Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Arben Kingji, morën pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, me ftesë të sekretarit të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, z. Lloyd Austin dhe shefit të Shtabit të Bashkuar të SHBA, gjeneral Mark Milley.
Në takimin e pestë që u mbajt në Bazën Ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani, morën pjesë ministra dhe shefa të shtabeve nga mbi 50 vende të botës përfshi edhe Ukrainën.
Vendet pjesëmarrëse konfirmuan unitetin dhe zotimin në mbështetje të Ukrainës, përballë agresionit rus. Shqipëria nga ana tjetër rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar mbështetjen dhe ndihmën brenda kapaciteteve të saj, për të zbutur pasojat që rrjedhin nga lufta në Ukrainë.