Ministri Malaj: Banka Shqiptare e Zhvillimit do të financojë deri në 1 miliard euro investime në sektorë strategjikë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi pas mbledhjes së qeverisë ecurinë e procesit për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion i ri financiar që synon të mbështesë sektorët strategjikë të ekonomisë dhe projektet me rëndësi për zhvillimin e vendit.

Sipas ministrit, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të krijohet me një kapital fillestar prej 100 milionë eurosh dhe do të ketë kapacitetin të gjenerojë financime nga 500 milionë deri në 1 miliard euro. Institucioni do të mbështesë sektorët që hasin vështirësi në sigurimin e fondeve ose që konsiderohen të nënfinancuar nga tregu bankar, si dhe në mbështetjen e projekteve strategjike të qeverisë.

Ndër sektorët prioritarë që do të përfitojnë nga financimet e saj janë bujqësia dhe agropërpunimi, projektet strategjike infrastrukturore, banesat sociale, inovacioni dhe digjitalizimi, si dhe investimet për rritjen e eficiencës së energjisë.

Ministri Malaj theksoi se krijimi i këtij institucioni do të sjellë vlerë të shtuar për tregun financiar shqiptar, duke zgjeruar mundësitë e financimit për sektorët dhe projektet që aktualisht kanë akses të kufizuar në burime financiare.