Ministri Toni Gogu: Zgjidhja në Kuvend, secili në vendin e vet
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, ndërsa theksoi se situata e krijuar duhet të marrë zgjidhje përfundimtare përmes plotësimit të boshllëkut ligjor në Kuvend.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme dhe të detyrueshme. Nuk negociohen, nuk relativizohen. Për mua, kjo nuk është zgjedhje, është thelbi i detyrës sime”, deklaroi Gogu.
Sipas ministrit, përgjegjshmëria në përdorimin e parasë publike dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë dy parime që bien ndesh me njëri-tjetrin. Përkundrazi, të dyja kërkojnë një bazë të qartë ligjore.
“Paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën. Përkundrazi, kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar”, u shpreh ai.
Gogu sqaroi se situata e krijuar nuk lidhet me një debat se kush kërkon më shumë apo kush jep më pak, por me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagave të magjistratëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, deklaroi ministri.
Ai bëri të ditur se çështja pritet të adresohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar, duke e cilësuar plotësimin e boshllëkut ligjor si rrugën institucionale për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.
“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmëri të plotë ndaj buxhetit të shtetit”, tha Gogu.
I pyetur për interpretimet e ndryshme të gjyqtarëve dhe për padinë e ngritur lidhur me çështjen e pagave, ministri theksoi se nuk i takon Ministrisë së Drejtësisë të gjykojë proceset që u përkasin institucioneve të tjera.
“Nuk kam ndërmend të bëj Gjykatën Kushtetuese apo të gjykoj veprimet e Kuvendit. Nuk e kam këtë kompetencë. Ajo që mund të siguroj si ministër i Drejtësisë është se nuk do të pushoj deri në ditën kur të plotësojmë boshllëkun ligjor”, deklaroi ai.
Në përfundim, ministri Gogu e përmblodhi qëndrimin e tij me një mesazh për respektimin e kompetencave dhe roleve kushtetuese të institucioneve:
“Ligjet bëhen në Kuvend. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen. Mosmarrëveshjet gjyqësore zgjidhen në gjykatë. Secili në vendin e vet.”