Ministri Hoxha takim me Zëvendëspresidenten e KE, Kaja Kallas: Shqipëria e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Nju Jork në drekën e thirrur nga Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me liderë dhe ministra të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimet u përqendruan në situatën dhe dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Ministri Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u theksua rëndësia e konkretizimit të perspektivës evropiane për të gjithë rajonin, ruajtjes së ritmit të procesit të zgjerimit, avancimit të reformave dhe ankorimit të fortë të Ballkanit Perëndimor brenda familjes evropiane. “Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të saj të vazhdueshëm të anëtarësimit në BE dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal, si dhe në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt”, u shpreh ministri.