Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro me drejtorët e shkollave të Tiranës: Vitin e ri shkollor e nisim me më shumë komunikim, siguri dhe rregulla të qarta

Në vijim të takimeve me drejtuesit e strukturave të arsimit parauniversitar, ministrja Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me drejtorët e më shumë se 200 shkollave të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Tiranë, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026-2027.

Gjatë takimit, ministrja prezantoi disa prej prioriteteve të përcaktuara në udhëzimin e ri për vitin shkollor, duke u ndalur te zbatimi me rigorozitet i rregullit për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë mësimit, respektimi i Kodit të Etikës nga mësuesit dhe stafet arsimore, si dhe krijimi i një mjedisi sa më miqësor dhe mikpritës për nxënësit.

“Ne punojmë të gjithë me të njëjtën frymë, me të njëjtat parime dhe rregulla. Bëhemi gati për të nisur një vit të ri shkollor duke përforcuar arritjet e vitit të kaluar, por edhe duke nxjerrë mësime nga ato që nuk shkuan mirë. Duhet të përgatitemi për zbatimin e rregullave dhe programeve të reja të këtij viti”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja theksoi se rregullit për ndalimin e celularëve do t’i rikthehet vëmendja e nevojshme, duke nisur nga vetë mësuesit. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Kodit të Etikës për mësuesit, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e shërbimit psikosocial, jo vetëm në aspektin e paraqitjes, por veçanërisht në mënyrën e komunikimit.

“Puna këtë vit fillon nga komunikimi. Për herë të parë, përmes udhëzimit të ri, është përcaktuar që dita e parë e shkollës të jetë një ditë njohjeje dhe prezantimi me shkollën, mësuesin, librat dhe shokët e klasës”, sqaroi ministrja.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar gjatë takimit ishte siguria në shkolla. Kumbaro informoi opinionin publik dhe komunitetin e prindërve, fëmijët e të cilëve ndjekin shkollat e përzgjedhura për projektin “Smart City”, se të dhënat e kamerave inteligjente do të monitorohen nga Qendra e Monitorimit pranë Policisë së Shtetit.

Projekti është pilotuar fillimisht në 20 shkolla të Tiranës dhe Kamzës. Kamerat inteligjente mund të identifikojnë rreziqe si tymi i cigares, objekte të klasifikuara si të rrezikshme dhe persona të raportuar për rrezikshmëri. Ministrja theksoi se teknologjia është një mjet ndihmës dhe nuk mund të zëvendësojë vëmendjen, përgjegjësinë dhe komunikimin ndërmjet të gjithë aktorëve të sistemit arsimor.

Në vitin shkollor 2026-2027 nis për herë të parë edhe zbatimi i programit “Pas Shkolle” në 408 institucione arsimore në të gjithë vendin. Programi synon t’u ofrojë nxënësve të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë kohë cilësore pas mësimit, përmes aktiviteteve krijuese dhe socializuese, duke i orientuar njëkohësisht larg përdorimit të dëmshëm të teknologjisë.

Ndërkohë, në shkolla ka nisur shpërndarja e teksteve mësimore. Ato do të ofrohen falas për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët, ndërsa nxënësit e klasave I-V do të pajisen çdo vit me tekste të reja.