Ministrja Balluku merr pjesë në konferencën “Strategjitë e Specializimit Inteligjent” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Balluku merr pjesë në konferencën “Strategjitë e Specializimit Inteligjent”

Fjala e Ministres Balluku gjatë konferencës Strategjitë e Specializimit Inteligjent(S3)

Përshëndetje të gjithëve,

Shumë kënaqësi që kemi arritur tashmë në fazën finale të një pune të gjatë dhe ajo çfarë më pëlqeu më shumë nga video është fjala ‘ekip kombëtar’. Personalisht kam një fasinim ndaj ekipeve, skuadrave, grupeve, sepse asgjë nuk bëhet vetëm dhe S3 me ekipin e tij kombëtar ka treguar njëherë e mirë sesi ku bëhemi bashkë jemi të suksesshëm.

Nuk ka asgjë për tu fshehur dhe ne në qeverinë tonë nën shembullin e Kryeministrit Edi Rama i themi gjërat ashtu siç janë edhe kur vonohemi, edhe ku bëjmë gabime. S3 ka ndenjur për disa kohë në sirtarët tona, të Qeverisë Shqiptare, ndoshta si një instrument që pjesë e zhvillimeve, e kërkesave të Bashkimit Europian, por ne jemi gjithmonë të zënë me emergjencat, me punët që duhen bërë çdo ditë pasi kjo është e vërteta në Shqipëri. Të majtë, të djathtë, të mazhorancës apo të opozitës nuk e mohojnë dot faktin që ne jemi gjithmonë në një vrap të madh për të kapur kohën e humbur. Dhe çfarë na ndodh ndërkohë që vrapojmë dhe kapim kohën e humbur, nganjëherë lëmë pas dore disa procese të cilat janë shumë të nevojshme për tu zhvilluar me idenë që aty janë, do ti bëjmë më vonë dhe duke harruar benefitet që mund të sjellin këto procese në të ardhmen, kështu siç është S3.

Ndaj unë fillimisht do ta nis duke falënderuar thellësisht ekipin kombëtar, ashtu siç shumë bukur e kishit quajtur në këtë video, për punën e shkëlqyer që keni bërë dhe për ngritjen e një metodologjie të re e cila nuk do ë shërbejë vetëm për S3, do të jetë një udhërrëfyes për të gjitha programet, strategjitë dhe reformat që ne do të bëjmë në të ardhmen. Një metodologji e bazuar mbi tryeza konsultimi, në një pjesë të të cilave kam marrë pjesë dhe vetë dhe për të thënë të drejtën më kanë shërbyer, jo vetëm për procesin për të cilin po flasim sot, por edhe për punët dhe projektet, për programet dhe për reformat e ministrisë që unë drejtoj dhe sigurisht edhe për detyrat që kam si Zëvendëskryeministre.

Nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më frytdhënëse se një tryezë konsultimi, një tryezë dialogu ku të gjithë aktorët, si Qeveria, ashtu biznesi, ashtu si dhe akademikët edhe shoqëria civile kanë të njëjtin zë, flasin me të njëjtën gjuhë dhe arrijnë të dëgjojnë njëri-tjetrin. Unë ndërkohë që flas kam gjithmonë kënaqësinë që të identifikoj në auditor njerëz me të cilët punoj, njerëz me të cilët çdo ditë ndërtojmë hap pas hapi. Dhe në këtë auditor shikoj shumë miq, kolegë, dashamirës, pjesëtarë të një procesi të gjerë, gjë që tregon se S3 është gjithëpërfshirës dhe padyshim ashtu siç thashë përfitojnë që të katërt komponentët e rëndësishëm, anëtarët e administratës, qeverisë, përfaqësuesit e bizneseve, akademikët, por edhe padyshim shoqëria civile.

Shqipëria tashmë e ka përmbyllur me sukses një nga fazat më të rëndësishme të procesit të hartimit të strategjisë të Specializimit të Zgjuar, atë të konsultimit, pra siç thamë, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët e ulur në tryezë dhe nga ana tjetër duhet thënë që qëllimi padyshim ka qenë identifikimi i sektorëve prioritar ku investimi dhe inovacioni, sidomos teknologjia do të përbëjnë një vlerë të shtuar për ekonominë e vendit tonë.

Duhet thënë dhe është shumë e rëndësishme që ashtu siç e patë dhe në videon hapëse gjithçka ka dalë nga tryezat e konsultimit përputhet me politikën dhe strategjinë, prioritetet e Qeverisë Shqiptare, bazuar edhe mbi programin 20-30. Duhet të kemi parasysh që sot, kur vendi ndodhet në një nga momentet më të mira dhe më të konsoliduara ekonomike, ashtu siç ka dalë nga të gjitha raportet, edhe siç FMN-ja tha të premten e fundit, ajo që ndjejmë më shumë nevojë është patjetër profesionalistë. Ata njerëz të cilët duhet të kontribuojnë në të gjitha këto fusha prioritare që ne i keni identifikuar përmes tryezave konsultative të S3, por që nga ana tjetër përputhen plotësisht me prioritetet e Qeverisë Shqiptare.

Çfarë na duhen?! Na duhet profesionistë të kualifikuar, na duhet profesionistë të cilën të sjellin inovacionin në radhët tona. Na duhen profesionistë që të mendojnë ‘out of the box’, na duhet profesionistë të cilët të tërheqin pjesën tjetër të administratës, të biznesit dhe të gjithë kontributorëve të zhvillimit ekonomik shqiptar.

Iniciativa të përbashkëta rajonale do të adresonin, jo vetëm këto sfida të cilat ne i kemi identifikuar përmes konsultimeve, si parakushte për zhvillimin inteligjent të vendeve tona, por dhe një sërë objektivash të tjerë strategjikë në fushën e energjisë, bujqësisë, turizmit, industrisë përpunuese, ICT dhe pse edhe në fusha të tjera të inovacionit që ne kemi filluar të identifikojmë.

Shqipëria, ashtu siç të gjithë e dini, është një vend i pasur në burime natyrore, unë e them shpesh që Zoti është treguar bujar me ne, na ka falur këtë klimë. Unë për arsye të detyrës më është dashur që javën e shkuar të vizitoja, dy, tre vende të tjera europiane dhe që të gjithë së bashku si delegacion sa herë zbrisnim nga avioni thonim të njëjtën gjë. Shqipërinë e ka bekuar Zoti. Edhe Spanjën, padyshim. Por, ndërkohë që këtu vazhdon që të jetë ngrohtë, në vende të tjera ka nisur dimri i vërtetë. Edhe kjo është një ndihmë e madhe nga Zoti, por ama ne duhet të punojmë për të përdorur burimet tona natyrore, ato që Zoti na i ka falur bujarisht.

Kështu që një nga pjesët më të rëndësishme që ky program ka identifikuar dhe që ne jemi të vetëdijshëm për të është diversifikimi burimeve. Një strategji që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka nisur prej një kohe të gjatë dhe që sot ka dhënë frytet dhe janë të prekshme. Duke nisur nga parqet fotovoltaike që kanë ardhur përmes ankandeve dhe nga ku të gjithë iniciativat private të biznesit shqiptar dhe të huaj, të cilat nëse maten përmes aplikimeve, që sigurisht do të ketë një përqindje realizimi sipas meje të lartë, sot janë më shumë se 1.7 gigavat. Nga ana tjetër, çfarë është shumë e rëndësishme dhe çfarë ka dalë nga gjithë këto tryeza konsultimesh dhe sigurisht një nga prioritetet e Bashkimit Europian është shfrytëzimi maksimal i lëndëve të para dhe përfshirja e Shqipërisë në zinxhirët e vlerës së Bashkimit Europian që do të jetë një garanci e shtuar padyshim edhe për sigurimin e lëndëve të para në tregun europian dhe nga ç’duket ne i kemi të gjitha këto mundësi.

Duhet thënë gjithashtu që Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të realizuar objektivat e caktuara në samitin e Berlinit që u mbajt në Tiranë në tetor të 2023 dhe Deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Përfundimet e nxjerra nga konsultimet me të gjithë aktorët në kuadër të S3 dhe propozimet e reflektuara në raportin final, ashtu siç thashë, përputhen më së miri me disa nga strategjitë tona kryesore, por unë përmenda diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme të cilat sigurisht kontribuojnë në sigurinë energjetike. Përmenda lëndët e para që janë shumë të rëndësishme, si pjesë e zinxhirit të vlerës industriale, por nga ana tjetër duhet të përmend edhe të gjithë rëndësinë e ndërlidhjes së transportit ku Shqipëria ka nisur prej kohësh të zbatojë disa nga projektet më të rëndësishme të WBIF, siç është rasti i Korridorit Blu apo tashmë edhe Korridori i VIII, i cili është zyrtarizuar me një vendim të Bashkimit Europian, por këto ishin të gjithë ato që i takonin Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Qeveria Shqiptare ka prioritete shumë të rëndësishme edhe përsa i përket bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, ashtu siç ndodh edhe me zhvillimin rural të qëndrueshëm që prej kohësh ka vëmendjen e qeverisë sonë. Nga ana tjetër, çfarë është më e rëndësishme dhe çfarë ne po kërkojmë të bëjmë sot është që inovacioni dhe teknologjia të jetë pjesë e çdo sektori. Kështu që e kemi nisur punën dhe shumë shpejt ju do të shikoni sesi edhe në bujqësi këto instrumente do të kthehen në instrumente të rëndësishëm për zhvillimin dhe sigurisht nuk do të lenim mbas dore mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetin. Gjë të cilën unë dua ta falënderoj ministren Kumbaro, kolegen time, Mirelën, pasi vazhdon të jetë një abstraksion për shumicën tonë. Qytetarët vazhdojnë të mos kuptojnë ndoshta punën kolosale që bëhet sot nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nga agjencitë përkatëse, nga i gjithë interaktiviteti që nuklat tona të administratës dhe qeveritare kanë me Bashkimin Europian, me shoqata e mbrojtjes së mjedisit dhe se sa shumë punohet në detaj pranë çdo projekti që ne bëjmë për të qenë në të njëjtën kornizë të përmbushjeve të kritereve, ashtu siç Bashkimi Europian e kërkon.

Nga ana tjetër, një nga prioritetet që është identifikuar është padyshim edhe përfshirja e diasporës, qarkullimi i trurit, quajtur ndryshe, reforma për përmirësimin e kurrikulave dhe edukimit, duke nisur nga edukimi fillor dhe deri në të universitar. Sigurisht, vazhdimi i edukimit gjatë gjithë jetës përmes ‘on-the-job training’ dhe shumë fusha të tjera të interesit që do të ndikojnë direkt në rritjen e burimeve dhe kapaciteteve njerëzore, si kapitali më i rëndësishëm për vendin tonë. Sigurisht që sot, ashtu si gjithë pjesa e Ballkanit, por dhe një pjesë e mirë e Europës, përballet me mungesën e kapaciteteve të burimeve njerëzore edhe për shkak të një lëvizje normale demografike që po ndodh kudo. Megjithatë duhet thënë që është në prioritetet tona që çdo projekt, çdo strategji, çdo reformë që ne dizenjojmë sot ka në qendër të saj se si Qeveria Shqiptare, sesi vendi ynë, tregu ynë duhet të bëhet më tërheqës për të mbajtur këtu kapacitetet tona njerëzore, por nga ana tjetër edhe për të përthithur dhe për të kthyer në vendin tonë ata që sot ndodhen në diasporë dhe për të thënë të drejtën kontribuojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në disa nga sektorët më kyç. Njohim djem dhe vajza, si Mira Murati apo dhe shumë të tjerë, të cilët sot janë emrat kryesorë në fushën e inovacionit, janë ata të cilët po hapin një faqe të re të teknologjisë, siç është inteligjenca artificiale.

Nga ana tjetër, shumë shpejt Qeveria Shqiptare me ngritjen e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës do të ketë mundësi që të përdorë shumë nga shqiptarët që ndodhen sot në diasporë. Do të ketë mundësi që ti ftojë ata për tu bërë pjesë e këtij procesi të madh dhe për të na dhënë edhe neve që ndodhemi këtu një dorë për të çuar përpara projekte të cilat janë të bazuara mbi inovacione. Do të jetë shumë e rëndësishme që çka ajo që ne kemi marrë nga gjithë procesi i S3, nga të gjithë tryezat konsultative që kemi bërë në ndërkohë, nga produkti që ekipi kombëtar do të nxjerrë, do të jetë shumë e rëndësishme që këto masa të propozuara bashkërisht nga të gjithë këto aktorë që thamë të planifikohen siç duhet për të qenë të monitorueshme. Monitorimi, supervizimi i një procesi, është një nga elementët më të rëndësishëm të suksesit me të gjithë dëshirën e mirë për të nisur procese, me gjithë dëshirën e mirë për ti realizuar ato, duhen marrë masa për monitorimin dhe për realizimin e këtyre proceseve, ashtu siç janë dizenjuar dhe ashtu siç do të jenë efiçient në të mirën e vendit. Për këtë është e rëndësishme që të identifikohen instrumentet financiarë, mbështetës buxhetorë apo fonde mbështetëse të Bashkimit Europian, të donatorëve apo edhe të entiteteve të tjera, ndaj në muajt e ardhshëm do të jetë mjaft e rëndësishme dhe do të jetë intensive puna për të finalizuar dokumentin e strategjisë, një dokument i cili parashikohet të validohet nga Komisioni Europian.

Ekipi Kombëtar i S3 ka filluar tashmë punën, dhe do të ketë mbështetjen e plotë të të gjitha ministrive dhe institucioneve, pjesë e Komitetit Ndërministror të cilin e drejtoj, për të përfunduar në kohën e duhur dokumentin e S3 dhe procedurat e nevojshme për miratimin e tij, duke realizuar kështu dhe një prej detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit të Bashkimit Europian me dy kapituj: Kapitullin 20 ”Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale” dhe Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, ku do të ndalojë vetëm për një moment. E di që po zgjatem po edhe S3 vetë është shumë i gjatë, kështu që më duhet që ti prek të gjithë kapitujt dhe koleget e mia mos më thonë pastaj që tek pjesa ime nuk u fokusove.

Kërkimi. E kemi humbur ndër vite dhe për këtë biem të gjithë dakord. Një nga institucionet që e ndjen më shumë mungesën e nuklave kërkimore padyshim është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për shkak se ka qenë ajo që ka pasur pjesën më të madhe të kontributit dhe në Institutet e kërkimit, duke nisur nga gjeologjia, duke nisur nga hidrologjia e shumë Institute të tjera që sot kanë krijuar një vakum. Do të ishte e pamundur që vetë shteti të ngrinte Institute Kërkimi. Sot ka ardhur një kohë tjetër kur në një bashkëpunim të ngushtë mes Qeverisë, biznesit, akademikëve dhe shoqërisë civile, pra asaj elitës së rëndësishme që ne përmendim shpesh gjatë S3, të krijojmë një habitat të mundshëm për ngritjen e qendrave kërkimore brenda institucioneve të ndryshme, qofshin këto universitete, qofshin këto njësi të biznesit privat apo edhe njësi pranë ministrive apo agjencive që kanë fusha specifike dhe mbulojnë sektorë të rëndësishëm, siç është sektori minerar apo siç është energjia, apo edhe sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm. Edhe vetë transporti ka nevojë për studime, për kërkime dhe gjithçka tjetër. Kështu që bazuar mbi të gjithë strategjinë e S3, një nga elementët më të rëndësishëm me të cilin ne do të merremi dhe do të kemi një vëmendje të shtuar, është ngritja e kapaciteteve për kërkim shkencor.

Ky proces duhet thënë se është mbështetur dhe asistuar në vijimësi, që prej fillimit të tij nga Komisioni Europian dhe qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian, të cilët gjej rastin ti falënderoj për të gjithë mbështetjen e dhënë ndër vite, sikurse do të doja të falënderoja edhe Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë. Shumë faleminderit për të gjithë mbështetjen dhe facilitetet që na kemi krijuar, sepse shpeshherë burokracia jonë na vonon pak në procese, por ju keni qenë me të vërtetë partner vokal dhe unë ju quaj pjesë të pandarë të këtij procesi dhe kontributor shumë të rëndësishëm.

Strategjia e Specializimit Inteligjent do të jetë një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe një instrument i rëndësishëm për drejtimin e investimeve në të ardhshmen në fushat prioritare dhe në zhvillimin e bazuar në dije dhe inovacion, duke mbështetur rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit për vëmendjen. Ndjesë nëse u zgjata, por me të vërtetë është një proces të cilin e kam për zemër dhe e vlerësoj shumë të gjithë produktin që do të na japë në të ardhmen.

Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe uroj që sot të jetë një ditë me të vërtetë produktive për të gjitha panelet.

Previous Nderim dhe vlerësim për kampionët e sportit, Kryeministri Rama nderon me Yllin e Mirënjohjes Publike kampionin e karatesë Alvin Karaqi