Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA u prit në Pentagon nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III.
Bisedimet e tyre u fokusuan në vazhdimin e bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe në forcimin e dialogut politik.
Sekretari Austin dhe ministri Peleshi diskutuan për ndihmën që iu dha Shqipërisë nga Garda Kombëtare e Nju Xhersit pas sulmit kibernetik dhe ranë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku për të forcuar edhe më shumë aftësitë e mbrojtjes kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.
Ministri i Mbrojtjes Peleshi shprehu falënderimet për mbështetjen e menjëhershme që dhanë ekipet e specializuara amerikane të mbrojtjes kibernetike, ndërsa shprehu nevojën që mbështetja e SHBA të jetë më e zgjeruar edhe për sistemet e tjera në vend, veç atyre të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë bisedës, Ministri Peleshi e konsideroi vitin e kaluar, vit rekord sa i përket projekteve të përbashkëta me SHBA, duke përmendur këtu nisjen e punës për Bazën Taktike të NATO-s në Kuçovë, modernizimin e Forcës Ajrore me helikopterët Black – Hawk, si dhe projektet në edukimin ushtarak, etj.
Ministri Peleshi i prezantoi sekretarit amerikan të Mbrojtjes edhe projektin e portit të ri të Porto Romanos si dhe rëndësinë strategjike që ky port ka për rajonin, Evropën Juglindore dhe Aleancën e NATO-s. Gjithashtu theksoi angazhimin e vendit tonë për të qenë faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë, ndërsa u shpreh se Kosova është interesi ynë strategjik kombëtar dhe ne e mbështesim aspiratën euroatlantike të Kosovës.
Sekretari Lloyd J. Austin III falënderoi ministrin Peleshi për pritjen që Shqipëria i bëri Stërvitjes Defender Europe – 21 dhe të Brigadës së Ndihmës së Forcave të Sigurisë së Ushtrisë Amerikane. Sekretari Austin përgëzoi ministrin Peleshi për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, për angazhimin në NATO dhe përfshirjen në të gjitha operacionet e Aleancës.