Peshkopi, me njerëzit dhe për njerëzit në prezantimin publik të bilancit mbi punët e bashkisë dhe perspektivës së të ardhmes - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Peshkopi, me njerëzit dhe për njerëzit në prezantimin publik të bilancit mbi punët e bashkisë dhe perspektivës së të ardhmes

Me qytetarët dibranë, të rinj e të moshuar, dëshmitarë të punëve të kryera të bashkisë, por edhe kërkues këmbëngulës për çdo të bëhet në të ardhmen, vijoi bashkëbisedimi i Kryeministrit Rama pasditen e kësaj të shtune në Peshkopi.

* * *

Shumë faleminderit për këtë pjesëmarrje dhe shpresoj t’ia vlejë për ju që dëgjoni dhe një fjalim tjetër nga ana ime. Kujdes frigoriferin në darkë se mund t’iu dal dhe në frigorifer!

Ndërkohë, për të qenë i qartë, se unë e di shumë mirë që këtu ju, jo të gjithë e doni Astritin, unë e dua shumë Astritin por për ta puth, e putha si qeros, jo si Astrit, se gjeta solidaritet se është shumë e çuditshme por në Dibër ka shumë pak qerosë. Nuk e di a e keni vënë re, ka shumë pak qerosë në krahasim me vendet e tjera.

Ndërkohë, dua ta shpreh që jam realisht shumë i kënaqur që me Rahimin i kemi gjetur kësaj bashkie njeriun e duhur, që me urtësinë dhe butësinë e tij, Rahimi ka bërë për vete njerëzit, por për urtësinë dhe butësinë njerëzit e zgjodhën ndërkohë që tani ai po tregon se përveçse i urtë dhe i butë, ai është i palodhur, se kemi pasur dhe të urtë e të butë të tjerë por lodheshin shpejt, e mbani mend?

Megjithatë, dëshiroj që të them disa gjëra pa hyrë në detaje për punët e bashkisë sepse ato ju i dini vetë dhe Rahimi i tha por sidoqoftë ia vlen të përsëritet fakti që sot, aktualisht që flasim, prej disa ditësh, pas 500 vjetësh, uji 24 orë ka ardhur në të gjithë shtëpitë tuaja dhe është në çezmat e të gjithë dibranëve. Sigurisht, mbeten disa pika të largëta, por janë 35mijë familje të cilat marrin ujin në shtëpi. Kjo është një gjë jo e vogël.

Shpeshherë dëgjohen zërat, “Ça jeni ju që akoma flisni për ujin 24 orë, këtu bota ka shkuar në Hënë”! Dakord, por problemi është që kur ne morëm detyrën, Hëna nuk shihej se ishim komplet në gropë. Kështu që, ça të bënim? Mos ta bënim, meqë bota ka shkuar në Hënë? Kështu që, ne na ra edhe t’i çojmë satelitët lart, edhe të hapim kanalet poshtë.

Sot, me thënë të drejtën filluan prapë ankesat, “E kemi me presion të lartë”. Deri dje, ishte bo fyti rubinetit ngjirë komplet e hapje rubinetit e nuk dilte uji, sot e kemi me presion të lartë. Po mirë, hapeni dhe rrini larg, ça të them unë. Ça të them unë tani, si i bëhet punës së presionit. Çojeni në Luzni, siç tha Rahimi: “Ta çojmë në Luzni se kemi shumë ujë”. Megjithatë, na duhen këta që ankohen për presion të lartë se i kemi si hudhra që mos të marrin më sysh.

Ndërkohë, dua t’i kthehem prapë çështjes së energjisë, për arsye se ne po bëjmë një sforco të jashtëzakonshme që të mos lejojmë që çmimi i rritur i energjisë të prekë familjen dhe të prekë biznesin e vogël sepse kjo nëse do të ndodhte do të sillte menjëherë një rritje të çmimeve të të gjitha produkteve në çdo lloj dyqani ku njerëzit shkojnë për të blerë, që po t’i rritej fatura direkt, do të reflektohej në çmime dhe atëherë do kishim një inflacion njësoj si gjithë vendet e tjera të rajonit.

Sot e kemi inflacionin më të ulët në rajon pikërisht sepse i kemi vënë një mburojë financiare çdo familjeje dhe çdo biznesi të vogël dhe dëshirojmë dhe duam me çdo kusht që ta mbajmë këtë mburojë financiare që do të thotë që në faturën e energjisë të çdo familjeje shqiptare, 20% e paguajnë konsumatorët, 80% e paguan shteti, e njëjta gjë për biznesin e vogël!

Ashtu sikundër, jemi shumë të vendosur t’i vendosim një taksë të jashtëzakonshme tre prodhuesve të mëdhenj të energjisë sepse lufta, dhe do them pak fjalë për këtë pjesën e luftës. Lufta ka sjellë fatkeqësi të përgjithshme për shumëkënd por ka sjellë një fatmirësi të jashtëzakonshme për këta prodhuesit e mëdhenj të energjisë, nuk flas për HEC-et e vogla, se ça nuk dëgjoni ju në televizor, por flas për tre prodhues të mëdhenj të energjisë të cilët pa bërë asnjë gjë, as se kanë bërë ndonjë investim më shumë, as se kanë bërë ndonjë sforco, ju vjen paraja e fitimit si shi. Ata e eksportojnë jashtë, por iu vjen si shi. Ndërkohë që pjesës tjetër, ju futet uji simbolikisht në shtëpi. Tani ne nuk mund të lëmë pensionistët, nuk mund të lëmë ata që janë më në nevojë pa ua bërë të gjithë hyzmetin e mundshëm dhe të imagjinueshëm e ndërkohë që shohim se si këta prodhuesit e mëdhenj bëjnë fitime marramendëse. Kështu që një pjesë të rëndësishme të atyre fitimeve do tua marrim atyre e do tua japim tyre që janë prekur nga lufta dhe që janë ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Kjo është diçka që siç e dëgjuat, ndryshe nga hienat e Tiranës, se ne nga ka gjetur belaja dhe e kemi të veçantë belanë, se hiena vetë është një hall i madh. Hienë non grata dhe hienë spiune vetëm në Shqipëri gjen. Edhe një hienë spiune dhe një hienë non grata bashkë, kjo është qamet i madh. Por çfarë do bëjmë? Na ka rënë, do ta heqim siç e kemi hequr deri tani. Taksirati jonë është që sa herë të na dalin përpara, ti mundim e të vazhdojmë rrugën.

Këtu flas për diçka shumë serioze. Presidentja e Komisionit Europian, e dëgjuat dje, e sqaroi që taksa e jashtëzakonshme për këta prodhues është e vendosur edhe si direktivë e Bashkimit Europian dhe ka një sërë vendesh të Bashkimit Europian që po e zbatojnë aktualisht. Pra ne nuk është se po kthejmë komunizmin, sikundër u akuzuam dhe këtu ka dhe një detaj tjetër. Në këta tre prodhues të mëdhenj, njëri prej tyre prodhon e fiton në mënyrë marramendëse si rezultat i bujarisë së hienës non grata kur ishte kryeministër, që i fali për një copë bukë Ulzën, Bistricën 1, Bistricën 2 dhe Shkopetin. 4 hidrocentrale të bëra me mundin dhe djersën e shqiptarëve, se me demek shteti për një biznes tjetër nuk i kthente dot TVSH-në dhe i fali këto. A e kuptoni? Kjo është një nga çudirat e mëdha që kanë ndodhur dhe duhet tani të dëgjojnë shqiptarët, t’ju rrokaniset koka, “Shqipëria në rrezik, hajdeni pas hienave që të shpëtojmë Shqipërinë”. Ndërkohë që u detyrua dhe Amerika të thotë: “larg hienave”.

Nuk po zgjatem më shumë me këtë punën e 4 hidrocentraleve se është dhe më e thellë historia, por po ju them që kjo luftë nuk është një gjë që mund ta diskutojmë, a ka luftë a nuk ka luftë. Dhe kush e diskuton këtë ka qëllime të tjera dhe natyrisht që mos prisni që këtë gjë mos ta diskutojnë hienat. Hienat janë të zhytur në thesin e rublave. Kur thonim ne, “paratë ruse”. Thonin të gjithë bashkë njëzëri, “këtë e ka bërë Sorosi me Edi Ramën”. Tani që na doli në raportin e CIA-s që na paskan qenë para ruse, tani kanë filluar të bërtasin që nuk dinim gjë ne, se i merrte paratë Luli, që Luli i merrte kjo nuk diskutohet, por që Luli ti merrte pa leje këtë nuk e ha njeri. Kjo tani, se ne ishim ata që thonim dhe ja ku doli fjala, do dalin dhe fjalë të tjera por ka dalë kjo fjalë edhe për çështjen e thikës në shpinë që iu ngul UÇK-së dhe Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtareve të tij sepse sot, pasi doli që rusët iu dhanë këtyre jo pak por gjysmë milionë dollarë që të rrezojnë qeverinë tonë, pse donin rusët që të rrëzonin qeverinë tonë dhe për çfarë iu lindi në zemër t’ia japin paret këtyre? Për çfarë? Pse duheshin rusët të paguanin Partinë Demokratike? Për çfarë? Sepse shërbimi ndaj rusëve është më i largët, është atje dhe ka dhe të tjera, një fakt sot se ka dhe të tjera, është që delegacioni rus në Asamblenë e KE me mbështetjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë përmes përfaqësuesve të vet në Asamblenë e KE ka çuar përpara me votim ngritjen e një akt akuze ekstreme për trafikim organesh dhe ku? Këtu në këtë qark, organesh njerëzore, pra në një fshat atje në fund të botës. Po, po e di që është në Xibërr por në Xibërr me u nis në atë kohë për të arritur me makinë kishe rrezik të humbje bashkë me makinën në gropë dhe të mos arrije në Xibërr, mos ta merrte vesh njeri ku je. Jo më qenkan bërë nxjerrje organesh e paketime organesh, transportime organesh dhe çuarje organesh jashtë shtetit dhe vazhdon historia e rublave.

Ta keni shumë të qartë, ta kenë të qartë të tjerët se ju e keni shumë të qartë jo se keni ardhur këtu. Vazhdon historia e rublave dhe këta thonë “s’ka luftë, çfarë lufte, këtu s’ka luftë, këtu është qenëria që duhet rrezuar”. Tani në fakt e vërteta e kësaj lufte është që Ukraina është sebepi. Putini nuk e ka me Ukrainën si qëllim përfundimtar, Ukraina është një mjet për të realizuar qëllimin. Sulmi ndaj Ukrainës është mjeti për të realizuar qëllimin dhe qëllimi është gjunjëzimi i gjithë Perëndimit, ndryshimi i gjithë ekuilibrave botërorë. Ai e thotë këtë gjë shumë qartë. Bota nuk mund të pranojë një usta dhe e ka me Amerikën dhe gjithë pjesën e Europës në Perëndim e konsideron vasale të Amerikës. Ne nuk përjashtohemi nga kjo se ne jemi në mes të Europës, jemi anëtar të NATO-s dhe si do ta gjunjëzojë Perëndimin? Bombat i hedh në Ukrainë. 7 milionë refugjatë lufte janë nga Ukraina, por energjinë e përdor si armë kundër Perëndimit duke patur parasysh që është burimi kryesor i gazit dhe i naftës për Europën dhe duke çuar jo bombat nga lart, por minat e inflacionit të luftës dhe duke pritur që hiena si këta të çohen dhe t’i thonë popullit: “çohu popull se është vendi në rrezik, se inflacionin e krijon qeveria, se energjinë e rrit korrupsioni” dhe hajde të bëjmë këtu kaos. Janë të lidhura gjërat. Mos mendoni që ajo non grata nuk ka lidhje me rublat. Mos mendoni që këtu gjërat janë ato që duken, nuk është çështje e një hiene që ka ngordhur me kohë dhe që kujton se është gjallë. Është çështja e një plani për të goditur çdo vend që është demokratik, që është rreshtuar me Aleancën Euro-Atlantike dhe që është kundër Rusisë, është shumë e thjeshtë, aq sa e komplikuar duket.

Prandaj, po t’i dëgjoni me vëmendje me këtë sy do ta shikoni që është e gjitha një vijë logjike, nuk është fare diçka që u ngrit i vdekuri nga varri se iu prek dinjiteti, cili dinjitet? Çfarë dinjiteti iu prek? Çfarë dinjiteti mund të ketë një gënjeshtar patologjik, rrenacaku më i madh i historisë së Shqipërisë? Si mund të ketë dinjitet rrenacaku më i madh që ka pjellë toka shqiptare? Një farë burri që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër. Si mund të ketë dinjitet? Vetëm dinjitet nuk ka. Është një shërbëtor i forcave më jo dashamirëse të vendit tonë. Shikojeni para dy ditësh, çfarë dinjiteti ka kjo: nxjerrin ata të tjerët iranianët atë TIMS-in e udhëtimeve të mia që është i vërtetë ai TIMS-i, ato janë udhëtimet dhe del hiena. Hiena non grata imagjino dhe thotë “22 milionë euro kanë kushtuar fluturimet e këtij. Prandaj çohuni se Shqipëria është në rrezik. Po sikur të kishin kushtuar jo 22 milionë as 2 milionë por edhe 200 mijë, atëherë si do mundesha unë të vija këtu përpara jush, por jo vetëm kaq, por e vërteta është tjetër komplet, që udhëtimet e mia me atë avionin promocional që është për t’i bërë reklamë kompania vetes dhe Shqipërisë kanë kushtuar nga viti 2020 deri më sot më pak sesa gjysma e udhëtimeve të hienës kur ishte kryeministër. Më pak me fatura, jo me llafe! Tani pse i thuhet njerëzve, “u rrit çmimi i energjisë”. Pse i thuhet njerëzve 22 milionë euro për këtë avionin, pse i thuhet njerëzve 2500 policë kanë braktisur detyrën. Pse i thuhet njerëzve gjithë këto dhe amplifikohen nga televizorët. Mendoni që është kjo çështje dinjiteti dhe hallesh personale se dëgjoj që thonë “janë halle personale”. Çfarë halle personale? Cilat halle personale? Këto janë pjesë e një plani. Këtë di të them unë sot. Do dëgjoni më shumë dhe siç koha vërtetoi se çfarë ishte qeveria e  Partisë Demokratike për Kosovën dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, vetëm qorrat, shurdhët, trushkulurit nuk e kuptojnë kaq gjë. Siç koha vërtetoi që gjysmë milioni dollarë rusët ia dhanë Partisë Demokratike për të rrëzuar Partinë Socialiste, koha do vërtetojë çfarë po ndodh sot. Të jeni të sigurt për këtë.

Koha do vërtetojë edhe si financohen këto që ndodhin sot.

Edhe kjo dyshja serioze e hienave që bashkon spiunllëkun me nongratën. Do ta tregojë koha. Ju kujtohet kur bëja fushatë unë që thosha Lulëzim, ndahu nga ata të dy. Ju kujtohet kur më thoshin këta nëpër studio, po ç’ke me ata ti, njëri është në pension, tjetri s’ka lidhje fare se është president. Ja ku janë! Pse janë prapë këtu bashkë?! Se i thirri detyra. Detyra e kujt?! Detyra e atyre që i tundnin rublat. Pse dolën bashkë këta? Si dolën bashkë? I ndjeri At Zef Pllumbi më ka dhënë një mësim shumë të madh. Kur ra puna e spiunave dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit, se e pyeta “Padre, si e shpjegon ti që ata që kanë vuajtur më shumë, janë njerëzit më të urtë, të arsyeshëm, kërkojnë paqe.” Më tha: “Nëse do me e dit se kush ka spiunu ma fort, nigjo kush bërtet më fort kundër sigurimit”. Shumë e thjeshtë.

Nëse doni të dini se kush ja ka fut më fort Kosovës, shihni se kush ulëret më fort për Kosovën. Nëse doni të dini, se kush ja ka fut më thellë Shqipërisë, shihni se kush flet më shumë për patriotizëm, atdhetarizëm, popull të 2 marsit e 7 marsit e për flamur.  Është shumë e thjeshtë se ata s’do dalin të thonë: Rroftë Bashkimi Sovjetik. Për atë paguhen, megjithatë t’i lëmë këta, se kemi rrugën e Arbrit kryesore.

Rrugën e Arbrit ju thoshit, “si mo nuk e bëmë ne, do e bëjë Edi Rama, ky tradhtar, ky spiun, ky serb. Kur nuk e bënë këta patriotët e mëdhenj, do e bëjë Edi Rama”!

Jo vetëm rrugën e Arbrit që ne sot do ta kishim përfunduar në rast se nuk do të kishte dalë gjeologjia problematike në tunelin e Murrizit, e shpjegoi Belinda, ku vazhdon puna, por ecet 1 metër në ditë. Në tunelin e Llogarasë 25 metra në ditë. Na kanë marrë më sysh, shkurt muhabeti. S’kanë lënë magji pa na bërë, po në fund fare ai tuneli do hapet dhe ne do fillojmë lidhjen e Peshkopisë me Maqellarën që mos dëgjojmë llafe nga dibranët e bulevardit. Siç thonë për ujin me presion. “S’ka ardhur rruga e Arbrit këtu, po s’erdhi te shtëpia ime nuk është bërë. Maqellara është nivel tjetër.

Ne do ta lidhim me Peshkopinë, nga kafja në qendër të Tiranës  te Astriti, do shkohet me rrugën e Arbrit.

Kur kam ardhur unë këtu, vetëm hoteli i Astritit ishte. Unë sa isha bërë kryetar i Partisë Socialiste. Është një Astrit – më thane – është i joni.  Ky nuk dihet i kujt është, po unë di, i imi është nuk diskutohet. Ju të tjerët shihni e bëni, se më kë është. Shkoj te Astriti, “Do iki do shes hotelin, – thoshte – mos na mbaj kot këtu me rrugën e Arbrit”.

I thashë, “Astrit fillo me ato që ke fituar nga hoteli investoji sepse rruga e Arbrit do të bëhet dhe Dibra do bëhet kopështi i gjelbër i Tiranës dhe në Dibër do jetë një nga pikat me numrin më të madh të turistëve në Shqipëri. 26 mijë turistë deri tani, këtë vit.

A e keni imagjinuar të vijnë 26 mijë, të luajnë mendsh e të nisen në ato rrugët që vije e duhet të numëroje brinjët a i kishe kur arrije këtu. Po ju them që mos u çuditni fare që do bëhet 260 mijë turistë në qarkun e Dibrës sepse rruga i sjell më shpejt. Dibranët e Tiranës pak nga pak do ta kuptojnë që ato 5 lekë kursime nuk ka nevojë t’i investojnë të blenë apartament në Tiranë. Këtu është e ardhmja, edhe e atyre që duan të jenë edhe tironca edhe duan të kenë një shtëpi me ajër të pastër në mes të gjelbërimeve.

Shihni çfarë ndodh me agroturizmat dhe do të shtohen vijimësisht sepse natyra është magjike. Rruga e Lurës po ndërtohet. Do të shkojë Peshkopia në Lurë për 40 minuta. Llogariteni, kur të vish të kesh edhe Lurën, edhe Peshkopinë, por edhe Matin, Burrelin që po transformohet dhe gjithë këto bukuri bashkë me parkun e madh që po punojmë t’i japim një status të veçantë. Për llixhat kemi folur sot, i kam thënë Rrahimit. Shtrime rrugësh për 7 muaj t’i pranojmë për gjëra të mëdha, por duhet të futet bashkia për të ndërtuar më shumë pika grumbullimi, përpunimi se këtu ka bletërritës e mjaltë, por duhet të bëhet markë mjalti. Markë mjalti nuk bëhet duke i gjëmuar secili tek e tek bletëve të veta. Duhet të bashkohen forcat, bashkia duhet të futet, të krijojnë shoqëri të përbashkët, ne të mbështesim me financim dhe mjalti të dalë në treg siç del vaji i ullirit i atyre në Elbasan që kanë bërë federatën e ullirit. Ata që janë më të mençurit bashkohen, nuk ndahen.

Përveç pikave të grumbullimit, agropërpunimit edhe llixhat. Duhen bërë llixhat, nuk mund të rrinë më si ndërmarrje komunale. Ka ardhur koha që të bëhen pjesë e paketës turistike të Dibrës.

Në fund, Një gjë dua të them për fëmijët tuaj, më të rinjtë. Ne po bëjmë një investim të rëndësishëm, një program për t’i mbështetur sa më shumë nga 15-16-18-19-20 vjecarët që të futen për të bërë kurset intesive për teknologjinë, në mënyrë që të punësohen pa pasur nevojë fare të lëvizin nga shtëpia, përmes kompjuterit mund të punojnë në çdo vend të botës.

Sot ka të rinj që e bëjnë këtë në Shqipëri, por duhet të ketë shumë më tepër dhe të marrin rroga shumë më të mira se rroga e Rahimit dhe se rroga ime, duke vazhduar shkollën dhe duke vazhduar të jenë pranë shtëpisë. Ky është një program, plus programin e sporteve që t’i fusim tani në skuadrat sportive pasi i futëm fiskulturën se këta na lanë dhe pa fiskulturë ne. I nxorrën jashtë mësuesit e fiskulturës dhe i lanë fëmijët pa një ushtrim gjimnastikor. Plus dhe programi i arteve dhe i zejeve për të krijuar një hapësirë të re për të gjithë vajzat dhe djemtë në atë moshën midis shkollës dhe universitetit që të mos rrinë gjithë ditën tek ajo mrokulla duke parë se çfarë bëhet nëpër Instagram, nëpër Tik-Tok e nëpër Facebook.

Besoj që këtë vend e ka bekuar Zoti, Shqipërinë dhe unë them gjithmonë “E ka bë ditën e dielë Zoti kur ka qenë pushim. E ka bë e ka qa dhe kur ka ardhë puna me bë shqiptarët, i ka lënë përgjysmë se ka ardhur e hëna”. Ne jemi ndarë po shyqyr që shumica është bërë. Është ajo pakica që të luan mendsh, si mban dot as për hudhra se janë shumë.

Nëse Zoti e ka bërë ditën e dielë Shqipërinë, këtë vend këtu, Dibrën e ka bë që në mëngjes, kur ka qenë. Është një bekim i madh. Ajo që ka rëndësi sot është që krahasuar me nga e nisëm ne, sot jemi dita me natën, por krahasuar me çfarë mund të bëjmë ne me këtë mrekulli, akoma nuk ka gdhirë. E rëndësishme është që kanë filluar shenjat e para, kanë filluar të çelin farat e para që ky bekim i madh i Zotit, kjo pasuri e mahnitshme natyrore mund të kthehet në mirësi për njerëzit, për familjet, për ekonominë.

Kini shumë besim, kini shumë besim që ky vend e ka kaluar pjesën më të vështirë.

Kini shumë besim që çdo hap që do të hedhim do të jetë për më mirë.

Kini shumë besim që ajo që ju thashë, që në Dibër nëse sot numërojmë 26 mijë turistë, që nuk i imagjinoj dot, 260mijë do të bëjmë në disa vite me gjithë këto punë që ne po bëjmë, por mbi të gjitha duke u bazuar tek mendja e dibranëve punëtorë sepse janë ata që po i bëjnë këto agroturizma, janë ata që po bëjnë këto prodhime bujqësore që po eksportohen gjithmonë e më shumë, që po bëjnë gjithë ato zhvillime me blegtorinë, por patjetër, ata që bëjnë këtu një rini që është fantastike.

Unë kam bërë takimet e të rinjve këtu, në Mat e në gjithë këtë zonë, nuk e di. Se nga dalin këta fëmijë, që janë sikur me i taku mes Parisit, mes Londrës, të ditur, të kultururar, të ditur e të gjitha. Është geni mor vëlla, nuk ke çfarë i bën.

Shumë faleminderit!

Duhet të ikim se jemi vonë, thotë kjo gjysëm dibrania këtu, Belinda. Po na presin fëmijët se do shkojmë tek ekipet e sportit po ngaqë nuk kanë akoma uniformat duan të ikin ata. Kështu që, ne do biem uniformat që të rrinë më gjatë.

Faleminderit!

Previous Me të rinjtë e të rejat e Dibrës në përpjekjen për t’u dhënë më të mirën