Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, një prej akseve rrugore me fluksin më të lartë të qarkullimit në vend.

Aktualisht, projekti ka hyrë në fazën e tretë të zbatimit. Pas përfundimit dhe hapjes për qarkullim të gjashtë kilometrave të parë, punimet janë përqendruar në segmentin nga mbikalimi i Rinasit në drejtim të Limuthit. Në kantier po punohet me intensitet për mbushjen e trupit të rrugës, ndërsa kanë përfunduar punimet për ndërtimin e mureve mbajtëse.

Deri më tani është realizuar rreth 30% e punimeve të parashikuara në këtë fazë të projektit. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri të ditur se ndërhyrja parashikon zgjerimin e trupit të rrugës në tre korsi qarkullimi dhe një korsi emergjence, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për përmirësimin e lidhjeve përgjatë aksit.

“Kjo fazë kontrate përfshin zgjerimin e trupit të rrugës në tre korsi plus një emergjence. Ndërkohë, përfshihet gjithashtu nyja në disnivel e Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, që do të jetë me strukturë metalike dhe me gjatësi 94 metra”, tha Kozeli.

Hapja e gjashtë kilometrave të parë të zgjeruar të autostradës ka sjellë një lehtësim të ndjeshëm të qarkullimit të automjeteve deri në mbikalimin e Rinasit. Me vijimin e fazës së tretë synohet që i njëjti standard të shtrihet më tej në drejtim të Limuthit, duke rritur kapacitetin e aksit dhe përmirësuar lëvizjen në një prej segmenteve më të ngarkuara rrugore.

Ministri Karakaçi vlerësoi ecurinë e deritanishme të projektit dhe mobilizimin në kantier, duke kërkuar që ritmet e punës të mbeten të larta, me synim përfundimin e ndërhyrjeve përpara afatit të parashikuar.

“Pas dy fazave që janë përmbyllur me sukses, dhe kjo është e dukshme pasi trafiku është zhbllokuar me tre korsi deri në mbikalimin e Rinasit, tashmë jemi në punimet për përfundimin e zgjerimit në drejtim të Limuthit” , bëri të ditur ministri Karakaçi.

Gjatë inspektimit, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi që, krahas ecurisë së punimeve kryesore, vëmendje e posaçme t’u kushtohet edhe problematikave të ngritura nga komuniteti dhe bizneset që ushtrojnë aktivitetin përgjatë autostradës, veçanërisht sa i përket aksesit dhe lidhjes me aksin kryesor.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte ajo e mbikalimeve për këmbësorët përgjatë gjashtë kilometrave të parë të autostradës. Sipas ministrit, shqetësimet e ngritura më herët nga banorët kanë marrë zgjidhje dhe puna për realizimin e ndërhyrjeve përkatëse duhet të vijojë me prioritet.

“Kantieri është i mobilizuar. Të kemi në vëmendje përmbylljen, aty ku kemi mundësi, edhe të problematikave që kanë ngritur banorët. Te nyja e Rinasit të vazhdohet me prioritet për sa u përket mbikalimeve që bëjnë ndërlidhjen e banorëve dhe që kanë qenë një shqetësim i shtuar”, tha Karakaçi.

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës synon të rrisë kapacitetin dhe sigurinë e qarkullimit, të reduktojë ngarkesën e trafikut dhe të përmirësojë lidhjen mes Tiranës, Durrësit dhe zonave përreth. Me vijimin e fazës së tretë, puna do të përqendrohet në përfundimin e zgjerimit drejt Limuthit, ndërsa objektivi mbetet avancimi me ritme të shpejta dhe përfundimi i projektit përpara afatit.