Të rinj dhe të reja të Dibrës, nxënës dhe studentë, jo vetëm të mençur nga natyra, por edhe studiozë dhe sistematikë në mësime, bashkëndanë sot me Kryeministrin Edi Rama, kërkesat e tyre lidhur me cfarë mund të bëhet më shumë e më mirë për arsimin, sportin, teknologjinë, infrastrukturën në qytetin të tyre dhe jo vetëm.
* * *
– Përshëndetje! Qyteti i Peshkopisë është disi i vogël, por është i bukur dhe ka hapësira që duhen shfrytëzuar. Një kërkesë, në qytetin tonë të krijohej një qendër inovacioni për teknologjinë ku gjithë të rinjtë të shkojnë të aftësohen më shume, dhe pse jo të bëhen dhe konkurse.
– Mirë se erdhët në Dibër. Jam aktiviste në shumë organizata joqeveritare. Kam qenë gjithnjë e vullnetshme për evidentimin dhe zgjidhjen e problematikave të bashkëmoshatarëve të mi. Një ndër to ka qenë dhe hapja e një qendre rinore, ku mund ta them si një histori suksesi. Tashmë është drejt hapjes. Ajo që ne duam nuk është thjesht një zyrë, por të kemi një qendër rekreativiteti. Zyra studimi, takime, argëtimi dhe për zhvillimin e talenteve të reja.
– Kërkesa ime është për ndërtimin e këndeve të lojërave në pjesën e lulishteve ku qëndrojnë grupmosha të ndryshme. Fëmijët luajnë rrugëve, kjo gjë është e rrezikshme. Nëse do ndërtohen këto kënde lojërash në këto hapësira publike e të sigurta do ishte diçka shumë e mirë për ne.
Sot po flas si një punonjëse dhe mami e re. Më lind ideja për të projektuar të ardhmen e fëmijës dhe familjes po në Dibër. Nga kjo më lind nevoja sesi të siguroj të ardhmen e fëmijës tim këtu dhe kjo më paraqitet me një çerdhe për fëmijën ku të ndihem e qetë që fëmija është i sigurt ndërkohë që unë jam në punë.
– Dy problematika, e para është për programin që ka zhvilluar qeveria për krijimin e ekipeve sportive duke qenë se jam pjesë e ekipit të basketbollit. Do doja ngritjen e disa hapësirave të reja ku të rinjtë ta kenë tepër të lehtë për tu marrë me sportin dhe pse jo të krijonë dhe konkurse. Një problem tjetër, duke e lidhur me pjesën që ju keni qenë një ish-ministër Kulture, hapjen e një kinemaje ose krijimin e një teatri të ri në qytetin e Peshkopisë, ose shfrytëzimi i ambienteve të cilat ndodhen te bulevardi “Elez Isufi”.
– Jam nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit dhe kam talent në interpretim. Para pak ditësh fitova vendin e parë në konkursin e fjalës artistike që u bë në qytetin tonë dhe kam pasion leximin. Një nga problematikat që has, është vetë biblioteka. Mungojnë shumë libra të maturës bazë, ka libra në numër të vogël kopjesh, libra të vjetër e u mungojnë faqet. Ambientet nuk janë të përshtatshme për studim dhe besoj se një investim do ishte shumë i nevojshëm për Dibrën dhe dibranët.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Së pari, më vjen mirë që edhe këtu në këtë zonë, dje në Mat, në Burrel, edhe këtu po ashtu ka të rinj të cilët e kanë hapur rrugën për tu punësuar në tregun e madh global online dhe për të marrë paga shumë më të mira sesa kryetari i bashkisë ose sesa ne të tjerët që jemi këtu sepse përndryshe do të ishte e vështirë për ta treguar këtë, do të tingëllonte si një përrallë, por në fakt është një realitet botëror që nuk ka lidhje fare me gjeografinë, nuk ka fare rëndësi se ku ndodhesh, ndodhesh në Londër, a ndodhesh në Tiranë, a ndodhesh në Dibër, a ndodhesh në Xibër, nuk ka rëndësi, mjafton një kompjuter dhe aftësia për të hyrë në atë treg, domethënë, t’i ofrosh tregut një aftësi. Dje, ai djali që mori fjalën para sesa të bëhej takimi me të rinjtë tek parku Mbretëresha Geraldinë në Burrel ishte duke punuar tek lokali aty, “Tarzani” dhe punonte jashtë shtetit.
Ashtu sikundër, se mbase keni dëgjuar, por unë do vazhdoj ta përsëris, ajo vajza që më shpëtoi mua nga përqeshja kolektive kur e hapa këtë bisedë në Durrës me një grup të rinjsh, ishim bashkë me Borën për konsultime për strategjinë rinore, që meqë ra fjala përfundoi pas një konsultimi shumë të gjerë dhe unë po i thosha që “Ju, nëse doni që tani të hyni në punë, të vazhdoni shkollën njëkohësisht dhe të merni paga disa fish më të larta se pagat që janë në Shqipëri mund ta bëni këtë gjë duke mesuar programimin, kodimin dhe duke hyrë në tregun online”. Ata filluan të më shikonin si UFO. Ajo vajza mori mikrofonin dhe tha “Pse qeshni? Unë jam një nga ata, unë banoj në Shënavash, Shënavlashi është si të shkosh në Xibër nga qendra e Burrelit aq larg, dhe një zonë rurale jo e lehtë, familja e saj e ardhur në Shënavlash të Durrësit, “Unë dal nga shtëpia për të ardhur në shkollë dhe kthehem në shtëpi për të shkuar në punë dhe nga shtëpia punoj në Amerikë dhe Poloni”. Ajo ishte 16 vjeç dhe “kam që 11 vjeç që unë e bëj këtë punë dhe të ardhurat kryesore, familja i ka nga unë”, domethënë nga vajza.
Ky është realiteti i ri i teknologjisë dhe këto janë mundësitë e jashtëzakonshme që ofron teknologjia sot, që edhe nga këtu mund të shkosh të futesh në zyrën tënde në një kompani në çdo cep të botës dhe të ofrosh aftësinë tënde. Është një treg me 16milionë vende bosh, sot që flasim.
Çfarë do bëjmë ne për këtë? Ne kemi filluar procesin, kemi një qendër fantastike të mësimit të programimit, robotikës, kodimit në Tiranë, por është pak. Po bëjmë qendrën e re të teknologjisë, që do jetë më e madhja në Ballkan tek Piramida dhe atje përsëri do të gumëzhijë nga të rinjtë e të tjerë. Por, prapë është pak.
Për këtë arsye, me programin e ri të arteve dhe zejeve që koordinohet nga Bora si ministër i Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, ne do të hapim në fillim të vitit të ardhshëm në 200 shkolla kurset e pasdites për kodimit dhe kur them 200 shkolla, kuptohet që nuk ka rëndësi nëse është shkolla jote apo jo, ti mund të shkosh në kurs tek ajo shkollë, do vihen në dispozicion mjediset.
Me futjen e kodimit që në klasë të parë, ne kemi dhe një program tjetër për financimin pjesërisht të këtyre kurseve, që janë kurse jo të lira dhe për këtë arsye, për një numër të caktuar nxënësish që kanë të ardhura të pamjaftueshme në familje për të ndjekur këto kurse dhe që dëshirojnë t’i ndjekin dhe që përzgjidhen nga ata që i bëjnë kurset dhe jo nga ne, ne do të financojmë një pjesë ose plotësisht, varet nga kategoritë e këtyre bursave,
Ashtu sikundër, po angazhojmë edhe kompanitë duke i vetëdijesuar që ata janë të parët që duhet të jenë të interesuar për të financuar individë që pastaj merren dhe vihen në dispozicion të kompanisë, që jo vetëm merret kjo aftësi, por edhe një vend pune këtu në kompani të cilat kanë shumë nevojë për njerëz që njohin teknologjinë dhe nuk gjenden lehtë ose nuk gjenden fare.
Tjetra është pjesa që ju folët që ka të bëjë me artin, kulturën dhe argëtimin. Edhe këtu kemi një program tjetër, komponent tjetër të artit dhe zejeve, për pikturën, muzikën, aktrimin, recitimin e kështu me radhë, që përsëri do hyjë në funksion në fillim të vitit të ardhshëm.
Sporti është komponenti tjetër, janë krijuar skuadrat, ne po bëjmë tani me Komitetin Olimpik Shqiptar të cilëve iu kemi dhënë një fond të konsiderueshëm në dispozicion për këtë, marrjen e gjithë uniformave sportive, topave, tutave, këpucëve, çantave që të jenë tamam skuadra në këtë pikëpamje se mua më kujtohet kur ishim në moshën tuaj dhe luanim, kënaqësia më e madhe ishte të merrje ato tutat, atë çantën e skuadrës.
Do të fillojmë kampionatet në nivel bashkie, në nivel qarku dhe pastaj në nivel kombëtar. Është hapi i parë, por sportin duam ta bëjmë komponent të rëndësishëm të shkollës, siç e kanë edhe vende të tjera, që nga 9 vjeçarja deri në universitet, madje dhe me pikë të caktuara për ata që merren me sport, por kjo do të kërkojë disa vite që të arrijmë në një nivel të sportit amator në shkollë dhe universitet që të jetë nivel realisht i lartë. Do fillojmë pak nga pak. Është bërë trajnimi i trajnerëve, sepse dhe kjo është pjesë që është problem sepse duhen jo thjeshtë mësues fizkulture që thonë “Gjuaje tek koshi ose kaloje matanë rrjetës”, por duhen njerëz që kanë një aftësi të veçantë në këtë punë, një njohuri specifike, dhe do të bëjmë një hapje të madhe në Tiranë dhe pastaj do të fillojmë kampionatet. Për sa i përket këtyre që thatë lidhur me qytetin do më falni, por i kemi ndarë punët, i ka zotëria këtu edhe bulevardin, edhe çerdhen, edhe këndet e lojërave, edhe bibliotekën megjithëse tek biblioteka ne siç bëmë me universitetin po shikojmë mundësitë që të bëjmë edhe për gjithë nxënësit e interesuar të gjimnazeve të krijojmë, të kemi module librash online, po e shikojmë edhe këtë mundësi siç është biblioteka e universitetit që ka shumë tituj dhe nuk ka nevojë për të marrë librin fizik por kjo nuk do të thotë që kryetari i bashkisë ta heqë këtë nga lista e të thotë: “jo se këtë do ta bëjë qeveria online”, të jemi të qartë.
Ndërkohë që për bulevardin unë e di si shqetësimin por mendoj që aty ka dhe një qasje tjetër se aty problemi i krijuar nga ata gurët e Përmetit që lëvizin, që thyhen duhet parë dhe si mundësi. Çdo krizë sjell me vete dy qasje të ndryshme, të mundshme. Ose të thuash: “boo”. Ose të thuash: “çfarë ka këtu për të mësuar”?
Ka një shprehje shumë të bukur që thotë: “mos e lër krizën të ikë kot”. Krizat vijnë jo për mirë, vijnë për keq por njeriu duhet të përpiqet t’i kthejë për mirë, që të dalë më i fortë nga një krizë që krijohet. Kështu edhe një komunitet, kështu edhe një shoqëri. Për shembull, sot kriza e madhe e çmimit të energjisë e ka futur gjithë botën perëndimore në një situatë marramendëse, por edhe përgjegjësie për të bërë atë që përndryshe as kishin për ta bërë kurrë, vetëm e shtynin tranzicionin energjetik nga energjia e prodhuar me burime tradicionale ndotëse tek energjia komplet e rinovueshme. Dhe tani ka një rendje marramendëse drejt parqeve diellore, drejt burimeve të erës dhe natyrisht dhe burimeve hidrike kështu që faktikisht kriza po shfrytëzohet nga halli, por për një transformim kolosal që do të mbrojë planetin nga kërcënimi i madh i ngrohjes globale në një mënyrë që ndryshe s’kishte për tu bërë se “jo janë zgjedhjet, jo po prit”.
E fundit që unë kam është që ne na duhet patjetër që të shkojmë në krijimin e një zinxhiri qendrash informacioni në bashkëpunim me bashkitë ndërkohë që qendrën rinore do ta keni, jo se po e them unë që do ta keni por se ndërkohë është bërë edhe projekti dhe plani i financimit, kështu që do financohet nga Agjencia e Rinisë në bashkëpunim me bashkinë dhe qendrën rinore do ta keni. Çështja është që sot ne na duhen qendra të cilat të kenë shumë kënde, në kuptimin që aty të jetë edhe teknologjia, aty të jetë edhe arti, aty të jenë dhe aktivitetet e tjera dhe të mos mbeten bosh ose të mos mbetet thjeshtë nga një grusht njerëzish që mblidhen aty për të bërë muhabet.
Ndërkohë lajmi i mirë është që sot këtu kërkesat janë në një nivel tjetër sepse për shembull tani Dibra ka ujë 24 orë, apo jo? Tani unë dëgjova që ankesat janë që ka shumë presion uji. Deri para një jave, domethënë 500 vjet deri një javë përpara ishte problem ulërima e rubinetit e nuk dilte uji, fishkëllente rubineti të shurdhonte. Tani është problem se vjen fort. Këto janë probleme që nuk i zgjidh dot qeveria, hape rubinetin pak me avash dhe s’ke çfarë bën. “Na vjen me presion shumë të lartë”, na tha njëri, po mirë dakord, në rregull, na fal që ta sollëm ujin.
Në ndërkohë do fillojë të ndërtohet se është futur në planin e buxhetit të ardhshëm edhe rruga e Maqellarës me Peshkopinë që lidhet direkt pastaj me rrugën e Arbrit dhe nga bulevardi deri te bulevardi tjetër në Tiranë është njësh rruga. Kuptohet që duke pritur me shpirt nëpër dhemb që ai tuneli i Murrizit të mbarojë se ka një gjeologji të keqe që janë gjëra që ndodhin dhe kjo bën që kompania të eci shumë avash, një metër në ditë, ndërkohë që 24-25 metra në ditë bëhen në tunelin e Llogarasë sepse formacioni gjeologjik është tjetër, por këto janë probleme që i ka jeta nuk kemi çfarë i bëjmë. E rëndësishme është që sot që flasim pa mbaruar e gjitha rruga, Dibra është kopshti i gjelbër i Tiranës dhe me potenciale të jashtëzakonshme për tu bërë ai vend që kanë patur në kokë ata që jetonin këtu apo ata që vinin me premtime dhe pastaj iknin dhe i harronin premtimet. Dhe jo vetëm rrugën e Arbrit, por shumë gjëra të tjera dhe sot po të shikoni rreth 30 bujtina dhe agroturizma që janë në Dibër, është një eksperiencë që tregon që fara e së ardhmes ka filluar të çelë, kuptohet për tu bërë pemë do dojë kohën e vetë, por ka filluar të çelë dhe kush ka një shtëpi sado të rrënuar në fshat, ose një copë tokë të trashëguar aty e ka biznesin e së nesërmes, aq biznes sa të fitojë minimumi dyfishin e asaj që do të mund të fitojë nëse merr rrugët e kurbetit dhe bën një punë atje për të tjerë, minimumi se nuk po ju jap shembullin e atij djalit të Kampingut të Fluturave e tjetrit e tjetrit, por minimumi.
Kur flasim për punë, kur flasim që shteti ta sjelli punën te shtëpia, t’i bjerë dhe derës dhe të thotë çohu nga gjumi se ta solla punën te shtëpia kjo është pak më e ngatërruar. Por kur flasim për mundësi dhe për punë, natyrisht që është legjitime sidomos për moshën më të re që të dojë shumë më tepër, shumë më shpejtë dhe për këtë arsye të shkojë atje ku është pika më e ndehtë siç kanë shkuar dikur në të shkuarën e largët gjyshërit, stërgjyshërit tanë në Amerike e në perëndim, siç të tjerë pastaj në Itali e në Greqi edhe të tjerë sot në Gjermani e në Angli, është normale. Është një periudhe historike kjo që çdo vend e kalon. Po i thoja atyre sot, norvegjezet quhen sot sheikët e bardhë të Europës ndërkohë Norvegjia ka një nga historitë më tragjike të ikjes. Po të ikjes nga uria, me të vdekur nga uria jo me vdekje nga uria në facebook. I doli nafta dhe gazi me shumicë edhe sot është histori tjetër. Nëse dhe ne na behet mbarë nafta dhe gazi në Shpirag që presim me padurim të marrim vesh më në fund a do jetë apo s’do jetë komerciale sepse është gjetur sasi e konsiderueshme, atëherë në disa vite këtu ndryshim komplet loja nga kjo pikëpamja por edhe pa atë edhe këtu mundësitë janë gjithmonë e më shumë, jo gjithmonë e më pak por po të rrish në televizor e të shohësh në televizor duhet të ikësh me vrap sot, jo të presësh nesër, madje hajde më merr dhe mua dhe thuaj hajde ikim, po të shohësh televizorin. Se me çfarë helmi dhe se me çfarë gjysmë të vërtetash që janë dhe rrenat më të mëdha. Rrena më e madhe është gjysmë e vërteta kurse rrena safi është më pak e rrezikshme sesa gjysmë e vërteta.
Sot nuk mund të diskutojmë ne a jemi a s’jemi në luftë se nuk është një gjë që e vendosim ne këtu dhe nuk mund të diskutojmë ne që vërtetë është rritur çmimi i energjisë elektrike, por “ne nuk ka pse të na rritet sepse ne kemi lumenj”, se nuk e sjell lumi dritën te priza. E sjell sistemi elektroenergjitik, e sjell hidrocentrali që kthen ujin në energji dhe hidrocentralet tona edhe po të jenë plot ndërkohë që “miku” atje lart vetëm qesh, ka gjithë këto kohë që s’po qan, por po qajmë ne që shohim dhe kemi arritur në pikën që flas unë, Belinda, kush merret tjetër me këtë punë që kur shohim në mëngjes diell shqetësohemi, kur ka shi kënaqemi. Kënaqësia është gjithmonë e më pak, shqetësimi gjithmonë e më i madh. Atje në hidrocentral uji shkon poshtë e më poshtë, por edhe kur është plot çdo hidrocentral, çdo bazë prodhuese ne prodhojmë 75% të asaj që na duhet. Për 25% duhet të dalim jashtë.
Lufta është reale sepse ai atje nuk e ka me Ukrainën. Ukraina është sebepi. Nuk e ka nisur gjithë këtë për ato copat në Ukrainë. Nuk po bombardon e sakaton për Ukrainën. Është “basti” për të gjunjëzuar gjithë pjesën në Perëndim të Rusisë, rezulton që jemi dhe ne. Jemi pjesë e kësaj gjësë, duam, s’duam ne. Për të na gjunjëzuar si, në çfarë forme, përderisa bombat hidhen në Ukrainë, nuk vijnë këtu, me inflacionin e luftës dhe me kthimin e burimeve të energjisë në armë kundër tjetrit.
Dihet që Rusia ka burimin bazë të furnizimit me gaz për një sërë vendesh, Gjermania, Italia e të tjerë që janë shtyllat e Europës. Është shkurtuar 75% furnizimi. Sigurisht që rritet çmimi, por kjo ndikon edhe te energjia elektrike. Ne, sado të bëjmë sikur s’është, ajo është. Edhe inflacioni që vjen, s’është as si tërmeti, se për fat të keq vrau disa, shkatërroi disa mijëra të tjerë, por nuk erdhi këtu. shumica e njerzve u solidarizuan me atë pjesë të popullit dhe nuk u prekën. As si pandemia, që pavarësisht se preku një pjesë, një pjesë tjetër nuk i preku. Inflacionit nuk ke ku i ikën fare. Sepse do hash dhe në momentin që nxjerr dorën për të paguar, të vjen një dorë e padukshme e thotë “dua pjesën time”. Çfarë bëjmë ne për këtë?! Ne bëjmë këtë që sot inflacioni në Shqipëri është më i ulti në rajon, sepse ne po mbrojmë çmimin e energjisë. Nëse ne do t’ia kishim rritur çmimin e energjisë atij atje, gjithçka që shitet aty, do shkonte më shtrenjtë. I kishte hapur dritat kur shkova unë, i kishte të gjitha të hapura. I hapa për ty, tha. Si i hape për mua?! Ato i financon qveria. 80% të çdo llampe e paguan qeveria. Edhe bizneset edhe familjet. Sepse kështu mbrohen familjet, duke i paguar.
Po të shohësh televizorin është histori tjetër komplet. Po të shohësh, të gjitha ato që kërkoni ju i kam bërë unë me fluturime, me taksi në ajër. I bie, me gjithë atë lekë që kam harrxhuar për të fluturuar, ishin bërë të gjitha ato që kërkuat po të shohësh televizorin.
Është një rrenë ekstreme. E qëllimshme. Pse?! Për t’ju bërë ju që të mos doni të shikoni me sy veten, e jo më të shihni me sy qeverinë, e jo më të angazhoheni po të thoni të iki nga sytë këmbët se këtu ka ardhur punë, që ky pallosh 2 metra, gjithë lekët tona i përdor për të ndejtur në ajër. Si i bëhet me këtë lloj rrace?! Me këta lloj shqiptarësh që janë llumi, i llumit të llumit të këtij populli që furnizojnë televizorët me rrena, rrena, helm, helm.
I bëhet që të ecim drejt përpara. Të bëjmë gjithçka që mundemi e të mundohemi të kuptojmë çfarë është e vërtetë, e çfarë është rrenë. Është gjithmonë e më e vështirë, se nuk është çështja në Shqipëri. Kjo është në gjithë botën, po këtu është me e eksagjeruar. Të mundohemi të kuptojmë çfarë është e vërteta, të informohemi nga burimet e painfektuara ose pjesërrisht të infektuara se painfektuar fare është zor të gjesh.
Ju falenderoj shumë dhe kini shumë besim që Zoti nuk ja ka dhënë kot gjithë këtë bukuri këtij vendi. Ka pasur një arsye. Kini shumë besim që është bekim të lindësh në këtë vend, nuk është mallkim.
Për shkak të njerëzve, shpeshherë duket si mallkim, por nuk është mallkim. Kini shumë besim dhe kush beson e duron, edhe fiton.
Faleminderit!