Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 8 mbeten aktive
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor, të përqendruar në zonat ku situata kërkon ndërhyrje të shtuar.
Në Dajt, Tiranë, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Priskë, Farkë dhe zonat përreth zjarri është vendosur nën kontroll.
Në Krujë vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit, ku situata është drejt normalizimit dhe nuk ka rrezik për banesat. Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku hapja e korridoreve ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Forcat në terren mbështeten nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.
Operacionet vijojnë gjithashtu në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, si dhe në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër. Ndërkohë, vatrat në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh janë shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë dhe koordinimin e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe vënien sa më shpejt nën kontroll të vatrave aktive.