Këshilli i Investimeve u mblodh nën drejtimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, në takimin e fundit për vitin 2023, me temë diskutimi “Konsultimi i reformave strukturore të Programit të Reformave Ekonomike 2024-2026”.
Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri fillimisht një përmbledhje të ecurisë së mirë të ekonomisë përgjatë vitit 2023, duke theksuar rritjen e investimeve të huaja direkte në 1.1 miliardë euro për 9-mujorin, uljen e papunësisë në 10.5 % dhe rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës në shkallën 76.1%, si dhe zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit ku numri i vizitorëve deri në nëntor arriti në 9.5 milionë.
Ministri vuri në dukje ecurinë e mirë të mbledhjes së të ardhurave deri më tani, e cila pritet të vijojë deri në fund të vitit, e në këtë drejtim informoi se ka kërkuar nga Administrata Tatimore që të trajtojë me përparësi dhe në mënyrë të përshpejtuar procedurat e rimbursimit të TVSH-së, për të gjitha bizneset, për të mos pasur detyrime të mbartura për vitin e ardhshëm.
Duku u ndalur te tema e takimit, Ministri theksoi rëndësinë e Programit të Reformave Ekonomike, nisur edhe nga fakti se Komisioni Europian publikoi pak javë më parë Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili parashikon 6 miliardë euro fonde për 3 vitet e ardhshme. Nga këto fonde, Shqipëria pritet të përfitojë rreth 1 miliardë euro, në varësi të progresit dhe avancimit të reformave.
Në këtë kuadër, Ministri tha se përfshirja sa më e gjerë e komunitetit të biznesit në formësimin e këtyre reformave do të krijojë baza më të qëndrueshme për arritjen e objektivave.
Nga ana tjetër, Ministri informoi se synohet zgjerimi i mëtejshëm i anëtarëve të Këshillit të Investimeve me përfaqësim sa më të gjerë nga komuniteti i biznesit, si një forum i rëndësishëm në dialogun dhe bashkëpunimin Qeveri-Biznes.
Fjala e Ministrit Ervin Mete:
Përshëndetje,
Kënaqësi që gjetëm mundësi të takohemi para fundit të vitit, në këtë mbledhje të dytë për mua por të katërt këtë vit për Këshillin e Investimeve.
Po përmbyllim një vit pozitiv për ekonominë dhe kjo është gjë e mirë besoj edhe për anëtarët e këtij Këshilli dhe për investitorët. Kemi pasur një numër rekord vizitorësh të huaj dhe një sezon të jashtëzakonshëm turistik, që ka sjellë kontribut direkt në rritjen ekonomike, e cila u rishikua në rritje edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore, e projektuar në 3.7 % në fund të këtij viti. Lajm i mirë po ashtu është që investimet e huaja direkte për 9-mujorin kanë arritur shifrën e 1.1 miliardë eurove, me pritshmëri për ta tejkaluar shifrën e vitit të kaluar, që ishte në nivelin e 1.38 miliardë euro.
Po ashtu, kemi të dhëna inkurajuese nga tregu i punës, ku në 3-mujorin e tretë të vitit 2023 kemi arritur normën më të ulët historike të papunësisë në 10.5%, si dhe shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës, prej 76.1%.
E gjitha kjo vjen edhe në një kontekst pozitiv ku, siç e dini, kemi dalë nga lista gri dhe po diskutohet me BE-në Plani i Rritjes, të cilin do ta kemi mundësi ta prekim edhe sot në ndërlidhjen e vet me Programin e Reformave Ekonomike që do të diskutojmë. Sigurisht që diskutimi me këtë Këshill, por edhe më gjerë me komunitetin e biznesit, është i rëndësishëm për të pasur një qëndrueshmëri të këtij momenti pozitiv.
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian parashikon rreth 6 miliardë euro fonde të premtuara për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria parashikohet të përfitojë rreth 1 miliardë euro, të lidhura me progresin e reformave substanciale, ku një pjesë e tyre pritet të përfshihen edhe në Programin e Reformave Ekonomike. Synohet nxitja e përshpejtimit të konvergjencës socio-ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, si dhe një integrim i përshpejtuar në një sërë fushash të lidhura me tregun e përbashkët dhe me tregun rajonal.
Kjo mbështetje do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave dhe nxitjen e instrumenteve që aktualisht janë në proces. Fokusi i reformave duhet të ketë një qasje në drejtim të biznesit, pra një qasje “business centric” në mënyrë që të lehtësohet mënyra e të bërit biznes, të përmirësohet më tej klima e biznesit, të mundësohet aksesimi i tregut të përbashkët europian përpara së të ndodhë integrimi, të përshpejtohet procesi i integrimit dhe konvergjenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE.
Plani i Rritjes bazohet në katër shtylla kryesore, të cilat synojnë:
Rritjen e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët europian;
Nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal;
Përshpejtimin e reformave themelore, duke përfshirë cluster-in apo grupin e themelorëve, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e stabilitetit;
Rritjen e asistencës financiare;
Në bazë të këtij Plani, siç e thashë, janë një seri reformash të cilat, edhe në qasjen që kemi me BE-në, shprehin jo vetëm një vullnet dhe një aksion politik, por edhe një aksion financiar, dhe kanë një ndërlidhje edhe me dokumentin e Reformave Ekonomike që do të diskutojmë sot, dhe ky është një nga takimet që po bëjmë me biznesin, gjithashtu do t’i nënshtrohet edhe një konsultimi publik përpara miratimit.
Parashikohen disa reforma prej reformave strukturore në tre vitet e ardhshme dhe për këtë arsye përfshirja e komunitetit të biznesit në formësimin e këtyre reformave krijon baza më të qëndrueshme për arritjen e objektivave. Ndër to janë:
Burimet njerëzore dhe politikat sociale;
Zhvillimi i qëndrueshëm dhe aftësia për rimëkëmbje;
Dhe së fundmi, po jo më pak e rëndësishme konkurrueshmëria, ku përfshihen komponentë si mjedisi i biznesit, reduktimi i ekonomisë informale, integrimi ekonomik, apo tejkalimi i pengesave në bujqësi, industri dhe shërbime.
Zv.Ministri do të bëjë një prezantim dhe pastaj mund të hapim diskutimet.
Edhe njëherë faleminderit që gjetët mundësi për ne. Kënaqësi që shihemi!
***
Dua të theksoj që masat janë në diskutim mes nesh, por edhe në diskutim me Komisionin. Janë pjesë e një pakete edhe më të gjerë se sa kaq. Ne do të synojmë të mbajmë një dialog dhe komunikim të hapur me ju dhe nëpërmjet jush me aktorët në sektorët që ju përfaqësoni. Unë mendoj që, siç e kam theksuar edhe në mbledhjen e parë, kjo është një platformë shumë e mirë, ndoshta dhe më e mira që kemi për të komunikuar në këtë format tripartit, pra ku janë institucionet shtetërore, janë bizneset (investitorët) dhe aktorët e partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të rafinojmë dhe të distilojmë ato masa që duke arritur qoftë kuptueshmëri, por qoftë dakordësi, jemi në gjendje t’i shtyjmë përpara në mënyrë më të qëndrueshme.
Për këtë arsye kemi vlerësuar që edhe një zgjerim i mëtejshëm i kësaj platforme është i nevojshëm dhe unë i kam propozuar Këshillit të Ministrave një ndryshim në VKM-në që rregullon Këshillin, për të shtuar disi edhe anëtarësinë dhe përfaqësimin.
Do të desha të ndalem vetëm te një nga pikat që u përmendën aty, që lidhet drejtpërdrejt me një nga sektorët e ministrisë, por që lidhet drejtpërdrejt besoj edhe me punën e të gjitha bizneseve, që është administrimi fiskal.
Ne jemi në diskutim, Ministria ka qenë në diskutim prej kohësh dhe tani jemi në një diskutim të rigjenerizuar me FMN-në dhe partnerë të tjerë për të adoptuar një Strategji Afatmesme të Menaxhimit të të Ardhurave. Kjo është dhe një nga pikat që është në diskutim qoftë me Bankën, qoftë me Komisionin, sepse mendojmë që një qartësi sa i përket administrimit fiskal, masave, qofshin ato të politikës fiskale apo të përmirësimit të administrimit, diskutimi i tyre apo dakordësimi në avancë i shërben një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal dhe po të administrimit në këtë aspekt. Ky ka qenë një nga objektivat kryesorë që unë kam pasur që nga momenti që i jam bashkuar ministrisë, e shprehur kjo edhe në paketën fiskale që ne kaluam, e cila në vetvete synonte vetëm përgjithësisht lehtësi dhe qëndrueshmëri.
Ne kemi një moment të mirë tani të të ardhurave. Sigurisht që ka nevojë të ketë përmirësime në disa aspekte të administrimit, por momenti është pozitiv. Dua të ndaj me ju që i kam kërkuar Administratës Tatimore që të gjitha rimbursimet që ka në proces të përmbyllen deri në fund të vitit, në mënyrë që të mos ketë asnjë rimbursim të mbartuar për vitin tjetër sepse edhe ky është një tregues i përmbushjes në kohë të detyrimeve në ndërveprimin me biznesin. Madje, i kemi kërkuar të përshpejtojë për sektorë të caktuar, siç janë eksportuesit apo sektorë të tjerë, procedurat e administrimit të mos ketë asnjë vonesë dhe vitin tjetër të mos ketë asnjë detyrim të prapambetur në këtë aspekt, në frymën e një mirë menaxhimi fiskal dhe në frymën e një Administrate Tatimore, por edhe Ministri Financash dhe Ekonomie, që është patjetër partner me biznesin.
Në këtë sens, siç e thashë, ne duam që ta intensifikojmë dialogun me këtë platformë, edhe më gjerë pastaj me komunitetin e biznesit dhe me sektorët që ju përfaqësoni, sigurisht me donatorët dhe me partnerët jemi në komunikim të vazhdueshëm, madje ta zgjerojmë disi edhe përbërjen e këshillit sepse unë e vlerësoj sinqerisht si një platformë shumë të shëndetshme dhe produktive.
Diana, për ta përmbyllur pjesën time, ndoshta e sugjeruar, pastaj ju keni mënyrën tuaj se si i përzgjidhni temat, Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të të Ardhurave, pra ajo që unë përmenda, mund të jetë një temë që të trajtohet në Këshill, së bashku dhe me atë që unë kërkova dhe radhës së kaluar, efektshmërinë e realizimit apo përmbushjes së rekomandimeve që janë lënë nga Këshilli veçanërisht në lidhje me administratat fiskale, sepse ju keni trajtuar kohë pas kohe rekomandime në këtë drejtim. Tani, edhe në kuadër të strategjisë, besoj mund të ishte një temë me vlerë edhe për anëtarët e Këshillit.