Me të rinjtë e Kamzës në hapësirën e transformuar të Parkut të ri në Liqenin e Paskuqanit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Me të rinjtë e Kamzës në hapësirën e transformuar të Parkut të ri në Liqenin e Paskuqanit

Parku i ri i Liqenit të Paskuqanit është zona më e re në bashkinë e Kamzës, e transformuar thellësisht, pas 30 vitesh, nga një tokë djerrë hedhurinash, në një hapësirë plot jetë e gjelbërim, me 10 mijë pemë të mbjella, me pedonale, korsi biçikletash dhe sheshpushime, e cila i shërben njësoj të gjithë kryeqytetit, pavarësisht nga vendndodhja e saj.

Për të folur për ndryshimin e prekshëm e të dukshëm të Kamzës, si dhe për të ndarë mendime mbi sfidat e kësaj kohe plot vështirësi, por edhe plot mundësi, Kryeministri Rama bashkëbisedoi sot me të rinj e të reja të zonës.

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit që jeni këtu, ndërkohë dua të ftoj këtu një të ri , shumë të ri, Ylli Shehun, nuk e di a e njihni?

Ylli është koordinatori ynë këtu në këtë bashki edhe e kemi një nga djemtë e mirë të kësaj zone, që unë dua t’ju them disa gjëra, por me dëshirën që ju të merrni fjalën e të thoni fjalën dhe të thoni gjërat tuaja se sigurisht s’ka kuptim ndryshe. Ndërkohë që më vjen shumë mirë që jemi këtu në një realitet të transformuar plotësisht. Më kujtohet kur isha kryetar I bashkisë së Tiranës. Jam përpjekur shumë që të bëj këtë gjë që ndodh sot, por ishte e pamundur dhe duke iu referuar asaj që tha Lindita pak më parë, ky është rasti, shembulli me pamje, por ju keni çdo mëngjes rastin, shembullin me pamje kur shkoni në shkollë, në shkollat e reja tërësisht që janë bërë këtu në Kamëz, një ndër të cilat e pamë para se të vinim këtu dhe ishte një shkollë spektakolare për të kuptuar se sa gabim është që të mendosh që vota nuk ka  asnjë vlerë, se sa gabim është të mendosh që nuk ka asnjë rëndësi se voton apo s’voton dhe për kë voton dhe sa gabim është të mendosh që “të gjithë janë njësoj”.

Po të ishin të gjithë njësoj, edhe kjo tani, pamja këtu do ishte njësoj, një fushë pa ujë me plehra, me ferra dhe me kërpudha të vendosura tek-tuk nga papërgjegjshmëria e atyre që kanë vendimmarrjen, ndërtesa, të cilat normalisht s’duhet të ishin aty, siç normalisht shumë ndërtesa s’duhet të ishin në lumë, për t’u përmbytur pastaj nga lumi sa herë bie shi.

E kundërta është pastaj tërësisht e vërtetë. Jo vetëm s’janë të gjithë njësoj, por ka shumë rendësi pozicionimi i çdo qytetari në një sistem demokratik. Jo vetëm sepse për ta pasur një sistem demokratik të tjerët përpara nesh, më përpara jush janë vrarë, janë burgosur, janë internuar, janë sakatuar një jetë të tërë, thjeshtë për të pasur mundësinë që ta thonë fjalën e tyre më votë, jo vetëm për respekt të atyre, jo vetëm për respekt të atyre që sot, tani flasin në botën e madhe ku jetojmë se kanë këtë të drejtë, por edhe për një zgjedhje shumë të thjeshtë, zgjedhje shumë, shumë të thjeshtë, zgjedhjen e të qënurit qytetar i mirë.

Një qytetar i mirë nuk është thjesht një njëri i mirë, mund të jesh një njeri i mirë, po nuk je një qytetar i mirë nëqoftëse sheh vetëm punët e tua.

Një qytetar i mirë është dikush që përveç punëve të veta sheh edhe punët e përbashkëta sepse çdo gjë jashtë derës së shtëpisë lidhet me punët e përbashkëta dhe asgjë jashtë derës së shtëpisë nuk mund të rregullohet nëse nuk shkojnë mirë punët e përbashkëta, ashtu sikundër edhe brenda shtëpisë, punët e përbashkëta që shkojnë keq reflektojnë në shumë mënyra.

Sot në Kamëz është një nga zonat me transformim më të madh të viteve të fundit falë pikërisht faktit që Kamza nga duar të papërgjegjshme ka kaluar në duar të përgjegjshme; falë pikërisht faktit që Kamza nga një depozitë votash thjesht me zemër po pa sy, pa veshë,  pa mendjen aty, ka kaluar në një zonë ku respektohet secili  dhe ku pavarësisht se për kë voton, pavarësisht se çfarë mendon, fëmijët e tu shkojnë në shkolla shumë më të mira, në kopshte dhe çerdhe që as mund të imagjinoheshin, një nga të cilët ka fituar edhe çmim ndërkombëtar arkitekture, në rrugë me kanalizime, me ujësjellësa në një mjedis shumë më human nga pikëpamja sociale sesa ai mjedisi i tmerrshëm i xhunglës ku brenda shtëpisë njerëzit bënin sa mundnin, përmirësonin jetën e tyre me mundime, me sakrifica dhe jashtë shtëpisë ishte një kaos.

Kaq për këtë pjesë sepse këtu realisht është vendi për ta thënë, jo se është ky qëllimi i takimit. Qëllimi i takimit është të flasim përtej Kamzës, thjesht të flasim për ju dhe të flasim me ju për se si mund të bëjmë dhe çfarë po përpiqemi të bëjmë më mirë dhe më shumë për ju dhe se çfarë ju mendoni se mund të bëhet më mirë dhe më shumë .

 

Kështu që unë po e ndërpres këtu këtë fjalën time dhe po ua kaloj fjalën ju.

– Si fillim, para se të kaloj tek Këshilli Rinor që është edhe arsyeja kryesore pse jam këtu, dua të shpreh një shqetësim që më para se kamzali e them si shqiptar, që është largimi i të rinjve. Ju z. Kryeministër thoni që ky është një trend i kudogjendur në rajon dhe jo vetëm, dhe gjithashtu në një intervistë keni thënë se siç është faza e largimit është edhe faza e rikthimit e shqiptarëve. Pyetja është kur do piqen kushtet këtu në Shqipëri për të rinjtë që të mos kenë si synim largimin dhe mos të joshen nga mundësia e parë që u jepet për t’u larguar?

Faktikisht duhet të pranojmë që ky nuk është një fenomen që ka lindur gjatë qeverisjes suaj, është pasojë, mendoj unë dhe efekt domino i politikës dhe paradës së politikës të degjeneruar që pas fillimit të demokracisë, por ne nuk mund t’i kërkojmë llogari të shkuarës nga e tashmja. Ne nga e tashmja mund të projektojmë të ardhmen dhe populli shqiptar çelësin për të ndryshuar të ardhmen, jua ka besuar juve për të tretën herë radhazi sepse realisht, është për të ardhur keq ose shqip fare, është gjynah, që një vend i bekuar nga Zoti, të mos punohet e mos vlerësohet nga i zoti. Kjo është sa i përket largimit të të rinjve. Përsa i përket këshillave rinorë, mendoj se ky veprim është një hap konkret i qeverisë dhe i bashkisë për të rritur  bashkëpunimin dhe që  tregon interesin e këtyre dy organeve për të rinjtë.

Falë pasionit dhe bashkëpunimit të kryetarit dhe stafit të tij, sot kemi një këshill rinor të mirëfilltë që është gjatë gjithë kohës në rritje. Ne kemi të drejtën morale dhe ligjore të kërkojmë disa kushte që të rrisim nivelin e të rinjve dhe të mirëqenies së tyre emocionale dhe mendore. Një ndër to është krijimi i një qendre rinore. Kemi nevojë për një qendër ku të gjitha këto planifikime dhe nevoja të të rinjve të operohen dhe të planifikohen aty për më mirë. Një tjetër është krijimi i një qendre IT për mësimin, kurse falas, programimin dhe IT. Gjithashtu, fusha sportive. Ne e kemi një stadium, por mendoj se duhet të kemi një të mirëfillte. E fundit, rivitalizimi i kësaj hapësire ku jemi tani, sepse nga një grumbull uji me ferra, po bëhet vend familjar. Kërkojmë ndihmën tuaj për ta sjellë në një gjendje shumë më të mirë seç është.

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për gjithë këtë spektër çështjesh. Ta filloj nga e para, çështja e largimit dhe të bëj një korrektim se ka shumë rëndësi fjala dhe citimi korrekt. Ky nuk është një trend sot në të gjithë Europën, ky është një trend historik për ne, ku të gjithë kanë kaluar, nuk ka asnjë, dhe po ju them që është shumë e thjeshtë, por është dhe njëkohësisht shumë sipërfaqësore që të thuash “largimet e këtyre 30 viteve po vijnë si rezultat i politikës të degjeneruar” sepse asnjë lloj politike dhe asnjë lloj skuadre politike dhe ju e dini shumë mirë që unë nuk është se kam ndonjë respekt për ata që ishin përpara nesh dhe s’është për t’i justifikuar, por asnjë lloj skuadër politike e ardhur dhe nga hëna në këtë vend, nuk do të kishte mundur dot që të mbyllte derën edhe që shqiptarët t’i mbante këtu që të gjithë. Sepse kjo nuk bën sens. E dyta, kjo do donte të thoshte që këtu në një periudhë kohë të shkurtër dhe për historinë 10-20-30 vjet nuk janë një periudhë kohe e gjatë, për njeriun po, të bëhej njësoj si Gjermania, apo si Zvicra, apo si Britania e Madhe, apo si Franca, kjo nuk është e mundur. Sepse po të ishte e mundur do kishte ndodhur diku tjetër. Po të ishte që këtu do ta kishin të gjithë fajin politikanët e poshtër atëherë me siguri në vende të tjera do kishin dalë politikanë dhe do kishin dalë udhëheqës që nuk do ta kishin lejuar këtë lloj trendi dhe do ta kishin frenuar dhe do ti kishin bërë vendet e tyre në një hark kohor kaq të shkurtër njësoj si vendet e zhvilluara të botës. Por kjo nuk ka ndodhur. Ne flasim sot për të rinj që ikin nga fshati. Më tregoni një vend sot, jo nga këta që janë në nivelin tonë, jo në rajon, në Europën e bashkuar, më tregoni një vend ku të rinjtë nuk ikin nga fshati, një? Kjo është gjëja më normale,  sigurisht diku më shumë diku më pak, patjetër. Më tregoni një vend pas vitit 90 që nuk ka pasur largime masive. Dhe mos harroni, dhe mos harrojmë që vendet e tjera nuk dolën nga izolimi total si ne, se vërtetë vendet ish komuniste nuk e kishin të hapur rrugën për të shkruar lirisht në perëndim, por kishin të hapur rrugën për të shkuar lirisht mes veti, në një hapësirë shumë të madhe europiane, pa llogaritur vendet e ish Jugosllavisë, dje në Jugosllavi, që shkonin lirisht kudo. Kështu që largimet i kanë bërë me kohë e me vakt dhe hap pas hapi. Ndërkohë që, ne u mbyllëm 50 vite brenda, na u hodh çelësi në det dhe pasi kishim qenë më parë një popull goxha i dhënë pas migrimit. Shqiptarët kanë migruar gjithmonë, nuk është se shqiptarëve iu ndërpre migrimi nga komunizmi. Kjo e para. E dyta, sigurisht që kur vendi është në këtë trend, ndodh një proces humbjeje i një pjese të rëndësishme të burimeve të veta cilësore njerëzore, por kjo nuk ka vetëm anën e keqe, kjo ka dhe anën e mire se po të mos ishin njerëzit që kanë emigruar Shqipëria nuk do kishte ardhur dot gjallë deri këtu, që të jemi të qartë. Dhe mos harroni, unë nuk kam respekt për ata që ishin para nesh, por mos harroni se nga e ka nisur Shqipëria si nivel ekonomik. Ju nuk keni qenë këtu vërdallë se keni lindur më vonë,  kur prindërit tuaj erdhën këtu, këtu s’ka pasur asnjë gjë. Këtu ka qenë fushë komplet, kooperativë bujqësore, ndërmarrje bujqësore, që nga Instituti bujqësor e deri këtu. S’ka pasur asnjë gjë. Fare! Zero! Kur filloi ngulitja e familjeve këtu ishte një pamje e frikshme, e mbushur fusha me qese plastmase. Pyetini prindërit tuaj nëse s’ju  kanë treguar sesi e kanë filluar me qese plastmase, me tenda plastmase. S’kishte asnjë gjë. Ata s’kishin asnjë gjë dhe këtu s’kishte asnjë gjë. Tani po të shikosh këtu, si ju duket ju?! Ju duket një vend që në 30 vjet ka ndenjur kot? Mendoj që jo. Kemi dalë nga ai sistem që ne ishim larva komplet, krahasuar me të tjerët me të cilët sot përpiqemi të matemi. Këto të gjitha kanë rëndësi dhe kanë rëndësi edhe një aspekt tjetër. Nuk ndërtohet me inat shteti. Nuk ndërtohet se do ti sot e s’ka. Do kohën e vetë, sepse të tjerët kanë pasur edhe institucione, edhe tradita që ne nuk i kemi pasur. Ne kemi dalë të fundit nga perandoria otomane dhe nuk kemi arritur dot të ndërtojmë një strukturë shtetërore me institucione të cilat t’i rezistonin kohës.

Komunizmi ndërtoi institucioni po ato institucione nuk mund dot të trashëgoheshin dhe të funksiononin sepse ishin të ndërtuara me një sistem komplet tjetër. Të gjitha këto duhen menduar e duhen pasur parasysh për të mos i rënë shumë shkurt dhe për të mos ta lënë këtë gjë në mënyrë sipërfaqësore sepse është iluzion të mendosh se kjo është çështje e politikanëve. Kjo është një çështje shumë komplekse. Natyrisht që nëse politika këtu në këtë zonë do kishte pasur tjetër vizion, tjetër qasje, tjetër kuptim të gjërave, kjo që kemi përpara, do ishte bërë dhe do kishte qenë një mirësi, jo vetëm për familjet brenda mureve, por edhe për komunitetin jashtë mureve, ku faktikisht gjithçka u la në mëshirë të fatit dhe këtu u bë një lloj zhvillimi pa asnjë lloj plani, me kosto shumë të lartë pastaj sepse tjetër është ta bësh diçka me rregull dhe me plan në fillim, tjetër është të fillosh të hysh nëpër kthesa për të gjetur rrugën.

Unë besoj shumë që nëse e shohim sot vendin me syrin e mundësive, sot ka mundësi shumë më të mëdha se dje. Kush thotë se në Shqipëri s’ka mundësi, thjesht nuk thotë të vërtetën. Sigurisht që në Shqipëri ka vështirësi, ashtu sikundër, kush mendon që shkon atje dhe e gjen shtruar, thjesht gabon. Po unë kurrë nuk do t’i them një të riu që “shiko, ti nuk duhet ta mendosh që të provosh fatin tënd, të kapësh majën e botës”. Se kjo është gjëja më e natyrshme, por ama kurrë, po ashtu, nuk do t’i them dot një të riu se këtu s’ka mundësi. Këtu ka mundësi, se po mos kishte mundësi  nuk do kishte plot njerëz që kthehen. Nuk janë aq sa ikin, jemi akoma në një trend ku ikin më shumë sesa kthehen, por jam i sigurt që ky trend do fillojë të ndryshojë dhe koha e ikjeve më shumë sesa kthimeve tanimë po shkon drejt ezaurimit dhe do fillojnë kthimet më shumë sesa ikjet edhe për një arsye tjetër, se andej po bëhet gjithmonë e më vështirë. Të masësh me sy nga larg rrogën është një gjë. Të shkosh atje, e pastaj me atë rrogën që nga lart duke e llogaritur këtu nga shtëpia jote ku ti nuk paguan qira se ta kanë ndërtuar prindërit, gjithë çfarë duhet të paguash atje, ajo rroga ndryshon.

Natyrisht që në fund të muajit është akoma më shumë ajo që mbetet atje sesa këtu, por ama, nëse këtu ti nuk e shikon thjesht dhe vetëm te dyert e shtetit të ardhmen tënde, po e shikon te mendja jote, te krahët e tu, tek energjia jote dhe te mundësia për të bërë aktivitetin tënd, atëherë ti këtu ke shumë më tepër mundësi sesa atje.

Unë i kuptoj shumë mirë ata që duan të hyjnë në institucione shkencore të një niveli të lartë, ata që  duan të futen në skuadra të Champions League, ata që duan të shkojnë në orkestrat e mëdha simfonike, ata që duan të bëhen mjekë atje, i kuptoj shumë mirë, ndërsa dikë që paguan 10 mijë paund për të kaluar kanalin e La Manshit ilegalisht dhe për t’u futur në një xhungël të një lloji tjetër, unë e mirëkuptoj, por mendoj që ka dhe një rrugë tjetër. Ato 10 mijë paund t’i investojë te toka e babës, e gjyshit, te shtëpia e babës dhe e gjyshit dhe të bëjë një agroturizëm, dhe e garantoj që do fitojë më shumë sesa fiton atje, natyrisht nëse bën punë të ndershme, qofshin punë dhe në të zezë, por të ndershme. Nuk flas për ata që futen në rrugën e krimit, flas për ata që shkojnë atje dhe realisht bëjnë punë të ndershme e lodhen e strapacohen nga mëngjesi deri në darkë.

Përsa i përket asaj tjetrës, unë jam i njëjti edhe atje, edhe këtu. Nuk jam dy veta të ndryshëm. Problemi ynë është që ne jemi për arsyen se s’ka kohë këtu për t’i shpjeguar, unikalë në një fatkeqësi dhe ligësi që është e tmerrshme, që për të nxjerrë kunjat e brendshme e bën copash Shqipërinë në gjuhë të huaj dhe flasin keq për Shqipërinë jashtë vendit. Politikanët që flasin keq për Shqipërinë jashtë vendit, politikanët që nuk e bëjnë krenar vendin kur rrinë me të huajt, kur flasin me të huajt, kur i drejtohen të huajve, politikanët që i tremben të vërtetave të kombit të tyre apo që nuk dinë sesi t’i tregojnë ato të vërteta në sy të të huajve, janë llum. Llum! Janë llum në kuptimin më të plotë të fjalës. Nuk i duhen jo vendit, po nuk i duhen as dreqit. E t’i pranosh apo dhe më shumë se kaq, t’iu besosh është njësoj si të hedhësh sytë e të mbash sytë përpara një moçali që vjen erë të keqe. Ne mund të jemi të ndarë në shumë gjëra dhe është legjitime të jemi të ndarë në shumë gjëra sepse kjo është bota dhe ky është sistemi që kemi zgjedhur dhe për fat të mirë, jemi në këtë sistem ku mund të kemi mendime nga më të ndryshmet, por ne nuk mund të ndahemi në disa gjera që janë themelore. Nëse ka një gjë themelore të pandashme, është që ne jemi të gjithë shqiptarë dhe që ne flasim të gjithë të njëjtën gjuhë. E kur flasim gjuhë të huaj, nuk duhet të harrojmë asnjëherë që vendi për të cilin flasim, nuk është vendi i atyre që kemi inat, po është dhe vendi ynë dhe i atyre që na duan dhe i duam. Ne nuk jemi vend i pasur. Jemi një vend shumë i vogël, po kjo nuk ka asnjë rëndësi kur ulemi në tryezë me të tjerët. Kur ulemi në tryezë me të tjerët, ne duhet të sillemi si të barabartë, duhet të japim respekt dhe duhet të pretendojmë të njëjtin respekt që japim pavarësisht sa të mëdhenj e sa të pasur janë të tjerët se vetëm kështu ne mund t’i japim krahë vendit tonë.

Të thuash në mediat britanike që “Shqipëria është vendi më i rrezikshëm  në Ballkan dhe në Europë”, kjo nuk është të bësh luftë politike këtu. Kjo është të bësh fiks atë që i kanë bërë këtij vendi, një soj politikanësh dhe një soj xhagajdurësh publik që nga 1912-ta. Ndryshojnë emrin, shtatin, pamjen, është i njëjti soj sepse të thuash atë, do thotë t’i thuash atyre atje “mos hajdeni në Shqipëri për turizëm, mos hajdeni të konsumoni ushqimet tona, mos hajdeni të paguani njerëzit tanë që kanë ngritur industrinë e mikpritjes, mos hajdeni të ushqeni ekonominë tonë me praninë tuaj”. Ndërkohë që, turizmi është një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit tonë.

Për ta mbyllur me këtë pjesë, sot Shqipëria nuk është ajo që duhet të jetë, nuk diskutohet. Se po të ishte ajo që duhet të ishte, unë nuk do isha këtu me Rakipin, të flisja me ju, por ama nëse kthejmë kokën pas, Shqipëria është njësoj në të gjitha drejtimet si ky liqen këtu, si kjo këtu. Po të kthesh kokën pas, kjo këtu është dita me diell, me natën pa hënë krahasuar me çfarë ishte. Po të shohësh me sytë e të ardhmes, kjo këtu nuk është ajo që duhet të jetë. Ky është ndryshimi!

Kjo është kaq e thjeshtë dhe çfarë ne duhet të bëjmë është që të bëjmë çmos që kjo këtu të bëhet ajo që duhet të jetë e të mos mjaftohemi me faktin që është dita me natën me atë që ishte. E në çdo drejtim është e njëjta gjë. Shikoni shkollat tuaja, jua thashë, shkollat tuaja sot në Kamëz janë shkolla që mund të ishin kudo në çdo qytet të Europës e do të ishin nga shkollat e mira nga pikëpamja e gjithë kushteve që kanë. Djali foli për fushë sportive, unë po ju them, kur ne luanim basketboll dhe volejboll në atë kohë tjetër, stërviteshim tek pallati i sportit Asllan Rusi, të gjitha skuadrat.

Partizani kishte një palestër të vetën tek klubi sportiv që u gllabërua pastaj dhe kishim edhe një palestër tjetër që shkonim kur Pallati i Sportit ishte i zënë për një arsye apo një tjetër, tek Studenti, aty ngjitur me Pallatin e Kongreseve sot. Pra, Dinamo, Tirana dhe Studenti, kishin një palestër alternative e cila po ju them me plot gojën, ishte e pakrahasueshme me të gjitha palestrat e reja që janë ndërtuar këtu në Kamëz, e pakrahasueshme. Kështu që duhet ti shikojmë gjërat në perspektivë.

 

Unë e kuptoj shumë mirë që për një të ri të moshës suaj, ti thuash që shiko se duhet të presësh dhe 10 vjet të tjera që gjërat të bëhen dhe më mirë, mund të jetë e vështirë.  Sepse mund të thotë, “si do pres dhe 10 vjet? Unë e kam gati në Londër, e kam gati në Berlin, e kam gati në Milano, pse duhet të pres këtu”? Legjitime është ta mendojë, por ama nga ana tjetër, unë i them që këtu janë të gjitha mundësitë për të bërë sukses, me kushtin që të jesh i gatshëm të bësh një sakrificë të ngjashme me atë që je i gatshëm të bësh kur shkon atje, se atje shqiptarët bëjnë sukses edhe për faktin që nuk kanë as kushëri, mund të kenë kushëri që i presin por nuk janë kushëritë që i fusin në punë, nuk është partia që i jep një vend te ujësjellësi, nuk është bashkia që i rrinë tek dera kryetarit. Atje shqiptarët nuk njohin njeri, sot më ndryshe por dikur. Shkojnë atje e çfarë kanë atje? kanë mendjen, kanë energjinë e tyre dhe kanë ata pak miq e shokë me të cilët qajnë hallet por në mëngjes kur vrapojnë për punë janë vetëm, e prandaj bëjnë sukses. Këtu fillon historia tek kafja. Ndërkohë që kush e sheh suksesin këtu, e bën dhe këtu, nuk diskutohet.

Për sa i përket pjesës së qendrave, ju nuk keni çfarë më kërkoni mua. Ju duhet ti bëni me bashkinë, duke qenë ju aktivë. Për shembull, kishte tek shkolla ku ishim sot, një hapësirë fantastike që do bëhet bibliotekë sipas planit. Ajo bibliotekë është një vend ideal për të qenë dhe një qendër inovacioni. Bibliotekë dhe qendër inovacioni është dhe ajo e Korçës dhe është fantastike. Funksionon në mënyrë fantastike, e çfarë mund të bëjnë sot për shembull njerëzit e moshës suaj në Shqipëri, për shembull, se ka shumë gjëra. Njerëzit e moshës suaj në Shqipëri sot mund të bëjnë një kurs 6 deri në 12 muaj, në varësi të modeleve të ndryshëm që ka ky lloj kursi, të mësojnë gjuhën e huaj të teknologjisë, programimin, kodimin, et ë hyjnë në punë kudoqoftë nëpër botë pa lëvizur fare nga Kamza e të marrin rroga më të larta ose shumë më të larta se sa të gjithë ne që jemi këtu, me këtë punë. E kjo nuk është diçka që unë e kam parë diku e po vit jua tregoj juve në Shqipëri. Kjo është diçka që ndodh sot në Shqipëri. Ka vajza e djem në Shqipëri të cilët bëjnë këtë gjë e të cilët janë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e tyre, duke qenë në gjimnaz, jo më në universitet. Kjo është një gjë e mundshme.

Ashtu sikundër, janë të mundshme edhe plot gjëra të tjera. Prindërit tuaj kanë ardhur nga zona të tjera. Kanë lënë atje tokë, kanë lënë atje shtëpi. Ato toka dhe ato shtëpi, sado larg të jenë, janë në mes të disa bukurive që nuk i gjen askund tjetër përveç se aty e nëse ju, kur të mbaroni shkollën, shkoni atje dhe bëni një agroturizëm, të jeni të sigurt që atje do të fitoni më shumë se sa po të merrni rrugët për të bërë një punë të zakonshme, kudo qoftë në Europë.

– Përshëndetje! Jam studente e Arkitekturës. Unë duke e dashuruar profesionin tim, instiktivisht mendon të shohësh zonën përreth. Gjithë këtë bukuri që na e ka dhënë zoti, duhet ta rregullojmë e ta bëjmë më të dukshme. Mendoj që këtu është e nevojshme një amfiteatër, për ta bërë perfektë këtë zonë ku jemi.

Kryeministri Edi Rama: Tani, unë e kam pak ndryshe atë mënyrën, jo sot po kështu e kam pas gjithmonë edhe kur kam qenë sa ju. Nuk kam pasur kaq të mira sa keni ju, kam pasur shumë të këqija por këtë e kam pasur ndryshe. Në vend se të thoja se si duhet të bëhet për diçka që i përkiste talentit apo zanatit tim, unë e bëja. Kur po vinim këtu, unë i thashë një çikë këtyre duke qenë se kjo faktikisht parashikon që uji të vijë deri diku në mes, janë dy kuadrate nga i pari tek i dyti, që mund të kthehen në dy shkallare dhe menjëherë kjo bëhet një amfiteatër i madh.

Tani unë e thashë për shkak se unë thjesht një mendim mund të jap, ndërsa ti, si arkitekte e re që e ke ide, merr dhe nja dy të tjerë shokë, shoqe, shoqe më mirë se shokë, se shokët e kanë mendjen për muhabet, dhe bën një projekt. Bën një projekt dhe shkon tek kryetari i bashkisë dhe i thua: ne kemi këtë projekt. Të pëlqen? Mere e bëje. S’të pëlqen? Hajde ta diskutojmë. Do ta bësh ndryshe hajde kërko edhe variante të tjera po hajdeta diskutojmë dhe kështu bëhet. Ndërkohë që, gjëja tjetër këtu ka një potencial shumë të madh për të ndërtuar diçka që  e kanë bërë në Korçë për shembull, për të ndërtuar një fermë komunitare, pra një grup atje janë bërë një grup familjesh, këtu mund të jenë një grup prej jush që mund të ndërtojë këtu një fermë për të prodhuar këtu ushqime, të cilat pastaj ata ua çojnë njerëzve në nevojë, ju mund tua çoni kopshteve dhe çerdheve këtu dhe kështu ndërtohet një pjesë e këtij parku me një tjetër qasje, me një tjetër pamje dhe njëkohësisht me një dobishmëri të madhe. Një ide kjo, por përsëri këtë duhet ta bëni dhe jo ta thoni dhe jo të prisni që këtë ta bëjnë t tjerët për ju.

Është gjë e madhe që adresoni këtë organizmin që keni krijuar, por mos e trajtoni vetëm si organizëm që është vetëm për të dhënë mend, por edhe për të avancuar idetë përmes ideve konkrete dhe përmes nismash konkrete që pastaj të keni dhe më shumë gojë t’ia kërkoni bashkisë t’ju mbështesë sepse është konkrete dhe që t’i merrni përsipër jo po ne duam një amfiteatër këtu. Po mirë, e ça pastaj se doni një amfiteatër? Rrini. Jo, ne duam një amfiteatër dhe do ta bëjmë një amfiteatër dhe do fillojmë ta projektojmë një teatër dhe pastaj do diskutojmë për këtë, do gjejmë projektin më të mirë, pastaj do shkojmë do trokasim për financime dhe do ta bëjmë amfiteatrin.

 

– “Jam studente në departamentin e pedagogji-psikologjisë  në fakultetin e Shkencave sociale, në vitin e parë dhe gjithashtu jam edhe anëtare e Këshillit Rinor në bashkinë Kamëz. Duke qenë se jeni sot këtu, dua realisht t’ju falënderoj për konsideratën tuaj sepse flas sot si një e re, e cila dikur ka qenë një fëmijë periferie, një fëmijë adoleshente që vinte nga periferia dhe ka qenë gjithmonë me ketë emër e specifikuar, ndërsa sot jam një e re, e cila i është dhënë mundësia për tw folur, për atë që nuk i pëlqen në komunitet, jam një e re, e cila ka sot mundësinë për të qenë një qytetare e mirë, ashtu siç e thatë edhe ju, jam sot një e re, e cila gëzon mundësinë për të përfaqësuar diçka më shumë se sa veten time se sa një individ dhe më është dhënë mundësia për të dhënë mendimin tim për diçka që di shumë mirë dhe jam shumë e mirinformuar në këto momente dhe di mirë se çfarë të rinjtë duan dhe çfarë kanë nevojë. Dhe mund të them që të rinjtë e Kamzës nuk janë më ata të rinjtë që kalojnë kohën vetëm në kafe, por janë ata të rinjtë që kanë mësuar të aktivizohen, kanë mësuar të marrin pjesë në programe të ndryshme , kanë mësuar të marrin pjesë në trajnime të ndryshme që  janë organizuar nga bashkia, dhe për këtë dua t’ju falënderoj juve si qeveri që i keni dhënw bashkisë këto mundësi që të na i ofrojë më pas ne, sepse Kamza nga ai qytet i vogël prej të cilit ne donim thjesht të shpëtonim apo t’ia mbathnim, sot është ai qyteti që na ofron mundësitë, por  të punuar dhe për të jetuar këtu ku jemi, për të ndërtuar një qytet akoma edhe më të  mirë për veten sot por edhe për ata pas nesh nesër. Dhe duke shfrytëzuar mundësinë që po me jepet sot për të folur, do të kërkoja që bashkëpunimi qeveri-bashki dhe këshill rinor të vazhdonte, por edhe të rritej, qoftë nga ana e projekteve, qoftë nga ana e financimeve sepse di të them me plot gojën që të rinjtë e Kamzës nuk dinë të zhgënjejnë, të rinjtë e Kamzës dinë t’i çojnë gjërat deri në fund, dinë t’i mbarojnë punët e tyre   në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe besoj se kjo është gjëja për të cilën ndihemi më krenarë momentalisht, jo vetëm ne por edhe bashkia. Dhe thjesht dua t’ju them faleminderit bashkisë, gocave të bashkisë dhe ju që jeni sot këtu për mundësitë që na keni dhënë.

 

-Duke ju thënë faleminderit që jeni këtu sot, më pranë nesh, unë kisha dy problematika kryesore. E para, ju folët  për shkollat që janë ndërtuar, për gjimnazet që janë rindërtuar dhe për ambientet qe ato kanë. Unë jam maturante, dhe e kam filluar dhe po e mbaroj gjimnazin në një ambient të një shkolle 9-vjeçare me kushte te mjerueshme të themi. Z. Rakip Suli ka bërë shumë të mira për komunitetin tonë , për shumë shkolla të ndryshme që janë ndërtuar, ama premtimet që na ka dhënë, nuk i ka mbajtur dhe na ka dhënë një premtim se do ikim në një shkollë tjetër deri sa të ndërtohet 9-vjeçarja. Ne duam një gjimnaz tonin aty ku ka qenë, kjo ishte problematika e parë. Problematika e dytë është kjo: ju thoni që punë ka, por nuk ka profesionistë. Shumë të rinj po e mbarojnë universitetin me shpresën që do gjejnë një punë, por ka edhe shumë të rinj, nga ato qe po e mbarojnë universitetin pa shpresë fare dhe do të futen ne punë kamerierë ose shitës. Pyetja ime është, çfarë sigurie do i jepni ju të rinjve që do futen ne universitet dhe ta mbarojnë atë me nota sa më të shkëlqyera.

Kryeministri Edi Rama: Tani bastet janë të ndaluara në Shqipëri, kështu që unë nuk mund të vë bast, por po e them në mënyrë metaforike, që do vija bast që në lajme, do shikoni të shkëputur nga fjalët e vajzës  pjesën që kam bërë shkollën në kushte të mjerueshme, Rakip Suli s’ka mbajt premtimet, që është një fjali e vërtete për të, por është gjysma e të vërtetës për Kamzën dhe për kryetarin e bashkisë sepse nëse ka një vend ku ka pasur një bum shkollash të reja dhe jo shkollash të reja, por shkollash të reja që  mund të jenë në çdo qytet të Evropës, po ju them, unë kam jetuar në Paris dhe afër shtëpisë kishim një gjimnaz ku ne shkonim të luanim palestër, basketboll. Nuk ishte absolutisht i të njëjtës cilësi si i gjimnazit që pamë sot. Nuk ishte. Tani, prandaj dhe gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe sepse  kur e shkëput dhe jep vetëm atë, atëherë ti gënjehen, ndërkohë  që një informim i saktë për Kamzën do të ishte: Në Kamëz janë ndërtuar shumë shkolla, por ka ende të tjera që janë në kushte te mjerueshme dhe pse kjo është rruga e duhur për të informuar publikun? Sepse kjo i thotë publikut të vërtetën, por njëkohësisht i jep edhe atë dimension shpresë që ka  faktikisht në Kamëz dhe në të gjithë Shqipërinë puna që ne bëjmë. Mirëpo pasqyrat e informacionit vrasin dimensionin e shpresës me qëllim. Pra e marrin fjalinë e vajzës sot dhe faktikisht diçka të thënë për vete, për komunitetin e asaj shkolle  ne funksion të një nevoje që ata kanë, e kthejnë në manipulim dhe kështu për shembull ju s’keni asnjë faj, që e para një herë, mos shihni lajme. E para! E dyta, po patë lajme kini parasysh që 80% janë gënjeshtra. Pse? Sepse janë gjysmë të vërteta. Kur ju tregojnë disa njerëz që po hedhin mollët sepse nuk i shesin dot, ju thonë faktikisht një të vërtetë, por është vetëm gjysma e të vërtetës së madhe që nga njëra anë e rrugës janë disa që i hedhin mollët, nga ana tjetër e rrugës janë disa të tjerë shumë më tepër se këta, që mollët i mbledhin dhe i eksportojnë dhe në një vend ku eksportet bujqësore janë rritur nga pak a shumë 120 milionë dollarë që ishin kur ne nisëm këtë punë, drejt gjysmë miliardi dollarësh me shumë gjasë këtë vit, do të thotë që ata të cilët kanë këto problematika nuk janë shumica.

 

Mirëpo duke i marrë dhe duke i nxjerrë vetëm ata nëpër pasqyrat e informimit, duket sikur ata janë shumica dhe natyrisht që kjo vret shpresën e atyre që shohin dhe s’kanë lidhje fare me fshatin dhe se dinë fare çfarë bëhet në fshat. Dhe kështu mund t’ju sjell shembuj plot sesi gjysmë të vërtetat përdoren nga pasqyrat mediatike për të vrarë shpresën. Përsa i përket pyetjes tjetër, e para, unë e kam thënë denbabaden që politika arsimore e ndjekur në atë kohë me hapjen e universiteteve në të katërta anët dhe me nxitjen e fëmijëve për të shkuar nëpër universitete për të marrë diploma, shumica e të cilëve bëheshin juristë do të sillte pasoja të mëdha sociale sepse do të krijonte një ushtri të madhe të papunësh. Çfarë ofron një jurist sot, me një diplomë për tregun e punës? Ma thoni dot çfarë ofron, meqë doni siguri. Çfarë ofron? Ose do punojë në sistemin e drejtësisë që sidoqoftë ka shumë më pak vende sesa juristë janë prodhuar në vite, ose do punojë në shtet që sidoqoftë janë shumë më pak dhe shumica e vendeve janë të zëna, ose do të hapë një zyrë avokatie. Ose do të punojë si këshilltar juridik në një ndërmarrje, këto janë.

Tani shkoni jashtë dhe pyetini bashkëmoshataret tuaj, ku të doni ju, në çdo vend të botës. Në Angli, ata që shkojnë në universitet, thuaji: sa i sigurte je ti që do gjesh një vend pune në profesionin tënd? 90%, 95% do t’ju thonë: nuk e di. Sepse nuk ka siguri në këtë sens, nuk ekziston kjo askund. Tani ky juristi që këtu në Shqipëri rri në kafe dhe pretendon, sepse më kujtohet një skenë me jurist ekzaktësisht kur ishim duke bërë një godinë atje në Durrës. Ishte një kafe atje poshtë dhe më thanë: ‘na gjej ndonjë punë o boso”! I thashë, “hajde këtu lart”. “Ah jo”, – tha, “ne jemi juristë”! Kur shkon jashtë ky juristi, as nuk i shkon mendja t’ia thotë njeriut: jam jurist. Por shkon dhe kap punën e parë që gjen. Dakord? Ndërkohë që po ju them pse është e vërtet ajo që, po e përsëris prapë sot, nuk ka në Shqipëri. Unë nuk e kam gjetur akoma, një kompani e cila të mos ketë vende të lira pune, nuk ekziston, por dhe dëgjojeni me vëmendje këtë, nuk janë vende të lira pune për punë të rëndomta, pra nuk është se kanë vende të lira pune dhe s’gjejnë dot pastruese. Përkundrazi, aty s’kanë, aty i kanë plot. Janë vende të lira pune që kanë nevojë për zanat, kanë nevojë për specializim dhe duhen njerëz që të shkojnë, që edhe pse nuk  e kanë atë specializim, thotë unë jam i gatshëm që të marr gjithë trajnimin e nevojshëm që ta bëj këtë specializim.

E fundit, pagat. Ishim para se të vinim këtu, tek një fabrikë që prodhon për Francën dhe për Gjermaninë, objekte druri, aksesorë druri. Aty punonin dhe 100 gra. Paga më e ulët neto mbi 400 mijë lek për një punë dhe pastaj 500 dhe më lartë. Nuk është e vërtetë që pagat në Shqipëri janë 250 mijë lek siç thonë, e kundërta është e vërtetë, që një pjesë e pagave në Shqipëri nuk deklarohen. Jepet në të zezë, ky është problem. Kështu që çfarë duhet të them me gjithë këtë? Dua të them që ja ku jam unë për shembull personalisht. Unë kam mbaruar shkollën për pikturë, në kohën kur bëhej shkolla e lartë për pikturë që ishte koha kur unë  e mbarova, merrnin shumë pak studentë. Pse merrnin shumë pak studente? Merrnin shumë pak studente se atëherë ishte sistemi që kush është me shkollë të lartë do shkojë në një punë shteti, se atëherë shteti ishte dhe ishte e planifikuar. Merrnin shumë pak studentë të cilët pastaj shkonin punonin nëpër punë shteti mësues, kryesisht, ose pedagog.

Sot shkolla ku unë kam qenë merr shumë studente për pikturë, çfarë t’i bëjë shteti këtyre studentëve për pikture? Mund të ma thoni për kuriozitet, çfarë mund të kërkojnë ata nga shteti? Më tregoni një vend tjetër, nga SHBA, në Francë, në Angli, në Suedi, ku ata që mbarojnë për pikturë, shteti iu gjen punë. Ka patjetër disa prej tyre që punojnë mësues apo pedagog, por përtej kësaj, kush i hyn asaj rruge merr përsipër të punojë me atë zanat, duhet të adaptohesh. Ose duhet të jetë në treg si artist që shet po pati fatin ta bëjë një gjë të tillë. Sot mundësitë janë shumë më të mëdha për shkak se sot një artist nuk ka nevojë të jetë në Paris që të shesë, por mund të shesë dhe nga shtëpia online, mund të ketë faqen e vet, ka plot galeri online, ose do adoptohet dhe të shkojë të punojë për dikë duke vënë disa prej dijeve të tij në dispozicion ose do bëhet bojaxhi.

Kështu që ideja që në Shqipëri nuk janë mundësitë, se në Shqipëri nuk ta sigurojnë vendin e punës direkt sa del nga universiteti është ok, por këtë gjë nuk ta siguron asnjë vend i botës, nuk ekziston kjo. Arsyeja pse, dhe kush bën sukses këtu? Këtu bëjnë sukses, nuk flas për pjesën e shtetit. Këtu bëjnë sukses në sektorin privat ata njerëz që sillen njësoj si jashtë shtetit, që nuk kërkojnë jo po kush do ma bëjë këtë, por i hyjnë punës dhe e bëjnë dhe këtu kam parasysh njerëz që kanë ardhur nga emigracioni, që kanë bërë këtu shumë gjëra dhe që vazhdojnë vijnë dhe bëjnë gjera dhe nuk bëjnë lajm, nuk bëjnë zhurmë, por po të shkosh në vendet ku ata punojnë, e kupton që këtu ata fitojnë më shumë dhe po e mbyll me dy djem në maj të malit në Tropojë.

Po të ishit atje, ta shikonit atë majën ku ishin ata që unë nuk vajta deri atje, do thoshit nuk ka mundësi që atje të ketë njerëz. Atje duhet të ketë vetëm ujq, por ata kanë bërë një biznes atje dhe ju këshilloj të shkoni atje. Quhet Kodra e Gështenjave, e kanë vënë në anglisht “Chestnut” dhe bashkë me një djalë tjetër, nga Tirana ai, po ta shikoje të veshur ai ishte për top model Instagrami, kuzhinier në “Chestnut Hill”, një familje atje, kuzhinieri bënte eksperimente me kuzhinën dhe me ato produktet e vendit dhe pyetja është shumë e thjeshtë, pse u kthyen ata nga Anglia dhe përfunduan në “Chestnut Hill” për atdheun mendoni ju? Vajtën atje që të harxhojnë gjithë lekët që fituan në Angli dhe t’ia lenë atdheut e pastaj të rrinë atje t’i hanë ujqërit? Jo, sepse atje fitojnë më shumë. Kaq e thjeshtë është. E si fitojnë ata më shumë atje? Ata fitojnë atje më shumë për një arsye shumë të thjeshtë sepse kush ndërton një bujtinë në një vend magjik dhe Shqipëria është një vend magjik ngado që të kthesh kokën, e sjell jashtë shtetin atje. Tjetër është që të të them tani shko ngjitu e bëj një fermë, prodho dhe nxirr në treg se do thuash s’kam rrugë, s’kam kështu s’kam ashtu, ndërkohë që atje vijnë vetë njerëzit, vijnë turistët.

Në një vend ku në Tropojë, imagjinoni në Tropojë, numri i turistëve vendas apo të huaj i ka kaluar 100 mijë, do të thotë që është një treg i cili do të shkojë duke u zgjeruar. E për çfarë shkojnë ata atje? Shkojnë për natyrën, po do shkojnë dhe të hanë dhe të flenë e të shijojnë produktet, do shkojnë dhe të dëgjojnë muzikën, të blejnë dhe veshjet popullore e të tjera. E kështu, kush e ka mendjen në vend dhe kush është i gatshëm të bëjë sakrificën fillestare, atje është zot në vend të vet, fiton shumë më tepër sesa kudo qoftë nëpër botë, flasim në raport me punën, se mund të jetë dikush që bën ndonjë raketë dhe fiton më tepër se ai, por flas për këtë lloj pune dhe faktikisht tregon se e kundërta është e vërtetë. Në vendin tënd ti mund të arrish çdo gjë nëse ke vendosmërinë që t’i shkosh deri në fund gjësë që kërkon.

Do na falni se po ma bëjnë me shenjë gjatë gjithë kohës që duhet të ikim se kemi takime të tjera. Do takohemi përsëri me siguri dhe unë shpresoj që oponenti këtu të më ftojë kur do inauguroni këtë fermën për komunitetin.

 

Faleminderit!

Previous Manastirliu në Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore: Do të ndërtojmë një qendër emergjence mbështetëse në Vlorë