Arsimi Profesional dhe tërheqja e të rinjve në përzgjedhjen e tij, si një rrugë alternative e sigurtë për ta, për t’u integruar në tregun e punës, vijon të mbetet një nga objektivat e qeverisë në fushën e arsimit. Një prej hapave të ndërmarra në këtë drejtim është që brenda muajit dhjetor, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, mund të transferohen lehtësisht në shkollat e arsimit profesional, nëpërmjet e-Albania.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin e organizuar me drejtues të shkollave të arsimit profesional, drejtues rajonal të sistemit parauniversitar dhe drejtues të zyrave arsimore, i cili mbahet në vijim të takimeve të zhvilluara me gjimnazet, me shkollat e mesme profesionale, me biznese, prindër e nxënës në kuadër të promovimit të arsimit profesional,
* * *
Faleminderit shumë për praninë dhe faleminderit në mënyrë të veçantë atyre që kanë ardhur nga qytete të tjera për këtë takim.
Arsyeja pse e bëjmë këtë takim është shumë e rëndësishme dhe besoj që është e mjaftueshme si arsye për t’ju kërkuar praninë këtu sepse nuk është fjala për një reformë të thjeshtë, është fjala për një reformë të ndërlikuar, por është fjala, njëkohësisht, për një reformë që është jetike në kuptimin më të plotë të fjalës për ekonominë tonë dhe për zhvillimin tonë social.
Është shumë e qartë që arsyet për të cilat arsimi profesional vazhdon të mos jetë në lartësinë e duhur të vëmendjes së prindërve dhe të nxënësve janë më shumë sesa një, por nga ana tjetër është po kaq e qartë që në këtë fazë të zhvillimit të vendit, ne duhet të bëjmë një sforco të përbashkët për të kapërcyer pengesat që ngrihen ose që janë ngritur gjatë gjithë rrugës për shkak të arsyeve.
Nuk dua të bëj këtu një shtjellim të arsyeve që pse situata në raport me arsimin profesional nuk është ajo që do të ishte e dëshiruara për nevojat që ka vendi sot, por e rëndësishme është të kuptohet që, sot ne kemi mundësi që ta adresojmë këtë situatë me më shumë agresivitet për shkak të faktit që kemi investuar në mënyrë të arsyeshme, ndoshta patjetër që duhet më shumë edhe më shumë do të bëjmë, por aktualisht, nëse i nxisim dhe i shtyjmë nxënësit që në numra të konsiderueshëm të integrohen në sistemin e arsimit profesional e bëjmë pa merakun që do shkojnë në shkolla, ku pastaj nuk do mund të marrin arsimin e nevojshëm për shkak të kushteve.
Kushtet janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme.
E thashë, duhet të zgjerojmë më tutje infrastrukturën e arsimit profesional, por aktualisht kemi mjaftueshëm vend për fazën e parë, e cila ka nisur, por që duhet të intensifikojë të gjithë aktivitetin tuaj.
Këtu janë jo rastësisht drejtorët e arsimit profesional me drejtorët e drejtorive dhe zyrave arsimore sepse kjo është një punë e përbashkët.
Nëse sot ne kemi rreth 4000 vende të lira në sistemin e arsimit profesional, pra, potencial për thithur 4000 nxënës, ne duhet të thithim 4000 nxënës. Pastaj, nevojat janë për shumë më tepër ama nuk mund t’ju themi juve që “Shtyni shumë më tepër” sepse do na duhet që të kemi infrastrukturën për të pranuar shumë më tepër. Me infrastrukturën ekzistuese, ne kemi 4000 mundësi aty për nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe të përgjithshme.
Kjo kërkon, natyrisht, një aktivizim të shpejtë dhe një aktivizim sistematik, por kërkon dhe një integrim të plotë të punës të drejtorive arsimore me shkollat e arsimit profesional.
Vërtetë janë shkolla me varësi të ndryshme, por nuk ka asnjë problem, duhet të funksionojë si një sistem.
Kurrikulat, stafet e të tjerë mund të jenë të ndryshme, por sistemi është i njëjti dhe drejtoritë rajonale duhet t’i konsiderojnë shkollat profesionale si pjesë të tyre dhe ministrja do të përgatisë një dokument ligjor, zyrtar të qeverisë ku kjo do jetë edhe e formalizuar, pra, varësia e dyfishtë e shkollave të arsimit profesional.
Nga njëra anë, është një varësi e Ministrisë së Ekonomisë dhe ka të bëjë me gjithë orientimin strategjik dhe punën e përditshme të shkollave brenda tyre ndërsa i gjithë aktiviteti tjetër ku shkollat profesionale kanë të nevojshme mbështetjen e drejtorisë arsimore, do të jetë në varësi dhe në përgjegjësi të Ministrisë së Arsimit, që do të thotë që objektivi është objektiv zyrtar i drejtorive arsimore.
Detyra e tyre është që të garantojnë objektivat dhe t’i garantojnë objektivat duke kombinuar, nga njëra anë, atë çka do të jetë së shpejti një detyrim i shkruar, ligjor dhe nga ana tjetër, sensibilizimin e prindërve dhe të nxënësve për pse-në e arsimit profesional, duke filluar nga ata nxënës, të cilët mund të mos jenë shumë të dhënë pas librave, dhe nga këta keni plot, të cilët mund të mos kenë rezultate të shkëlqyera dot, të cilët nuk është fare e thënë të mos jenë po aq të talentuar dhe të mos bëhen të zotët e vetes po aq mirë, mbase edhe më mirë se disa të tjerë që i dedikohen universitetit dhe profesioneve të larta.
Këtu bëhet fjalë për të gjetur më të mirën për një numër të konsiderueshëm fëmijësh dhe për t’i dhënë atyre një mundësi në jetë, për t’i dhënë atyre një zanat dhe për t’iu hapur një perspektivë por kjo do të thotë, njëkohësisht, edhe për të ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë sipërmarrjet e atij territori në radhë të parë dhe të gjithë vendit në radhë të dytë.
Drejtoritë arsimore janë të interesuara që të rriten pagat e mësuesve, apo jo? Si do të rriten pagat e mësuesve? Natyrisht do të rriten sic janë rritur dhe siç po rriten me politikat e qeverisë, por pyetjen e bëj “Si rriten më shumë?”
Rriten më shumë duke pasur më shumë ekonomi dhe duke pasur më shumë të ardhura. Nëse kemi më shumë ekonomi nga turizmi dhe jemi dhe drejtori arsimore në një zonë turistike, na takon apo nuk na takon që të mendojmë se si tua rrisim kapacitetet këtyre hoteleve dhe këtyre restoranteve e këtyre strukturave të industrisë së turizmit që kemi këtu në zonën tonë në mënyrë që kjo zonë ku jetojmë vetë, ku kemi dhe fëmijët vetë, të marrë edhe më shumë zhvillim, edhe për shkak të këtij kontributi që japim ne si drejtori arsimore dhe si sistem arsimor.
Duhet të bëhet një shkëputje nga rruga rutinë që është ndjekur deri tani dhe duhet hapur një rrugë e re. Për të gjithë këtë duhet një mobilizim i të gjithë trupës dhe prandaj duhet strukturuar sa më mirë që të ecim shumë shpejt dhe objektivin ne duhet ta realizojmë me çdo mjet dhe nuk mund të presim 4 vjet apo nuk e di sesa dhe të ecim me hapin e breshkës sepse në ndërkohë tregu i punës është në atë kufirin e lëngimit.
Sot hotelet në Shqipëri nuk pyesim më “Sa e do rrogën?”, të thonë “A vjen apo nuk vjen njëherë” se rroga është e dyta sepse nuk i kanë në derë në radhë të rinjtë, ata që janë të gatshëm të punojnë dhe që duhet t’iu thonë “Duhet të kap kë pranon më pak”. Përkundrazi, janë gati të japin edhe më shumë, por ama, sigurisht, duan të kenë dhe cilësi, jo thjesht njerëz që vijnë atje dhe nuk dinë të lidhin përparësen, por njerëz që kanë marrë një edukim.
Këtë mund ta bëjmë me sukses duke i kombinuar të dyja, edhe zbatimin me rigorozitet të objektivit, por edhe këtë pjesë.
Këto kisha unë për të ndarë me ju.