Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi priti në një takim, efektivët që u kthyen nga misioni i solidaritetit në zonat e shkatërruara nga tërmeti i 6 shkurtit në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë.
Në fjalën e tij, Ministri Peleshi shprehu mirënjohjen, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeverisë dhe popullit shqiptar, për punën e bërë nga pjesëtarët e ekipeve që u angazhuan në terren që në momentet e para, pas thirrjes së lëshuar për ndihmë nga autoritetet turke dhe Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
“Ne kemi treguar në histori, e treguam edhe këtë herë me gjestin tuaj se ne jemi pranë popujve të tjerë në ditë të vështira si ky rast. Unë dua tju falenderoj nga zemra në emër të ministrisë, qeverisë dhe popullit për përfaqësimin dinjitoz që i bëtë Shqipërisë në këtë mision me risk. Sikur qoftë edhe një jetë kemi mundur të shpëtojmë nuk ka të paguar”, u shpreh ministri Peleshi.
Z. Peleshi tha se vlerësime maksimale për stafin shqiptar ka marrë nga pala turke.
“Kemi qenë vendi i parë që reaguam dhe u ofruam në thirrjen e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile. Ishte një moment i rëndësishëm për ne, sepse ishte hera e parë pas anëtarësimit, ku ne u angazhuam për të dhënë kontribut dhe jo për të kërkuar mbështetje. E treguam përmes punës tuaj, sakrificës suaj. Treguam që jemi pjesë e rrjetit të partnerëve të aleancës së madhe, qoftë në NATO, qoftë në Mekanizmin Ervopian të Mbrojtjes Civile jemi edhe për të kontribuuar”, theksoi gjatë pritjes, Ministri i Mbrojtjes.
Ministri Peleshi pret efektivët e kthyer nga misioni në Turqi – YouTube