Ministrja Ibrahimaj: Bonus 5 mijë lekë për pensionistët, zgjerohet garancia sovrane për bizneset
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se, në kuadër të Aktit Normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2026, qeveria ka miratuar akordimin e bonusit të verës prej 5 mijë lekësh për pensionistët, si dhe zgjerimin e garancisë sovrane për bizneset.
Sipas ministres, bonusi i verës është bërë i mundur falë performancës pozitive të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave buxhetore gjatë pesëmujorit të parë të vitit. Nga kjo masë do të përfitojnë rreth 777.200 pensionistë, përfshirë përfituesit e pensionit të pleqërisë dhe pensionit social, pensionit të invaliditetit, pensionit familjar dhe trajtimeve të veçanta financiare. Efekti financiar i bonusit është rreth 3.7 miliardë lekë, ndërsa shpërndarja nis më 1 korrik. Ministrja bëri të ditur se rreth 30–40 mijë pensionistë, të cilët marrin pensionin më 1 korrik, do ta përfitojnë bonusin njëkohësisht me pensionin.
Në kuadër të të njëjtit Akt Normativ, është miratuar edhe zgjerimi i garancisë sovrane për mbështetjen e bizneseve nëpërmjet programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Programi do të jetë i aksesueshëm për të gjitha bizneset në Shqipëri përmes sistemit bankar, duke nisur nga ky muaj, ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë e mbështetura nga garancia sovrane do të jetë rreth 2%. Ky instrument financiar synon të lehtësojë aksesin e sipërmarrjeve në financim, të nxisë investimet, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, si dhe të mbështesë përafrimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian.
Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu tre projektligje në kuadër të Kapitullit 7 të negociatave me Bashkimin Evropian, që lidhen me fushën e pronësisë industriale dhe intelektuale. Bëhet fjalë për projektligjin për dizenjot, projektligjin për treguesit gjeografikë dhe projektligjin për të drejtat e autorit. Sipas ministres Ibrahimaj, këto nisma përbëjnë hapat përmbyllës të kuadrit ligjor për Kapitullin 7 dhe do të mundësojnë përmbylljen e tij brenda afateve të parashikuara në procesin e integrimit evropian.