Ministri Gonxhja: Mekanizëm i ri për mbrojtjen e banesave monument kulture, nis zbatimi në Gjirokastër

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka nisur zbatimin e mekanizmit të ri që mundëson ndërhyrjen e shtetit për mbrojtjen dhe restaurimin e banesave monument kulture në rrezik degradimi apo shembjeje, në rastet kur pronarët ose trashëgimtarët nuk kanë kryer ndërhyrjet e nevojshme. Procesi nis nga Gjirokastra, ku rreth 90 nga 390 banesa monument kulture janë evidentuar me problematika.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se puna teknike dhe administrative ka nisur, ndërsa ndërhyrjet e para konkrete dhe hapja e kantiereve parashikohen në fillim të vitit të ardhshëm.

“Asnjë objekt banimi monument kulture nuk do të lihet në mëshirë të fatit. Këto pasuri nuk janë vetëm personale, individuale apo familjare, por janë pasuri universale, kolektive, i përkasin gjithë shoqërisë dhe përfaqësojnë traditën, arkitekturën historike dhe trashëgiminë tonë kulturore,” u shpreh ministri.

Nisma do të mbështetet me financim vjetor nga buxheti dhe synon ruajtjen e autenticitetit, vlerave arkitekturore dhe kujtesës historike të banesave monument kulture, duke e trajtuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si interes publik. Ndërhyrjet do të financohen sipas një formule të përcaktuar në bazë të statusit të monumentit, natyrës së punimeve dhe vlerës së preventivit, duke përcaktuar pjesën që lidhet me mbrojtjen e vlerës kulturore, si dhe detyrimin financiar që i takon pronarit ose poseduesit.

Çdo rast do të dokumentohet dhe vlerësohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa projektet do të hartohen sipas standardeve dhe manualeve të restaurimit dhe do t’u nënshtrohen procedurave përkatëse të miratimit. Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të ndjekin dhe mbikëqyrin procesin.

Ministri Gonxhja theksoi se, përveç vlerave arkitektonike dhe etnografike, këto banesa janë dëshmi të traditës dhe përbëjnë një potencial të rëndësishëm turistik dhe ekonomik për vendin.