Ministrja Sala: Qeveria miraton krijimin e Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe heq kufirin e moshës për Check-Up

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria ka miratuar krijimin e Institutit Kombëtar të Tumoreve, i pari i këtij lloji në Shqipëri, si dhe ka vendosur heqjen e kufirit maksimal të moshës për përfitimin falas të shërbimit të Check-Up.

Sipas ministres, Instituti Kombëtar i Tumoreve do të ndërtohet sipas modeleve më të mira evropiane, duke pasur si referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos dhe do të mbështetet në tre shtylla kryesore: shërbimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Fusha klinike do të përfshijë shërbimet e kirurgjisë onkologjike, kimioterapisë dhe radioterapisë.

Në kuadër të institutit do të krijohet edhe njësia e parë e studimeve klinike në vend, e cila do t’u mundësojë pacientëve shqiptarë të marrin pjesë në studime klinike ndërkombëtare dhe të kenë akses në trajtime e barna inovative. Përmes anëtarësimit në organizatat evropiane të qendrave shkencore onkologjike, Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë fonde evropiane për kërkim, teknologji dhe inovacion.

Ministrja shtoi se Instituti Kombëtar i Tumoreve do të shërbejë si qendra koordinuese e rrjetit kombëtar të kimioterapisë. Aktualisht në vend funksionojnë tetë pika kimioterapie, ndërsa me hapjen e pikës së re në Spitalin Rajonal të Fierit numri i tyre do të shkojë në nëntë.

Një tjetër vendim i miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikon heqjen e kufirit maksimal të moshës për përfitimin e shërbimit falas të Check-Up. Sipas ministres, nga shtatori shërbimi do t’u ofrohet pa pagesë të gjithë qytetarëve mbi moshën 35 vjeç, përfshirë për herë të parë edhe ata mbi 70 vjeç.

Ministrja Sala bëri të ditur gjithashtu se shërbimet e Check-Up dhe dializës do të kalojnë në administrimin e shtetit dhe do të ofrohen drejtpërdrejt nga institucionet publike.