk ka lidhje me TVSH, ka lidhje me gjithë rritjen e përgjithshme që filloi në formë inflative pas pandemisë e me radhë.

-Kryeministër, vetëm një sqarim. Unë thashë për TVSH për shitjen e biletës sepse ne aktualisht biletën e blejmë në Tatime pa TVSH. Fola për subvencionin e taksës së qarkullimit dhe taksën e shitjes së biletës.

Kryeministri Edi Rama: Shiko, që të jesh i ngrohtë ti, se the që të jemi të ngrohtë ne, që të jesh i ngrohtë ti, duhet të dish një gjë, dhe këtë duhet ta dini të gjithë. Çfarë ka buxheti i shtetit, është e njerëzve jo e jona dhe çfarë ka mundësi nga ana jonë për ju, është në dispozicion për ju, jo për gjë tjetër, por do varet shumë çdo gjë nga temperature. Nëse do bëhet acar fare, ekonomikisht, mund të jesh i ngrohtë, por ne do bëjmë çmos, siç e bëmë tani do vazhdojmë ta bëjmë.

Nuk do t’iu lëmë në rrugë që të ngremë duart lart.

Nëse do vijë puna të ngremë duart lart, do duhet të futemi të fshihemi nga bombat, por unë nuk mendoj se do shkojnë gjërat deri aty.

-Përshëndetje kryeministër. Përfaqësoj transportin e qytetit urban, Shoqata Kombëtare. Ato çfarë dëgjuam sot janë shumë pozitive për sektorin tonë. Një qartësim dua të bëj që, në lidhje me transportin publik, në përgjithësi, dua ta trajtojmë pak më ndryshe pasi neve çmimet i kemi të vendosura nga qeveria qendrore apo lokale? Pra, nëse lëvizet me TVSH, që ju mund ta dini më mirë, nuk impakton çmimi në rritje apo zbritje por thjesht ndihmon.

Kryeministri Edi Rama: E di more, e di. Ulini, ulini, por si do ngrihemi ne? kuptoni një gjë, se janë fakte. Jemi vendi me taksat më të ulëta mbi individin dhe biznesin e vogël, nuk ka vend tjetër, nuk ekziston. Merreni dhe shikojeni. Në Europë, jo njëherë.

Nuk ekziston asnjë vend tjetër me taksë dhe TVSH 0 për biznesin e vogël, vetëm Shqipëria. Se më thonë mua “Shiko Maqedonia, Serbia”. I shoh patjetër. Doni t’i bëjmë taksat siç i kanë ata? 10% biznesit të vogël, me 20% TVSH? E bëjmë.

Shikoni pagat. Sa taksë? 10% kanë ata për çdo pagë që japin. Imagjino t’i japësh tjetrit 400 mijë lekë, të vjetra, dhe t’i marrësh 10%. Po t’i bëjmë këto, shtohet buxheti. Sigurimet shoqërore. Ne themi pensionet, patjetër, por e mbajnë dot njerëzit sot që ne sigurimet shoqërore ne ti bëjmë siç i ka Serbia e këta të tjerët? Unë nuk e besoj. Pse është bërë kjo politikë? Është bërë për të fuqizuar individin dhe biznesin e vogël. Çfarë takse kemi rritur ne? Se kjo është të të ikë mendja fare. Çfarë takse është rritur këtu? Taksat që janë rritur këtu janë rritur mbi ata që fitojnë më shumë. E kanë pasur 10% biznesmenët e mëdhenj, e kanë 15%. E kanë pasur taksën e ndërtimin 2%, i ka vajtur 8%.

Është taksa më marramendëse që ekziston, taksa mbi ndërtimet, se kur shohin ndërtimet “O ndërtimet” po nga ato ndërtime merr taksa pafund Bashkia e Tiranës. Pafund, në krahasim me të shkuarën domethënë.

Çfarë taksash janë rritur këtu? Cilat taksa? Tek nafta kemi qenë të vetëdijshëm që ditën e parë, që në 2014 kemi qenë shumë të vetëdijshëm. Aty kemi vendosur taksën e qarkullimit, nuk e kemi vendosur ne, ishte aty dhe e ka bërë qeveria e mëparshme dhe është ndër të paktat gjëra që i kanë bërë si duhet sepse është në strukturën e çmimit dhe paguan ti që lëviz, sipas asaj që ti lëviz. Nëse unë e kam makinën dhe e mbaj në garazh, pse duhet të paguaj?

-Kryeministër, ndërkohë që flasim për autobusët nuk duhet të jetë e njëjta gjë sepse autobusi mund të jetë alternativë e veturës. Nëse paguan të njëjtën gjë që paguan dhe vetura, nuk e konkurrojmë dot.

Kryeministri Edi Rama: Po të flas për uljen e taksave, heqjen e TVSH e për këto, po flas në parim. Ndërkohë që, nuk është njësoj për autobusin e tregon fakti që jemi këtu, se nuk kemi ardhur këtu për t’iu dhënë informacion për autovetura. Kemi ardhur këtu të japim 5 milionë dollarë që ju të vazhdoni të funksiononi dhe të merrni 100 lekë për çdo litër karburant. Po i merrni nga buxheti dhe është shumë më e shëndetshme t’i merrni nga buxheti sesa të t’i heqin andej e këtej.

Ta heqim taksën e qarkullimit? Taksa e qarkullimit është 27 lekë. Ndërkohë që, kjo është 100 lekë. Natyrisht që, për ta rritur cilësinë dhe për ta bërë transportin urban këtu që të hipi çdo njeri me kënaqësi siç e bën bota, ka kosto. Ju e dini shumë mirë, unë e di që në kohën kur isha në krye të bashkisë së Tiranës, ajo bileta juaj është minimumi. Gjithmonë është minimumi.

Edhe ky transport siç është sot, edhe kështu siç janë autobusët sot, ajo biletë është minimum dhe pa subvencion nuk del llogaria. Këtë e dinë, por nuk ia shpjegon dot atyre që flasin kot “Këta na vjedhin” . Ndoshta po të kishin autobusë vetë do kishin vjedhur dynjanë, por fakti është që bileta është jashtëzakonisht në zgrip, e di shumë mirë. Ndaj thashë që, ju nuk dilni me humbje, se të dilnit me humbje nuk ishit këtu sot, do kishit ndërruar biznes, por ju nuk fitoni siç mund të fitojnë në sektorë të tjerë.

Është punë e vështirë dhe për këtë keni mbështetjen dhe respektin sepse prandaj po e bëjmë këtë punë.

Se të mos ishte kështu, do të thonim “Lëre se këta kanë dhjam, le ta tresin dhjamin këtë periudhë, punë e madhe shumë”. Por nuk keni. E dimë shumë mirë këtë, ky sektor nuk ka dhjam. Është vetëm puno, merr, investo, puno, merr investo dhe ndaj thashë të bëjmë një diskutim se çfarë mund të bëjmë ne që t’iu japim një mundësi financiare, një garanci financiare, një gjë që ju të mund të investoni më shumë dhe të rrisni kapacitetin, në kuptimin e cilësisë, sidomos Tirana, që është problem kryesor që ka volumin më të madh por edhe të gjitha bashkë me radhë.

Për këtë do punojmë të gjithë bashkërisht dhe do ulemi.

Ministrja e di shumë mirë këtë punë sepse kemi folur, avokatin e popullit me 4 rrota e keni këtu, në bashkinë e Tiranës është një nga njerëzit më të zotë që ekziston në Shqipëri për transportin publik, drejtori atje. Është shalqi me provë që në kohën time atje kështu që kemi njerëzit që e dinë këtë punë. Do bëjmë çmos.

Faleminderit!

Previous Vendim i Këshillit të Ministrave për caktimin e ditës së hënë, ditë pushimi.

Leave Your Comment