Ministri Gogu: Raporti i Komisionit Evropian konfirmon konsolidimin e reformës në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit konfirmon se Shqipëria ka hyrë në fazën e konsolidimit të reformës në drejtësi, duke vlerësuar përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting), uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, nisjen e procesit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Gjatë një konference për media, ministri u shpreh se raporti, i hartuar nga Komisioni Evropian sipas të njëjtës metodologji që zbatohet për vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ato të Ballkanit Perëndimor, përbën një vlerësim të rëndësishëm për ecurinë e reformës në drejtësi.
Sipas ministrit Gogu, raporti e cilëson përfundimin e procesit të vetingut si një etapë historike për konsolidimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor. Ai theksoi gjithashtu se dokumenti vlerëson uljen me 60% të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, duke e konsideruar atë një zhvillim pozitiv që synohet të shtrihet edhe në gjykatat e apelit dhe të shkallës së parë.
Ministri u ndal edhe te procesi i dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se ai do të rrisë transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve, si dhe do të lehtësojë aksesin e qytetarëve në sistemin gjyqësor përmes reduktimit të pritjeve dhe përmirësimit të administrimit të çështjeve. Ai shtoi se raporti evidenton edhe bashkëpunimin ndërinstitucional mes institucioneve të drejtësisë, ku Ministria e Drejtësisë ushtron rolin e saj koordinues.
Raporti evidenton gjithashtu një sërë sfidash që kërkojnë adresim të mëtejshëm, si përshpejtimi i procedurave të vlerësimit, plotësimi i vakancave në sistem, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe rritja e besimit të qytetarëve te drejtësia. Sipas ministrit Gogu, faza e re e reformës në drejtësi do të matet gjithnjë e më shumë nga përvoja e qytetarëve me sistemin dhe nga përmirësimi i cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve gjyqësore.