Ministri Lamallari: Njësi e re në Policinë e Shtetit për hetimin e krimeve mjedisore
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi ngritjen e një njësie të re në Policinë e Shtetit, me fokus të posaçëm hetimin e krimeve mjedisore. Gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të Policisë në 12 qarqe, ai kërkoi një qasje më proaktive ndaj zjarreve dhe forcimin e hetimeve për rastet e dyshimta.
Ministri Lamallari theksoi se puna e Policisë duhet të vijojë edhe pas shuarjes së zjarreve, për të përcaktuar shkaqet, për të identifikuar autorët e mundshëm dhe për të verifikuar nëse pas tyre fshihen vepra penale.
Sipas tij, hetimi i zjarreve të dyshimta duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, komunitetin dhe Prokurorinë, si dhe përmes përdorimit të teknologjisë dhe ekspertizës forenzike brenda dhe jashtë vendit. Ministri vuri në dukje gjithashtu dëmet e konsiderueshme të shkaktuara këtë vit nga zjarret, veçanërisht në fondin pyjor dhe kohën e gjatë që kërkon rikuperimi i tij.