Ministri Demo: Paketë mbështetëse prej 65 milionë eurosh për pushtetin vendor dhe qasje e re për transportin urban

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, njoftoi pas mbledhjes së Qeverisë se, në kuadër të Aktit Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2026, është miratuar një paketë mbështetëse prej 65 milionë eurosh për fuqizimin e pushtetit vendor dhe zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë territorin.

Sipas ministrit, financimi përfshin 35 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës bazike në territor dhe 30 milionë euro për zbatimin e dy programeve prioritare në mbështetje të bashkive. Një nga programet parashikon krijimin e një flote logjistike në çdo qark, e cila do t’u shërbejë bashkive për mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore dhe asaj vendore.

Ministri Demo bëri të ditur se pjesë e paketës është edhe një qasje e re kombëtare për transportin urban. Gjatë vitit 2026, bashkitë e para pilote do të kalojnë drejt një modeli të ri të organizimit të transportit publik, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, me autobusë elektrikë dhe sipas standardeve bashkëkohore. Sipas tij, iniciativa synon modernizimin e transportit publik, uljen e kostove për qytetarët dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit.