Ministri Karakaçi: Ka nisur puna për bypass-in e Elbasanit, projekt me vlerë 240 milionë euro
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një interpelance në Kuvend, bëri të ditur se ka nisur puna për ndërtimin e bypass-it të Elbasanit, ndërsa po vijon sigurimi i financimit për realizimin e plotë të projektit, me një vlerë të parashikuar prej rreth 240 milionë eurosh për të tre lotet.
Projekti inxhinierik është përfunduar dhe i është dorëzuar Autoritetit Rrugor Shqiptar. Për shkak të vlerës së investimit, financimi parashikohet të mbështetet në buxhetin e shtetit dhe në financime të huaja.
Punimet kanë nisur në Lotin 1, me vlerë rreth 90 milionë euro. Dy fazat e para janë prokuruar dhe kontratat janë lidhur, ndërsa faza e tretë është buxhetuar në vitin 2027. Procedura për fazën e fundit të Lotit 1 pritet të nisë gjatë periudhës shtator-tetor.
Ministri Karakaçi theksoi se bypass-i i Elbasanit do të ndajë trafikun tranzit nga ai urban, duke lehtësuar qarkullimin, ulur kostot e transportit dhe reduktuar kohën e udhëtimit me mbi 10 minuta, në varësi të pikës fundore. Projekti pritet gjithashtu të rrisë sigurinë rrugore dhe të përmirësojë lidhjen e Elbasanit me Korridorin VIII dhe rrjetin kombëtar të transportit.
Në aksin Tiranë-Elbasan qarkullojnë mesatarisht rreth 25 mijë mjete në ditë, ndërsa në periudhat me fluks të shtuar numri arrin deri në 30 mijë mjete. Autoriteti Rrugor Shqiptar po shqyrton dhe zbaton alternativa të përkohshme për lehtësimin e trafikut ekzistues.
Ministri e cilësoi bypass-in e Elbasanit një investim strategjik për zhvillimin ekonomik të zonës, duke nënvizuar se projekti do të lehtësojë lëvizjen e mjeteve, njerëzve dhe mallrave, si dhe do të përmirësojë aksesin drejt zonave ekonomike dhe industriale.