Sekretari amerikan i Mbrojtjes, z. Lloyd Austin përshëndeti dhe vlerësoi angazhimin serioz të vendeve aleate dhe partnere në Koalicionin për Mposhtjen e ISIS, i cili mbetet një prej koalicioneve me pjesëmarrjen më të gjerë dhe me rezultatin më inkurajues në terren. Pjesëmarrësit në këtë takim, të konceptuar si një mini samit përpara zhvillimit të Ministerialit të Mbrojtjes së NATO, u njohën me hapat konkretë, që do të ndërmerren në fazën e tërheqjes së pjesshme të trupave amerikane nga Iraku si edhe me planet e Aleancës për të vijuar me trajnimet, këshillimin dhe asistencën ndaj institucioneve të Irakut nëpërmjet misionit NMI.
Gjatë punimeve të ditës së parë të ministerialit, fokusi kryesor ishte lufta në Ukrainë dhe vijimi i mbështetjes nga Aleanca për zbatimin e vendimeve të Samitit të Uashingtonit. Këto çështje u trajtuan në detaje gjatë takimit të Këshillit NATO – Ukrainë, ku morën pjesë vende aleate dhe partnere të NATO, si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, z. Rustem Umerov, i cili përditësoi mbi situatën e luftimeve në terren dhe paraqiti kërkesat e Ukrainës për mbështetje të mëtejshme, kryesisht në prag të sezonit të dimrit.
Në këtë kontekst, u theksua nevoja imediate për mbështetje ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në mbrojtjen ajrore dhe municione, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga agresioni rus. Vendet aleate shprehën një qëndrim të unifikuar për vazhdimin e kontributeve dhe ruajtjen e solidaritetit dhe kohezionit në mbështetje të popullit ukrainas dhe luftës së tij, si dhe për mbështetje të palëkundur në rrugëtimin e Ukrainës drejt integrimit euroatlantik.
Në këtë takim, ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, rikonfirmoi angazhimin e vendit tonë, krah vendeve aleate në mbështetje të palëkundur për Ukrainën në përpjekjet e saj për stabilitet dhe siguri.
Ministri Vengu njoftoi se së shpejti do negociohet mes dy vendeve për të lidhur “Marrëveshjen mbi bashkëpunimin për sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës”. Ai deklaroi gjithashtu, se Shqipëria do të angazhohet për të ofruar trajnim për personelin ushtarak të Ukrainës.